BREAKING NEWS

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i fortë i SHBA-së, ja çfarë pritet të ndodhë në vijim

Kush e kërcënoi dhe kanosi SPAK-un? Vjen paralajmërimi i
x

Opinion / Editorial

“Kur vdes një njeri, varroset një bibliotekë”

“Kur vdes një njeri, varroset një bibliotekë”

Homazh për pedagogun Arseni Stroka

Vitet ikin si lumë. Dhe ashtu, duke ndjekur njëri-tjetrin, si pa kuptuar kaluan tre vjet, nga 1 Korriku i vitit 2017. Çdo gjë mund të harrohet në jetë, por mbresat dhe kujtimi për mësuesin, eprorin, kolegun, komandantin, kjo nuk mund të ndodhi kurrsesi, mund të harrohet gazi dhe hidhërimi dhe mbetet pas kujtimi! “Lumturia - thotë Seneka – asnjëherë nuk e ka ngritur njeriun në një lartësi të atillë, sa ai të mos u ketë nevojën të tjerëve”. Nuk dua ta besoj që instruktori (pedagogu) im i parë, që hodhi firmën për titullimin tim si oficer i ushtrisë shqiptare, nuk jeton më. Ai ka lënë mbresat dhe kujtimin e bukur të njeriut të mirë, kuadër i aftë, komunikues me vartësit, i ndershëm e i drejtë në tejskajshmëri, i rreptë kur duhej për hir të detyrës, sidomos me mua që isha me i hedhuri i grupit dhe fjalëmbël me këdo që ai punoi si kuadër drejtues. Njerëz të mençur, dinë të përballën me jetën si u vjen, përpiqen të marrin prej saj të mirat që u ofrohen, mësojnë prej tyre dhe synojnë t‘i sundojnë ato. Ata bëjnë punë të mira, duke i përjetësuar ato, në jetën që rrjedh në vazhdimësi, punë të cilat pararendin të tjera e të tjera të mira për brezat që vinë pas. Është kënaqësi për mua si kursant i tij (1965 – 1967 ) dhe më pas si pedagog në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” (1985 – 1991), kur ai u emërua Komandant i kësaj shkolle.

E kam të vështirë që të realizoj si duhet e për të shkruar kujtimet e mia për ish-instruktorin dhe më pas komandantin tim, kur unë isha kursant dhe më pas pedagog në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver HOXHA”. Dhe vështirësia qëndron, sepse duhet të kthehem pas në kohë, në vitet ‘60 – ‘80 të shekullit XX. Sado që ta shtrydh mendjen time 74-vjeçare, edhe sikur unë të jem si një memorie e kompjuterit, e mendjehollë dhe një shkrues i mirë, nuk do të jem në gjendje që të përmbledh në disa faqe gjithë veprimtarinë e jetës, të punës e të kontributit, gati 60 vjeçare të tij. Një jetë të gjallë e të larmishme, të ngjeshur dhe po aq e spikatur në vlera të instruktorit (pedagogut) e komandantit tim Arsenit. Por sidoqoftë edhe në këta pak rreshta, këtë vështirësi ma lehtësojnë aq shumë ndjesitë e shpirtit tim si labë e luzatar të një ane, me letër këmbime si ish-kursant dhe vartës i tij, e po ashtu, ngaqë i kam fare të qarta e të freskëta, mendimet e kujtimet me të, nga lidhjet e vazhdueshme që kam mbajtur me ish-instruktorin (pedagogun) tim të shkollës. Kështu që, fare lehtësisht, mendimet do të më vinë e burojnë, si uji i kristaltë i gurave të Golemit dhe Ujit të Ftohtë të Luzatit, nga brendësia e shpirtit tim.

Nuk është rastësi, që u lind në Golem të Kurveleshit, në vatrën e ngrohtë të familjes Stroka, një fis i dëgjuar e legjendë, që brez pas brezi ka bërë emër, e njihen si fis patriotësh, atdhedashës, të shkolluar, por edhe njerëz me sedër, të punës së palodhur e të pakursyer, të asaj pune të ndershme e plot lodhje e mund e djersë, por edhe të asaj fisnikërie të pamatur që shfaqej brenda fisit të Strokajve, në Golem dhe me gjerë në Kurvelesh. Pikërisht Golemi me histori të lashtë, të trashëguara brez pas brezi nëpërmjet gojëdhënave, vendlindja e tij, i njeh mirë bëmat dhe trimëritë e brezave të fisit Stroke, në lagjen Gjinaj. Tare Stroka, babai i Arsenit, ishte pjesëmarrës në luftrat e viteve 1912 – 1914, në çetën e Golemit të udhëhequr nga Sulo Beqiri, kundër andartëve grekë dhe më vonë pjesmarrës në Luftën e Vlorës më 1920. Tare Stroka përkrahu qeverinë e Nolit më 1924 dhe në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare e rreshtoi fisin e Strokajve në anën e luftës partizane.

