Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kush dhe pse i fryn erës së emigrimit?

Postuar: 16/10/2019 - 07:15

Në kushtet social-ekonomike që po përjeton populli ynë, brezi i të rinjve në moshë është dalldisur për të dalë jashtë shtetit për një jetë më të mirë. Edhe kur arrijnë të venë, atje vuajnë sa vetëm ata e dinë dhe megjithatë pak syresh kthehen. Dëgjoja dje një bisedë rrënqethëse dhe tepër tronditëse. Çifti i ri ndonëse në pritje të një fëmije, burrë e grua, emigruan në shtetin e madh europian që ka më shumë koloni në botë. Veças nga njeri-tjetri, me dokumente false. Atje nisën jetën në dy periferi të largëta, me shpresë se do bashkoheshin pasi të merrnin dokumentet përkatëse. Kaluan katër vjet dhe kjo nuk u arrit. Qysh vitin e parë ajo lindi beben dhe e përballoi krejt e vetmuar ngjarjen më sublime për një vajzë kur bëhet nënë, mbasi i shoqi emigrant ilegal, nuk mund të afrohej tek ajo se i ruhej kontrollit. Këtë e kuptoi edhe foshnja. Me ndihmën e Kryqit të Kuq të atij vendi "aq human", ku gëlojnë mbi tre milion emigrantë ilegalë, ajo mundi të gjejë një dhomë me një derë e një dritare. Mundi të sigurojë edhe një lloj pune skllavëruese. Tani që fëmija e saj, vajzë katër vjeçe ka mësuar gjuhën angleze, asnjëherë nuk e hap derën kur troket dikush, por i thotë së ëmës: "Mos e hap se është kontrolli"! Ajo nuk e njeh babain e saj, sepse e ka parë shumë pak gjatë këtyre katër viteve. A është jetë kjo? Përse ky vetësakrifikim i paimagjinuar, ndërkohë që shtëpia, prindërit dhe trualli atdhetar janë bosh e të presin? Historitë e emigracionit të tanishëm, ashtu si kurbetit të dikurshëm, janë aq të shumta sa vetë sasia e njerëzve që nisen të emigrojnë. Disa nuk arrijnë dot; të tjerë mbyten në det a vriten në tokë, siç e thotë kënga: "Shkojnë me këmbë e vijnë pa kokë". Ndodhitë që shoqërojnë jetën e emigrantit janë vetëm tronditëse dhe asgjësuese ashtu siç janë qëndisur me notat më të larta të hidhërimit e të trishtimit në këngët tona të kurbetit, të cilat përbëjnë një thesar historik e edukativ për këdo që di të lexojë shqip apo të dëgjojë ato këngë. Sikur të rinjtë e sotshëm të lexonin e dëgjonin sadopak nga këto këngë nuk do të harbonin aq shumë, për të dalë jashtë shtetit! Jetesa e emigrantit kthehet sikur të ishte jeta e një milingone. Atje sundon vetëm vetmia dhe indiferentizmi, kurse këtu ekziston dhe gjallon mundësia e një solidariteti shoqëror. Emigranti, në një kënd shikimi real, është një lloj njeriu i burgosur përjetësisht.

Skllavëria moderne

Aksioma e ditëve të sotme: "Tani, në kohët moderne, njerëzit bëhen skllevër me dëshirë", ka një bazë reale. Është dukuri mbarëbotërore. Gjithandej, gjithnjë, shumëkush ka dëshirë për të parë “botë më sy”. Dikush e realizon këtë ëndërr me pará e tjetri me emigrim turistik. Po ashtu janë tmerrësisht shumë ata që mendojnë të dalin prej shtetit të tyre e të vendosen në shtetet e mëdha e demek të zhvilluara, për të jetuar diku gjetkë më mirë se sa atje ku ka lindur. Kjo e dyta i kalon caqet e ëndrrës, kthehet në veprim aventurier duke ia nënshtruar jetën personale e familjare kryesisht të papriturës dhe të panjohurës që të sjell fati e rastësia. Dhe kështu bëhesh "qytetar i botës" sipas teorisë së globalizmit. Dikur thuhej"po shkoj në kurbet për kismet", e tani "sepse atje jetohet më mirë"! Gënjeshtër e madhe dhe e përhershme, mbasi atje edhe në qoftë se gjen një punë të rëndomtë, paguhesh shumë pak, jeton i vetmuar e i pambrojtur nga askush (as shtet, as familje, as fqinji e as kalimtari). Pronari të shtrëngon për fyti me njëqind fije me gjoja "punën e siguruar" duke të dhënë plaçka për jetesë me kredi të buta ose afatgjata. Pra të lidh me zinxhirë të padukshëm për tërë jetën tënde, të cilën efektivisht ti ia dhurove kapitalit, nga ku ai, padroni yt, nxjerr fitime kolosale. Dhe shumë shpejt, ti e kupton se atje je i monitoruar për gjatë gjithë 24 orëve, se shokun më të mirë ke vetminë dhe gjërat më të sigurta: taksat dhe vdekjen. Realisht kjo është një nga fitoret më të mëdha të imperializmit amerikan dhe tërë shteteve të tjera kapitaliste në fushat ekonomike, politike, demografike, por sidomos në zgjatjen e jetës së këtij sistemi skllavërues. Dhe kjo skllavëri moderne, tashmë me përmasat e një sëmundjeje globale, po sjell shthurjen e shkërmoqjen jo graduale, por të përshpejtuar në vite të shoqërisë njerëzore sidomos në vendet e vogla e relativisht të varfra. Aq shumë rëndohet kjo situatë sa mund të çojë deri në asimilim e asgjësim të vetë këtyre shteteve, ku për fatin tonë të keq, bëjmë pjesë edhe ne, shqiptarët. Le të shpresojmë se nuk do të arrijmë deri në këta kufij të errët për atdheun tonë.

