BREAKING NEWS

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen për Ndryshim”: Ka vetëm dy mundësi në jetë!

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen
x

Opinion / Editorial

Ky është problemi, sepse "udhëheqësit" janë pala e papërgjegjshme!

Ky është problemi, sepse "udhëheqësit" janë

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, me anë të një statusi në rrjetin social Twitter i ka bërë thirrje të fortë kryeministrit të vendit, Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për marrëveshjen e 5 qershorit. “Ne i kujtojmë kryeministrit Edi Rama, Lulzim Bashës dhe të gjithë udhëheqësve të tjerë të gjitha angazhimet që ata kanë bërë në lidhje me marrëveshjen e 5 qershorit dhe çdo masë përtej kësaj. Angazhimi, propozimet dhe kundër-propozimet duhet të jenë me mirëbesim. Gjithmonë do t’iu mbështes (USA), por JU – udhëheqësit – jeni pala përgjegjëse” shkruan ambasadorja. Sigurisht USA është shteti që na do të mirën dhe miku i madh i shqiptarëve normalë, të thjeshtë, apo dhe shoqëruesi i madh botëror i interesit kombëtar dhe shtetëror shqiptar. Por SHBA-të sigurisht janë dhe pjesa e rëndësishme e jona në shoqërim të demokracisë dhe shtetit ligjor. Tashmë ato që nuk duan të kuptojnë se "në Shqipëri e keqja më e madhe" është sistemi drejtësisë krejtësisht i korruptuar dhe i keq, nuk duan të pranojnë se pa rregullimin e sistemit të drejtësisë asnjë sistem tjetër përfshi shtetin ligjor, zgjedhor dhe demokracinë nuk mund të rregullohen. Sigurisht zonja ambasadore bën mirë tju kujtojë si udhëheqësve dhe drejtuesve në politikë përgjithësisht - se janë ata që duhet të përgjigjen. Ky është dhe momenti i rëndësishëm dhe ky është basti i Perëndimit si USA dhe UE në Shqipëri. Po pra, pikërisht sistemi drejtësisë i shkatërruar qëllimisht nga klikat politike në Shqipëri prej 30-të vitesh dhe duke qenë se dhe për 45 vite diktaturë nuk kemi pasur drejtësi, i thonë pothuaj tetë dekada që kjo shoqëri nuk e njeh fare drejtësinë ligjore. Nuk njeh dhe nuk ka pasur asnjëherë praktikisht drejtësi. Sot kjo klasë, këta "udhëheqës" apo drejtues politikë, po merren me atë "kod" që duhet të marrë përsipër në zbatimin e tij një (palë) zgjedhje demokratike në një shoqëri që zgjedhje të tilla ka bërë shumë pak për të mos thënë aspak. Janë pasoja të mungesës së sistemit normal të drejtësisë. E zonja Ambasadore në fund ju thotë "udhëheqësve" - ju jeni pala përgjegjëse. Mirëpo zonjës Kim i ka rënë radha të jetë përfaqësuesja e shtetit të madh amerikan kur në Shqipëri udhëheqësit e partive, klasës politike, drejtuesit e saj, janë raca më e papërgjegjshme që ka pasur ndonjëherë ky vend. Më në delir pasurimi dhe mashtrimi dhe më e korruptuara e të gjitha kohërave pa dallim nëse është në pozitë apo opozitë. Janë të sprovuar me radhë në pushtetet e tyre dhe pothuaj po ata njerëz, po ata drejtues janë, po ata individë të këtij korrupsioni vazhdojnë të jenë. Po ata emra që nga krimi ‘96-ës, ‘97-ës, ‘98-ës, ‘99-tës dhe në vazhdim Gërdec, 21 Janar etj etj. Ndryshimi në plakje apo largim nga kjo botë i emrave nuk do të thotë asgjë sepse i kanë zëvendësuar ata që janë katapultuar prej atyre të "papërgjegjshmëve" që mosha ka bërë të vetën ose vazhdojnë të bëjnë keq sistemit dhe demokracisë në Shqipëri. Një nga karakteristikat e tyre është "pa burrnia" olimpike që kanë. Zonja Kim nuk ka mundësinë të takojë të djathtë si Mehdi dhe Mithat Frashëri apo Mitrovica apo mbretërorë si Çoba, Idhomene, Delevina e Kadria apo shtetarë të mbas Kongresit të Lushnjës ose të pavarur intelektualisht si Konica apo legjendë kombëtare si Fishta. Nuk mund të takojë dot zonja Kim as Nolin dhe sidomos të majtin Gurakuqi as Ivanajn dhe as Mosin e Mjedën, as Riza Danin dhe as Qemal Draçinin e vëllezërit Pipa. Sigurisht këtyre burrave ajo nuk do tju kishte bërë këtë paralajmërim ose kujtesë se - janë ata (duhet të jenë) që përgjigjen ose pala përgjegjëse. Sepse burrave nuk mund t’iu thuash kështu. Sigurisht Shqipëria ka pasur gjithmonë probleme të mëdha, por në fund të fundit, në mes të keqes së madhe dikush ishte burrë si djathtas dhe majtas. Ishin dhe të përgjegjshëm. E me ta mund të bisedoje dhe ti besoje. Sot nuk ka burra as majtas dhe as djathtas që mbajnë përgjegjësi. Sot është në ditë të vështirë zonja ambasadore (nuk është aspak faji saj) se nuk ka përballë të tillë burra. Unë mund të përmend shumë emra të tjerë që kanë bërë në historinë e shtetit shqiptar, themelimit të tij dhe pavarësisë ose në Vlorë dhe Lushnje të mira të mëdha që nuk kthen më pas. Po pra, duke filluar te Rilindja Kombëtare (jo kjo e Ramës), te Komiteti i Stambollit, te Kongresi Manastirit dhe Lidhjet e shumta të burrave (Prizrenit) për liri e pavarësi. Kanë vendosur gurët e themelit. E ata e kanë bërë këtë, se kanë qenë të përgjegjshëm dhe burra. Zonja Kim jua kujton sot përgjegjshmërinë sepse e dinë të gjithë përfshi dhe ambasadat e kancelaritë mike, sepse në politikën e sotme në Shqipëri nuk ka "burra të përgjegjshëm". Nuk mbajnë përgjegjësi. Janë "lumpen proletariat" të pakorrigjueshëm, të pangopshëm dhe të pabesueshëm. Me të tillë "lumpenë dhe Lupenë" (Lupin) nuk ka mundësi as ta ndihmosh këtë vend të mjerë. E sigurisht një pjesë e madhe e fajit për këtë gjendje "pa burrnie" dhe njerëzish të papërgjegjshëm e ka dhe shoqëria jonë shqiptare. Pikërisht. Në mos është pothuaj i gjithë faji i saj.

E kështu nuk mund të ketë dot as marrëveshje të ndershme, as firma të ndershme, as seriozitet dhe as sinqeritet me të tillë rrufjanë, që janë pothuaj të gjithë për të dalë përballë drejtësisë së re. Aty është vendi i tyre pavarësisht se është faji ynë. Ne po e paguajmë fajin me pasojat që kjo klikë politike në fajet e mëdha që bën na shkakton fatkeqësi. Kurse aty (në politikën e të papërgjegjshmeve) e mira është ta paguajnë nga drejtësia normale, ajo e drejta e vërtetë, që na mungon prej shumë e shumë vitesh. Pastaj nuk do të ketë më asnjë arsye që ambasadori i SHBA-së t’iu kujtojnë drejtuesve politikë se - janë ata përgjegjësit. Sepse është ligji që duke iu imponuar ua kujton çdo ditë.