BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Kur rrufjanët historikë kthehen në... histerikë

Kur rrufjanët historikë kthehen në... histerikë

(Dëshironi ju që tjetrin ta bëni të vuajë gjithë jetën?!)

E mjera nëna jonë Shqipëri në dorë të kujt ka rënë! Kanë kaluar thuajse tre dekada që nga sabotimi dhe rënia e sistemit socialist teksa ëndrra e shqiptarëve për një jetë më të mirë ngeli vetëm ëndërr. Ajo ngeli dhe e tillë ka për të qenë vazhdimisht, sepse janë kushtet ekonomiko-shoqërore ato që përcaktojnë jetën shpirtërore, lirinë e pavarësinë, barazinë e vërtetë njerëzore. Këto nuk janë terma komuniste të Marksit, as dëshira teorike të individëve të veçantë, sepse edhe filozofë të lashtësisë, apo iluministët rilindas e deri te utopistët francezë, e mendonin dhe e projektonin botën pa shtypje e shfrytëzim barbar të njeriut nga njeriu, por me ndryshimin, se ata nuk arrinin të kuptonin thelbin e këtij shfrytëzimi, sikurse dhe rrugët që të çonin drejt një shoqërie pa të pasur e pa të varfër.

Kështu që “demokracia alla perëndimore,” e cila na ofrohej si “Kuti e Pandorës” dhe të cilën në mënyrë solemne para kumbarës Amerike dhe rrospisë Europë e hapi Ramiz Alia, na rezultoi se brenda saj ishin strehuar djajtë; djaj këta të një lloji të veçantë, të paparë asnjë herë në historinë e këtij kombi. Këta djaj, me veprimtarinë e tyre të mbrapshtë u bënë kaq maskarenj, sa që nëse do të kishte sipër qiellit ndonjë “Allah”, ai do të merrte lemerinë dhe kushedi se ku çkulte flokë e do të çirrte faqe nëpër kozmos duke i mallkuar me gjithë shpirt ata që ja “nxinë faqen” dhe përse e për çfarë ju desh atij që e eksperimentoi këtë gjë në Shqipëri! Fjala është se tridhjetë vjet djajtë shqiptarë morën lëkurën e ëngjëllit, e veshën atë në arenën shqiptare dhe tani as që nuk pyesin dhe nuk menderosin askënd, për ato që bëjnë. Madje jo vetëm kaq, por ata e kanë kodifikuar dhe me ligj sepse nuk mbajnë aspak përgjegjësi për ato që thonë e deklarojnë në Parlament dhe si të tillë, për rrjedhojë nuk mbajnë asnjë lloj përgjegjësie as për bëmat e tyre. Kanë tridhjetë vjet që “po na çajnë menderen” me reformat, reformat, reformat. Cilat reforma dhe për kë? Mos vallë po bëjnë reforma të mëdha ekonomike në interes të popullit fukara apo reforma në sistemin e shërbimit mjekësor? E di ti populli im se sa paga, shpërblime, honorare, marrin “reformatorët” tanë të kamufluar me tituj, sikurse janë atashuar si anëtarë bordi, anëtarë komisionesh, pjesëmarrës në konferenca të ndryshme kombëtare e n/kombëtare etj. etj. etj.? Mijëra e mijëra euro dhe për më tepër jemi ne ata që i paguajmë padronët tanë, jemi ne qorrat e shekullit të ri që qeshim, madje gëzojmë t’i japim dhe dorën një deputeti, bile jo vetëm kaq, por e kemi dhe për borxh të mallkojmë e të rrihemi në mes të fshatit me njëri-tjetrin për të mbrojtur ngjyrat e kusarive të tyre “blu” “rozë” madje dhe të pangjyrë fare apo të dalë boje, që i thonë “lesh e li”.

Reformat, reformat, reformat – në sistemin elektoral e në drejtësi!

