BREAKING NEWS

Në luftë të përditshme me COVID-19, kryeministri Rama jep lajmin e mirë nga spitali Infektiv

Në luftë të përditshme me COVID-19, kryeministri Rama jep
x

Opinion / Editorial

Lamtumirë PPP, mirësevjen BOT!

Lamtumirë PPP, mirësevjen BOT!

Pas marrëzisë kolektive dhe kolosale të koncesioneve me formulën partneritet publik-privat (PPP) në shumë akse rrugore të vendit gjatë viteve 2017-2018, duket se gjendja po normalizohet. Koncesionet PPP ishin kontrata të përgatitura keq, me tejkalime zërash në shpenzime, me rrezikun që i ngelej pothuajse i tëri Buxhetit të Shtetit. Një pjesë e tyre erdhën në formën e ofertave të pakërkuara nga vetë biznesi. Të gjitha PPP-të në rrugë u dhanë çuditërisht vetëm me pjesëmarrjen e kompanive ndërtuese vendase. Ndërkohë që shumat e përfituara do të kishin bërë të interesuara shumë kompani të huaja, madje edhe gjigande, që veprojnë në rajonin tonë dhe që natyrshëm do të kishin blerë dokumentat e tenderave PPP për të konkurruar. Dhe oferta e tyre do të kishte qenë shumë serioze, duke garantuar kosto të ulët dhe cilësi në punime. Mirëpo jo, si me magji, ato u tërhoqën, duke i kuptuar qartë garat PPP, të komprometuara dhe të pabesueshme për ta, ende pa filluar. Një nga kontratat PPP tipike kancerogjene për interesat e të gjithë ne si taksapagues të këtij vendi, ishte ajo për aksin rrugor Thumanë-Kashar, 21 km i gjatë dhe i fituar me çmim 226 milionë euro nga një kompani vendase. Kjo kompani kishte paraqitur një ofertë të pakërkuar në kohën e artë të pranimit të këtyre ofertave vrastare (deri në tetor 2019). Shto miell e shto ujë, në përmbyllje të kontratës, çmimi kishte fluturuar sipër në 485 milionë euro. Një rritje e përbindshme, tamam si e metastazave të kancerit. Koncesioni PPP Thumanë-Kashar, u anulua nga qeveria në janar 2019. Kontraktuesi privat e hodhi qeverinë në gjyq dhe kjo e fundit e fitoi gjyqin në shkallën e parë. Me këtë dokument, me kurajo, Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës përgatiti dokumentat e tenderit dhe brenda një jave synon të hapë ankandin, ku do të ofrohet në kuadër të segmentit rrugor Milot-By Pass i Fierit, 102 km i gjatë. Pra, në të do përfshihet edhe aksi rrugor ish-PPP, Thumanë-Kashar. Kësaj radhe, jo me formulën PPP, të rrezikshme dhe gati ogurzezë për financat tona publike, por me atë klasike BOT (ndërto-vepro-transfero, nga anglishtja Build-Operate-Transfer). Kjo qasje nuk e ngarkon Buxhetin e Shtetit me rrezikun dhe harxhet e përballimit të kostos së ndërtimit. As edhe nuk shton pagesën tejet të kripur dhe të rëndë plumb të koncesioneve e PPP-ve të deritanishme prej 120 milionë euro vetëm për këtë vit. Rruga do të ndërtohet me riskun e privatit, por do të jetë me pagesë, do të ketë tra. Kjo, sepse qytetari do të zgjedhë mes një rruge më të rehatshme dhe të shpejtë si autostrada e re dhe rrugëve të deritanishme me kthesa e devijime. Si kudo në botë. Paketa e rrugëve PPP po tregohet fatale për buxhetin. Rriten pagesat e saj çdo vit. Parashikohet që rekordi i pagesave për koncesionet dhe projektet PPP të arrijë në vitin e ardhshëm. Segmenti Milot-By Pass i Fierit përfaqëson projektin më të gjatë rrugor të përgatitur ndonjëherë në Shqipëri. Ky segment është pjesë e rëndësishme e korridorit Adriatiko-Jonian, një projekt gjigand i Bashkimit Europian, që nis nga porti i Triestes, vijon në Kroaci, Mal të Zi dhe përfundon në Kallamata, Greqi. Ky korridor do t’i japë mundësi ekonomisë sonë, sidomos turizmit që të zhvillohet shumë më fort se sa deri tani. Turistët perëndimorë që përfitojnë nga paketat turistike të Kroacisë, Greqisë apo Malit të Zi, me lehtësi do të mund të shtojnë dy-tre ditë të programit të tyre edhe për vizitën në Shqipëri, në sajë të infrastrukturës së re rrugore. Dhe do të jetë e paharrueshme për ta, për shkak të larmishmërisë së jashtëzakonshme që kanë destinacionet dhe ofertat tona turistike. Milot-By Pass i Fierit do të sjellë turizmin shqiptar në dritën që meriton për shpurën e turistëve evropianoperëndimorë nga Gjermania, Zvicra, Holanda, madje edhe nga vendet skandinave, që parapëlqejnë udhëtimet me makina, rulo apo autobuzë për në rivierat adriatike, joniane dhe egjejane. Gara për këtë segment, e cila do të hapet pas një jave, ka një kosto orientuese 500 milionë euro. Vetëm 15 milionë euro më shumë se kosto e tej fryrë e ish-aksit PPP Thumanë-Kashar, ndërkohë që segmenti me formulën BOT është pesë herë më i gjatë se aksi PPP! Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës shpreson të ketë shumë kompani të huaja këtë herë në garë, njëlloj sikurse ka mbi 20 kompani të huaja që kanë blerë dokumentacionin e ankandit të Parkut Fotovoltaik të Divjakës, të hapur katër javë më parë.