BREAKING NEWS

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre të plagosur mes tyre dhe dy efektivë Policie, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj bëjnë lëvizjen urgjente. Blindohet zona, zbarkojnë RENEA dhe FNSH

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre
x

Opinion / Editorial

Lamtumirë “Omerta” prokurorësh!

Lamtumirë “Omerta” prokurorësh!

Pak ditë më parë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka kërkuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë shkarkimin nga detyra të prokurorit të Krujës, Bujar Memia. Memia ishte prokurori i çështjes së lirimit të një krimineli, të dënuar, në mungesë, me burgim të përjetshëm në Angli për vrasjen e një 22-vjeçari dhe plagosjen e rëndë të dy të tjerëve në këtë vend. Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, institucioni i reformës në drejtësi që vëzhgon rreptë figurën e prokurorëve dhe gjyqtarëve gjatë kryerjes së detyrës së tyre, nëse ajo i përmbush standardet e profesionit dhe të etikës, shprehet se ushtrimi i parregullt i detyrës nga ana e prokurorit ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, cenimin e prestigjit të gjykatës dhe humbjen e besimit ndaj tij. Ky prokuror heshti dhe e mbuloi skandalin e Gjykatës së Krujës, me një gjyqtare që lironte nga burgu përpara afatit kriminelë të dënuar për vrasje. Arrestimi i saj pak javë më parë tregoi se drejtësia e re ka nisur të funksionojë. Kërkesa për shkarkim e prokurorit që heshti dhe mbuloi abuzimin e koleges së tij në drejtësi, dëshmon reagimin e duhur të drejtësisë së re dhe pikërisht të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. Në këta tridhjetë vite demokraci, mbulimi i abuzimeve të kolegëve me “nderin” e heshtjes, që nesër në një abuzim të ngjashëm edhe ata të mos flisnin, ka qenë një nga tiparet më të shëmtuara të drejtësisë sonë të vjetër dhe të kapur. Ajo çelikoste abuzimin dhe krijonte një frymë që çfarëdo gjë të bëje në shkelje të ligjit në drejtësi, mbroheshe po të kishe krahët e ngrohtë brenda sistemit ose tek politikanët. Heshtja, solidarizimi me abuzimin në drejtësi nga vetë kolegët gjyqtarë e prokurorë, që me gjuhën e mafias italiane quhet “Omerta”, ishte vatra ku digjej çdo shpresë se ndonjëherë drejtësia e kapur tek ne do të ndryshonte. Por ajo ka ndryshuar! Kërkesa e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin e prokurorit anëtar të “Omerta”-s është shenja se abuzimi në drejtësi edhe duke mos denoncuar një vendim skandaloz të gjyqtarit në një proces ku je palë, nuk tolerohet më. Lamtumirë pra “Omerta” gjyqtarësh e prokurorësh. Inspektorati i Lartë i Drejtësisë nga koha kur është formuar, në më pak se një vit e gjysmë, ka regjistruar mbi 3 mijë denoncime për veprimet abuzive të gjyqtarëve dhe prokurorëve në drejtësi. Në shumicën dërrmuese, denoncimet janë për vendime të padrejta. Tetë gjyqtarë dhe prokurorë janë marrë nën hetim gjatë vitit 2020 nga ky Inspektorat, për shkelje të rënda gjatë detyrës. Kjo strukturë ka nisur verifikimin e 2780 praktikave të dyshimta në drejtësi, të denoncuara nga qytetarët, institucionet publike dhe organizata të ndryshme jo-qeveritare dhe mediat. Ky është bilanci për periudhën shkurt-dhjetor 2020 i veprimtarisë së organit që kontrollon punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe shërben si pasqyrë besimi për opinionin publik. Që nga formimi i tij, Inspektoriati ka trajtuar 3054 denoncime për abuzime të pretenduara të gjyqtarëve dhe prokurorëve gjatë detyrës. Në ankesat denoncohen vendimet e padrejta të gjyqtarëve, zvarritja e gjykimit si dhe shkelje të etikës. Nga këto 3054 ankesa, Inspektoratit i kanë mbetur për të shqyrtuar edhe 2780 raste, për të parë nëse ekzistojnë shkeljet e pretenduara, në mënyrë që më pas të nisë hetimin disiplinor. Nga 8 vendimet për të nisur procedimin disiplinor, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar ndëshkimin e pesë magjistratëve, së bashku me prokurorin e Krujës pak ditë më parë. Inspektorati i Lartë i Drejtësisë ka qenë i pari dhe i vetmi institucion që ka kërkuar shkarkimin e gjyqtares së Krujës Enkeleida Hoxha, e arrestuar më vonë nga SPAK. Gjatë këtij viti, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë po përqendrohet tek vendimet e lirimit me kusht të të dënuarve, ku ndodh edhe “bursa” më e lartë e pagesave nën dorë sot në drejtësi. Procedimi disiplinor i gjyqtarëve dhe prokurorëve të kapur në shkelje të ligjit dhe të etikës profesionale, jo vetëm është në funksion të llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së tyre përpara ligjit dhe qytetarit, por i shërben në radhë të parë besimit të qytetarëve tek drejtësia e re. Pa këtë besim të plotë në kthesën që ka marrë shteti ynë, drejtësia e pavarur do të ishte një mision i pamundur.