Arseni, pikërisht në atë vatër të ngrohtë dhe të lavdishme të Tare Strokës, nëna e tij Merzua nga fisi Sulaj i Kuçit, bashkë me qumështin do ta mëkonte dhe ushqente, me frymën e atdhedashurisë e të patriotizmit, që nxiti në shpirtin e tij, dëshirën e madhe dhe krenarinë për t’u bërë oficer, për t’i shërbyer atdheut dhe popullit të tij. Dhe i tillë u bë, sa me urrejtjen e madhe kundër pushtim fashist të vendit, në shkolla aq edhe me punë, me sakrifica të shumta, gjatë gjithë veprimtarisë së tij, të karrierës ushtarake deri sa mbylli sytë. Ai arsimin fillor e bëri në vendlindje dhe atë uniken (shtatëvjeçar) e bëri në Vlorë dhe me mbarimin e shkollës ai si të gjithë bashkëmoshatarët i doli në krah babait dhe ndihmoi familjen në punët e bujqësisë e blegtorisë. Arseni për tre vjet rresht studioji në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, me këmbëngulje dhe vullnet të jashtëzakonshëm që e karakterizonte, me një këmbëngulje u aftësua në mënyrë të shkëlqyer falë dhuntive që i kishte dhënë natyra, por edhe cilësive e virtyteve e këmbëngulja e tij, për të mbaruar me rezultate të larta studimet në shkollën ushtarake. Ai ishte shembull në këtë shkollë dhe dallohej ndërmjet shokëve, emir i tij përmendej me respekt në auditoret e shkollës. Më 1960 ai mbaroi Shkollën e Bashkuar me rezultate të shkëlqyera dhe titullohet oficer me gradën toger për rezultate të larta në mësime. Në këtë shkollë, ai mori njohuri të shëndosha për kulturën dhe përgatitjen ushtarake dhe u formua si një intelektual dhe perspektiv në ushtri.

Togeri i ri, Arseni Stroka në shtator emërohet komandant toge në Korpusin e Gjirokastrës, si njeri i apasionuar pas stërvitjes së vogël, shumë shpejt ra në sy për aftësitë e tij në stërvitjen e taktike dhe emërohet instruktor për taktikën në shkollën e instruksionit të Korpusit Gjirokastër. Për aftësitë dhe metodat që përdoret për përgatitjen e nënoficerëve të rinj dhe rezultatet e mira si metodist, u krijua një opinion i mirë si metodist dhe për të thuhej: “Arsenin, nëse doje dhe kishe punë me të, do ta gjeje në poligonet e taktikës dhe të zjarrit, gjithmonë duke praktikuar dhe u mësuar kursantëve metodat dhe zhvillimin e imagjinatës për realizimin e stërvitjes sa më mirë”. Për punë të mirë dhe aftësit e tij si metodist shumë i mirë, tashmë me një përvojë të pasur në stërvitjen taktike, ai emërohet në nëntor 1961 Instruktor (pedagog) në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, ku ai shpalosi të gjitha aftësit e tij si metodist dhe drejtues i mirë për përgatitjen e oficerëve të rinj. Në këtë shkollë e kam njohur, unë Arsenin, në shtator 1965, kur fillova studimet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha” 1965 – 1967. Ne kursantët e rinj të sapo diplomuar nga Shkolla Ushtarake “Skënderbej” na rreshtuan në sheshin e shkollës, na uruan mirëseardhjen nga komandanti i shkollës, kolonel Enver Begeja. Në krahun tonë të djathtë u rreshtuan oficerët, që ishin Eberht Gorishti, Beg Tena, Andon Llaci, Arseni Stroka, Hysen Balla dhe Barjam Mane që ishte komandanti i togës sime. Më bën përshtypje mua uniforma dhe paraqitja e tyre korrekte dhe dashamirëse me kursantët e rinj. Unë pata fatin që, Arsenin ta kisha instruktor (pedagog) kujdestar, dhe do të më jepte lëndën kryesore taktikën. Arseni paraqiste figurën e një ushtaraku model, i përkushtuar në kryerjen e detyrës në mënyrë korrekte, me një vijë sjellje, e metodë, që për çdo kuadër, përbënte një kushte shumë të rëndësishëm, për zbatimin e detyrave në mënyrë të suksesshme. Të gjithë ne, që kemi studiuar në atë shkollë, e sidomos brezi ynë sot, në përgjithësi e kemi parasysh thënien e shkrimtarit Edmond de Amicis që thoshte: “Shqiptoje me nderim dhe respekt emrin “mësues” (instruktor, pedagog e komandantë ushtarak), që pas emrit të prindit, është më bujari dhe më i ëmbli, me të cilin mund të quajmë një tjetër”.

