Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Opinion / Editorial

Kuvendi i Barçallasë dhe këshilli i luftës

Kuvendi i Barçallasë dhe këshilli i luftës

(Në kuadrin e 100 vjetorit të Luftës Kombëtare të Vlorës)

Çështja e Vlorës të zgjidhej me armë

Periudha përgatitore e kryengritjes së armatosur të popullit shqiptar kundër pushtuesve italianë në krahinën e Vlorës, filloi me Kongresin e Lushnjës dhe zgjati deri në fillimin e veprimeve luftarake, më 5 qershor 1920. Përgatitja e popullit për kryengritje të armatosur u bë në mënyrë graduale, duke u rritur dhe mbërriti kulmin e vet në muajt prill-maj. Gjatë kësaj periudhe u zgjidhën mjaft probleme të ndërlikuara, të cilat përcaktuan suksesin e kryengritjes, si krijimi i organeve drejtuese, përgatitja morale e masave popullore, problemet e organizimit ushtarak, të përqendrimit të forcave dhe krijimit të një baze të përshtatshme për fillimin e kryengritjes, etj.

Qeveria e Tiranës duke vënë në zbatim direktivat e Kongresit të Lushnjës mori pjesë aktive në organizimin e Luftës së Vlorës. Ndihma efektive e qeverisë së Tiranës gjatë periudhës përgatitore dhe zhvillimit të kryengritjes së armatosur, bëri të mundur furnizimin e frontit, rritjen graduale të forcave dhe sigurimin e prapavijave të shëndosha në shpinë të forcave kryengritëse. Qeveria e Tiranës, për arsye diplomatike e strategjike, nuk u angazhua zyrtarisht në këtë luftë dhe e konsideronte atë ai “një kryengritje të popullsisë të krahinës së Vlorës”. Përgatitjen dhe udhëheqjen direkte të Luftës së Vlorës e bënë organet e krijuara për këtë qëllim në krahinën e Vlorës. Në mars të vitit 1920, për të gjithë ishte bërë e qartë se ushtria italiane nuk e lëshonte Vlorën pa luftë, kështu që Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” i përbërë nga përfaqësues të fshatrave dhe të qytetit me Osman Haxhiun kryetar vendosi që “çështja e Vlorës të zgjidhej me armë”.

Kuvendi i përfaqësuesve të popullit

Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” organizoi më 29 maj 1920 në Barçalla, kuvendin e përfaqësuesve të krahinës së Vlorës, ku morën pjesë rreth 200 veta. Kuvendi vendosi të fillojë kryengritja e armatosur, drejtimi i së cilës iu ngarkua Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” të zgjedhur e të përbërë nga 12 anëtarë. Komiteti krijoi organet e luftës si Komisioni Ushtarak me funksionet e një shtabi për planëzimin dhe drejtimin praktik të kryengritjes, vendimet e të cilit kishin fuqi pasi të miratoheshin nga Komiteti, Komisioni Gjyqësor Ushtarak, si dhe një aparat që merrej me punët administrative. Në krye të Komisionit Ushtarak në fillim u caktua Ahmet Lepenica dhe më pas Qazim Koculi. Kuvendi vendosi gjithashtu të dërgonte delegatë në krahina të tjera të Shqipërisë për t’i njohur ato me vendimin e Barçallasë dhe të kërkonin marrjen e masave të shpejta në ndihmë të Luftës së Vlorës. Organet drejtuese të Luftës së Vlorës realizuan udhëheqjen operative dhe strategjike të saj, ditën të bashkërendojnë mirë veprimet e tyre dhe në rrethanat e vështira, kur qeveria e Tiranës zyrtarisht mbante qëndrim asnjeanës ndaj saj. Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” të Vlorës, me qëllim që të sigurojë bashkëveprimin strategjik me qeverinë e Tiranës, mbajti pranë saj një komision të vetin. Bashkëveprimi me krahinat e tjera të vendit u realizua me anën e të deleguarve të Komitetit në këto krahina.

