BREAKING NEWS

Lëvizjet e fundit në SPAK/ Paralajmëron Spartak Ngjela: Të akuzuarit e mëdhenj ja vetëm do shpronësohen, por do burgosen

Lëvizjet e fundit në SPAK/ Paralajmëron Spartak Ngjela: Të
x

Opinion / Editorial

Lamtumirë profesor Sabiti

Lamtumirë profesor Sabiti

“Mjeku, që kuronte zemrat e të tjerëve, harroi zemrën e vet” Bamerli

Dëshira dhe kënaqësia për të shkruar diçka për mikun tim Profesor Sabitin lindi kur telefonata e pazakontë në agim të 14 shtatorit në celular, të cilën unë e pash me vonesë, e motrës sime Afrika, e cila kishte punuar me profesorin në Spitalin Ushtarak për vite me radhë, më hidhëroi shumë, ngela i shtangur për disa minuta se nuk e besoja se e kishim lenë, që të takoheshim dhe të pinim kafe. Por kjo ngeli vetëm dëshirë e të dyve, por kafen unë e piva me familjarët e tij. Kjo nuk ishte thjesht dëshirë, por edhe një detyrim për mikun dhe ministrin tim të Mbrojtjes, por edhe përgjegjësi, morale e shoqërore, por edhe vështirësi e madhe, për të skalitur si duhet figurën e njeriut, labit të përkushtuar, intelektualit, mjekut të talentuar, kardiologut, politikanit atdhetar, deputetit serioz në shërbim të popullit, ministrit të pakorruptuar, Profesor Sabit Brokaj!

E kam njohur profesorin nga larg, që në vitet 1970, kur ai punonte si mjek në spitalin ushtarak, bashkë me shumë kolegë të tij mjekë të talentuar e duar artë që na shërbenin me përkushtim dhe na shëronin me përkujdesjen e tyre ditë e natë. Më pas në vitet 1991, kur ai ishte ministër i Shëndetësisë, unë isha me shërbim Oficer Drejtimi në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. Në ora 23;00, bie zilja e telefonit dhe një zë i qetë dhe i ngrohtë, por i prerë me thotë: “Jam ministri i Shëndetësisë Sabit Brokaj, i përgjigjem jam Oficeri i Drejtimit Bashkim Qeli. Ai më pyeti si është gjendja në shkollë, çfarë po ndodh aty, ku është efektivi, se kemi të dhëna se ka përplasje me armë midis studentëve, ka të plagosur, mbasi mbaroi, ju përgjigja se efektivi është në gjumë, ato që kini dëgjuar nuk janë të vërteta, janë thashetheme, nuk ka të plagosur. Ai për tu siguruar, më pyeti është e vërtetë kjo dhe unë për ta siguruar i them se unë jam vëllai i Afrikës, se kjo, që po ju them shoku ministër është e vërtete. Më nga afër unë e njoha në vitet 1993 deri sa u nda nga jeta, na u puqën idealet.

Jeta është një pasuri e çmuar, shumë dimensionale e shumëvlerëshe, për kontribute personale e shoqërore. Ka plotë intelektualë, që jetën e menaxhojnë për interesa personale dhe që i takojnë vetëm familjes së tyre. Por ka edhe të tjerë, që pasurinë e tyre intelektuale e vënë në shërbim të shoqërisë, për t’i kontribuar asaj, drejt së ardhmes përparimtare. “Fama e njerëzve të mëdhenj – thotë F.la Roshfuko – duhet vlerësuar sipas mënyrës që e kanë arritur”. Njerëzit e mëdhenj si profesor Sabiti, nuk e shpërdorojnë profesionin gjatë jetës, për përfitime personale, por e përdori atë për t’u shpëtuar jetën njerëzve dhe për t’u dhënë, sa më shumë dije mjekëve të rinj, që të bëheshin të aftë në profesionin e tyre si kardiologë të ardhshëm. Ai ka qenë gjithmonë një prijës i së mirës shoqërore dhe i së mirës së përbashkët. Nuk ishte kurrë i tunduar nga pasuria, se dinte fare mirë se atë mund ta humbësh një ditë, ndërsa nderi, dinjiteti, personaliteti, emri i mirë dhe lavdia nuk vdesin kurrë, ato trashëgohen brez pas brezi.