Me kursantët e rinj, Arseni gjeti një gjuhë të përbashkët në saj të oratorisë dhe aftësive tij, u fut në botën shpirtërore të kursantëve dhe i bëri për vete. Ai diti të dialogojë dhe të na edukojë me dashurinë për ushtrinë, shkollën, për profesionin e figurën e oficerit dhe për karrierën ushtarake. Ai fitoi respektin e grupit mësimor me qëndrimin e tij korrekt, me kërkesë të lartë llogarie, i drejtë, i ndershëm, gjithmonë kritik në punë, por kritika e tij nuk kishte qëllim denigrues, por me qëllim të mirë, jo konformist në realizimin e detyrave, por vetëm në bazë të rregulloreve e urdhrave. Gjatë qëndrimit në shkollë këto aftësi mundësuan tek Arseni një lidhje të ngushtë me kursantët, i cili në kohën e lirë lozte futboll me ne dhe kur vinte puna tek orët mësimore ai ishte korrekt dhe nuk lejonte asnjë lëshim, në kryerjen e stërvitjeve në kushte të përafërta me ato të luftës.

Ai ishte një ndër kuadrot e para të ushtrisë, që nëpërmjet mësimeve treguese u eksperimentuan gjatë procesit të përgatitjes luftarake, disa nga tezat e Artit Ushtarak Popullor në vitin 1967, si mbrojtja në sistem tunel dhe mësymja në sistemin zinxhir me grupe treshe. Si specialist dhe mjeshtër i stërvitje së vogël ai ka udhëhequr e ka bërë skenarin e filmit “Flakë në Transhe”, ka qënë bashkautor në hartimin e rregullores së taktikës ushtarake, skuadër togë, sipas kërkesave të Artir Ushtarak Popullor dhe në hartimin e rregullores së disiplinës dhe të jetës së brendshme në ushtri. Për të gjitha këto rezultate, në gusht 1967 ai emërohet inspektor për taktikën në Drejtorinë e Përgatitjes Luftarake në MMP. Në këtë shkollë, ai mori njohuri të shëndosha për mësimdhënien, u aftësua si specialist i zoti për stërvitjen e vogël, u formua si një intelektual ushtarak dhe me perspektivë. Aftësit e Arsenit si specialist në fushën ushtarake, si mjeshtër i stërvitjes së vogël, si kuadër masovik spikatën, kur u emërua në Drejtorinë e Përgatitjes Luftarake. Ku ai do të jepte përvojën e fituar në të gjitha repartet dhe njësitë e Ushtrisë Popullore Shqiptare. Kudo që shkonte për kontroll, sipas planit të drejtorisë, ai nuk e konsideronte veten si epror, por si koleg që vinte për ndihmë e kontroll dhe t’u jepte përvojën e tij, për realizimin sa më të saktë programit të përgatitjes luftarake.

Më 1970, për rezultate të mira në punë si inspektor gjatë kontrolleve ndihmës, të ushtruara në njësit dhe repartet e ushtrisë, ai si kuadër me perspektivë në shtator 1970, shkon për studimet e larta në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”( 1970 – 1972), për t’u aftësuar si kuadër i lartë i shkallës operativo - strategjike. Me mbarimin e studimeve në Akademinë Ushtarake 1972, ai emërohet në detyra të ndryshme në njësitë e repartet e ushtrisë shqiptare, si Komandat i Detashmentit e më pas i Regjimentit të Zbulimit (1972 – 1975), Komandant i Shkollës Ushtarake për Oficerë rezervistë (1975 – 1981), më pas Komandant i Korpusit të Pukës (1982 – 1983) dhe ndryshimin e strukturës organizative të ushtrisë, më 1982 emërohet Komandant i Divizionit të Kukësit (1983 – 1985). Në këto reparte e njësi operativo – strategjike, (1972 – 1985), ai la gjurmë të pashlyeshme, në këtë kohë ai shpalosi, me të gjitha përmasat madhështinë dhe aftësinë e tij si kuadër drejtues e organizator shumë i mirë. Si komandant përballoi një volum pune të madhe për drejtimin e komandave dhe të shtabeve të njësive e të reparteve, ku ndërthureshin të gjitha llojet e armëve dhe shërbimeve ishte meritë e cilësive dhe aftësive të Arsenit. Për rezultate shumë të mira në drejtimin e njësive e reparteve të ushtrisë më 1985 ai emërohet Komandant i Shkollës së Lartë Ushtarake “ Enver Hoxha” (1985 – 1991).

