BREAKING NEWS

Tronditet futbolli, ndërron jetë legjenda Diego Armando Maradona

Tronditet futbolli, ndërron jetë legjenda Diego Armando Maradona
x

Opinion / Editorial

Leksioni i drejtorit të OBSH për Europën Kluge për çetën e panikasve!

Leksioni i drejtorit të OBSH për Europën Kluge për

Askush në Shqipëri nuk ka luksin të thotë se situata me Covid -19 është rozë. Se ne jemi të imunizuar dhe nuk ka pse shqetësohet askush. Se virusi është kalimtar dhe asnjë mos ta çajë kokën. Aq më pak të vijojnë mburrjet se jemi racë rezistente. Kemi gjetur ilaçin, raki e hudhra dhe ia dalim. Keqardhje për ata që deri sot e kanë vlerësuar kovidin si lojë dhe propagandë apo strategji qeveritare për sundim. Aq më tepër tërë ata që vijojnë intifadën kundër masave të qeverisë apo e paraqesin Komitetin e Ekspertëve anti kovid, si fasadë pas së cilës fshihet qeveria dhe justifikohet kryeministri, Edi Rama. Realiteti shqiptar me kovidin është në syrin e tërë popullit. Secili e shikon me sytë e vet e njeh shumë mirë përpjekjen e shtetit, organeve kompetente, Ministrisë së Shëndetësisë dhe ekipeve të mjekëve e infermierëve në terren e spitale, veçanërisht atyre që ndeshen me këtë virus të rrezikshëm në frontin e parë, atje ku risku për t`u infektuar dhe humbur jetën, është ngjarje e sigurtë me probabilitetin pranë njëshit. Kanë kaluar gati tetë muaj qysh se në vendin tonë mbërriti virusi i rrezikshëm, u evidentua pacienti i parë. Duke përfituar nga përvoja e shteteve pranë dhe larg që kishin kaluar një situatë të ngjashme para nesh, vendi ynë i mori masat me urgjencë, duke kufizuar lëvizjen deri në karantinë të plotë të qytetarëve, mbylljen e aktivitetit ekonomik, bizneset private, njësive tregtare deri edhe ndërmarrjet e mëdha, ulën qepenat. Shkollat u mbyllën dhe karantina u bë totale. Masa këto që minimizuan përhapjen e virusit Shteti në shërbim të pacientëve vuri dy spitale. Dhe ditë më parë edhe një të tretë e në qarqe po sistemohen pavijone për të infektuarit nga kovidi. Spitalit infektiv iu shtua spitali Covid dy, “Shefqet Ndroqi”. Të dy spitalet kanë pritur e përcjellë me qindra pacientë të cilët kanë ndjerë kujdesin e personelit ashtu siç deklaruan edhe vet në emisionin “Open”. Ishte rast ku shqiptarët panë me sytë e tyre ndryshmin e pavijoneve pajisjet anti kovid, ndryshe nga sa trumbetojnë ata që ndjellin vdekjen dhe kërkojnë të krijojnë terror psikologjik për përfitime elektorale. Lajmet e përditshme dhe masat shtrënguese nga çeta e panik ndjellësëve, nekrofilëve, lajmëtarët e ferrit, u interpretuan në shumë raste si politikë dhe lustër nga qeveria. Nuk ishin të paktë ata që vunë kujën se ekonomia mbaroi, bizneset falimentuan, shteti nuk ishte i përgatitur për të përballuar epideminë. Nuk munguan zërat se virusi ishte imagjinar, lojë që fryhej nga shteti. E përdorte kryeministri për të bërë presion në popull dhe justifikuar dështimet. Jo thjesht qytetarë të zakonshëm, po edhe intelektualë u bënë interpret se kjo ishte një legjendë dhe asgjë më shumë, një histori me fantazma, sikur këtu të jetonin, jo tokësorë, po alienë ardhur nga gjithësia. U bë garë e ashpër cili do jepte lajmin e parë se në vendin tonë edhi virusi. U tha si një sihariq i jashtëzakonshëm. Nisën apelet: U infektua filani, personi VIP është shtruar me urgjencë në spitalin infektiv nuk i dihet fundi! Pastaj akuzat vërshuan lumë për mungesë medikamentesh, fshehje të shifrave, politika jo transparente. Se në spitale pacientët trajtoheshin si mos më keq. Mungonin ilaçet, pajisjet moderne për të intubuarit, ata në shërbim intensiv ose reanimacion. Akuzat e liderëve politik u bënë virale. U injektuan kudo dhe ishin më agresive se vetë virusi. Përballë qeverisë, dy pandemi. Politika agresive e liderëve opozitarë dhe vetë virusi vrastar. Njëra me e egër se tjetra. Të dyja me kërcënim jete. Lajme nga