Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kur themi: Nuk ka nxënës të këqij!

Postuar: 09/11/2019 - 07:12

Dikur, në periudhën e gjatë të monizmit, në shkolla ishte sundues koncepti se “nuk ka nxënës të keq, por ka mësues të paaftë”. Ky koncept ishte sintezë dhe nënkuptonte në radhë të parë gjithë përpjekjet metodike të mësimit dhe edukimit të mësuesit, për ta sjellë edhe nxënësin më të vështirë në rrugën e duhur, duke i dhënë prioritet maksimal metodës së bindjes. Por edhe pse predikohej si primare metoda e bindjes, atëherë zbatimi i rregullores së shkollës kërkohej me rreptësi dhe ndëshkimi i nxënësit ishte plotësisht në kufijtë e arsyes. Edhe pse në monizëm partia shtet i jepte shumë rëndësi propagandës dhe metodës së bindjes, sidomos duke reklamuar se “nuk ka nxënës të këqij, por mësues të këqij”, në fakt diferencimi midis të mirit dhe të keqit, qoftë në raportet midis nxënësve dhe mësuesëve dhe mësuesëve me njëri- tjetrin, bëhej real dhe me të dhëna e metoda konkrete. Rregullorja e shkollës atëherë ishte tepër e rreptë, si për nxënësin ashtu dhe për mësuesin dhe masat përjashtuese dhe ndëshkimore për ata që shkelnin rregullat e mësimit dhe të sjelljes, jashtë normalitetit, ishin përherë të pranishme edhe pse ateherë të gjitha kushtet ishin shumë më favorizuese se sot për shkollën. Rezultatet pozitive në shkolla, sidomos në shkollat e mesme, në radhë të parë atëherë i favorizonte mesatarja. Askush nuk shkonte në shkollë të mesme, nëse nuk kishte mesataren mbi tetë. Nxënësi dhe prindi luteshin dhe endeshin dyerve të Komitetit Ekzekutiv dhe Seksionit të Arsimit për të nxjerrë një të drejtë studimi për djalin apo vajzën e tyre. Dhe kuptohet, një nxënës që ka një mesatare të lartë note, paralelisht me të manifeston edhe një sjellje shembullore të lartë. Pastaj, kur një nxënës bënte lutje për t’u futur në një shkollë të mesme, është e kuptueshme se nuk mund të manifestonte sjellje të keqe e përparim të ulët, se kështu do dilte kundër vetes. Prandaj edhe cilësia e mësimit dhe edukimit në shkollave e larta, dikur ishte maksimale, se përzgjedhja e nxënësit fillonte që në klasën e tetë dhe bëhej edhe një përzgjedhje e dytë në shkollën e mesme dhe ajka e shkollës kishte të drejtë të vazhdonte shkollën e lartë. Në këto kushte kur bashkëpunimi shkollë- shoqëri ishte në shkallë maksimale dhe roli i shtetit si në kontrollin e punëve të shkollës, ashtu edhe në furnizimin me bazë materiale ishte në lartësinë e duhur. Atëherë nuk mund të dëgjoje një emër nxënësi që pinte duhan e alkool në shkollë dhe jo më të shkruhej në rregulloren e shkollës ndalimi i tyre, siç ndodh sot. Atëherë bëheshin kontrolle reale për cilësinë e punës mësimore edukative që bëhej në shkolla, ndërkohë që sot ka shumë formalizëm në këtë drejtim. Atëherë shteti kontrollonte, por dhe financonte shumë për shkollat. E pse nxënësi sot duhet të paguajë nga kontingjenti i të ardhurave të tij edhe kur thyhet një xham edhe për fshesën e kovën edhe për pajisjen e bibliotekës me libra edhe për kompjuterin e fotokopjen edhe për kancelaritë e tjera që përdor shkolla?! Ndërkohë, që krahas taksave të tjera që paguan familja shqiptare, paguan edhe një taksë të veçantë për arsimin, madje këtë detyrim e ka edhe ai prind që nuk ka nxënës në shkollë fare. Në kushtet e atëhershme, krejtësisht ndryshe nga të sotmet, ishte krejtësisht i pranueshëm koncepti: “Se nuk ka nxënës të keq, por mësues të këqij”. Madje në të gjitha shkollat gjeje të afishuar porosinë e Uilliam Uard: “Mësuesi mediokër tregon, mësuesi i mirë shpjegon, mësuesi më i mirë demonstron, mësuesi i madh frymëzon”. Por kur një mësues ka në klasë gati gjysmën e nxënësve që nuk dinë të lexojnë, atëherë çfarë demonstrimi e frymëzimi mund të ngjallë ky mësues, sado metodist i përsosur që të jetë! Duhet të pranojmë faktin se sot në shkolla ka edhe nxënës të këqij edhe mësues të këqij. Vetë ambienti dhe politikat arsimore që janë ndjekur gjer tani, e kanë favorizuar mediokritetin dhe shthurjen e disiplinës në shkolla. Në mjaft shkolla, jo vetëm në fshat, por edhe në shkolla periferike të qyteteve, ka kontingjente nxënësish shumë të dobëta. Duke përfituar nga liberalizimi i shkollës, nxënësit vërshuan masivisht nëpër shkolla, me konceptin “o burra të marr një copë dëftesë të shkollës së mesme”. Dëgjojmë shpesh për shkolla të mira dhe mësues të mirë në kryeqytet, si “Ismail Qemali”, ”Sami Frashëri”, ”Qemal Stafa”, që ndoshta vërtet janë të tilla, por duhet të kemi parasysh se këto shkolla thithin kontingjentet më cilësore të shkollave 9-vjeçare. Edhe pse