BREAKING NEWS

Ilir Demalia zbardh kulisat: Ju tregoj kurthin që Edi Rama po i ngre ‘Rithemelimit’, arsyet e vërteta të distancimit të grupit të Bardhit nga Lulzim Basha, panikun që ka shpërthyer brenda tyre dhe lajmet e hidhura që e presin Sali Berishën

Ilir Demalia zbardh kulisat: Ju tregoj kurthin që Edi Rama po i ngre
x
BREAKING NEWS

Idajet Beqiri: Kanë mbaruar hetimet për dosjen ‘CEZ-DIA’, përveç Metës, Berishës dhe Shkëlzenit rrezikon prangat një juriste amerikane, ish-presidenti po përgatitet për ditët e zeza në SPAK, ja strategjia që po ndjek për të shpëtuar nga arresti me burg...

Idajet Beqiri: Kanë mbaruar hetimet për dosjen ‘CEZ-DIA’,
x
BREAKING NEWS

Rama-Meta-Berisha ulen bashkë në tryezën e pazarit për të monitoruar SPAK dhe përmbysur reformën në drejtësi, ja pse është alarmuar “Treknëdëshi i Bermudës”

Rama-Meta-Berisha ulen bashkë në tryezën e pazarit për
x
BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x

Opinion / Editorial

Kush jep jetën për atdheun, jeton edhe pas vdekjes!

Kush jep jetën për atdheun, jeton edhe pas vdekjes!

Këtë të vërtetë e shohim më së miri te dëshmorët e LANÇ. Prushi i dashurisë për atdheun i bënte ata që të binin në fushën e nderit dhe të mbeten të pavdekshëm, të jetojnë edhe pas vdekjes, të jenë të gjallë ndër të gjallët, të nderohen, të kujtohen, të imitohen, të na frymëzojnë. Përkulemi para tyre! I mban Toka në gji “pa ua prishur atë bukuri”! Fjalët për atdheun i ktheni në vepër. Vepër madhështore! Atdheu ishte lulja më e bukur në zemrat e tyre. Kështu ka ndodhur në Shqipëri ndër shekuj nga brezi në brez. E pamë në pikën më të lartë që ditën e parë të Luftës Antifashiste, kur ra heroi Mujo Ulqinaku me atdhetarë të tjerë. Në ato ditë, Hasan Mëhilli, që kryente shërbimin ushtarak, ra me fjalët e fundit në gojë: “Zjarr e hekur do të derdhim, shokë. Ta shohin çdo të thotë ta shkelin Shqipërinë”. Në frymëmarrjen e fundit, Isak Metalia tha: “U thoni fëmijëve të mi, se unë vdiqa për Shqipërinë”. Shqipëria u pushtua, por nuk u nënshtrua.