podiumet e partive, fjalime epike nga liderët opozitarë, të gjitha kundër shtetit dhe qeverisë. Liderët e politikës akuzojnë për trajtim mizerabël të pacientëve. I kanë shtrirë në çimento, si të ishin kavje. Pa asnjë kusht higjenik, kudo pisllëk. Se mungojnë ilaçet. Pacientët i blejnë vetë medikamentet. E anatemimet lartësohen drejt qiejve. Ndryshe deklarohen të shtruarit në infektiv. Pacientët urojnë njëqind vite jetë mjekët e shkëlqyer që u shpëtuan jetën. Politika bën propagandë të rëndomtë, mjekët luftojnë me vdekjen në emër të jetës. Në këtë debat dhe duel përballen njëherësh opinionet e qytetarëve për kujdes dhe opozita që ushqen idenë se qeveria është inekzistente dhe masat mungojnë. Se ilaçet nuk gjenden në farmaci. Shkurt, sistemi shëndetësor për opozitarët është i paafat për t`ia dalë në krye dhe për të shpëtuar jetët njerëzore. Për çdo humbje jetë në vend të dhënies së ndjesës siç e do tradita, lideri i PD-së Lulzim Basha bën nga një aktakuzë dhe cakton vite burgu për kryeministrin, jep për çdo rast pretencën kundër qeverisë dhe lëshon premtimet për të bërë çudinë me virusin. Sipas tij, Edi Rama mban përgjegjësi për çdo vdekje. E kërcënon me burg sapo ai të vijë në pushtet. Kjo politikë, është si t`i presësh drutë shkurt dhe në vend të ruash vetullat, u nxjerr edhe sytë qytetarëve që dëgjojnë broçkulla, asnjëherë të provuara. Sapo PD dhe koalicionistët në radhë edhe pse juristë, ekonomistë, inxhinierë, oficerë, e zanatçinj të ndryshëm bënin be e rrufe se këto raste vdekjesh në se do ishin ata në pushtet nuk do të ndodhnin. Dhe betohen se sapo të marrin pushtetin do e mundin pandeminë sikur të ishin marrë vesh me perëndinë. Po e vërteta flet ndryshe. E tërë bota është përballë një sfide të jashtëzakonshme. Shumë shtete të zhvilluara me sisteme shëndetësor në perfeksion, me pajisje moderne dhe të mirë furnizuara me personel dhe medikamente nuk ia kanë dalë të përballojnë fluksin e jashtëzakonshëm të të infektuarve nga virusi i rrezikshëm. Kështu, Italia, Gjermania, Spanja, Greqia, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë sistemet më të perfeksionuara në botë. Dhe beteja në këto shtete është për jetë a vdekje. Çdo ditë shoqërohet me raste të shumta të humbjes së jetëve. Në këto shtete, ka qeveri dhe opozitë. Ka edhe president e Komandant të Përgjithshëm. Ka mjete të sofistikuar dhe specialistë të shkëlqyer. Po cili ia ka dalë deri tani t`i vërë frena virusit? Askush! Bile për numrin për një milionë banorë janë shumë më keq se vendi ynë. Askush nuk i justifikon rastet e humbjes së jetëve njerëzore të shqiptarëve. Të gjithë luten për të mos humbur asnjë jetë. Po nëse shqiptarët e zakonshëm, qytetarët, ata që normalisht përbëjnë milionat e popullsisë brenda e jashtë vendit, janë të shqetësuar për shkallën e përhapjes së virusit, politika vijon t`i bjerë fyellit në një vrimë. Për ta pak rëndësi ka sa është numri i të infektuarve. Si është situata e mortalitetit nga virusi. Si shërbehet dhe si përballohet nga shteti dhe sistemi shëndetësor. Për ta vlerë ka vetëm gara kush do ngrejë zërin në kupë të qiellit. Cili do mbajë ndezur debatin dhe do japë lajmet më të tmerrshme, kush ndërroi jetë dhe përse nuk iu shpëtua. Dhe serial i shpifjeve vijon me akuza: Pavijonet janë të tejmbushura, pacientët qëndrojnë në mes të çimentos sikur të jemi geto dhe jo një shtet me rregulla e spitale të pajisura me mjete moderne e personel që i kanë zili tërë bota. Po për lajmësit e fatkeqësive, pretendentët për të ardhur në pushtet sikur janë vënë në garë të ethshme, cili do godasë më fort dhe do njoftojë sensacionin më të tmerrshëm që të dridhet edhe fëmija në bark të nënës. Duket se propaganda është kthyer në terrorizmin ekstrem të shoqërisë, e cila edhe pa to është e tronditur dhe e frikësuar pasi bëhet fjalë për jetë njerëzore dhe secili në familje ka