Hahhahahahahha! Po mirë kush e bën këtë reformë, mos vallë populli? Jo aspak, e bëjnë vetë ata dhe kësaj i thonë që t’i varësh ujkut mëlçitë e qengjit në qafë dhe ta bësh bari tufe. Në fakt tufa e vërtetë jemi ne dhe e dini përse? I kini parë si u shkëlqen fytyra djajve tanë dhe si buzëqeshin ata duke marrë pamjen e engjëjve të pafajshëm?! Madje djajtë tanë janë aq të djallëzuar, sa që padisin dhe njëri-tjetrin në kupolën e madhe të Strasburgut. Njëra pjesë shan atë që bëri padinë se pallatin e kryengjëllit “Luluq” e prishën me pa të drejtë, teksa pala tjetër fërkon duart e qesh me të madhe se mirë ja bënë maskarait kusar! Por çfarë na ndodhi? Gati 19 milionë euro do i paguajnë dhe ata që qeshin dhe ata që mallkonin, shkurt i paguajmë ne populli. Po pse nuk i paguan Rama me gjithë qeverinë e tij, që mori vendim të padrejtë? E si do ti paguajë ai mos vallë është i marrë kur jemi ne hajvanët që i paguajmë të gjitha?! Doemos që ska pse i paguan sepse i dhimbset xhepi i tij i mbushur plot nëpërmjet aferave të kamufluara. Strasburgu na e dha të qartë mesazhin, që i lini të vjedhin! U krekosën, u angazhuan para popullit se do shkarkonin presidentin dhe po me këtë rast trimi i Skraparit bëri thirrjen për të dalë në mal me armë në dorë. Por asnjëra nuk ndodhi. Presidentin tonë të nderuar, i cili vendos shqipen pa pendë në mes të kraharorit, jo që nuk e shkarkuan dot, por thonë se ai madje bleu dhe bëri gati dhe ca brisqe. Të tjerët ja morën si ironi sikur gjasme u thoshte atyre që e kishin inat se s’keni ç’të më bëni, por në fakt nuk ishte ashtu sikurse përflitej sepse ai i bleu që t’i kishte gati në çdo rast, që para se të jepte jetën t’i fuste vetes një të rruar me qëllim që të vdiste i bukur. Por edhe kjo nuk ndodhi sikurse as në malet e Skraparit nuk arritën dot që ta shikonin “partizan” me armë në dorë ngaqë s’kishte më, sepse para-ardhësi i tij i kishte shitur që të tëra. Maskarenjtë e shtypit dhe masmedias e kanë akuzuar shpesh për korrupsion e për vjedhje floriri, madje këtë të fundit ja ka thënë dhe vetë kryekusari i të gjitha kohërave, plaku gungaç të cilit gunga i del përherë në arenën politike si gamile Arabie dhe këtë vrastar ne e kemi aq për zemër saqë ja këtu do jemi po nuk e zgjodhën përsëri si deputet të përjetshëm!

Tashmë në lukuninë dhe të etur në grykësinë e tyre në konkurrencë me njëri-tjetrin e dini përse u duhet reforma elektorale dhe ajo e drejtësisë?! Si mendoni mos vallë na duhet që të na shërbejnë ne? Ja për shembull le të marrim “orë ziun” Fake (Faiku një miku im) që as unë nuk e di se me kë është, ai përsëri do shkojë të votojë duke qeshur edhe pse merr 12 mijë lekë ne muaj, ai voton jo vetëm vjedhjen që i bëjnë, por edhe vetë fukarallëkun e tij dhe është shumë i kënaqur, pse jo dhe fukarallëkun tim dhe të gjithë popullit. E dini ju se deputeti ynë që do na bëjë reformën merr vetëm për mbushjen e celularit të tij 3 herë me shumë se Fake fukarai?

U duhet reforma për zgjedhjet sepse kështu na e vendosin në qafën tonë të skllavërisë duke na mbajtur sa më gjatë dhe me hosten duke na shpuar nga bythët, duke na u hakërritur me dashamirësi: Ohaaaa kazil... ohaa balok...oahaaaa! Hahahahhhhhahhaha – qeshin ata me hosten në dorë dhe ne mbajmë me dorë bythët tona gjithë gjak.

