BREAKING NEWS

“Kam të dhëna se...”, Spartak Ngjela bën deklaratën ‘bombë’ për atë që fshihet pas pandemisë së COVID-19: Ky krim nuk del me armë në dorë, është i nivelit të lartë!

“Kam të dhëna se...”, Spartak Ngjela bën
x

Opinion / Editorial

Kush (dhe pse) janë të interesuar që Shqipërisë të mos i hapen negociatat për në BE?

Kush (dhe pse) janë të interesuar që Shqipërisë

Një lumë i madh dezinformimi vazhdon të përmbytë mendjet e shqiptarëve nga mëngjesi e deri në darkë ose si thuhet - non stop, duke sharë ndotur dhe njollosur Shqipërinë e cila dalëngadalë po del nga bataku i informalitetit dhe i mungesës së zbatimit të ligjit në drejtimin e qeverisë së sotme. Dy fatkeqësitë natyrore si Tërmeti i 26 nëntorit dhe Pandemia jo vetëm që nuk kanë solidarizuar politikën shqiptare për të bashkuar forcat në përballimin dhe rikuperimin e dëmeve të shkaktuara, por përkundrazi, ashtu si Penelopa e Uliksit e cila thurte ditën dhe shthurte natën velenxën me qëllim që të mos martohej me njërin nga pretendentët, ashtu dhe opozita e rrugës dhe veçanërisht kryetarët e tyre, vazhdojnë të shkelin me këmbë atë që qeverisja po mundohet të përballojë. Madje njëri nga kryetarët në kundërshtim me ligjin nuk mban maskën, e cila është vendosur me detyrim të mbahet edhe jashtë në mjedise të hapura. Merreni me mend se çdo të bëjë kjo parti e rrugës nëse do të fitonte zgjedhjet e 25 prillit së bashku me militantët e vet.

 Çmenduritë e kundërshtimit të çdo mase që merr qeverisja e vëndit për të përballuar situatat dhe për të rregulluar gjendjen, nuk kanë masë për tu matur dhe peshore për të peshuar gravitetin e dëmit. I gjithë ky kundërshtim që vjen nga partitë opozitare nuk është i rastit dhe ka të bëjë jo vetëm me mllefe, inate dhe qejfmbetje personale, por problemet janë më të thella. Të shoqëruara me ofendime dhe debate aspak etike, për politikanë të cilët kërkojnë pushtetin nëpërmjet votës, të shoqëruara me fjalë dhe fraza banale, shkaqet se përse dhe kush është i interesuar për të mbajtur Shqipërinë peng me kusht që disa politikanë apo individë të mos preken nga përgjegjësia e shkeljes së ligjit, janë mëse të qarta nga shqiptarët qoftë nga shoqëria shqiptare në përgjithësi, qoftë nga i ashtuquajturi “popull opozitar”. Po të shohim problemet e brendshme duket qartë se kush kërkon një Shqipëri jo-europiane, por një Shqipëri aziatike, të botës së tretë, pa rregulla e ligje dha pa stabilitet. Kush janë të interesuarit e një Shqipërie pa rregulla? Duket qartë se për një Shqipëri pa zbatim ligji dhe pa rregulla nuk mund të jetë tjetër përvese ata të cilët kanë frikë nga vetingu, nga SPAK-u, ata që në të kaluarën e afërt të 30 viteve të fundit nuk kanë dhënë llogari para ligjit qoftë për korrupsionin e pashembullt, qoftë për shkeljet e rënda të ligjeve në fuqi, qoftë për shpërdorim detyre. Interesant është fakti i fushatës së turpshme e opozitës së rrugës kundër masave për parandalimin e COVID-19, fushatë në të cilën janë përfshirë edhe disa mjekë qejfmbetur, duke nënvlerësuar se sa e dëmshme është një dezinformim i popullatës për rrezikun e COVID-19. Interesant është gjithashtu fakti i akuzave të opozitës së rrugës për vonesat në ndërtimin e apartamenteve të reja për banorët e dëmtuar nga tërmeti i nëntorit të një viti më parë. Në këtë mënyrë opozita e rrugës në vend që të ndihmojë dhe të përkrahë qeverinë dhe qeverisjen e vendit për të përballuar dhe dhënë shpresë dhe durim popullatës së dëmtuar nga tërmeti vazhdon një fushatë armiqësore madje dhe anti shqiptare. Kjo fushatë mesa duket ka elementë shumë të ngjashëm me taktikat e diktatorit të Shqipërisë në atë kohë kur etiketonte një person apo grup personash si “armiq të popullit”, apo shtete si armiq të marksizëm leninizmit, i godiste ata në çdo veprim të tyre, qoftë i keq qoftë i mirë dhe nëse opinionet e tyre ishin të mira, pas futjes në burg të atyre personave, apo pas etiketimit anti shqiptarë apo anti marksistë, idetë e tyre përparimtare i përvetësonte dhe i artikulonte si “ide të ndritura” të diktatorit. Kështu po vepron opozita e rrugës sot. Godet do gjë të mirë që po bën qeveria e sotme pa dallim.