“Atdheu lëngon, na thërret të luftojmë me armë”. Partizanët, ngado që shkonin, nga mali në mal, nga beteja në betejë e merrnin atdheun me vete, e kishin në zemër. Ideali atdhetar i shtynte që me pushkë në dorë të luftonin për Shqipërinë. Kishin ardhur ato ditë, për të cilat ëndërronte Asdreni: “Lart, përmbi shkëmbinj/ atje tek shqiponjat rrinë/ Tomorr, atje mblidhi të rinjtë/ të përpiqen për lirinë” Dhe partizanët bënë atë që thotë kënga e tyre: “N’ato maja, rripa-rripa, se ç’gjëmojnë/ Ndizet lufta për liri dhe derdhet gjak/ Janë trimat partizanë që luftojnë”. Ose kënga tjetër: “Se ç’u mbushën malet plot me partizanë”. Dhe në luftë binin dëshmorë bijtë e shqipes. Vaskë Dushku, që më vonë do të jepte jetën, bënte thirrje: “Atdheu lëngon nën thundrën fashiste. Ai na thërret të luftojmë me armë në dorë. Nuk ka pse të rrimë”. Dhe vetë luftoi e ra dëshmor. Sa shembuj të lartë atdhetarie ka në radhët e partizanëve! Kristaq Tutulani në ditarin e tij do të shkruante. “O Shqipëri, o nënë e dhimbsur! Hiqe zinë sot: ja, pleq e të rinj, bijtë e tu, gjaku më i kulluar, është gati të derdhet… Që tani e tutje s’ka më pushim, por luftë gjer në vdekje…” Birçe Sinemati bënte apel: “Shtrëngata ka nisur. Në këmbë të gjithë! Kjo është detyra jonë”. Midat Dautaj i drejtohej nënës: “Dëgjo, nënë, unë do shkoj partizan. Ti ke dhe tre djem të tjerë. Në qoftë se unë nuk kthehem, të qëndrosh trime”. Mustafa Radovicka shprehej me vargje: “Atdheun tonë kaq të dashur/ Shqipërinë e gjorë/ shumë e kanë shkelur/ dy okupatorë/ kaq të fëlliqur e kaq barbarë/ kurrë ndonjë herë, bota s’ka parë”. Partizani luftonte “me kokë në torbë” dhe nuk pyeste për jetën e tij. Fjalët e Tafil Rexhepit, që bëri fli jetën e tij, ishin: “Njeriu është i lumtur kur jeton për atdheun”. Sadik Stalaveci thoshte: “Gjëja më e madhe është t’i japësh jetën atdheut, por njëkohësisht duhet të dish si t’ia falësh”. Dhe vetë ra si hero në kodrën e kuqe, bashkë me Vojo Kushin e Xhorxhi Martinin, duke luftuar 6 orë kundër qindra fashistëve. Novruz Xhaja fliste me zjarr: “Ty, të falem, o Atdhe, e dashur Shqipëri! Kush në luftë bie për atdhe, ai s’ka vdek, por ka le”. Dhe këtë shembull e dha vetë, duke luftuar trup me trup me armiqtë. Edhe në detyrën e agjitatorit të luftës e të mësuesit, tema më e preferuar e bisedave të partizanëve ishte atdheu. Ferit Bisha hynte dhe dilte shtëpi më shtëpi dhe theksin e vinte në dy-tri fjalë: “Atdheu duhet çliruar”. Faslli Çami ishte mësues. Kur ra dëshmor një ish nxënës i tij, në fjalën e lamtumirës i tha: “Fjalët vendlindje, atdhe, Shqipëri, popull, që ne i dëgjonim gjithnjë prej teje, me kalimin e kohës morën kuptimin e vërtetë. Dhe ne filluam të kuptonim se ç’është atdheu, pse duhet ta duam, pse duhet t’i urrejmë armiqtë dhe tradhtarët”.

“Le të vritemi të gjithë, veç

fashizëm të mos ketë”!

Janë fjalë zemre të dëshmorit Ferit Bregu, që i dha luftës 4 dëshmorë. Familje e lidhur ngushtë me LANÇ, bijtë e së cilës i kuptonin drejt dy anët e patriotizmës: dashurinë për Atdheun dhe urrejtjen ndaj armikut. Duhet t’i kesh të dyja këto anë e të luftosh me vepra, që ta quash veten atdhetar të vërtetë. Heroi Themo Vasi thoshte: “Vetëm ata që nuk janë pajisur me ndjenja njerëzore nuk e çmojnë vlerën e atdheut”. LANÇ-i tregoi se te partizanët vlonte kurdoherë dashuria për atdheun dhe urrejtja për armiqtë. Atdhedashuria partizane buron nga traditat e popullit. Fjalët e urta të tij janë bërë mish e gjak të luftëtarëve, tregues i qartë të lirisë: “Më mirë bukë e kripë e në liri, sesa sheqer e mjaltë në robëri”. “Macja e botës vjen në shtëpi për të përmbysur tenxheret”. “Më mirë shqiponjë një ditë, sesa sorrë një vit”. “Qengjat urrejnë ujkun, popujt- tiranin”. Dëshmori Hajro Çakërri thoshte: “Ne duhet të luftojmë, ashtu siç kanë luftuar të parët tanë”. Xhezmi Delli shprehej: “Ne duam që të mos turpërohemi para brezave që do të vijnë. Brezin tonë atdheu e thërret” Dhe atdhetarët ditën t’i përgjigjen kësaj thirrjeje, duke u ngritur në pikën më të lartë të atdhedashurisë, duke dalë malit për liri. Sikur partizanët të kishin lindur “me porosi” si çlirimtarë të atdheut nga fashizmi, nazizmi e kolaboracionistët! Atdhedashuria, ndriçonte si diell, në vitet e zjarrta të LANÇ.