thuhet që të respektohet funksionimi i shkollave me ndarje sipas qendrës së banimit, përsëri kjo nuk zbatohet, e në këto shkolla bëhen regjistrime jashtë rrezes së banimit, duke krijuar në disa raste edhe hapësira edhe për korrupsion. Po marrim një shembull të thjeshtë. Në shkollën “Sandër Prosi” kanë detyrimin të regjistrohen nxënësit e katër shkollave 9-vjeçare, të cilat mesatarisht mund të kenë një kontingjent nxënësish prej 10 deri 15 përqind mirë dhe shumë mirë. Po thuajse i gjithë ky kontingjent shkon në shkollat e preferuara të kryeqytetit dhe nota mesatare e nxënësve që regjistrohen në këtë shkollë është afër gjashtës. Në këto kushte, kur mungon edhe mjedisi i përshtatshëm dhe baza materiale, duke filluar nga kompjuterët, e çfarë mund të bëjë një mësues apo drejtues sado profesionist që të jetë?! Nëse nxënësit të mirë i japim të drejtën të regjistrohet në shkollat prestigjioze, atëherë shkollat me rezultate të larta do të mbeten gjithmonë të tilla dhe ato me kontingjente të dobët, do të mbeten gjithmonë në fund të listave. Më e keqja është se nxënësit e dobët që sipas leje banimit u takon të regjistrohen në shkollat e mira, jo vetëm u nxirren pengesa nga shkollat përkatëse, se u “ulin mesataren”, por edhe vetë ky kontingjent largohet nga këta shkolla, e vijnë e regjistrohen në shkolla, ku mendojnë se mund ta kalojnë më lehtë, e duke shtuar kështu kontingjentin e nxënësve të këqij. Nxënësit me mangësi të theksuara në përparim, përgjithësisht manifestojnë edhe sjellje shumë të keqe si brenda klasës dhe jashtë saj. Duke parë gjendjen e përgjithshme të plogësht, me rezultate të dobëta edhe rregullorja e shkollës nuk zbatohet me rreptësi, duke iu toleruar nxënësit mungesa në orën e parë të mësimit, apo kryerja e detyrave të tjera që mban rregullorja, duke kërkuar nga organet eprore që t’i jepet prioritet bindjes dhe edukimit të tij. Por shkolla është shkollë, rregulli është rregull dhe konceptet lëndore nuk nguliten lehtë, pa një rregull të ndërgjegjshëm. Se vërtet mësuesi duhet të bëjë punën maksimale për ta bindur e sjellë nxënësin në normalitet, por ama ka edhe nxënës me prirje të dhunshme, me sjellje barbare, që duan një trajtim krejtësisht të veçantë, gjë që mësuesi i një klase me tridhjetë nxënës nuk ka mundësi ta realizojë. Duhet ta pranojmë se deri në klasë të nëntë, nuk mund të ketë nxënës të këqij, por ama një nxënës që pranon të vazhdojë një shkollë të mesme, duhet ta pyesë veten mirë dhe nëse bën veprime të pamoralshme, në kundërshtim flagrant me çdo nen të rregullores së shkollës, atëherë ky nuk ka pse mbahet në shkollë. Nëse pranojmë se çdo nxënës bindet, rregullohet, edukohet dhe ia kërkojmë vetëm mësuesit një gjë të tillë, atëherë nuk ka pse të ketë polici e burgje, nuk ka pse të ketë qendra të tjera edukimi. Kam mendimin se jo çdo nxënës që del nga 9-vjeçarja, duhet të vazhdojë shkollën e mesme, ndaj në këtë drejtim duhet të vihet një farë kriteri, si për notën mesatare ashtu edhe për sjelljen. Dhe për këtë kontingjent të vështirë, duhet të ketë shkolla specifike, për t’i orientuar ata në jetë drejt prirjeve që kanë. Shkolla mund të tolerojë ndonjë nxënës që është i sjellshëm, me halle familjare, që mundohet të bëjë ndonjë punë për të zbutur sadopak hallet familjare, por jo ata që e mbajnë në duar celularë të shtrenjtë, vijnë rrotull nëpër lokale dhe kthehen në familje pas mesnate. Pa rënë në njëanshmëri, nuk mund të themi se nuk ka edhe mësues të papërgatitur, që nuk njohin metodat e mësimit dhe edukimit, e që nuk kanë aftësinë e duhur mësimdhënëse. Dhe kjo mangësi është e atyre që organizojnë konkurse e hapin portale formale, e vendin e të talentuarit e zë mediokri. 

Nga Ramazan Sherja

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 07:21

Sikur kryeministër i vendit të ishte Tufa i Institutit të Krimeve të Komunizmit, jam i sigurt se nuk do të kishte guxuar t’ia hiqte stadiumit kombëtar emrin e Heroit të Popullit, Qemal Stafa.

Postuar: 14/11/2019 - 07:19

Përgjatë gjysmës së dytë shekullit 20-të, në vendin tonë, në të folurën e përditshme sunduan rënd

Postuar: 14/11/2019 - 07:18

Nga i gjithë diskursi i zonjës Arta Marku përpara KLP, besoj se u qartësua dhe për publikun dhe g

Postuar: 13/11/2019 - 13:23

Le ti marim disa gjëra me radhë e të përpiqemi të hulumtojmë mbi to.

Postuar: 13/11/2019 - 07:20

Kontrolli i Lartë i Shtetit kryen auditime sipas planit vjetor të miratuar nga Kryetari Bujar Les

Postuar: 13/11/2019 - 07:17

Edhe pse për herë të parë, ndjesa e Lulzim Bashës për taksën e pronës tetë për qind është një ris