 Një problem tjetër i dezinformimit është emigrimi i shqiptarëve jashtë vendit, të cilët opozita e rrugës po e përdor për të treguar se punët nuk po shkojnë mirë në Shqipëri. Këtë fakt po mundohen ta nxijnë e ta errësojnë edhe disa analistë të paguar, të cilët për para kanë shitur jo vetëm veten e tyre, por edhe Shqipërinë duke dhënë opinione jo-korrekte për problemin e emigracionit, i cili ka filluar që nga vitet 1990 e deri më sot me ngritje e ulje. Problem mbetet largimi i profesioneve të veçanta si mjekët, infermierët, inxhinierët, IT-të, të cilët dëmtojnë Shqipërinë. Por farë bën opozita? Në vend që të kritikojë dhe të japë mesazhe për të mbajtur e favorizuar këto kategori profesionistësh, nëpërmjet portaleve, fjalimeve mediatike nxisin largimin e këtij kontingjenti indirekt duke krijuar një përshtypje se punët nuk po shkojnë mirë në Shqipëri e prandaj ikin këta njerëz. Sigurisht njerëzit me mend në kokë e kuptojnë se zhurma bëhet pikërisht për të pretenduar se në Shqipëri, profesionistëve nuk u jepet mundësia e një page të lartë e dinjitoze. Po ashtu edhe nxitja e studentëve, kundër masave që qeveria po bën për të penguar përhapjen e infeksionit COVID-19. Gjithçka kundër qeverisë nga ana e opozitës së rrugës dhe asnjë nga ana e saj për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve duke dhënë opsionet e tyre.

