BREAKING NEWS

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen për Ndryshim”: Ka vetëm dy mundësi në jetë!

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen
x

Opinion / Editorial

Ky është floriri ynë

Ky është floriri ynë

Kur isha me pushime në Divjakë, u njoha me një studiues pasionant kosovar, i cili e quajti flori tërë vendin tonë. “Kam bredhur në shumë plazhe të botës - më thoshte ai, por si plazhet tona nuk ka. Ne kemi një vend të mrekullueshëm, një vend flori, me diell, rërë, e ajër të pastër, por pak ia dimë vlerën. Jemi ndër vendet e rralla në botë që përjetojmë katër stinët e vitit, me një klimë që favorizon çdo qenie të gjallë e rrit çdo lloj bimësie. Por këtë vend të mrekullueshëm e shkatërruan derbederët dhe e shtrydhën fajdexhinjtë, siç do të shprehej dikur Noli. Të sotmit u treguan edhe më të pashpirt se të djeshmit ndaj këtij vendi që quhet Shqipëri”. Kishte të drejtë studiuesi kosovar. Flori është deti e mali, toka e pyjet, me të cilat ne sillemi shumë keq. Në male, nga ku përcillet freskia, janë qepur guroret që mbi gjelbërim zbardhin çdo ditë me pluhurin mbytës dhe e nxijnë me djegien e gomave. Pyjeve, ku me dashje e ku nga pakujdesia, u janë vënë zjarret. Mjaft toka janë lënë djerr. Dhe këtë realitet e shohim kudo në Kukës e Gjirokastër, në Shkodër e Korçë. Kaluam para ca kohësh përmes tokave pjellore të disa prej fshatrave të Kukësit, si Novosej, Shishtavec dhe pamë pak ara të mbjella me bimë bujqësore e perime. “Bari, shkurret dhe ferrat kanë mbuluar atë bukurinë e djeshme të tokave të punuara dhe sistemuara. Janë bërë shumë punë të mira në këtë vend dhe kemi ecur mjaft përpara,- na thotë një fshatar vendas, por me tokën jemi sjellë shumë keq. Me ardhjen e demokracisë ia kemi zbehur vlerën tokës. S’ka gjë më të bukur se toka e punuar,- vazhdon ai. Toka e punuar është si gruaja lehonë, që sapo ka lindur një fëmijë të bukur, e gatshme për ta rritur atë të shëndetshëm dhe premtuese për të lindur tjetrin edhe më shëndetplotë. Ashtu dhe toka, sa më shumë ta punosh, ta plehërosh e sistemosh, aq më shumë i shtohet bukuria dhe të premton për prodhime edhe më të bollshme”. Atë ditë, tek shihja ata malësorë të paktë të Shishtavecit që me kosa në dorë, mundoheshin të mposhtin madhështinë e barit kullosor që kishte pushtuar gjithçka, e tek mprihnin kosat e hidhnin tutje vështrimin në arat plot bar, që nuk u gjendej fundi, ndieja një farë nostalgjie për të dikurshmen e kësaj zone, e cila nga hambari i Veriut që ka qenë dikur, ish-kooperativë e tipit të lartë, tani është katandisur në këtë gjendje të degraduar e të kthyer në djerrina barishtesh. I njihja mirë këto anë se në monizëm kisha ardhur për të marrë eksperiencë për prodhimin e patates kokërrmadhe e të shijshme të Shishtavecit, e cila mbulonte çdo cep are dhe në kohën e vjeljes, me kavaletat që nuk kishin të ngritur, ngjasonin me “piramida” që ndanin kufij ekonomikë me hasmin e përtejmë. Patatja e Kukësit, gjysmën e prodhimit e kishte nga Shishtaveci. Nga Novoseja, nga Shishtaveci, nga Ujmishi, pothuajse ka emigruar e gjithë rinia, kurse të moshuarit janë larguar e banojnë në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Shtëpitë kanë mbetur bosh, ca mezi mbahen në këmbë, e ca janë kthyer në rrënoja. Po këtë shpërfillje të tokës, e hasim sot kudo nëpër Shqipëri, në Bërzhitë e në Bradashesh, në Pajovë e Këmishaj, në Devoll e Krutje, në Livadhja e në Bregdet. “Kështu ndodh edhe në anën tonë- thotë mësuesi i kimisë, me origjinë nga Devolli. Shumica janë larguar dhe fshati është boshatisur, shtëpitë