BREAKING NEWS

Pllakos zia/ Covid-19 i merr jetën drejtorit të Pallatit të Kulturës në moshën 46-vjeçare, pa asnjë sëmundje, ishte baba i tre fëmijëve

Pllakos zia/ Covid-19 i merr jetën drejtorit të Pallatit të
x

Opinion / Editorial

Kur urdhëron shteti dhe qeveria duhet t’i thërrasë mendjes njerëzia

Kur urdhëron shteti dhe qeveria duhet t’i thërrasë mendjes

Para pak ditësh qeveria dhe kryeministri Edi Rama urdhëruan mbajtjen e detyrueshme të maskës kudo përfshi dhe ambientet e jashtme me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit që këto ditë për hir të së vërtetës ka një përhapje të ndjeshme pasi çdo ditë Ministria e Shëndetësisë raporton për qindra të infektuar nga ky virus i mallkuar, i fshehtë, i padukshëm e tinzar. Pavarësisht opinioneve kontradiktore që japin specialistë dhe ekspertë të kësaj fushe e sidomos epidemiologë të ndryshëm, mendoj se vendimi i qeverisë në këto rrethana kur situata epidemiologjike po përkeqësohet përditë e përherë e më tepër, gjykoj që qeveria veproi drejt dhe në kohën e duhur duke përjashtuar disa politikanë opozitarë që e politizojnë problemin si pa të keq a thua se kemi të bëjmë me flamën e pulave në kotec dhe jo me virusin vdekjeprurës që po infekton qindra njerëz madje po na rrëmben çdo ditë nga 4-5 njerëz.

E titullova kështu shkrimin sepse jo pak qytetarë ditën e enjte nuk i kishin vendosur maskat, ndonëse shumica e qytetarëve ishin korrektë dhe i kishin, por rreth 40% e qytetarëve nuk kishin vendosur maska dhe kanë shkelur në mënyrë flagrante dhe brutale urdhërin e qeverisë, madje kujtoj dhe theksoj se 40% nuk janë pak. Prandaj të kuptohet qartë e saktë nga të gjithë se kur urdhëron shteti dhe qeveria duhet të tundet e të shkundet njerëzia. Shpesh lakohet thënia retorike: duam shtet ligjor dhe e vërteta është se e duam po kur nuk zbatohen kërkesat dhe udhëzimet e shtetit e të qeverisë, atëherë për çfarë shteti ligjor flasim dhe propagandojmë kur nuk e zbatojmë atë përherë e me korrektësi e fanatizëm?! Në lidhje me koronavirusin ne tashmë kemi fituar jo pak përvojë dhe kjo përvojë duhet shfrytëzuar në interes e në shërbim të jetës së njerëzve.

Lora Salisburg politikan i viteve 1830-1903 ka thënë: “Një gram përvojë vlen më shumë se një ton teori”. Prandaj larg llafollogjive dhe teorive neveritëse dhe t’i referohemi dhe të zbatojmë përvojën e fituar e ta demonstrojmë atë pa mëdyshje në çdo hap që hedhim.

Për çudi dhe paradoksalisht,vendimin e qeverisë për mbajtjen e detyrueshme të maskës në çdo ambient të mbyllur apo të hapur e kontestuan dhe kundërshtuan disa mjekë e specialistë opozitarë, të cilët më shumë u fryjnë borive të opozitës sesa borive të mjekësisë për mbajtjen e maskës. Kujtojmë dhe njëherazi nënvizojmë dhe theksojmë se për barrierat mbrojtëse ndaj koronavirusit janë shumë shtete dhe vende që janë shprehur pro mbajtjes së maskave, respektimit të distancës, përkujdesit permanent të higjienës personale madje përfshi këtu edhe vende të zhvilluara me resurse të konsiderueshme ekonomike, shkencore dhe logjistike. Kina e largët aziatike prej më shumë se 1 miliard banorë ka kohë që po mban nën kontroll dhe po e menaxhon me sukses situatën ndaj koronavirusit falë masave që ajo po aplikon në vijimësi e në mënyrë permanente. Duke e ndjekur me shqetësim qytetar situatën ndaj koronavirusit një vatër e nxehtë e me shumë të infektuar, të intubuar e më tepër viktima mbetet si gjithmonë Tirana. Duke u përballur me këtë realitet unë do të sugjeroja që të projektojmë e të zbatojmë masa të diferencuara dhe jo të njëjta si në zonat rurale dhe ato urbane. Pra në Tiranë ku dhe shqetësimet i kemi përherë e më të avancuara duhen masa më të rrepta e më shtrënguese e sidomos në shmangien e grumbullimeve të panevojshme, në reduktimin e orareve për disa aktivitete jo aq të domosdoshme sikundër janë bilardot apo ndonjë aktivitet tjetër që nuk përbën gjithsesi ndonjë domosdoshmëri për ta ushtruar.

Një problem tjetër që meriton vëmendje permanente mbetet sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi masiv i qytetarëve për kuptimin dhe zbatimin me rigorozitet të masave për të cilat bën apel shteti dhe qeveria kur qytetarët të solidarizohen maksimalisht e të ndërgjegjësohen në shkallën sipërore dhe të mos bien në kurthin e sharlatanëve politikanë e karagjozë që me retorikën dhe llafollogjinë neveritëse kërkojnë benefite politike që s’kanë për t’i realizuar kurrë as sot dhe as mot.