Një personalitet në fushën e mjekësisë si kardiolog, profesor Sabiti ishte i pajisur me një botë të madhe shpirtërore aftësinë, nevojën për të studiuar çdo gjë të re, që dilte në botimet shkencore në revistat prestigjoze europiane dhe buletinet shkencore. Sa herë që shkoja dhe takoja në studion e tij, unë e gjeja me revista dhe libra voluminozë, ku qëmtonte si një bletë punëtore të rejat në fushën e kardiologjisë në gjuhën angleze dhe italiane. Ai ishte një kërkues i apasionuar ndaj të rejave shkencore, që botoheshin në shtypin periodik si brenda dhe jashtë vendit. Ai kishte një shpirt fisnik, në marrëdhëniet ndërnjerëzore ideale. Një cilësi e karakterit të tij, ishte të menduarit pozitiv për njerëzit. Ai nuk bënte dallim ndër pacientët që i vinin në klinikë, por i trajtonte si pacient pavarësisht nga gjendja ekonomike dhe pozita shoqërore. Por, ai nuk u pajtua kurrë me moralin e disa kolegëve, që shkelën betimin e Hipokratit, të cilët abuzonin me pacientët. Sjellja e kulturuar, edukata dhe fisnikëria, mendimi i mençur, shpirti i madh i profesor Sabitit ishte i veçantë dhe e kishte ngritur folenë në lartësinë qiellore të diturisë njerëzore të shoqërisë, si shqiponja në qiellin e pafundësisë. Ai kishte shpirtin, zemrën behar siç thotë populli në jug, por shpirti, zemra e tij në fillim të vjeshtës, pushoi së rrahuri, duke u gdhirë 14 shtatori, ditën e hënë, një shtatori me kalendarin e vjetër. Doktori mjekonte dhe përkujdesej, për zemrat e pacientëve të tij, mbante lidhje me ta, për ecurinë e sëmundjes dhe si të zbatonin kurën e dhënë, harroi të kujdesej për zemrën e tij dhe ajo pushoi së rrahuri, rreth orës 04 e 30 minuta të mëngjesit. I dha një goditje të fuqishme e tronditi trupin e profesorit, ishte ataku kardiak, që i dha fund jetës së tij, që e shoqja, Mira mendoj se ka parë ndonjë ëndërr të keqe. Zemra i foli zemrës atë natë, duke u gdhirë 14 shtatori dhe zemra e tij ju ankua atij, duke i thënë pse më le pasdore mua, duke treguar kujdes për zemrat e të tjerëve. Dhe unë sot, duke u gdhirë po të lë në mes të rrugës, kur ju i duheshit shumë familjes, shoqërisë, kombit, Labërisë dhe kolegëve të rinj, të fushës së kardiologjisë, për t’i udhëhequr dhe për t’u dhënë përvojën tuaj 40-vjeçare në fushën e kardiologjisë. Profesori kishte individualitetin e spikatur, karakterin e moralin tradicional të trashëguar brez pas brezi nga të parët e familjes së tij, cilësitë intelektuale të fituara falë inteligjencës dhe punës së tij të palodhur, temperamentin e tij të qetë, dashamirës, të qëndrueshëm përball çdo vështirësie, që ju ngrit nga hipokrizia e kohës. Koha e vuri në provë këto 30 vjet dhe ai qëndroi stoik në mendime dhe veprime duke iu kundërvënë intrigave e akuzave që ju bënë nga regjimi i Berishës. Jeta e tij, ishte një rrugëtim përmes vështirësive të kohës. Ai mbeti kurdoherë vetvetja, duke vepruar me kujdes, guxim, zgjuarsi, korrektësi dhe zemërgjerësi. Padrejtësitë dhe pakënaqësitë i ka përjetuar keq, duke i shpërfillur autorët, pa u dhënë rëndësi.

