Opinion / Editorial

Kurti, Osmani dhe reciprociteti

Kurti, Osmani dhe reciprociteti

Marrëdhëniet ndërshtetërore janë marrëdhënie reciprociteti, barazie dhe jo vasaliteti, të cilat nuk ndikohen as nga madhësia e territorit, as nga fuqia ekonomike, ushtarake dhe as ajo financiare. Reciprociteti është respekt dhe njohje e ndërsjelltë. Marrëdhënie apo marrëveshje reciprociteti kanë kuptimin dhe praktikën e barazisë, pa imponime, pa paragjykime dhe të barabarta; si dhe detyrime e të drejta reciproke. Politika e reciprocitetit është barazi, por edhe bashkëpunim e vartësi reciproke në lëmenj e fusha të ndryshme ndërkomunitare e ndërshtetërore si ekonomike, tregtare, politike, shtetërore, akademike, kulturore, sportive etj. Kur këto realizohem seriozisht nga dy shtete, të cilat edhe nëse nuk e kanë njohur deklarativisht njëra-tjetrën, por kur zbatohen ato si të drejta e detyrime ndërmjet palëve atëherë ato i paraprijnë edhe njohjeve reciproke deklarative ndërmjet shteteve. Kjo përbën de fakto njohje ndërmjet shtetesh. Me reciprocitet kuptohet, e thënë edhe drejtpërdrejt se: “Do të sillem ashtu siç sillesh”, “Do të respektoj ashtu si respekton, do të toleroj aq sa toleron, do të njoh ashtu sikurse edhe duhet të më njohësh”. Politika e reciprocitetit ka të bëjë edhe me liritë dhe me standardet e pakicave dhe minoriteteve kombëtare që jetojnë në vendet respektive fqinjësore. P.sh aq liri e të drejta që duhet të ketë minoriteti serb në Kosovë, po aq të drejta duhet të kenë edhe shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit. Shqipërisë gjithmonë i ka munguar politika e reciprocitetit gjatë këtij tranzicioni. Ajo nuk ka kushtëzuar asnjëherë marrëdhëniet e saj me fqinjët në mbrojtje të lirive e të të drejtave kombëtare të shqiptarëve në trojet e tyre. Madje edhe shqiptarët e Kosovës, politika e Tiranës në tërësinë e saj i ka parë e konsideruar ata si minoritet derisa Kosova luftoi dhe fitoi shtetin e vet. Dhe po kështu Shqipëria ka qenë e para e cila edhe e njohu shtetin e Maqedonisë pavarësisht se shqiptarët atje trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë në regjimin shovinist të Gligorovit. Po ashtu Tirana kurrë nuk i kërkoi Greqisë liri e të drejta për shqiptarët e Çamërisë, nuk kërkoi per ta ato të drejta, të cilat Shqipëria ua ka dhënë minoritarëve grekë në Shqipëri. Edhe sot Shqipëria, politika e sotme e saj tregohet inferiore ndaj Serbisë e Greqisë. Prandaj politika e reciprocitetit e Albinit, përkrahur edhe nga Vjosa është politika e cila i ka munguar politikës shqiptare. Pra me reciprocitet në marrëdhëniet Kosovë-Serbi kuptohet kjo që: politika shqiptare e Prishtinës do t’i përgjigjet Serbisë me të njëjtën “monedhë”, ashtu si e meriton.