e bukura një e dykatëshe po shemben. Ndoshta jo me dashjen tonë, por i jemi larguar bukurisë, freskisë së maleve e pjellorisë së tokës, e jemi mbledhur kokë më kokë këtu, në tymrat e kryeqytetit. E kemi braktisur tokën tonë dhe kemi marrë rrugët jashtë atdheut për të pastruar plehrat e botës. Po ja, një orë larg janë fshatrat e Devollit me ato të Kosturit, po çfarë kanë më të mirë e më të bukur ata që turret andej rinia jonë? Toka është floriri që e shohim dhe e shkelim për ditë e vlerën nuk ia dimë. S’ka më ofesë për tokën e zotit, kur nuk e punon atë, ashtu si dhe për ujin që e lë të qelbet moçaleve. Gjithçka prodhojnë fabrikat sot, por vetëm ujë e tokë nuk ka fabrikë në botë që të prodhojë”, e mbyll bisedën e tij mësuesi devolli. Si floriri i dytë i këtij vendi, studiuesi kosovar vlerësonte traditat shqiptare. Ai ishte merakosur se të rinjtë e sotëm, as nuk duan t’ia dinë fare për traditat, për respektin ndaj moshës, për këngët e vallet e bukura të popullit e për dasmat tona, për sofrën e bujarisë e ujin e burimit, për veshjen e muhabetin burrëror. “Kemi patur traditë-vazhdon ai - përkundjen e fëmijës në djep dhe varjen e pushkës në kërrabë. Ndaj duhet të ruajmë e të mbajmë të drejtë raportin midis djepit të fëmijës dhe pushkës. Respekti për djepin dhe pushkën duhet të jetë i lartë për një arsye që pak veta mund ta dinë, se vetëm ato të dyja nuk mbërthehen me gozhdë. Janë ndërtuar në mënyrë të tillë që të zbërthehen e montohen pa përdorur mjete të tjera, por vetëm duart. Në djep lidhet fëmija dhe pushka është për ta mbrojtur atë. Por a ke parë ti që të mbahen më fëmijë në djepe sot? Në asnjë familje të re nuk përdoret më djepi. Kurse për pushkën nuk bëhet fjalë fare më, ajo është harruar, se tanimë lirinë na e mbrojnë të huajt, kurse armët i mbajnë gangot e hajdutët! Edhe kur lind fëmija, plasin fishekzjarre verbuese, e nuk ndihet më krisma e pushkës së trimit”. Floriri i tretë, sipas kosovarit janë këngët tona, folklori ynë i mrekullueshëm. “A ke dëgjuar ti- më pyet mua- që të këndojë dikush në dasmë një këngë të vjetër me histori trimash e besnikëri burrash? A nuk është harruar tingulli i fyellit, i daulles, i lahutës, i sharkisë?! Na shurdhuan tallavatë me “xhixhilera” e “të ka lali xhan”, me tekste bastarde që në fakt nuk shprehin asgjë. Nuk them që nuk duhen edhe këta, por ama gjithçka me karar. A nuk janë zbehur edhe festivalet tona folklorike? Më duket, se ne shqiptarët, pak ndërtojmë e shumë shkatërrojmë. Çdo gjë që ndërtohet është e vështirë se fillon nga themelet, kurse kur shkatërrohet, është kollaj sepse nis nga kulmi”. Tek po afroheshim tek hotelet e pushimit, takuam si zakonisht prej një jave edhe atë plakun e zgjuar që ngrihej herët në mëngjes e bënte fizkulturë. “Më ka mbetur zakon që nga ushtria,- na thotë pak serioz, nuk mund të rri pa gjimnastikën e mëngjesit. I kam kaluar të tetëdhjetat, po ja mbahem shumë mirë me shëndet”. A je i kënaqur me jetën – e pyesim së fundi plakun, kur duhet të ndaheshim me të e bisedës po i vinte fundi. “Shumë- përgjigjet plaku. Të mos jesh i kënaqur me jetën, do të thotë të jesh i pakënaqur me zotin. Kënaqësia më e madhe është fakti, se perëndia na bëri njerëz. Njeriu është floriri e shkuar floririt. E ku ka qenie tjetër mbi këtë tokë më të bukur, më të mirë, më të arrirë se njeriu. Të jesh njeri është gjithçka”. Sa me zgjuarsi flet ky plak i rrahur me jetën. Unë dëgjova, shënova dhe për një çast mu kujtua Pitagora që thoshte: “Njeriu është masa e të gjitha gjërave”. Vallë ky plaku i mençur 80 vjeçar ta ketë lexuar Pitagorën?!