Baza e organizimit luftarak ishin çetat

Një ndër problemet më të rëndësishme që u zgjidh me sukses dhe në mënyrë origjinale ishte krijimi dhe organizimi i Forcave të Armatosura të kryengritjes. Parimi bazë i krijimit të kësaj ushtrie ishte parimi i vullnetarizmit, ndërsa format e organizimit të saj ishin çetat e fshatrave dhe ato të krahinave. Mbështetur në këto parime brenda pak ditëve u krijua një ushtri prej 4.000 veta e përbërë kryesisht nga fshatarë me pjesëmarrje dhe të grave. Çdo fshat krijoi çetën e tij, ku mbi baza vullnetare merrnin pjesë gjithë burrat prej moshës 18 deri 65 vjeç. Luftëtarët e fshatrave të vegjël, që kishin më pak se 20 vetë, u bashkuan me çetat e fshatrave të afërta. Për të lehtësuar drejtimin dhe organizimin e veprimeve luftarake, Komisioni Ushtarak vendosi që çetat e fshatrave të një krahine të formojnë çetën e krahinës, që mund të krahasohej me forcat e një batalioni. Në fazën e parë të luftës, në krahinën e Vlorës u krijuan 7 çeta krahinash, çeta e Dukatit, e Rrëzës, e Shullërit, e Kudhësit, e Mavrovës, e Treblovës dhe e Gorishtit. Çeta e Kudhësit psh., përbëhej nga çetat e fshatrave të Mazharit, Shkozës, Golimbasit, Sevasterit dhe Plloçës; Çeta e Shullërit përbëhej nga çetat e fshatrave të Smokthinës (Bashaj, Matogji, Ramicë), si dhe të fshatrave Vajzë e Velçë. Çeta e Rrëzës përbëhej nga çetat e fshatrave të Vranishtit, Tërbaçit, Bratajt, Lepenicës, Gumenicës dhe Gjormit. Në fazën e parë morën pjesë në luftime dhe forca të krahinave të Kurveleshit, të Tepelenës dhe pak forca të Këlcyrës e të Skraparit. Nga Kurveleshi morën pjesë çetat e Kurveleshit të Sipërm dhe të Kurveleshit të Poshtëm, ndërsa Tepelena krijoi tri çeta, të Salarisë, të Lopësit dhe të Dervenit. Për të siguruar një forcë rezervë, komisioni vendosi që çetat e fshatrave më të largëta të ndaheshin në dy njësi (toga), njëra prej të cilave të merrte pjesë në luftime dhe tjetra të qëndronte në fshat e gatshme për t’u nisur në front me të marrë urdhërin. Komandantët e çetave të fshatrave zgjidheshin në mënyrë demokratike nga i gjithë efektivi i çetës. Në këto detyra u zgjodhën fshatarë nga më trimat që ishin shquar në luftimet e mëparshme për vendosmëri, guxim e aftësi drejtuese dhe që gëzonin besimin e gjithë çetës. Komandantët e çetave të krahinave, i caktoi Komisioni Ushtarak, duke zgjedhur nga komandantët e çetave të fshatrave ata që shquheshin për aftësi drejtuese e organizuese, që njihnin mirë taktikën e luftimit dhe që kishin fituar besimin e respektin e gjithë krahinës. Të tillë ishin Selam Musa Salaria, Sali Vranishti, Hodo Zeqiri, Selam Hyseni, Memo Mete, Isuf Rustemi, Rrapo Çelo, Dule Dalani, Bajram Qamili etj. Komandantët e çetave të fshatrave ishin të detyruar të zbatonin të gjitha urdhërat e komandantëve të çetave krahinore. Në rast konflikti problemi shtrohej për zgjidhje në Komisionin Ushtarak. Çetat e krahinave vareshin drejtpërdrejt nga Komisioni Ushtarak, veprimtarinë e të cilit e drejtonte Komandanti i Përgjithshëm i Forcave Kryengritëse.

Zgjidhja e problemit të armatimit

Problem i vështirë dhe tepër delikat për forcat kryengritëse ishte armatimi i luftëtarëve. Një faktor që ndihmoi në zgjidhjen e pjesshme të këtij problemi ishte tradita e lashtë e popullit, e fshatrave të cilët me të gjitha mënyrat ju kundërvunë përpjekjeve të pushtuesit për t’i çarmatosur dhe gjenin mundësinë për të siguruar armët. Mbi këtë bazë u bë e mundur të sigurohej një sasi me pushkë e revolverë, ku u pajis vetëm gjysma e luftëtarëve. Në të tilla rrethana u vendos që në çdo dy luftëtarë, njëri të pajiset me pushkë, tjetri me armë të ftohtë, si jatagan, shpatë, sëpatë, kosore e në ndonjë rast edhe me thika, hanxhar etj. Por më e vështirë paraqitej gjendja e municionit. Shumë nga luftëtarët e pajisur me pushkë nuk kishin më tepër se 3-4 krehëra me fishekë. Me një gjendje të tillë të armatimit, primitiv në pikëpamje cilësore dhe tepër të kufizuar në sasi, as që mund të bëheshin krahasime me ushtrinë italiane, e cila ishte e pajisur me armatimin më modern të kohës si mitralozë, mortaja, topa, mjete të blinduara, e deri në aeroplanë e anije luftarake. Forcat kryengritëse nuk u trembën nga kjo gjendje, ato vendosën ta fillojnë luftën edhe në këto kushte dhe ta zgjidhnin problemin e armatimit në procesin e saj, kryesisht duke ia rrëmbyer armët armikut dhe pjesërisht me ndihmën që do të vinte nga krahinat e tjera.