Fakt tjetër është dhe lajmet dhe informacionet e disa mediave tona tv dhe gazetareske, të cilat nën maskën e informacioneve nga të huajt nxisin apo japin përshtypjen se krimi i organizuar në BE dhe Botë na qenka i drejtuar nga shqiptarët. Kjo është një akuzë e ndyrë dhe jo vetëm e pabazë, por thellësisht antishqiptare, duke dhënë përshtypjen vendeve të BE se Shqipëria nuk e meriton integrimin dhe hapjen e negociatave për shkak se na paska krim të madh brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kjo përpjekje djallëzore anti shqiptare e paguar qoftë nga brenda vendit qoftë nga jashtë për të akuzuar Shqipërinë e vogël për një krim ndërkombëtar, është një fatalitet dhe një krim i atyre që e drejtojnë fshehurazi këtë dis-informim apo fake news. Kjo po i bën dëm të madh Shqipërisë. Turp për ata politikanë që fërkojnë duart fshehurazi duke dëmtuar vendin e tyre. Interesant është edhe një element tjetër i grupeve, të cilët nuk duan që Shqipëria të integrohet në BE, por u intereson një Shqipëri e destabilizuar, me probleme dhe një Shqipëri e armiqësuar me fqinjët. Kush mund të jenë vallë këta grupe apo individë dhe kush mund t’i ndihmojë ata? Përveç interesave individuale dhe partiake brenda vendit që nuk e duan Shqipërinë brenda shinave të ligjit me qëllim që të shpëtojnë nga akuzat ligjore për shpërdorim detyre, korrupsion, pasuri e paligjshme, etj., ekzistojnë edhe të interesuar të tjerë jashtë vendit të cilët nuk e duan as Shqipërinë e vogël dhe aq më pak një të ashtuquajtur Shqipëri të madhe, madje as një Mini-Shengen të miratuar nga BE për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kush mund të jenë këta grupe me këto interesa të veçanta antishqiptare? Këta mund të jenë lobime të disa fqinjëve të afërt apo dhe të largët, miq të fqinjëve të afërt të cilët nëse në aparencë flasin madje derdhin lot për të integruar dhe për të hapur negociatat më BE, fshehurazi nxisin lobe të tjera si Holanda, Danimarka, të cilat nuk e duan Shqipërinë jo vetëm për të hapur negociatat, por edhe për integrimin në BE. Disa shembuj janë këta, si dërgimi i artikujve kundër Shqipërisë të hartuar nga autorë të politikës shqiptare kryesisht opozitare, për problemet e kanabisit, e drogës, të cilat botohen herë pas herë nën siglën e autorëve të huaj në Gjermani, Itali, madje dhe në Angli apo SHBA, ku dëmtohet Shqipëria. Asnjë vend europian ose edhe i botës së tretë nuk përdor opozitën e vet për të sharë e denigruar vendin e vet ashtu si bën opozita shqiptare. Së dyti, problem i kufirit detar, për të cilin me të drejtë kryeministri ra dakord që të zgjidhet nga një palë e tretë si është Haga. Për të kundër-akuzuar qeverisjen e sotme, opozitarët nxjerrin ish firmosësit e marrëveshjes së hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, për të folur në tv, e media. Interesant është fakti se këta pseudoakuzues në fakt duhet të ishin para gjykatës për të shpjeguar firmosjen e një marrëveshjeje kundër vendit të tyre. Ky element nuk u ka shpëtuar të interesuarve jashtë vendit, të cilët nxisin dezinformimin. Së treti, problemi dhe presioni mbi dhe për minoritetet. Dihet se vazhdon qoftë fshehurazi qoftë hapur dëshira për t’u bërë minoritarë të etnive të ndryshme si grekë, vllahë, bullgarë, maqedonas, serbë, boshnjakë, etj, të shumë personave të cilët në efekti e dezinformimit kërkojnë shtetësi të huaj me qëllim që të kenë përfitime apo benefite personale në raport me shtetin amë, i cili i ka edukuar, dhënë profesion dhe punë, gjë që dëmton Shqipërinë duke çuar ujë në pellgun e anti-shqiptarizmës- për të argumentuar përballë PE dhe BE se Shqipëria na qenka shtet multietnik. Së katërti, akuzat dhe rekomandimet nga individë drejtues të shteteve të BE për të marrë parasysh kërkesat e një presidenti (drejtuar komisionit të Venecias, apo individëve drejtues të BE), i cili ka kohë që nuk është më President i Shqipërisë, por që mbetet faktikisht një drejtues i opozitës. Dihet se heshturazi grupe politike fqinje miratojnë heshturazi madje duke derdhur lot krokodili para palës shqiptare se “e duan Shqipërinë në BE”, një vonim të përfundimit të vetingut në Shqipëri dhe të kërkesave për të bërë Gjykatën Kushtetuese dhe për të përfunduar reformën e thellë ligjore në Shqipëri, me qëllim që të pengojnë futjen e Shqipërisë në BE duke penguar hapjen e negociatave.

Gjendja në Shqipëri do të ishte shumë më e mirë nëse nuk do të ishte Pandemia, e megjithatë masat e marra nga qeveria kanë vendosur vendin në binarët e ligjit dhe të punës, duke i treguar popullit shqiptar, se po punohet dhe ku ka punë ka dhe gabime të cilat mund të ndreqen, qoftë me përmirësimin e ligjeve dhe vendimeve, qoftë dhe me kapjen e autorëve të shkeljes së ligjeve, qoftë në shpërdorimin e detyrës dhe në korrupsion, qoftë në marrjen e masave për të përmirësuar gjendjen jo të mirë në disa sektorë privatë dhe publikë. Këtu opozita e rrugës po përpiqet me çdo kusht të bëjë të kundërtën duke i vërtetuar popullit shqiptar se ajo akoma nuk mund të jetë e aftë për të qeverisur vendin.