Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kur vetëgjyqësia pushton edhe mendjet e njerëzve të drejtësisë

Postuar: 13/01/2018 - 09:31

Reforma në drejtësi është kryefjala e dy viteve të fundit, jo vetëm në rrafshin politik, por edhe në debatet dhe diskutimet mbarëpopullore. Reforma, vetingu, drejtësia e re, pastërtia e figurës së gjyqtarit dhe e prokurorit, pastrimi i pallatit të drejtësisë nga skaji më i largët deri në qendër, gjykimi ndryshe, gati si një përmbysje, janë cituar me mijëra herë deri në infinit. Reforma në drejtësi dhe adresimi ndaj saj është shndërruar gati si ajri, dielli, shiu, dita, nata. Nuk ka mbetur hallkë nga drejtësia e avokatia pa dërguar ligje dhe pjesë të veçanta në gjykatë. Dhe për çdo rast është justifikuar veprimi për një reformë më të mirë. Referuar reformës dhe mbrojtjes së drejtësisë u justifikua protesta më e dhunshme para Kuvendit më 18 dhjetor. Ku pamë e ç`nuk pamë. Si fluturuan çizmet mbi Parlament e kryengritësit deputetë. Si u grabitën kartat e votimit të deputetëve dhe si sot në emër të këtyre reformave, opozita e ka shpallur janarin muajin e revolucionit për rrëzimin e qeverisë “Rama”.

Nëse deri sot reforma në drejtësi ka hedhur kaq hapa, edhe pse nuk është e përfunduar më shumë se ndikimi i faktorit të brendshëm, merita i përket të huajve. Në krye të së cilës qëndron SHBA dhe BE. Përpjekjet e ambasadorit Donald Lu dhe ambasadores Romana Vlahutin, si dhe lufta e hapur e marrja e pozicionit udhëheqës për t`i dhënë drejtim reformës, janë pjesa më e vështirë e veprimtarisë diplomatike të ambasadorëve që cituam, por jo vetëm. Reforma në drejtësi ka qenë “buka” në tavolinën diplomatike të çdo personaliteti të huaj që ka lidhje me Shqipërinë, nga përfaqësuesit më në zë të BE-së e Parlamentit Europian deri tek komisionerët e rëndësishëm të BE-së. I gjithë ky diskutim ka rritur pritshmërinë e shoqërisë tonë për një drejtësi jashtë politikës dhe të barabartë për të shkuar para gjyqtarit jo vetëm “peshqit” e vegjël siç cilësohen rëndom, por edhe “peshkaqenët” siç do t`i quante populli i thjeshtë. Deri sot, nga drejtësia e padrejtë e kanë “ngrënë” vetëm ata që kanë qenë pa emër. Pa adresë. Të vegjlit. Të vobektit. Të pambështeturit. Të varfërit. Të tjerët, VIP-at, edhe pse kanë vjedhur miliona, edhe pse kanë vrarë e prerë, kanë qëndruar të paprekur e të patrazuar. Për ata ka vetëm një drejtësi. Dhe ajo e ka emrin “paprekshmëri”. Pikërisht nga sjellja e drejtësisë gjatë gjykimit për problematika të vogla e të mëdha, për prona e vjedhje, për korrupsion e dhunë në familje, kanë lindur jo në pak raste vetëgjyqësitë. Të gjitha herët për faj të drejtësisë. Dhe shembujt për vetëgjyqësi janë të panumërt. Arrihet deri atje sa në përfundim të dënimit, sapo ka dalë nga burgu, “hasmi” të ketë përfunduar në pritë, përpara plumbit nga ai që bën vetëgjyqësi. Pra të ketë vepruar vetëgjyqësia. Hakmarrja. Si rruga më e shkurtër për kompensim të fajit. Vetëgjyqësi për të vënë “nderin” në vend. Për të përmbushur betimin, kënaqësinë e dëshirën e atyre që kanë vlerësuar se dënimi nga drejtësia duhet të ishte shumë më i rëndë. Rëndom kështu veprohet nga individë që udhëhiqen jo nga parimi i drejtësisë, por nga mentaliteti dhe tradita famëkeqe e zbatimit të kanunit. Janë individë që nuk njohin ligjin, po zgjidhjen e vetme kanë vetëgjyqësinë. Nëse për individë të veçantë nga radhët e popullit, për një sjellje të tillë edhe pse të dënueshme mund të vihet edhe një “por” dhe të renditen argumenta “pro” dhe “kundër” një veprimi të tillë nxitur nga mentaliteti i hakmarrjes për një vetëgjyqësi të pastër kur vetëgjyqësia pushton edhe mendjet dhe sjelljen e vetë njerëzve të drejtësisë, ata që mendohet të jenë njerëzit idealë në sytë e qytetarëve të zakonshëm kur vlerësohen si garantë të ligjit dhe njerëz që kanë për bibël vetëm Kushtetutën dhe në çdo vendimmarrje kanë referencë vetëm ligjin, atëherë opinioni shoqëror ka të drejtë të tronditet. Të lebetitet. Të thërrasë e të vërë kujën. Të etiketojë me emërtimin që i takon, njeriut të drejtësisë që nuk ka busull ligjin, po Maliqin. Në tërë këto raste i takon të ngrejë zërin për të thënë: - Kjo është e patolerueshme! Të thotë: Jo! Jo. Jo. Këtej nuk kalon! Qëndrime të tilla nga ata që gjykohen si shenjtët e të drejtës aq më tepër kur dilet në deklarata publike dhe zgjidhjet e dënimin nuk e pret nga drejtësia, por vihesh në garë edhe me vetë perëndinë, edhe pse ajo konceptohet si gjykimi hyjnor, atëherë tronditja është shumë më e thellë. Dhe bëhesh më pesimist se një ditë do ketë drejtësi. Mburrja se nuk ka perëndi që më akuzon, që më gjykon, që më dënon, është një ankth që del nga shpirtrat e ngatërruar. Se të dënon drejtësia. Jo perëndia.

