Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kush e riktheu “kohën e pikëllimit të magjeve” në Qarkun e Kukësit?

Postuar: 14/06/2018 - 07:26

“Kujtonim se mesjeta kish vdekur…”. Vargu i parë që më erdhi vetiu në buzë jo pa drithërimë, jo pa dëshpërim e revoltë. Është një nga qindra vargjet vetëtimë të poetit të veçantë e të dashur skraparli. Sapo ishte dhënë ajo kronika tepër tronditëse në Gostilë të Kukësit: Në një kasolle të sajuar (kasolle i thënçin) ulërinte mjerimi migjenian i shekullit të ri! Mbaheshin me shpirt në dhëmbë një çift i moshuar. Bashkë me nipin e tyre të sëmurë që fati korb e la fillikat dhe u bë burrë në duart e rrëgjuara të Shpresës e Rustemit. Ishte mbrëmje, 25 maj 2018. Asnjë zë nuk pipëtiu nga shteti e pushteti i majtë! Fundjava me uikende nëpër avionë e makina luksoze, nëpër vila e resorte të ngritura me “rroga” shteti pranë detit a në male, nuk ua bënë dot qejfin qeder përballë shtresave të paprivilegjuara që fukarallëku i ka goditur brinjë më brinjë. Përtërijnë forcat e energjitë për të mbajtur fjalime marramendëse te vegjëlia që lyp, pret e përtyp “ndihmat sociale”. Por edhe këto thërrime mbijetese, qindra familjeve në qarkun Kukës, Has e Tropojë, me urdhër nga lart u ndërprenë brutalisht(?!). Kujt t’i falen, veç Zotit në qiell. Dhe kujtonim se mesjeta kish vdekur…

-Lutem që Zoti me më marrë shpirtin dhe mos shoh më gjë…Rroj, se nuk vdes dot!

Kaq mundi të thoshte Shpresa pa asnjë shpresë, atje në Gostilë. Dhe jo rastësisht m’u fanepsën të famshmit Xhemali Tocilla e Hisë Lapallari, që me daullen dhe curlet e tyre bënin të dridhej sheshmejdani e muret e kalasë së Gjirokastrës në festivalet folklorike. Veçse atë mbrëmje maji, te ajo varfëri gjëmëndjellëse besoj do të çahej a krisej edhe vetë daullja e curla e lashtë! Po ajo dajre në duart e Edi Ramës nëpër fushatat votambledhëse, a do të dëgjohej vallë? Apo do i mbajnë iso mizëria me ysmetçinj e lëpirës të përjetshëm të prapanicave pushtetmbajtëse nëpër ekrane e portale?... Dhe nuk është vetëm ajo familje në atë humbëtirë mesjetare. Qarku i Kukësit renditet nga më të varfërit në republikë. Prandaj edhe plaga e madhe e braktisjes së kësaj treve e gjetkë, do të dhembë e kullojë gjatë në breza. Rrokullimë që nuk erdhi nga pushtimet e as nga ndonjë fatkeqësi natyrore. Erdhi nga POLIT(H)IKA pa kurrfarë morali, nga qeverisjet që shkojnë e vijnë me plot mashtrime. Shkurt, me fasada estetike e maskarada politike nuk mund të largohet fukarallëku. Shikoni çfarë hendeku është krijuar në Shqipërizën tonë: Midis mijëra hallexhinjve të uritur për bukë e punë dhe një grushti milionerësh hajdutë të uritur për pushtet e para të pista! Dhe Kryeministri ynë piktor, ditët e fundit gati ngriti flamurin e bardhë dhe iu dorëzua “bamirësisë”. Në cilin vend të botës kryeqeveritari vepron kështu? Dhe kjo nuk është thjesht papërgjegjshmëri, por edhe tallje cinike e ligësi e pashoqe përballë qytetarëve që të kanë besuar e votuar. Le të na thotë të paktën një bilanc ekonomik të mandatit të parë nga Kukësi, Hasi e Tropoja (Kur shkeli fluturimthi në Shishtavec, foli edhe ca kodra pas bregut, u ligjëronte fermerëve të këputur për rrogat e zyrtarëve!). Mirëpo rrodhën 5 vite. Konkretisht, sa vetë janë punësuar në atë qark?

Ja një fakt jo pak irritues: Pasi dha publikisht mesataren mjeruese të lekëve për frymë në ato treva të bekuara nga Zoti e të mallkuara nga Tranzicioni rrumpallë, një ekspert ekonomie i mençur e i pavarur në Tiranë iu referua Statistikave shtetërore (2016-2017). Punësimet e reja ishin vetëm 47 persona! Ulërimë me thes në kokë… Honxhobonxhot e qeverisjes qendrore e lokale i bien teneqesë së propagandës kallpe. Dhe Kryeministri hyn e del i velur nga “bashkëbisedimi” hipokrit me qytetarë e zyrtarë të përzgjedhur nëpër sheshe, salla e ekrane të rrethuar nga varfëria. Jehona e shtetit “social” ngujohet brenda atyre gjerdheve mashtruese. Të vërtetën lakuriq e di vetëm barku e shpirti i fakirfukarait, jo ata zyrtarë që presin e përcjellin shpinëpërthyer Timonierin, plot përgjërim e gjuhëlidhur. Përshembull, më thoni, përse janë shumëfishuar vallë pikat e basteve e të kazinove gjatë 5 viteve të fundit?! Nga qeverisja gju më gju me popullin?... Dramat sociale janë të prekshme e të thekshme kudo. Po qindra fëmijë shqiptarë adoleshentë e të pashoqëruar, përse po pushtojnë metropolet europiane e gjetkë? Mos vallë “për turizëm”? Plagë tepër e dhimbshme…