Dëshmorët luftonin

me dy armë.

Ata ishin modeli i atdhedashurisë. Ende pa dalë partizanë me armë në dorë, këta luftëtarë betoheshin duke shkruar për atdheun dhe prisnin rastin të shkonin drejt maleve, atje ku ishte “Foleja e partizanëve”! Fliste edhe pena e tyre. Fliste gatishmëria e tyre. Gjaku që vlonte për tokën mëmë, për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Dhe binin dëshmorë me dy armë: me pushkë dhe penë! Në një nga poezi të e tij Ali Demi, shprehet: “Më jep fuqi që të qëndroj, Më jep guxim që të luftoj; më ço në sulm me vrap të shkoj, Me nder të vdes, me nder të rroj”. Dëshmori Sabri Caka nga Dibra, qysh kur ishte nxënës shkolle, në një nga hartimet e tij shënonte: “Njeriun, vetë natyra e ka pajisur me cilësitë e çmueshme të dashurisë ndaj atdheut dhe familjes, që janë sendet më të shenjta e të madhërishme të jetës së tij”. Dëshmori Jani Dode nga Berati, mësues, me dyzet vargje i këndon atdheut, lirisë, flamurit. Ja disa prej tyre: “O këngë e mbetur/ Në dukje e vdekur/ Dil e këndo/ E mos vajto/ Se me vajtim/ Nuk ke shpëtim”. Në prozë: “Për Shqipërinë s’ka vend dhe vatër, po qe se s’ka flamur. Se i rrëfen botës tërë me sa gjak është lyer dhe se vetëm gjaku është ai që e mban gjallë atë, që përfaqëson trimërinë, krenarinë dhe lirinë e një kombi”. E vranë armiqtë pabesisht. Dëshmorët kishin ëndrra të bukura dhe “fluturonin gjeth më gjeth si flutura”. Në fletoren e dëshmorit Shahin Toçi nga Mati u gjet shënimi: “Kjo Shqipni ka lindur burra, që nuk njohin dy flamura”. Dëshmorit Syrja Çakshiri nga Devolli, shokët i gjetën në xhep një letër, në kapakun e së cilës shkruhej:“Plane dhe projekte për reformën agrare në Shqipëri”. Vangjel Pando, iu gjend në xhep shënimi: “Të shkojmë në fshatra, të demaskojmë para fshatarëve gënjeshtrat e armiqve, t’u themi të mos paguajnë xhelepet, të tretën dhe të dhjetën, agallarët të mos i qasin në fshatrat e tyre”. Dhe këto ëndrra e plane të skuqura me gjak, dëshmorët nuk arritën t’i shihnin në realitet. Dhanë jetën, por të qeshurit nuk u ngriu në buzë, optimizmi i tyre ishte real, me besimin në fitore.

  Ka luftëtarë, që para se të bien dëshmorë, patën shkruar në ditarët e tyre. Kristo Isaku nga Dardha e Korçës shënon në ditar: “O Shqipëri, o nënë ë dhemshëruar, hiqe zinë sot: ja, pleq e të rinj, bijtë e tu, gjaku më i kulluar është gati të derdhet. Që tani e tutje s’ka më pushim; luftë gjer në vdekje, luftë ditën, luftë natën, luftë në male, luftë në fusha, luftë për Shqipëri, luftë për të drejtën, luftë për liri”. Myrteza Pengili shkruan: “Ja, malet e Shqipërisë gjëmojnë përsëri si në kohën e Skënderbeut dhe i trumbetojnë botës vendimin e burrave: Ja vdekje, ja liri! Populli përgjithësisht zgjohet. Dhe zgjimi është i furishëm, zgjim trimi, zgjim luani”. Alush Grepcka: “29 korrik 1943…Duçja “i madh” i fashizmit të ndyrë, që ishte gjer pardje e që thoshte se do mbante qiellin me bajoneta, u rrëzua”. Seit Lesko: “Me gjakun e shokëve tanë më të mirë, po gatuhet betoni, me të cilin hidhen themelet e pushtetit tonë popullor”.