Po le të ndalemi tek qëndrimi aspak ligjor i disa prej prokurorëve, të cilët i kundërvihen ligjit dhe vendimeve të hierarkisë në prokurori. Pas zgjedhjes së Kryeprokurores së Përgjithshme të përkohshme, Arta Marku, në një mjedis “lufte”, një stuhi kritikash dhe etiketimesh i kanë ardhur asaj edhe nga brenda institucionit nga vetë kolegët e saj, të cilët me këto veprime janë mirëfilli vetëm politikë dhe aspak ligjorë. Kryeprokurorja e Përgjithshme e përkohshme vërtetë është e “përkohshme”, por të tillë janë edhe disa prej drejtuesve të prokurorive në rrethet kryesore të vendit, si në: Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, etj., të cilët janë vetëm të komanduar. Sipas ligjit, periudha e qëndrimit në detyrë është e limituar në tetë muaj. Nuk komentojmë arsyet e komandimeve nga ish Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Lalla. Ai ishte “fuqiplotë” për emërime e transferime. Dhe askush nuk ia ndali dorën. Edhe pse rezultatet e këtyre ndryshimeve janë të padukshme. Po sot kur zonja Marku kërkon të vërë në lëvizje për një ritëm të ri tërë makinerinë e ndryshkur të prokurorisë, përballet me një stuhi etiketimesh dhe kundërshtimesh. Ky ciklon është jo vetëm nga radhët e partive politike, por edhe nga vetë prokurorët, të cilëve iu kërkohet të lënë detyrën dhe të rikthehen atje ku ishin në vendet e mëparshme. Është komentuar gjerësisht qëndrimi prokurorit të Elbasanit i komanduar, Dritan Gina, i cili transferimin në pozicionin e mëparshëm e konsideron si një dënim e vendim politik. Ai kundërshton me të gjitha format për të mbetur në detyrë. Si të ishte një monument mbi piedestal. Dhe këtë kundërshti nuk e bën ligjërisht. As në organet përkatëse. Po si komentator politik. Si të ishte një aneks i opozitës kundër kryeprokurores. Prokurori, sikundër gjyqtarët janë punonjës të sistemit të drejtësisë si gjithë të tjerët. Dihet se gëzojnë një status special. Po mund të transferohen, të ngrihen në detyrë, të komandohen. Për shkelje të ligjit edhe të pezullohen. Nëse bëjnë faj të dënohen. Ata janë njerëz dhe s`ka pse ta mendojnë veten si mbinjerëz. Janë tokësorë. Nuk janë hyjnorë.