“Njerëzit e mirë – thotë Konfuci- shkëlqejnë me cilësitë e tyre”. Profesor Sabiti ka qenë i tillë, ka qenë gjithmonë vetvetja, në çdo proces politik që ka kaluar. Ka një karakter elitar i shprehur nëpërmjet punës, në veprimtarinë e përditshme, pa reklama dhe pretendime për t’u dukur. Pasuria më e madhe e tij ishte personaliteti njerëzor dhe sjellja e kulturuar, që i jepnin lumturi dhe qetësi shpirtërore. Thjeshtësia, dituria profesionale e intelektuale ishin vello e artë, që ja zbukuronin personalitetin e tij njerëzor. Në këtë periudhë kohore, të pas viteve 1990, kur njerëzit rendën pas fitimit për t’u pasuruar në çdo formë e mënyrë e pa moral duke braktisur diturinë. Kur shumë bluza të bardha në këtë periudhë i shikonin pacientët nga duart dhe shkelën betimin e Hipokratit, ju treguat ndjenjat dhe karakterin tuaj fisnik, duke u treguar i gatshëm dhe në çdo kohë ditë e natë, duke iu gjendur pranë pacientëve të tu, duke i qëndruar besnik betimit, që keni bërë kur jeni titulluar mjek. Postet e larta, përfitimet në rrugë jo të drejtë, privilegjet e pushtetit nuk e kanë joshur dhe nuk e kanë larguar kurrë, nga burimi lumturisë dhe harmonisë që gjente në familje dhe në shoqëri. Kishte një shpirt behar, me plot dashuri që rrezatonte nëpërmjet fjalës së mirë, fytyrës së qeshur dhe mirësi. Ishte i dashur me të vërtetën dhe i rreptë me padrejtësinë. Nuk ka bërë kurrë kompromise me karakterin e tij edhe kur i janë ofruar përfitime e të mira materiale, nuk shkeli në dërrasë të kalbur dhe ruajti dinjitetin si mjek. Profesor Sabiti ishte i pajisur me një dhunti të rrallë shpirtërore, e atillë që e bënin të lumtur kur dhuronte lumturi tek të tjerët. Pasuria shpirtërore për profesorin ishte pasuria më e madhe e dallonin midis njerëzve kur ai përfshihej në ushtrimin e profesionit për t’u shërbyer qytetarëve me përkushtim. Ai ishte një njeri me ndjenja të mëdha shpirtërore dhe madhështi profesionale që tregonte karakterin njerëzor të tij. Profesor Sabiti me njohuritë e shumta teorike dhe praktike, që kishte në shumë fusha si në atë politike, të jetës sociale, të ndërtimit, të drejtimit, të organizimit të shtetit veçanërisht në disa drejtime si në mjekësi, arsim, ushtri dhe veprimtari shoqërore, ka dhënë një kontribut të çmuar në këtë periudhë tranzicioni. Opinioni shoqëror është barometri më i mirë dhe i saktë për t’u ballafaquar dhe kontrolluar çdo njeri me parametrat moralë të shoqërisë. Personaliteti dhe dinjiteti i profesor Sabitit, janë udhëhequr e ndriçuar nga drita e mendjes së vetë, që rrjedh nga ndjenja shpirtërore, nga përgjegjësia e ndërgjegjes morale, që do të thotë, baza e këtij personaliteti është prejardhja familjare e tij. Madhështia e personalitetit të tij qëndron te dinjiteti dhe thjeshtësia, dy armë të fuqishme që e ngritën atë në fisnikërinë më të lartë shoqërore.

“I vetmi test për një njeri studiues të mirë – thotë Bamerli – është ai i suksesit në rritjen e mirëqenies së njerëzve të zakonshëm”. Kjo thënie i përshtatet personaliteti dhe karakterit të profesor Sabitit. Vdekja e parakohshme ishte nje humbje e madhe dhe e rëndë për familjen e të afërmit më së pari, por edhe miqtë e shokët në të gjithë vendin, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe në diasporë, për shoqërinë dhe Labërinë, që kishin akoma nevojë për kontributin e tij, për mendimin dhe fjalën e tij dhe për përkushtimin dhe veprimtarinë e tij. U prehsh në paqe miku im dhe i të gjithë njerëzve të thjeshtë, të cilëve u qaje hallin dhe u përpoqe t’u lehtësoje dhimbjen. Dua t’i mbyll këto mendimet e mia, me dy strofa të poetit Arben Duka:

“Në atë natë të zezë shtatori / Humbëm një shokë një mikë një vëlla/ derte e halle me vete morri / e madhe plagë që na la / - O ç’ burrë i lartë me besë e nder/ një më të mirë s’kish si të kishte/ se uli kokën asnjëherë / se një shqiponjë mali ishte”.