Përmes veprës atdhetare,

shkëlqejnë virtytet partizane!

Ptoleme Xhuvani shprehej: “Oh, sa bukur sikur të kisha vdekë edhe unë për atdhe! Mos u dëshpëro, se ke ku ta provosh dashurinë për Atdhe… Duhet të përpiqesh për naltësimin e vendit tënd”. Dhe luftoi e ra bashkë me Reshit Çollakun e shokë. Pyetje pas pyetjesh e tortura pas torturash iu bënë nga fashistët dëshmorit beratas Kristaq Capo. Por më kot. “Asgjë nuk mësuan prej meje bishat fashiste, megjithëse vazhdojnë prej tri ditësh të më torturojnë. Qëndroni shokë, deri në fund!”,-ishin fjalët me të cilat iu drejtua Kristaqi shokëve para se të nisej nga skëterra e Porto Romanos për në Tepelenë, ku e pushkatuan me tre shokë të tjerë dhe thirri: “Poshtë fashizmi! Rroftë Partia Komuniste”. Dëshmori Vesel Brama, djal i vetëm i thoshte babait: “Rruga e vetme, babë, të çon në male”. Dhe përherë luftë, ngjarje epike, fitore, këngë. U vra skuadërkomandanti, Veseli u hodh në sulm për të marrë hakën. Vrau gjermanin që kishte përpara, por predha të nazistëve përshkuan trupin e tij. Nesti Balashi i thoshte nënës: “Moj nënë, s’fitohet liria pa derdhur gjak”. Dhe nënat trime shqiptare, që kishin lindur vetëm trima, nuk i qanin bijtë e tyre kur binin dëshmorë. Dëshmorit Jashar Cakrani nëna i thoshte: “Nëna nuk të qan, se ti re, ashtu siç deshe vetë, ashtu siç thoshe dendur: Ja vdekje, ja liri”. Kur Qarkori i Beratit e ngarkoi Ramiz Aranitasin të organizonte çetat e Skraparit, tha: “Për mua është nder i madh ky që më bëni, por para se të largohem nga Korça, dua të më bëni një nder tjetër: të më lejoni shokë, të vras komandantin e Kuesturës”. Dhe pasi u diskutua kjo çështje, aksioni u krye! Adil Petani nga Kallarati: “I shitur je ti, tradhtar i orëve të para, sahanlëpirës i fashizmit. Ti çirresh “kapeni kusarin”, po kusar je vetë”. Skënder Pepiu nga Progonati: “Të dashur prindër! Jam shumë mirë. Ne do fitojmë, sepse s’mbyllet zemra komuniste në kafaz. Prandaj mos u habitni se si dola nga burgu (kafazi) i Sazanit. Ju përqafoj me mall”. Skënder Meleq Gosnishti, i shkruan një shoku: “T’i thuash si do të jem vrarë dhe t’i japësh një porosi : të mos më qajë. Deri në vdekje unë do të jem komunist, prandaj ta ketë për nder këtë dhe të martohet se është e re, po veç të mos më harrojë”. Jenovefa Leshnja: “Unë do vdes, nënë, por çështjen e partisë do ta ndjekësh ti. Këtë po të lë amanet”. Stiliano Bandilli nga Berati: “Le të derdhen si breshër mbi kokat tona predhat e armikut, ne do fitojmë”. Mustafa Kaçaçi, letër nga burgu: “Jam krejt i bindur se dikur kam me e gëzue lirinë, pa të cilën njeriu nuk mund të jetojë”. Urani Pano: “Jam në Gjerbës të Skraparit. Thith ajrin e lirë të Shqipërisë. Më ka marrë malli shumë për ju. Së shpejti do të shihemi në Shqipërinë e lirë”. Vangjel Thanasi, në çastin që do pushkatohej: “Prindër, mos u mërzitni. Fitorja është e jona”. Shaban Shahini: “Nënë, dëgjo dhe ti grua- unë do hedh krahëve pushkën, të bashkohem me partizanët, të luftoj që të vijë edhe në vatrën tonë gëzimi; të kemi edhe ne bukë, tokë, liri”. Xheladin Fishta: “Kam punuar si komunist e deri në vdekje do të mbetem komunist”.  

