BREAKING NEWS

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të reja brenda 24 orëve

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin: 130 raste të
x

Opinion / Editorial

Kush gënjen, nuk e di ç`është e vërteta

Kush gënjen, nuk e di ç`është e vërteta

Shqiptarët janë vërtetë në hall të madh. Nuk po arrijë të qetësojnë për pak kohë shpirtin e lodhur nga flama që i ka pushtuar prej tre dekadash. Veç halleve, që nuk arrijnë dot ti minimizojnë, telasheve u shtohet politika, gënjeshtrat e politikaneve, retorika e tyre që të bën të hash veten me dhëmbë. Thonë se duhet të kalojnë shtatëdhjetë vjet që të piqet demokracia dhe pastaj gjërat ndryshojnë. Deri atëherë në këtë vend që quhet Shqipëri nuk ka për të ngelur këmbë shqiptari. Përse do rrinë këtu? Të dëgjojnë dënglat e politikanëve, të cilët nuk dinë, nuk kanë ndërmend të emancipohen, të rinovohen, të integrohen. Shqiptarët e dinë fare mirë se në këtë vend është e vështirë të ndërtohet demokracia. Ka fare pak mundësi që ata që mbajnë mandatet në institucionin e votës, sapo ulen në poltrone, bëjnë si të çmendur, sikur nuk kanë ardhur nga votuesit, që mbajnë shpresë për një të ardhme të mirë. Ka tridhjetë vjet që u thuhet shqiptarëve se integrimi është në drejtimin e duhur. Është thënë me mijëra herë se po luftohet korrupsioni. Është thënë në mënyrë të përsëritur se drejtësia do vihet në vendin që i takon. U ngopën njerëzit me slogane të tillë.  Premtojnë të ndërtojnë ura edhe atje ku nuk ka lum a përrua. Deri në këtë farë feje janë katandisur ata që mendojnë se do ndërtojnë demokraci në këtë vend, që realisht është në Europë. Është turp i madh që të përkëdhelurit e politikës ia kanë marrë frymën njerëzve, i kanë bërë me dhimbje koke, në një kohë që njerëzit duhet të ishin të lirë në punën dhe jetën e tyre. Nuk ka orë të ditës të mos dëgjojmë përfaqësues dhe eksponent të politikës të mos dalin me të njëjtat fjalë e formula, të cilat njerëzit i kanë mësuar përmendësh dhe e dinë se çfarë do thonë, pa  e hapur gojën përpara mikrofonave. Dikush thotë se bëjnë lojëra politike për të fituar kredite, për të fituar vota në rast zgjedhjesh. Nuk e kanë nga mania për të zaptuar zona influence. Ata kanë shteruar me kohë, ndaj dhe bëjnë sikur bëjnë politikë, sikur zbulojnë ide, sikur kanë fituar terren.

Rama me të vetët ka ngecur tek komisioni politik dhe nuk ka dhënë përgjigje se si do shkohet më tej. Bëjnë interpretime ligjesh, kërkesash, ankesash, krijojnë situata, sikur në Shqipëri një palë do demokraci, tjetra e minon atë. Kjo është e kuptueshme se pushteti kërkon të lëvizësh të gjithë gurët për të mos lëshuar fron. Ndërsa opozita është “solide” në qëndrim. Ajo ka thënë ca formulime dhe ato përsërit në çdo televizion, në çdo ekran, paçka se pyetjet për zhbllokimin e situatës janë të drejtpërdrejta. Lul Bashës nuk i interesoi të vinte në takim me Edi Ramën në këshillin Politik. Në dy takimet e thirrura. U mor me takimet në Kosovë, shkoi për ti dhënë mend kosovarëve, atyre që e bënë luftën dhe e fituan.

