BREAKING NEWS

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre të plagosur mes tyre dhe dy efektivë Policie, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj bëjnë lëvizjen urgjente. Blindohet zona, zbarkojnë RENEA dhe FNSH

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre
x

Opinion / Editorial

Le të jenë numurorë lista e PS-së, të tjerët kanë emra!

Le të jenë numurorë lista e PS-së, të tjerët

-Vërtet Basha ikën me një post nga SHQUP, por PS del në kolaps me Ramën në mars!-

Ka një mrekulli filozofike në atë që u quajt si një e re e listave “të hapura” e një kodi po themi të ri. Fakti që njerëzit do të mund të vendosin një aprovim apo një shenjë një personi të veçantë si zgjedhje e tyre, sigurisht që mund të quhet një ndryshim. Do quhet ndryshim, sepse mbase do të dalin rreshtimet e partisë dhe kryetarit, jo pëlqimi i njerëzve. Kaq, jo ndonjë gjë më tepër, sepse koklavitjet për ndryshim renditje, janë po aq perverse sa vetë lojërat e partisë dhe kryetarit, kur kodi u vendos jo nga ata jashtë Kuvendit, por nga ata brenda tij. Po, për faj shumë të atyre jashtë (të larguar tradhtisht) dhe pastaj përfitim të atyre brenda. Në ushtri “ka numurorë topi”. Nuk ka rëndësi emri ushtarit topçi. Në futboll, ka numra lojtarësh dhe prej kohe ka emrat e tyre në fanellë. Sepse vërtet e bëri golin numri 7-të, por emrin e ka Ronaldo. Ushtria është bindje dhe rregullore, por jo demokraci, futbolli është rregull loje, por demokraci. Pse nuk do PS-ja e Rilindjes të ketë emra? Unë them se kjo është filozofia e Ramës dhe përgjithësisht e një partie, e cila realisht ka një person. Aty askush nuk mund të përballet me liderin Maximus Edi Rama. Në kohën e tij Sali Berisha ishte lideri Maximus, por Pjetër Arbnori dhe pse i butë dhe i urtë, kishte një peshë specifike jashtë Berishës. Berisha ishte tiranokrati, por figura të Partisë Demokratike bënin hijen e tyre në fillim që nga Neritan Ceka dhe pastaj Pollo apo Ruli apo më vonë Topalli apo Bode, Imami, apo Mustafaj apo Pashko nga fillimet etj. etj. Enver Hoxha ishte super diktatori, por ishte deri sa e bënë të vriste veten Mehmet Shehu apo Hysni Kapo, apo dhe Ramiz Alia dhe vetë Nexhmija apo dhe disa të tjerë që arritën t’i shpëtonin gjallë. Cilin emër ka përballë Edi Rama? Cilin në Rilindje apo PS? Kë mor zot? Pandin e Majkos? Braçen e vogël apo Taulantin e Librazhdit? Kë Elisën apo Balluken apo mos vallë Ruçin e rëndë të partisë që në fund të ditës ka pranuar të rrijë qoshes së vet? Kemi ardhur në ditët e vështira, ku prit e zot të shkojë me pushime të thella në mars Edi Rama, të alarmohemi se kush do të drejtojë Shqipërinë pa pjesmarrjen e tij? Gati gati është më keq se dikur po të mungonte shoku Enver sepse... Hëëëë po mbase është Erion Veliaj? Po e gjeta. Ky është një numëror që ka emër. Por që Rilindja, të vendosë të gjithë emrat e “numërorëve topçinj të saj” për hatër të emrit të Erion Veliajt, kjo realisht nuk më duket e arsyeshme dhe mua. Rilindja nuk ka emra, ka numurorë topçinj që bëjnë radhën e punës dhe askush nuk duhet të interesohet të shikojë emrin e një pune mekanike të përsëritshme që nuk ka asnjë vlerë nominative. Një