BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Opinion / Editorial

Kush do ta fitojë betejën?

Kush do ta fitojë betejën?

Është fakt i pakontestueshëm se shkenca mjekësore, e cila për hir të së vërtetës në bazë të përvojës dhe arritjeve të padiskutueshme të saj ka arritur majat më të larta të zhvillimit ka rreth pesë muaj që po përleshet dhe kacafytet me thonj e dhëmbë dhe për jetë a vdekje me koronavirusin, që na është bërë peshqesh e që na është ngjitur si pisllëku pas këpucës.

E vërteta është se ky virus sa i padukshëm e me shumë të panjohura, sa i fshehtë, tinzar, i pabesë dhe dinak ka sjellë pasoja tronditëse dhe alarmante pasi deri tani në shkallë globale kemi rreth katër milionë të infektuar dhe mbi 270000 viktima, ku numrin më të madh si në të infektuar dhe në viktima e zënë SHBA, Anglia, Ukraina, Italia, Franca, Spanja dhe Turqia. Dhe çuditërisht dhe për ironi të fatit ky virus vrasës për njerëzimin po vazhdon të marrë jetë njerëzish e të paralizojë gjithë veprimtarinë ekonomike e financiare, bujqësinë, eksportet, dhe gjithë veprimtaritë e tjera pa u ndalur nga askush dhe iu trembur aspak qerpiku i syrit. Natyrshëm përballë kësaj situate të rrezikshme, alarmante e tepër vrastare shtrohet pyetja e ligjshme po shkenca mjekësore botërore, epidemiologët, ekspertët infeksionistë ku janë dhe çfarë bëjnë. Përse nuk ndërmarrin masa shkencore efikase si prodhimin e vaksinës dhe eksperimentimin e saj në kafshë e gradualisht edhe në njerëz. Të vetmet masa që ka sugjeruar mjekësia dhe ekspertët e saj të fushës kanë qenë: përdorni maskat, dorashkat; mbani pastër higjienën personale, mjediset e brendshme e të jashtme; shmangni grumbullimet publike dhe daljet e panevojshme; qëndroni mbyllur sa të mundeni brenda katër mureve të shtëpisë; ruani dhe respektoni distancimin fizik e social etj. të cilat nuk mund të quhen aspak masa shkencore mjekësore e pavarësisht këtyre masave të rëndomta e primitive e bajate,virusi vazhdon me kokëfortësi dhe kryeneçësi të pandalshme veprimtarinë e tij vrastare e tepër alarmante. Dhe theksojmë se nuk ka masa shkencore efikase sepse virusi nuk ka ndërmend të largohet me dëshirë dhe vullnetarisht. Një shprehje popullore thotë: “Derri do plumb” pra duhet prodhuar pa humbur kohë vaksina dhe ilaçe kuruese efikase dhe jo si ilaçi servedio që është prodhuar këto kohët e fundit në SHBA e që ulka kohën e shërimit në masën vetëm 30%, pra këto lloje ilaçesh që kanë edhe efekte anësore janë gjysmake dhe nuk i duhen askujt dhe si të tilla më mirë të mos prodhohen sesa të prodhohen. Për të vepruar forcërisht dhe me efikasitet të lartë ndaj koronavirusit duhen aplikuar rregulla dhe parime lufte dhe kur ai sulmon duhet ta kundërsulmosh, kur ai të mësyn duhet ta kundërmësymësh, kur ai të tërhiqet dhe të ngadalësojë veprimtarinë ose e zbut atë atëherë duhen ndërmarrë masa lehtësuese liberalizuese. Duke e ndjekur situatën nga afër dhe hap pas hapi kundërveprimi shkencor është i papërfillshëm dhe aspak i mjaftueshëm. Lidhur me këtë problem filozofi Hegel thoshte: “Më mire është të luftosh dhe ta humbësh betejën, sesa të mos luftosh asnjëherë”. Pra, duhet kundërvepruar dhe jo të kryqëzosh krahët e t’i bësh karshillëk e të bësh gjumin letargjik ndaj koronavirusit pasi ky virus është aktiv, ku vetëm në Itali raportohen pothuajse përditë qindra viktima dhe mijëra të infektuar. Më çudit fakti që jo pak specialistë epidemiologë dhe infeksionistë hamendësojnë dhe profetizojnë se priten valë të tjera të virusit madje me agresivitet dhe me të lartë ndërsa kundërvënien shkencore nuk po e shohim gjëkundi. Përse xhanëm nuk mblidhen autoritetet më të larta shkencore botërore të G8-ës që kanë edhe kapacitete të konsiderueshme ekonomike dhe mjekësore dhe të diskutojnë në mënyrë analitike për masat e domosdoshme që duhen ndërmarrë për frenimin e kësaj pandemie vrastare e tepër të rrezikshme. Në këtë drejtim eksperienca dhe përvoja nuk mungon pasi kemi kaluar epidemi të tilla si gripi i shpendëve, gripi i derrave pak a shumë të ngjashëm me këtë virus me të cilin po përballemi përditë e më tepër. Madje theksoj se ky virus nuk po bën përjashtime as për vendin tonë ndonëse me raste më të pakta, por gjithsesi nuk harron të na kujtojë me disa ngacmime dhe gudulisje të lehta, por që edhe aq sa janë duhen vlerësuar. Më bëri shumë përshtypje një fakt që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Trump, ditën e lutjeve iu lut Zotit që të ndalte koronavirusin, në vend që t’i drejtohej shkencës. Populli jonë i nderuar president ka një shprehje: “Nuk bëhet vreshti me lutje dhe urata, por me kazma e lopata”. Nisur nga fakti i pakontestueshëm se shkenca mjekësore ka arritur majat e zhvillimit të saj si dhe nisur nga përvoja që ka fituar si dhe nga rënia e numrit të rasteve të infeksionit dhe nga rritja e temperaturave të larta dhe në epidemi virusale të tjera jam optimist dhe shpresoj se betejën midis virusit dhe shkencës do ta fitojë me siguri shkenca mjekësore.