Gjatë periudhës 6 vjeçare si Komandant i Shkollës së Lartë Ushtarake “Enver Hoxha” ai do të “gërmonte” nëpër libra, rregullore e literaturë ushtarake, do të lexonte gjithë ata korifenj të mendimit filozofik e ushtarak, politik e historik e shkencor, të pedagogjisë e të psikologjisë, do të mbante shënime e do skedonte, do nxirrte emra, ngjarje, episode, fenomene, do t’i analizonte dhe pastaj do t’i referonte dhe do të polemizonte me kuadrot e studentët. Ai nuk lexonte për të shuar kureshtjen, përthithte lëndën dhe vetëdijen e saj, e përpunonte e ridimensiononte mendimin dhe në ligjërimet tij oratorike, shfaqte copëza nga shpirti i tij krijues, nga hapësira mentale, shpirtërore, historike, shoqërore e sidomos në atë politiko-ushtarake. Gjatë kësaj periudhe, në drejtimin e Shkollës së Lartë të Bashkuar Ushtarake, Arseni thelloi më tej frymën e demokratizimit të marrëdhënieve të jetës së brendshme të saj. Ai paraqiste figurën e një ushtaraku model, korrekt, i përkushtuar për kryerjen e detyrës, për zbatimin e detyrave e planeve që vinin nga MMP për procesin mësimor edukativ. Ai arriti të vendoste marrëdhënie të ngushta e të drejta, ndërmjet trupës pedagogjike dhe trupit komandues duke synuar të krijojë një trup të përbashkët pedagogë e komandues. Ky lloj raporti në marrëdhëniet midis tyre krijonte një mjedis të ngrohtë për studentët. Veç këtyre, nga koha në kohë unë do të dëgjoja e do të mësoja nga kolegët dhe studentët e mi, që të flitej haptazi me emër për atë, për vlerat e larta si komandant, që kishte në përvojën e praktikën e punës politiko-ushtarake. Ai do të mbronte me dinjitet e profesionalizëm, më logjikë të shëndoshë gjithçka që parashtrohej për materialet e problemet që shtroheshin, për diskutim në mbledhje e konferenca të ndryshme për procesin mësimor edukativ. Dhe kjo ishte një lloj mbrojtje e veçantë që tregonte potencialin e mendimit politiko – ushtarak e shkencor që zotëronte, që e lartësonte personalitetin e tij, para të gjithë kolegëve, kuadrit pedagog e komandues të shkollës.

Ai gjatë gjithë karrierës së tij gati 40-vjeçare si ushtarak, oficer drejtues, u formua i atillë kuadër që fliste e udhëhiqte, ushtarët, kursantët, më pas studentët e oficerët nëpërmjet shembullit personal, duke thënë: “Bëjeni si e bëj unë dhe hajde ta bëjmë sëbashku”. Me një personalitet si Arseni kishe qejf të uleshe e të bisedoje ose të qaje një hall, të dëgjonte e më pas të udhëzonte si duhet të realizoje punën dhe zgjidhje problemet në repartin ose katedrën ku punoje. Ndjeja kënaqësi kur më vinte dhe më dëgjonte në leksione apo seminare, dëgjonte me vëmendje dhe ndërhynte me takt për problemet që trajtoheshin gjatë procesit mësimor, asnjëherë si komandat por si koleg, ndërhynte duke shprehur mendimin e tij me qetësi dhe arsye shtronte problemet. Me fjalët e tij të ngrohta dhe dashamirëse duke i bërë për vete kolegët, vartësit dhe studentët, si i thonë fjalës shkonin edhe prapa malit. “Në traditën kulturore shqiptare ka një mendim të tillë, - thotë Rexhep Qosja – me fjalën e mirë do të ma bësh shpirtin për vete, me fjalën e keqe, vetëm do të më largosh nga vetja”. Instruktorin (pedagogun) komandantin tim Arseni Strokën, do ta personifikoja me oficerin që i ngjiti shkallët e karrierës ushtarake në sajë të aftësive të tij, duke ia përkushtuar tërë jetën e tij edukimit atdhetaro – patriotik të ushtrisë shqiptare. Ai do të mbetet në kujtesën e brezave si oficer i apasionuar dhe mjeshtër e metodist i stërvitjes taktike. I paharruar kujtimi i tij.