“Jeta ime i përket Atdheut,

gjaku im popullit.

Kështu shprehej dëshmori Sinan Bllaci. Ishte kjo karakteristikë e përgjithshme e partizanëve, betim i tyre. Atdhedashuria ishte kryendjenja e të gjitha ndjenjave të zemrës së tyre. Kjo përkonte në zbatim me thellësinë, drejtësinë, urtësinë dhe bukurinë e gjuhës filozofike të mendjeve më të ndritura të popullit tonë dhe të popujve të tjerë përparimtarë të botës: “Unë me atdheun e dashur jam lidhur shpirtërisht, ia kam dhënë zemrën në zemër thellësisht”. “Çfarë mendimi tjetër mund të tejkalonte në zemrën time, i denjë se jam shqiptar”. “Atdheun e doni më shumë nëse doni njëri tjetrin”. “Do të vdes, le të vdes, vetëm të mos vdes në dhè të huaj”. Edhe kockat qajnë për atdheun”. “Jetoni për Shqipërinë dhe vdisni për të”. “Njeriu pa atdhe, është si bilbili pa këngë”. “O vendi im, dëshiroj të të madhoj me punë”. “Shqiptari ja ta thotë bramb, ja ta bën bamb”. “Vdekja për të mirë të mëmëdheut është më e ëmbla e më e ndershmja nga të gjitha”. “Shqipëria përsipër lule e gjethe/ brenda argjend e flori”. “Ne jemi shqiptarë dhe kemi për detyrë të mbetemi siç kemi qenë prej kohe, stoli e maleve të larta dhe e qiellit”. “Ai që nuk i përkulet atdheut të vet, nuk i përkulet as njerëzimit”. “Edhe më i merituari i ka borxh atdheut më shumë se atdheu atij”. “Po të humbasësh mikun e dashur, do ta kujtosh shtatë vjet, po të braktisësh atdheun, do ta kujtosh deri në vdekje”. “Djalin që tradhton atdheun nuk e do as nëna e vet”. “Nuk jam i sigurt se do t’i dua në jetë dy gra, por jam i bindur se nuk mund të dua dy atdhe”. “Një atdhe përbëhet nga të vdekurit që e kanë themeluar dhe nga të gjallët që e vazhdojnë”. “Patriot është ai që i shërben atdheut, kurse atdheu para së gjithash është populli”. “Njeriu në atdhe është si luani në pyll, ose si krokodili në lumë”. “Toka amtare është si kocka nën lëkurën tënde”. “Gjuha, kombi e atdheu gati sa nuk janë e njëjta gjë”. “Nuk gjendet tokë më ushqyese dhe më e shëndoshë për njeriun se sa toka ku është rritur”.

***

Nga fjalët në vepra, unitet shembullor. Fliste zemra e partizanëve, atdhedashuria e tyre, shembulli pararojë i dëshmorëve, i komunistëve, i patriotëve. Flisnin virtytet e larta njerëzore. Plekseshin në një të vetme: shpirti atdhetar, heroizmi, trimëria, gatishmëria, ndershmëria, optimizmi, betimi “Ja vdekje, ja liri”! Pse jo dhe: “Flisni ju o male, fusha e bregore, ju livadhe, lumenj, rrugë e pyje, ju luftëtarët që ishit në llogore. Dhe patë dëshmorët që binin si yje”!

Nga Sevo Tarifa