fëmijë e të moshuar që nuk kanë të njëjtin perceptim ndaj propagandës të atyre që synojnë të krijojnë tokë të djegur dhe të vënë në këtë mënyrë bazat e pushtetit të ardhshëm me themelet mbi fatkeqësinë që nuk është vetëm shqiptare. Edhe pse opozita ka fronte të shumta për të bërë kritika, ata janë fokusuar tek virusi pasi shoqëria është me ndjeshmëri të lartë sepse tek e fundit, jeta është e shtrenjtë për të gjithë. Duket se liderët që pretendojnë mrekullitë, se ata do ta frenojnë virusin se do e shërojnë shoqërinë shqiptare edhe në kuptimin fizik edhe në atë shpirtëror, janë mobilizuar në aksione guerile për të krijuar terror psikologjik. Çfarë nuk dëgjojmë! Spitalet janë mbi kapacitet. Të sëmurët lihen të vdesin. Nga dritaret e spitalit vetëvriten pacientë për pakujdesi të qeverisë dhe shërbimeve spitalore. Çfarë nuk shikojmë! Dhe të gjithë janë të tronditur më shumë nga lajmësit dhe zhurmuesit se vetë virusi. Njëmijë herë në ditë, Basha kërkon të vihet në jetë plani me pesë pika për të cilin vetë Meta e vlerësoi me notën dhjetë. Dhe profesori president për herë të parë vuri maskë pas ditëve të tëra që i bëri karshillëk vendimit të ekspertëve. Në një kohë kur qeveria ka marrë masa të kapërcejë premtimet e opozitës. Mes sloganeve opozitare për të përballuar virusin, oratorët i japin rol primar e vend të parë testimeve masive. Ndaj të gjithë krerët e partive në pritje të posteve thërrasin, testime, testime… Testime dhe vetëm testime! Po realisht, politika e testimeve pa kufi, të gjithë popullin njëherësh në pak ditë nuk është shpëtimtare. Nuk i presin udhën virusit. Nuk janë ura e kapërcimit të fatkeqësive. Këtë e thonë ekspertët e Shqipërisë, po më shumë ata të botës. Ja e bëre tamponin. Sot, të gjithë dolën negativë. Po pas tre ditëve, po pas një jave do i ritestosh? Nëse vepron kështu të duhet të bësh miliona teste dhe pa rezultat pasi sëmundja është në dinamikë dhe jo statike. E thonë këtë gjithë ekspertët, shkencëtarët tanë. Mjekët e theksojnë me prova shkencore. Biologët po ashtu. Epidemiologët gjithashtu. Infeksionistët këmbëngulin. Radiologët sqarojnë. Mjekët e familjes dhe ata të spitaleve kovid një, dy e tre argumentojnë. Po fjala e tyre bie në vesh që nuk dëgjojnë. Përkundrazi ata akuzohen se bëjnë politikën e qeverisë janë fasadë e Ramës?! Pikërisht në këtë situatë në Shqipëri erdhi drejtori i OBSH për Europën. Të gjithë pro dhe kundër qeverisë dëgjuan e ndoqën me zë e figurë fjalët e tij. Besojmë që liderët opozitarë të mos guxojnë të deklarojnë se edhe ai është i blerë, është i shitur, është i paguar, i porositur, i kurdisur. Se mbron qeverinë. Është mik i Ramës. Ia fut kot e arsyetime alla opozitare. Drejtori i OBSH për Europën, Dr. Hans Kluge, vuri theksin se vetëm testimet nuk janë zgjidhja magjike për parandalimin e COVID-19. Ai vuri theksin se testimi, gjurmimi dhe izolimi, janë hallka shumë të rëndësishme. "Vetëm testimi nuk është një zgjidhje magjike, por duhen edhe hapat e tjerë se unë e shoh në Belgjikë, që nuk mund t'ia dalë, testimi është i rëndësishëm, por pastaj duhet të ndiqet rrethi për ta ndaluar, duhet të një testim më i shpejtë prandaj e rëndësishme është që OBSH të vijojë këtë koordinim sidomos me testimin e shpejt, prandaj ne do mundohemi që t'i sjellim sa më shpejt në Shqipëri", tha Kluge. Testet e shpejta brenda 10 javësh do jenë këtu! Në këtë betejë Shqipëria nuk është vetëm. Po nëse doktor Kluge qetëson shqiptarët dhe flet me realizëm, është vlerësues për atë që është bërë dhe bëhet në vendin tonë, besojmë që opozita të dëgjojë të paktën këtë leksion që nuk vjen nga qeveria, po nga OBSH. Le të besojmë se opozita, Basha, Meta, Berisha, e kanë marrë mesazhin dhe e kanë dëgjuar leksionin e Europës dhe më e pakta në se nuk duan të bashkëpunojnë, të ndihmojnë, të jenë në një fron anti kovid, së paku duhet të heshtin!