Kush i fryn erës së emigrimit?

Janë të shumtë dhe gjithnjë kompleksë faktorët që stimulojnë emigracionin, këtë lloj kanceri të shoqërisë njerëzore. Vetë shtetet e mëdha kapitaliste e kanë në natyrën e tyre sunduese që të shfrytëzojnë krahun e lirë të fuqisë punëtore për të rritur sa më shumë fitimin me anë të mbivlerës, punës së papaguar të punëtorit. Ata me një shumëllojshmëri shoqatash fantazmë, lotarish, reklamash të gënjeshtra, ofertash marramendëse, filmash të paimagjinueshëm duke e bërë jetën e atjeshme si parajsë etj. joshin e nxitin thithjen e punëtorëve nga vendet e varfra e të vogla. Ka kohë që është krijuar koncepti se në Amerikë e Kanada jetohet shumë mirë. Po kështu në shtetet e mëdha kapitaliste europiane dhe në Australi, kur kjo është një kryegënjeshtër e mashtrim vdekjeprurës për atë që guxon ta provojë. Pra, kapitalizmi me propagandën e vet të shfrenuar e ka arritur t'i vijë në takim prirjes kafshërore së njeriut për rehati dhe jetë të begatë me sa më pak punë e në kohë sa më të shkurtër. Edhe pse të gjithë zhgënjehen, përsëri shumica e pranojnë këtë gjendje me shpresën e kotë për më mirë në vitet e mëpastajmë... Propaganda e kapitalit për jetën në ato vende është jashtëzakonisht e gjerë dhe joshëse, sepse nuk i mëshohet jetës konkrete e komplekse, por asaj të qejfit, sipas parimit "Gëzo të sotmen, e djeshmja vdiq, e nesërmja nuk di a e kap dot". Kapitali nuk do të dijë për familjen tënde, apo për idealet e tua. Ti atje për të je thjesht një mall, një plaçkë tregu që ke vajtur e i je shitur aq lirë atij, me dëshirën tënde. Këtu fillon e këtu mbaron kontrata e tij me ty, vetëm si mall. Më tregonte një kolegu im ushtarak me arsim të lartë, me tre gjuhë të huaja e me profesion të mirë: “Kur isha emigrant në Angli, aplikova për një punë në bashki të kryeqytetit britanik. Fitova dhe kjo më gëzoi shumë. Por shpejt konstatova se pagesa ime ishte më e vogël se sa vendi i punës. Kur u ankova më thanë: "Ju keni ardhur këtu emigrant dhe si i tillë do të paguheni" E kuptova, e mbyll bisedën intelektuali shqiptar, se isha një copë mall që kisha dalë në tregun e punës. Ndaj u ktheva shpejt në Tiranë ku, edhe pse jam i punësuar diku, paguhem jo më si mall-emigrant, por si rrogëtar me nivelin më të lartë të mundshëm të pozicionit që mbaj. Por ama jam në Tiranë, në vatanin tim”. Edhe diçka nuk duhet lënë mënjanë: ka midis mijëra e mijërave emigrantëve shqiptarë që kanë mundur të çajnë deri në punë të mira e shumë të mira, madje edhe me biznese. Por këta janë fare pak, vetëm sa gishtat e dorës. Kjo sepse nuk lë "larua që të hajë balua". Në mënyrë tepër tendencioze, në