BREAKING NEWS

Nuk gjen qetësi toka, 3 lëkundje të njëpasnjëshme tërmeti në Korçë, ja ku ishte epiqendra dhe sa ballë

Nuk gjen qetësi toka, 3 lëkundje të njëpasnjëshme
x

Opinion / Editorial

Leksion "opozili-së" si pasojë e mendjes së arratisur nga institucionet

Leksion "opozili-së" si pasojë e mendjes së arratisur

Sot realisht opozita e Shqipërisë, ajo e bashkuara që duhet të ishte në Kuvendin e Shqipërisë dhe që doli jashtë mund të quhet "opozilia" si bashkim i fjalëve "opozitë dhe zili". Kanë marrë një leksion të jashtëzakonshëm nga bota normale politike dhe ekonomike. Kanë marrë një leksion të jashtëzakonshëm nga Bashkimi Europian dhe Amerika. Kanë marrë një leksion të jashtëzakonshëm nga shumë vende në botë, që jo vetëm dhuruan euro dhe dollarë, por dhanë dhe ndihmë kredie apo donacionesh për post tërmetin e ndodhur gjatë "regjimit mafioz dhe bandistesk" të Edi Ramës, të akuzuar nga opozita. Në të vërtetë ajo botë që përmenda më lart Edi Ramën kishte interlokutor, atë të akuzuarin nga Basha dhe Berisha, por dhe Kryemadhi dhe Meta e të gjithë atë jashtë e brenda për të gjithë të këqijat e botës, por nuk i dëgjuan dhe ja plotësuan kërkesat. Sot po thonë të braktisurit e vetes dhe të arratisurit nga institucionet se "pak na falën dhe shumë na dhanë kredi", se nuk ja dhanë atij, por popullit shqiptar, se atij i thanë mos vidh dhe se do të kontrollojmë, por ajo që mbetet është se "atij, me mjekër si të Ismail Qemalit" dhe që ka mijëra e mijëra akuza nga këta të arratisurit nga demokracia dhe institucionet e saj në Shqipëri, ja dhanë dollarët dhe eurot. Pse? Po sepse ai është në institucione dhe pse vetëm. Sepse asnjëherë ata që kanë në dorë fatet tona politike dhe ekonomike, nuk i thanë njëherë, mor një herë të vetme zyrtarisht - keni bërë mirë që braktisët (sipas meje në mënyrë prej provokatorësh dhe frikacakësh) institucionet e demokracisë, opozitës së sotme. Nuk ju thanë një herë të vetme mirë, se qëlluan me molotov dhe sulmuat me zjarr dhe turma linçuese institucionet e shtetit. E nuk mund të mos ja jepnin paratë Ramës ose njeriut që megjithëse ka mijëra akuza për korrupsion dhe të tjera plot - është në institucione dhe i përfaqëson pothuajse i vetëm ato në botë. Do t’ia jepnin paratë për tërmetin dhe rindërtimin e Shqipërisë, sepse ai u lut, me fjali sa të urta dhe sulmuese, por dhe të rregulluara estetikisht e poetikisht shpesh herë. Po pra si me mjekër si me shallvare dhe si me atlete - paratë ja dhanë. Sepse ai i takoi dhe loboi të gjithë, herë duke kritikuar dhe herë duke u lutur deri në përkulje, sepse në fund të fundit, për vendin e vet po e bënte këtë gjë. Sepse me zyrtarët e rinj dhe të vjetër në Bruksel mbajti linjën e veprimit brenda demokracisë dhe institucioneve, gjë që e kanë thyer Berisha dhe partizanët e tij në Tiranë dhe padyshim edhe partizani vogël Velo, që është Lulzim Basha. Po i bie kot në qafë partizanit të vogël Velo, sepse ai e kishte të qartë se çfarë kërkonte dhe se si do ta fitonte. Ky i opozitës sot e di, por nuk e ka të qartë se si. Sot në kafene dhe zyra, por dhe biseda thonë se: eeee... edhe katër vite të tjera e siguroi mandatin Edi Rama! Me këto para dhe mundësi të reja që i ju sajuan ai bën namin! Në një farë mënyre kanë të drejtë. Por kjo e sotmja është pikërisht bashkimi i opozitës dhe zilisë dhe që bën – opozili. Absolutisht kanë zili dhe janë ziliqarë të popullit të tyre. Janë ziliqarë se akuzojnë "që Rama është mësuar të vjedhë" dhe janë ziliqarë se nuk vjedhin dot vetë - hahaha, gjithë këto ndihma. Kanë marrë leksion dhe nuk ju bën goja të