Krijimi i një baze për fillimin e kryengritjes

Suksesi i Luftës së Vlorës lidhej ngushtë me krijimin e një baze të shëndoshë për fillimin e kryengritjes si në pikëpamje strategjike ashtu edhe në pikëpamje operative. Për të krijuar kushte të favorshme në pikëpamje strategjike, një rol veçanërisht të rëndësishëm ka luajtur qeveria e Tiranës. Në përputhje me porositë e Këshillit Kombëtar të mbledhur më 27 mars 1920, qeveria e Tiranës ndërmori një varg operacionesh që kishin për qëllim të siguronin pavarësinë e Shqipërisë dhe të bashkonin rreth qeverisë edhe ato krahina të shtetit shqiptar që nuk ishin lidhur ende me të administrativisht. Me urdhër të saj forcat shqiptare të vendosura në Këlcyrë, më 24 prill hynë në Gjirokastër. Morën masat e nevojshme për organizimin e një operacioni spastrimi kundër bandave esadiste, drejtimi i të cilit iu besua Bajram Currit. Me nënshkrimin e Protokollit të Kapshticës, më 28 maj 1920, u largua konflikti me Greqinë në kufirin jugor dhe juglindor të vendit. Të gjitha këto operacione energjike të kryera në pragun e Luftës së Vlorës, si dhe veprimtaria e Komiteteve të Mbrojtjes Kombëtare në krahinat e tjera të vendit, sidomos në Shqipërinë e Jugut, ndikuan drejtpërsëdrejti në forcimin e prapavijave të forcave kryengritëse dhe në përqendrimin e të gjitha energjive të popullit shqiptar në interes të Luftës së Vlorës. Përveç kushteve të favorshme në pikëpamje strategjike, edhe brenda vetë krahinës së Vlorës duhej të krijohej një bazë e mirë operative që, të favorizonte organizimin dhe kalimin në mësymje të forcave kryengritëse. Për këtë qëllim, vetë masat e revoltuara, përzunë me sulm të rrufeshëm në ditët e fundit të majit dhe ditët e para të qershorit postkomandat e karabinierisë italiane të vendosura, në pika të rëndësishme si në Selenicë, Rexhepaj, Sevaster, Mazhar, Vajzë, Ramicë, Dukat, Tragjas, Bolenë, Kuç e Progonat. Me këto veprime, forcat kryengritëse i përmirësuan mjaft pozitat e tyre, duke krijuar një bazë të përshtatshme malore në brendësi të vetë krahinës së Vlorës, që e dobësoi sistemin e mbrojtjes së Vlorës nga ana e italianëve dhe lehtësoi kalimin në mësymje të tyre.

Në Beun u ngrit flamuri shqiptar

Më 2 qershor, sipas vendimit të marrë në mbledhjen e Barçallasë, u mblodhën në rajonin e Beunit të gjitha ato çeta, që sipas planit të Komisionit Ushtarak, ishin caktuar të vepronin në drejtim të Vlorës. Këtu vendosi vendqëndrimin e vet për fazën e parë të luftimeve Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare”. Në Beun u ngrit flamuri shqiptar në shenjë të shpalljes së kryengritjes. Gjatë 2-3 ditëve, Komisioni Ushtarak zhvilloi në Beun, një punë të gjerë organizative dhe përpiloi përfundimisht planin e luftës për fazën e parë të luftimeve dhe për rrethimin e Vlorës. U morën gjithashtu masat e nevojshme për furnizimin me ushqim dhe mjekimin e luftëtarëve gjatë zhvillimit të luftimeve. Kjo detyrë iu caktua një komisioni prej 5 vetash. I vetmi burim për ushqim ishte popullsia e zonave fshatare. Çdo fshat që ishte jashtë zonës së pushtuar nga italianët, caktoi një nënrepart të vogël me detyrë të grumbullonte ushqimin dhe ta çonte në çetën e fshatit ose në çetën që u ishte caktuar për ta furnizuar. Për plotësimin e kësaj detyre u aktivizuan gjerësisht edhe gratë. Para se të urdhëronte fillimin e veprimeve luftarake, më 3 qershor 1920 Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” në emër të popullit shqiptar i dërgoi nga Beuni Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Italiane, gjeneral Piaçentinit një ultimatum. Në të midis të tjerave thuhej se: “Sot populli shqiptar i bashkuar më shumë se çdo herë… vendosi të marrë armët në dorë dhe të kërkojë nga Italia administrimin e Vlorës, të Tepelenës dhe të Himarës, të cilat t’i dorëzohen me të shpejtë Qeverisë Kombëtare të Tiranës”. Përgjigja e ultimatumit pritej deri më datë 4 qershor, ora 19.00. Menjëherë mbas ultimatumit çetat u nisën për në pozicionet e luftimit në gatishmëri për të filluar veprimet luftarake. Zgjedhja e datës 3 qershor për dërgimin e ultimatumit përkon me përvjetorin e festës kombëtare të Italisë, si dhe shënon tre vjetorin e proklamatës italiane të shpallur në Gjirokastër, më 3 qershor 1917 për pavarësinë e gjithë Shqipërisë.