Shqipëri, erës së emigrimit i fryn opozita jonë politike e rrugës, ish-deputetët e ish-qeveritarët e vetëdjegur. Ne, si shqiptarë, e njohim veten që jemi akoma të politizuar deri në palcë dhe iu besojmë shumë profkave të politikanëve. Kjo fatkeqësi e jona do vijojë edhe ca vite, por pastaj do venitet sepse bijtë e kësaj toke do ta kuptojnë thellë se politikanët e të dy portave, pozitë e opozitë, s'janë veçse brumbuj që mbledhin bajgat e kapitalit të huaj. Erës së emigrimit i fryjnë pandërprerje të gjithë elementët me vese, gënjeshtarët dhe të paguarit për ta shitur apo shuar Shqipërinë; i fryn mungesa e theksuar e kulturës dhe dijes të mjaft prej të rinjve tanë të cilët edhe shkollën s'e kanë mbaruar plotësisht, por edhe kur e kanë kryer, harrojnë personalitetin e vet, së pari, e pastaj braktisin turpërisht atdheun e tyre. Lënë bosh atë truall ku kanë lindur e jetuar të parët brez pas brezi, e ku prindërit i rritën deri në këtë moshë me aq shumë mundime. Është evidente edhe tutkunosja e të rinjve edhe pse të fuqishëm në trup, por të rrafshuar në tru dhe shpresëhumbur në zemër, mbas informacioneve të rreme e tërë mjegull në internet. Një matufepsje e patolerueshme deri atje sa nuk di të perceptojë tjetri as sasinë e punës në njësinë e kohës, qoftë për mirë, qoftë për keq. Një dëm të madh i sjell jetës së shoqërisë sonë edhe tronditja e familjes, nga njëra anë këtu po mbeten vetëm pleqtë dhe nga ana tjetër me të rinjtë nuk po merret kush që t'ua shpjegojë jetën, të mirat e saj këtu në atdhe dhe të këqijat e panumëruara atje ne dhè të huaj. Psikologjikisht dhe materialisht ndikojnë edhe disa faktorë të tjerë siç janë pazotësia e qeverisë, qoftë kjo e Edi Ramës e qofshin ato para kësaj, për të ndihmuar rininë që të punësohet e edukohet për të nisur këtu ku lindi, jetën në interes të vetes e të atdheut. Qeveritë e dala nga votat tona në këtë tridhjetëvjeçar nuk kanë qenë aspak në krye të punës për ta ndaluar apo zbutur këtë valë përvëluese emigrimi për popullsinë tonë pak milionëshe. Janë edhe disa momente shtesë e tepër kritike tani, në këtë pesëvjeçar posaçërisht për vendin tonë, ku do të rendisnim: sundimi tërësor i sferave të zhvillimit tonë prej politikës amerikane; presioni i gjithëllojshëm europian; joshja ruse; fqinjët tanë më shumë dashakeqës se sa të barabartë; radikalizmi fetar dhe sulmet e sekteve fetare të shumëllojta në këtë popullatë kaq të vogël; pesha frikësuese e kapitalit kinez; forca e traditës sunduese perandorake turke si dhe refugjatëria masive prej Lindjes së Mesme. Të tëra këto ndihmojnë jo pak ushqimin e ndjenjës së emigrimit të të rinjve tanë shqiptarë.