Dhe ata do jenë përsëri në drejtimin e parmendës pavarësisht se kur lodhet njëri e merr tjetri. Për të na hedhur dhe hi syve hedhin vickla e bëjnë sikur do bëjnë namin me njëri-tjetrin, akuzojnë njëri-tjetrin, kërkojnë reformë drejtësie për të bëre zap njëri-tjetrin etj. etj. E dini çfarë është reforma? Është ajo zgjedha jonë në qafë që tërheq parmendën e pasurisë së tyre. Ja pra, ndaj u duhet sepse do heqin zgjedhën e vjetër të zgjedhjeve të parmendës kapitaliste, duke e zëvendësuar atë me një zgjedhë tjetër, më të mirë e më të re. Veçse ta dini, se sado e re të jetë zgjedha, zgjedhë ngelet në qafën tonë e jo në të tyre. Pse mos e kanë seriozisht?! Po ku ka drejtësi te ne! Vërtet e besoni këtë gjë? Shikoni kostumet e tyre, gëzofët e tyre, unazat, rruazat dhe çantat e tyre. Shikoni fëmijët e tyre, shikoni pasuritë e tyre dhe pastaj binduni se sa e vërtetë dhe funksionale është drejtësia te ne! Pse kot përfliten gjinrit- gjonrit, zaganjorët, fullanët e (“plot-anët”) etj. etj? Mos vallë ata që nuk kalojnë vetingun dhe pse kane vjedhur mendoni se do dënohen apo do u sekuestrohet pasuria që kanë?! Fliheni mendjen asnjë gjemb nuk do t’u hyjë, madje gjembi do na hyje neve deri në rrëzë. (Sikurse dhe e kemi patur përherë). Po pse ndodh kjo, si ka mundësi që shteti nuk i shikon këta maskarenj jurista, që në mes të ditës japin vendime të padrejta duke vjelë paratë në mes të natës?!

Ndodh si nuk ndodh sepse si do guxonte juristi nëse shteti nuk do të ishte i korruptuar?! U kërkojnë deklaratën e pasurisë disa mafiozëve te rëndomtë, mirë bëjnë po kryemafiozët shtetërorë a do të thirren ndonjëherë duke filluar nga gungaçi Berishë dhe gjithë dinastia e tij? Po oborrtarët e tjerë që nga Lili e Luli i vocërr dhe ata që fshihen mbas tyre, të cilët kanë vënë pasuri marramendëse?

Pse seriozisht i beson këto ti or populli im, se ata do vendosin njëri-tjetrin në bankën e të akuzuarve?! Ja psh presidenti ynë i nderur ka dale me zë e me figurë me para në duar! E çfarë i bënë? Doemos që e dënuan duke e bërë president. Dëshironi ju që tjetrin ta bëni të vuajë gjithë jetën? Është fare e thjeshtë, i jepni një detyrë të lartë në krye të shtetit apo Presidencës, fundja dhe ministër dhe atë kurrë s’ka për ta zënë më gjumi kurrë! A ka dënim më të madh se ky që njeriu të ngelet i pagjumë për popullin e tij? Jo aspak nuk ka, madje kjo do t’i leverdiste as Europës e as Amerikës, sepse ata janë edukatorët e parë të gjithë sistemit të drejtësive të padrejta kudo nëpër e në të gjitha kontinentet e globit.

Kështu që deri në zgjedhjet e ardhshme ne do të dëgjojmë përsëri fjalimet e katër viteve më parë të rrufjanët tanë historikë, të cilët me histeri të pazakontë do shpërthejnë me akuza ndaj njëri-tjetrit, por ama dhe me premtimet ndaj elektoratit dhe popullit të tyre që i kanë shkruar në letër këtu e tridhjetë vite më parë. Më të ndershmit e tyre janë ata që letrat ku kishin shkruar fjalimet e shkuara, do fshijnë menderen e tyre sepse kanë për të hartuar të tjera edhe më të mira. Ne hajvanët do t’i duartrokasim.

Sa bukur e ka bërë pikturën plot sarkazëm i madhi spanjoll Françesko Goja, ku paraqet popullin e përkulur dhe gomarin që i ka hipur atij e i bërtet: “Eeeec! Se ti që i zoti për asgjë nuk je, mbamë në kurriz se mirë më ke”!

Mbase e lexojnë këtë shkrim edhe krerët e “sindi-kakave” tona për t’u hedhur në demonstrata masive kundër korrupsionit mbarëkombëtar, sa t’i dridhen leqet e këmbeve kapitalizmit të egër e barbar. Mos e dhëntë zoti që dhe vetë krerët e tyre të jenë bërë kapitalistë dhe popullit t’i varet kapistra!