thonë: Faleminderit Europë e Amerikë apo dhe vendet e tjera mike! Kanë marrë një leksion të madh nga Brukseli dhe Strasburgu, por dhe vendet e mëdha mike si Gjermania, Italia dhe Franca. Leksion që përkthehet kështu: Ne bisedojmë, ne i besojmë dhe ne bashkëpunojmë me atë që është në institucione dhe që mirë apo keq, me fjalë apo pa fjalë, ka dalë nga zgjedhje në demokraci apo nga zgjedhje që kanë institucionet sido që të jenë ato! "Opozilia shqiptare" duhet të ketë kuptuar, por që nuk do të marrë vesh, se Europa dhe Amerika nuk bisedojnë dhe nuk premiojnë ata që ikin nga tavolinat e bisedës dhe që arratisen nga institucionet! SHBA-të dhe BE-ja, nuk ju besojnë frikacakëve të përballjes në demokraci dhe për demokraci. Ato bisedojnë me të gjithë ata që qëndrojnë në institucione dhe përfaqësojnë institucione demokratike. Pavarësisht fjalëve dhe fakteve kundër në administrimin shtetëror dhe qeveritar. Pavarësisht të akuzave. Për SHBA-të dhe BE-në, nuk janë interlokutorë dhe partnerë ata që arratisen dhe ikin nga tavolinat. E ky ishte leksioni më i madh. I dyti mbase vjen më vonë. "Opozilia" kishte pritur që të mos merrte para Rama, sepse marrëzia e një deliri të tillë politik i nxitur nga Berisha dhe i bërë realitet nga Basha dhe aleatët e tij me "fugon parti pas", por dhe nga Kryemadhi që thotë meqë ata janë jashtë, meqë ata akuzojnë dhe shajnë, bota do t’i besojë dhe nuk do t’ju japë para shqiptarëve. Deri këtu është deliri sikundër ishte dalja jashtë që Shqipërisë të mos i hapeshin negociatat! Kjo nuk është zili, por marrëzi! E tani po korrin frytet idiote të politikave degraduese dhe anti demokraci që kanë bërë! Tani ju mbetet të bëjnë pakte dhe shtrojnë kërkesa kote ndërkohë që Rama nuk do të ketë shumë kohë për to, se i duhet të ndreqë ca punë ndërtimesh dhe investimesh. E që pastaj sigurisht përkthehen në vota më shumë. Ja këtë nder i kanë bërë Berisha, Basha, opozita dhe Kryemadhi opozitës shqiptare si degradim politik. Po këtë "nder" i kanë bërë dhe alternativës politike. Ose më mirë këtë nder i kanë bërë me dashje Edi Ramës. Me dashje ja kanë rritur pushtetin, duke dalë jashtë institucioneve, duke braktisur demokracinë dhe Kuvendin. Berisha, Basha, opozita me partinë e Metës, kanë forcuar pushtetin e Ramës, e kanë bërë të "praruar" me dollarë të botës dhe euro të Europës. Strategjitë e tyre, të cilat kanë forcimin e pushtetit të Ramës janë gjëja më e neveritshme e politikës sot! Sepse ata nisen nga zilia, nga perversiteti i ngutjes për pushtet të pamerituar. E si pasojë zgjasin pushtetin e atij që e shpallin si armik të Shqipërisë, demokracisë dhe ekonomisë dhe që i shërbejnë si liliputë dhe puthadorë për t’i zgjatur pushtetin e stërfuqishëm dhe me shumë miliona euro dhe dollarë të rindërtimit të Shqipërisë. Nguten dhe sabotojnë kudo! Në drejtësi (reformë) dhe në raport me akuzën, e cila ngre kauza e Basha me të tijët humbin paturpësisht, sepse kanë zilinë dhe jo drejtësinë në mendjen dhe arsyen politike të tyre. Sot kjo ditë e qartë donacionesh, kredish dhe dhuratash në euro dhe dollarë nga miqtë tanë, është një leksion në vazhdim për "opozilinë", që vjen si pasojë e arratisjes së saj nga institucionet. E sikundër kam thënë dhe më përpara, sado që e dinë se unë dhe shumë si unë me këtë mendim kanë të drejtë - deviza e tyre është armiqësia dhe ngritja e akuzave të reja për njerëzit që duan demokracinë dhe institucionet e saj, nuk duan vjedhjen dhe korrupsionin si të opozitës dje dhe pozitës sot, por që nuk mund të pranojnë pikërisht "opozilinë sot". Jo, kurrsesi nuk mund ta pranojnë!