Drejtësia e drejtë duhet të jetë e barabartë. Nuk mund të ketë dy apo dhjetë drejtësi. Ligji është një. Rregulli po ashtu. Nuk mund të jetë një për gjithë të tjerët dhe i posaçëm për prokurorët. Qëndrimi i zotit Gina është vërtetë alarmant. Ai që presupozohet se duhet të jetë prokuror i kualifikuar, që jeton me ligjin dhe ka mbi kokë vetëm drejtësinë dhe Kushtetutën, shfaqet krejt ndryshe. Ai nuk mund të tolerohet dhe nuk e ka luksin t`i thotë, jo transferimit. Nuk ka tagrin të kërkojë privilegje dhe kur nuk i plotësohen të hedhë vickla për t`u kthyer në postin e mëparshëm. Të shkojë në karrigen që kishte. Jo-ja e tij është më së shumti një kundërvënie e paprinciptë, një inat vocërrakësh, shkurt një vetëgjyqësi ndaj zbatimit të një vendimi të titullarit. Dhe ndodh kështu sot, kur reforma në drejtësi kërkon një konceptim krejt ndryshe. Kërkon zbatim ligjor. Dhe nuk pajtohet me vetëgjyqësinë, siç vepron prokurori i Elbasanit që mbylli sallat dhe derën e zyrës, duke mos lënë pasardhësin për të marrë detyrën. Gina, në këtë rast nuk është jo vetëm një shembull i prokurorit, por as një qytetar me etikë për respektimin e kolegut të tij. Një qëndrim i tillë është fare pak të cilësohet papërgjegjshmëri. Drejtësia nuk është një oaz për njerëz që zgjidhjet kërkojnë t`i arrijnë me kokëfortësi. As me shpërthim inatesh. As me qëndrime që bien ndesh me ligjin dhe etikën profesionale. Prokurori Gina dhe Ginat e tjerë nuk janë zotër të prokurorisë, as të Elbasanit, Fierit apo Durrësit... Prokuroria nuk është shtëpia apo parcela e tyre. Prokurori është atje përfaqësuesi i organit të akuzës. I thonë je në krye të prokurorisë në Elbasan. Shkon. Kur titullari i Prokurorisë së Përgjithshme kërkon që të zëvendësohet me një tjetër, thotë: “Po. Faleminderit” për besimin që më dhatë Që nga momenti që zoti Gina zgjodhi t`i kundërvihet Prokurores së Përgjithshme, jo në rrugë ligjore po përmes deklaratave televizive, të gjitha alibitë që shpalos për këtë vendim, bien. A nuk e di prokurori Gina se është kompetenca e zonjës Marku të emërojë, transferojë, pezullojë prokurorë që nuk i gjykon të përshtatshëm dhe që nuk mund të bëhen pjesë e zgjidhjeve të mëdha, aq më tepër sot kur kërkohet të vihen pas hekurave ata që e meritojnë, të konsideruar deri sot si të paprekshëm? Që drejtësia mund dhe duhet të veprojë edhe ndaj burrave të “fortë” e që perceptohen se nuk mund të gjykohen e dënohen?! Zgjidhja me vetëgjyqësi kur bëhet nga njerëz të drejtësisë, tregon se cili është realisht niveli i drejtësisë tonë. Nëse një prokuror gjykon se i cënohet e drejta, i drejtohet drejtësisë ashtu sikundër gjithë qytetarët. Le të veprojnë edhe prokurorët në këtë mënyrë. Përse nuk zgjedhin rrugën e ligjit këta prokurorë, por pëlqejnë zgjidhjet me vetëgjyqësi? Përse nuk kanë besim tek kolegët e tyre kur shesin çdo ditë parime se kemi një prokurori e gjykatë të pavarur dhe cilësore? Kësaj i thonë: “Bëni si them unë, por mos bëni ç`bëj unë”. Prokuroria nuk është një pashallëk. Prokurori nuk është një pasha. As i përgjithshmi, as i veçanti. Ndaj, qëndrimi i prokurorit Dritan Gina është tipik politik. Në këtë rast, ai e ka lënë në kthinë përparësen e zezë dhe i është bashkuar korit opozitar se këtë drejtësi po e merr peng qeveria. Dhe duke iu bashkuar vullnetarisht politikës, atëherë ndaj tij duhet vepruar, jo më juridikisht, por zyrtarisht. Që të bëhet drejtësi duhet urgjent të ikin një orë e më parë prokurorët dhe gjyqtarët, që ditën hiqen se janë me drejtësinë dhe natën puthen me politikën dhe flenë me vetëgjyqësinë.

Nga Bardhyl BEJKO

 

 

 

 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 28

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 24/06/2018 - 07:50

Dy luftra të mëdha botërore që janë zhvilluar shekullin e kaluar ,kanë patur si bazë shpërthimi kontradiktat e mëdha ndërimperialiste dhe nuk janë të vërteta të ashtuquajturat se u vra princi trashëgimtar Franz Ferdin

Postuar: 24/06/2018 - 07:47

Shqiptarët u habitën me ç`dëgjuan nga goja e Lulzim Bashës në foltoren e pushtuar të parlamentit.

Postuar: 24/06/2018 - 07:44

Në krizën e fundit ekonomike botërore, për herë të parë u përdorë termi “oligarki financiar

Postuar: 23/06/2018 - 07:39

Si asnjëherë deri më sot, nuk ka patur një çoroditje të tillë në folenë e brumbujve, atje ku ata

Postuar: 23/06/2018 - 07:37

Lufta e egër mes mazhorancës dhe opozitës është zhvilluar vazhdimisht e ashpër edhe për faktin se

Postuar: 23/06/2018 - 07:35

Në vitin 2004 kam pasur fatin të kem në studio të një televizioni në Shkodër, një nga korifenjtë

Postuar: 23/06/2018 - 07:31

KLSH e shikon veten si një katalizator jo vetëm për mirëqeverisjen dhe transparencën në menaxhimi