emër ka PS dhe Rilindja dhe ky është Edi Rama. Të tjerët janë numra që si t’i votosh si të mos i votosh, si t’i njohësh dhe si mos t’i njohësh, as që kanë rëndësi për Ramën. Ai është më i miri, më i qarti, më i zgjuari, më i kënduari, më i vizatuari, më i sistemuari dhe më i lartësuari dhe në fakt kjo që po them, është e vërtetë. Rama i thotë Bashës se po deshi Berisha bën një post në FB dhe Bashën e largojnë nga SHQUP-i. Po është plotësisht e vërtetë. Por dhe unë them për Ramën, sepse “ruajnë zot nuk është Rama në Rilindje” PS-ja fillon ha veten në dhëmbë, bëjnë harakiri dhe kthehet në partinë e “zombie” që do të ndajnë aksionet me luftë frontale dhe të brendshme me shumë viktima e deri në destabilitet moral psiqik dhe ekonomik kombëtar. Prandaj na e ruajtë fati kryeministrin tonë dhe të parin e vetmitarin e PS dhe Rilindjes. Sepse, pastaj do të shikonte Erion Veliaj se kush është zakoni numuror real i forcës më të madhe politike në Shqipëri që është PS. Do shikonte kush mbush topin dhe kush e drejton shënjestrën dhe kush ku e drejton atë. PS le të paraqitet me numra, sepse është realisht ashtu sikundër është e projektuar ajo nga Edi Rama. Partitë e tjera dhe pse janë bisht demokracie në Shqipëri, në fund të fundit të dalin me emra, sepse sigurisht është e drejtë. Duhet të marrim vesh se sa merr Dule, sa merr Fatmir Mediu, sa merr Dash Shehi, sa merr Ndoka, sa merr Idrizi i çamëve dhe sa merr vetë Basha apo Berisha dhe biles dhe Grida Duma e Bardhi. Po pra, sepse nuk ka rëndësi se sa merr me emër kreu i socialdemokracisë filozofike europiane Taulant Balla. Nuk na duhet gjë, sepse është Rama dhe për të. Në PS të votohen me numra, të tjerët (partitë e tjera shqiptare në garë) të dalin me emra sepse është edhe nxitëse dhe frymëzuese - demokracie në zbatim. Hahaha nuk bëj shaka jo. Lista e PS-së le të mos i ketë emrat xhanëm. Të jem si gjykata, propozoj dhe vendos që PS të mos ketë emra. Njerëzit të votojnë numrat. PD dhe të tjerët (partitë e tjera) le t’i kenë, sepse aty edhe t’i kenë dhe mos t’i kenë – hahahaha gallatë është. Deviacioni demokratik funksionant në Shqipëri, thelluar dhe shprehur nga një Fanolist dhe Konician ithtar si Rama është emblematik. Por... Por Fan Noli dhe Faik Beu, asnjëherë nuk hodhën tendera, nuk dhanë koncensione, nuk hodhën PPP dhe nuk shpërdoruan në afera paratë tona. Këto gjëra i ka bërë Edi Rama dhe ata përballë tij përpara. Po të gjithë PD dhe PS dhe LSI, e kush ka qenë në pushtet në këtë vend të shkretë. E nuk duhen ngatërruar dy zotërinj burra me hajdutët e sotëm dhe të djeshëm në Shqipërinë e mjerë. Këta që vjedhin, mund të mos i kenë emrat në listë, sepse vlejnë vetëm numrat për ta. Por emrat i kanë në fund të fundit, për ato që thashë më sipër. Kur vjedh, shpërdoron, kur tiranizon një shoqëri dhe nuk konsolidon shtetin e të drejtës “je numuror” i grabitjes dhe pak rëndësi ka emri. Ai i duhet drejtësisë nesër ose pasnesër për të krijuar një llogari burgu përkrah numrit tënd në listën e partisë dhe rreshtimin e Kryetarit të partisë. Po, atij i duhet emri pastaj për të shpëtuar vetë dhe bërë burgun minjtë e gjirizeve poshtë tij pikërisht për hatër të tij.