Sa për “bashkëqeverisjen me qytetarët” (këtë shfaqje vjetërsirë e të neveritshme), mendoj se u bë copë-copë në Kalimash. Protesta për taksën e kalimit në Rrugën e Kombit, ishte veç një nga majat e varfërisë ekstreme. Dhe aspak bindjet politike e partiake. Peticioni i 49 këshilltarëve (të majtë e të djathtë) nuk u begenis sot e kësaj dite. Zoti Kryeministër, kuksianët janë të sfilitur por aspak naivë dhe mjaft dinjitozë. Boll e bënë barkun hambar! Janë durimmëdhenj. Nuk janë si ata të oborrit tënd që dinë vetëm të të krehin bishtin. Dhe as blihen e as shiten kollaj. Ti nuk i njeh mirë. Kush e riktheu “kohën e pikëllimit të magjeve?”, do të pyeste me siguri Bajazit Cahani, kolegu e miku im i hershëm nga Hasi, që mbylli sytë e iku dëshpërimisht nga kjo botë. (Mbrëmë po lexoja një libër të tij, dhuruar në Kukës, 22 prill 1999. Mbi faqen e fundit ka gdhendur: “Paqen” e shpikën sunduesit/ dhe kur flasin për të/ parasysh kanë ligjet e tyre,/ kolltuqet e tyre,/ vilat e tyre/ që notojnë si masa të dhjamura/ në oqeanin e varfërisë së botës…”. Ndërsa unë vazhdoj të pyes: Përse kjo trevë e dashur “është me numrin më të lartë të të larguarve” brenda e jashtë Shqipërizës sonë? E të tjera, e të tjera… Polit(h)ika pa moral po arratiset përditë e më tepër nga njerëzit e thjeshtë, duke i vlerësuar si të verbër e shurdhmemecë. Dhe hallet nuk po ua qajnë dot as Gjalica hijerëndë e as Pashtriku. As dhe maja e Pikëllimës me dëborë që pikëllon pikë-pikë atje, mes Shqipërisë e Kosovës…

-Më dëgjo pak, miku ynë. A mundesh t’i bësh një pyetje açik kryeministrit: Deri kur do e gënjejë mendja se vendi mund të qeveriset e kullandriset me “karcinë vjeshte” që nuk kanë haber as se nga lidhet magjari?... Sepse zyrat e shtetit “social” i pagëzuan për herë të parë kur u dhuroi fët e fët kolltuqe ministrash e zëvendësish, deputetësh e drejtorë të lartë. Tjetër. Sikur vetëm biznesmenët e kamur me rrënjët nga ky qark (nuk janë pak) t’i mblidhte në selinë e qeverisë dhe të kuvendonte shtruar me plane e projekte konkrete, besoj do ishin bërë punë të mira kundër varfërisë. Ka mbi 5 vite që banorët po nanuriten me përralla e pallavra, duke tundur e shkundur ende këmborën tashmë të ndryshkur “fajin e ka Saliu…”. Dhe burgjet përmbyten nga fukarenjtë e cironkat. Ja, 35 vjeçarit të syrgjynosur pas mesnatës së protestës në Kalimash (baba i 3 fëmijëve), i plasi zemra në qeli! E kishin pushuar edhe nga puna sepse “nuk ishte rilindist”… Ndërsa “peshqit e mëdhenj” dhe sojin e tyre, që nga ministri i Brendshëm pa të brendshme etj., nuk i kap asnjë çark i shtetit “ligjor” të Edi Ramës. Dhe djalëria shqiptare merr arratinë nëpër udhët e botës! Po pse, gjë e vockël i duket kryeministrit kur vetëm gjatë 3 vjetëve të fundit gati 1 milion shqiptarë firmosin për t’u larguar në SHBA? Pa llogaritur shtetet e tjera. Ikin nga bollëku apo nga skamja e maskarallëku?! Prandaj shpesh dua të thërras gjer në kupë të qiellit: Kjo elitë politike e vjetër, dështake dhe e majmur mbi kurrizin e njerëzve të thjeshtë, duhet shporrur shpejt e pa asnjë pishmanllëk, majtas e djathtas! Përndryshe mëmëdheu ynë do të vuajë e do të lëngojë gjatë…

Intelektualët e ndershëm nuk shesin kurrë gënjeshtra të stolisura. Vetëm honxhobonxhot e qeverisë “namusqare” mund ta shikojnë me dylbi varfërinë, realitetin e hidhur që vret përditë besimin për sot e për nesër. Besim që nuk mund të mbahet ngritur vetëm me propagandë të shëmtuar televizive që namatis pa pushim gjoja për të larguar sëmundjen. Sepse vetë namusi ka rënë…  /Nga Kristo MËRTIRI

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 22

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 16/08/2018 - 11:57

“Shqipëria po zhbëhet! Deri në vitin 2030 ky vend do mbetet me më pak se 1 milion banorë!!”.

Postuar: 16/08/2018 - 09:16

Ju a them se përse maturantët braktisin universitetet:

Postuar: 16/08/2018 - 07:14

E kemi të vështirë në shqiptarët të biem në një mendje për ndonjë problem.

Postuar: 16/08/2018 - 07:11

Vitin e kaluar ka pasur një rritje prej 28% të regjistrimit dhe pagesës të makinave të luksit!

Postuar: 16/08/2018 - 07:09

 Mos kujtoni o Zot, se e kam fjalën për shëndetin e shtetarëve dhe politikanëve të të gjitha

Postuar: 16/08/2018 - 07:07

Ekonomia turke gjatë gjithë këtij viti ka treguar probleme të mprehta.

Postuar: 15/08/2018 - 12:50

Akademiku Artan Fuga ka reaguar për uljen e numrit të të rinjve që duan të regjistrohen në univer