Demokracinë profesionale e bëjnë njerëz që kanë ide, që e duan të ardhmen, që prodhojnë vlera integruese dhe e bëjnë demokracinë funksionale. Pikërisht kjo që duhet të ndodhte tek ne, nuk vlerësohet. Është e tmerrshme të shohësh shqiptarët që luftojnë kundër shqiptarëve, duke mashtruar e gënjyer njeri-tjetrin. Thua se këtu janë shpikur gënjeshtrat e botës, këtu kanë lindur gënjeshtarët profesionistë. I përdorin fjalët pa pasur asnjë merak se ato janë të mbushura me gënjeshtra, me tallje, me fyerje ndaj njerëzve që besojnë në votën e tyre, në premtimin e dhënë. Intelektualët, njerëzit me inteligjencë, me etikë, me zemër të pasur nuk flasin qesim, nuk përsëritin veten, nuk bëhen gaz i të tjerëve.  Udhëhiqen nga profesionalizmi, nga seriozitet dhe fjalët, mendimet, arsyetimet i kanë të matura dhe ke dëshirë t`i dëgjosh deri në fund e të mbash shënime.

Pse nuk ndodh kështu me njerëzit e votuar, që qëndrojnë në parlament të kollarisur, të krekosur, kur u mungon gjeja më e thjeshtë; të flasin pak e dëgjojnë shumë. Edhe kaq nuk arrijnë të bëjnë?! Si është e mundur që parlamentarët,  jo të gjithë, flasin gënjeshtra të mëdha dhe kujtojnë se njerëzit e këtij vendi i hanë. Ajo karrige i ka bërë ata të papërgjegjshëm sepse në jetën shoqërore nuk besoj se janë të pa përmbajtur në fjalë dhe gënjeshtra pa fund.

Këtyre u mungon fisnikëria. Njerëzit pa tharmin e njeriut të ndershëm nuk sillen si karagjoz, nuk dalin në opinion dhe mashtrojnë me marrëzi të plot, sikur këta i dinë të gjitha, ndërsa të tjerët hanë bar. Ku çon mushka këta sojsëzë?

Nga përfaqësuesit e politikës kemi mësuar se drejtësia do japë drejtësi. Ata na kanë mbushur mendjen se kështu do të ndodhë, shpejt ose vonë. Kemi tre dekada që presim të bëhet drejtësi. Këto shprehje i kemi mësuar dhe nuk i heqim nga mendja. Do bëhet drejtësi! Po, kur? Sa vite kanë kaluar dhe drejtësia ka ngelur si slogan, asnjëherë nuk mori rrugën e duhur që njerëzit të besojnë se premtimi i dhënë u bë realitet. Edhe sa dekada të tjera na duhen që të vijë drejtësia që do fusë në qelitë e ftohta peshqit e mëdhenj? Kur flet në ajër, fjalët i merr era. Kanë të drejtë njerëzit që thonë me zë, dhe pa asnjë droje se të gjithë ç`janë thënë, janë mashtrime. Ta kundërshtojë politika dhe ata deputetë që nuk e kanë hapur gojën një herë në Institucionin e Parlamentit, ku marrin rrogë dhe dieta shërbimesh!

Se ku e gjejnë këtë energji, se kush i nxit, emocionon këta të zgjedhur, këta të mandatuar, të barazojnë fjalët që thonë me gënjeshtrat e sajuara mrekullisht. Bota moderne është e bukur, tërheqëse, joshëse, sepse liderët e vendeve nuk bëjnë lojëra fjalësh kur projektojnë platforma ndërtimi e zhvillimi. Ata nuk e kanë në kulturë  frymën bolshevike. Demokracia është sistem që i ndëshkon rëndë dogmat, kthimin prapa, ndëshkon dhe nxjerrë jashtë sistemit ata që bëjnë lojëra politike me banalitet. Në demokraci ka implementim të reformave për të bërë shoqërinë moderne, ku njerëzit të jenë vërtetë të barabartë para ligjit. Në demokraci vendos ligji, nuk vendos uni, as gënjeshtari, as fjalët e mbushur me premtime bosh. Këtë kanë harruar liderët tek ne në Shqipëri. Reformat e vërteta i kanë zëvendësuar me formula që kanë brenda ujë dhe nuk e pjekin kurrë demokracinë. Përkundrazi e mbajnë atë të squllët, që nuk vlen për askënd. Gënjeshtrat, fjalët, fjalimet janë modeli më i keq, të cilat politika e ditës i përdor në vend të kripës për ti dhënë shije megalomanisë së tyre, por që nuk shijon kurrë. Gatimi është bërë shëllirë dhe nuk serviret si gatim cilësor. Kush gënjen nuk e di ç`është e vërteta.