Çfarë duhet e mund të bëjmë kundër murtajës së emigracionit

Këtyre trendeve, po ta thoshim me një fjalë të re, ne të vegjlit si popuj, mund t'i përballojmë duke punuar që të sqarojmë e shpjegojmë më së miri fëmijëve tanë se nuk ka si vendi yt, ku je vetë zot dhe ku të njeh edhe guri e të “flet edhe pema”. Pra të shtroheshin në punë pranë tokës së tyre, vreshtit apo tufës së bagëtive, sepse ne si vend e popull, dihet që kryesisht kemi bagëti e bujqësi. Këtë e ka thënë me poezi i paarritshmi bilbil i gjuhës sonë Naim Frashëri. Madje vetë vendi ynë është poetik. Ja shembulli: Në një ditë fund nëntori, në derë të muzeut "Skënderbeu" në Krujë bie dëborë e lehtë, ndërkohë tutje në bregdet syri yt iu gëzohet rrezeve të diellit mesdhetar që përkëdhelin valët e buta e lozonjare të Adriatikut... E sa shumë panorama të tilla ka atdheu ynë i madhërishëm nga Jezerca në Gramoz, nga Korabi në Nemërçkë, nga Vermoshi ku varet harta e deri në Ksamil ku lulëzojnë agrumet... Për kohët e sotme kur janë hapur të tëra dyert e vendit, kemi edhe mundësi të tjera, pa lëvizur fare nga vatani i lindjes, për të siguruar mjete jetese e të ardhura jo të vogla në të holla me turizëm gjithfarësh (natyror, bujqësor, antik, fetar, etj.etj.) apo me pasuritë kulturore dhe artizanale. Ne si shtet dhe si shoqëri kemi fuqi të jashtëzakonshme që të ndalojmë emigrimin e njerëzve tanë (dhe të pranojmë sa më pak emigrantë nga shtetet e tjera), po qe se bashkohemi të tërë dhe të godasim të gjithë, shteti dhe familja, shkolla e shoqëria, në të njëjtin vend e me të njëjtin ritëm për të ngulitur të vërtetën e madhe se jeta më e mirë është këtu në Shqipëri si askund gjetiu. Por ne kemi një hall jo të vogël: qeveritë nuk i bëjnë iso forcimit të ekonomisë së vendit, me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet materiale, njerëzore e natyrore, por synojnë mbushjen e xhepave të tyre. Konkretisht tani b.f. nga kjo qeveri financohet me kapital bazë fillestar një institucion megaloman paralel, në mos mbiqeveritar, thuajse i dyshimtë, me emrin Korporatë Investimesh Shqiptare dhe nuk u gjendkan askund hapësira për të përkrahur fermerët e vegjël të rretheve me prodhime premtuese për ekonominë dhe nevojat e përditshme për popullin dhe eksportin. Ky është qëndrim tepër i rëndë në kurriz të prodhuesve të vegjël dhe taksapaguesve. Qeveritë ndërrojnë njëra-tjetrën dhe nuk bëjnë aspak propagandë ndaluese dhe veprimtari ndihmëse për banorët që ata të mos lënë as fshatin e as qytetin. Me tre problemet kryesore le të merret partia në pushtet: punë për prodhimin e të mirave materiale, strehim, arsimim e kulturim. Por në fakt partitë merren me llafe boshe dhe sharje të ndërsjellta. Është e ditur, si lindja e diellit, se kur fshatarit i jep tokën, ujin, shkollën, rrugën automobilistike, infermierinë, e ndihmon edhe më kredi në fillim, ai e kthen fshatin në parajsë të vërtetë me mendjen dhe djersën e tij. Por qeveritarët tanë të tanishëm e kanë lënë pas dore fshatin, me gjithë premtimet për 100 fshatra turistikë etj. etj. Shembujt pozitivë të realizuar nga vetë fermerët e thjeshtë, në këto tridhjetë vjet janë aq të shumtë sa nuk i nxënë as gazetat. Po ç'e do se shteti nuk iu bën as reklamë, e as u jep ndihmë konkrete për ecuri të garantuar ekonomike. Madje, jo vetëm nuk i ndihmon, por i pengon herë-herë. Veçanërisht ndihma e kapshme monetare a materiale e shtetit për nisjen dhe ecurinë e biznesit të vogël, tek ne është keq e mos më keq. Letra, fjalime e premtime me bujë ka plot, por domatet, qepët, shalqinët, karotat, etj. produkte bujqësore të zonave me prodhim të bollshëm, hidhen në lumë se nuk ka treg shitje pasi e ka “uzurpuar” tregu i huaj që menaxhohet nga kapitali i filan qeveritari a biznesmeni qoftë i majtë apo i djathtë. Tek ne politika pengon tmerrësisht ecurinë e punësimit dhe të biznesit të vogël. Aktualisht Shqipëria i vuan këto plagë. Por optimizmi nuk duhet as të mungojë e as të humbasë. Ne i kemi forcat që emigrimin ta pakësojmë dhe popullsinë shqiptare këtu në truallin tonë të stërlashtë, ta shumojmë e zhvillojmë në përshtatje me kërkesat e kohës së këtij kapitalizmi të egër, të epokës së globalizmit.

Nga Ilmi Qazimi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/11/2019 - 13:23

Le ti marim disa gjëra me radhë e të përpiqemi të hulumtojmë mbi to.

1. Presidenca Juncker.

Postuar: 13/11/2019 - 07:20

Kontrolli i Lartë i Shtetit kryen auditime sipas planit vjetor të miratuar nga Kryetari Bujar Les

Postuar: 13/11/2019 - 07:17

Edhe pse për herë të parë, ndjesa e Lulzim Bashës për taksën e pronës tetë për qind është një ris

Postuar: 13/11/2019 - 07:14

Besimi tek politika dhe kohezioni, në këto vite të tranzicionit barbar, kanë qenë për qytetarët s

Postuar: 13/11/2019 - 07:13

Shkak për të shkruar këto radhë, u bënë disa intervista të publikuara nga kandidatët për kryetarë

Postuar: 12/11/2019 - 07:16

Pas vendimit të përcaktimit së tarifës për “Rrugën e Kombit”, qytetarë të Kukësit shp

Postuar: 12/11/2019 - 07:15

Turi i shpresës me të rinjtë, që po zhvillon kryetari i PD-së Lulzim Basha këto ditë në qytetet e