Opinion / Editorial

Letër e një burgaxhiu...

Letër e një burgaxhiu...

Drejtuar Qeverisë shqiptare

Parlamentit shqiptar

Sistemit gjyqësor

Për dijeni dhe Bashkimit Europian

Të nderuar kolegë hileqarë dhe bashkëkusarë! Unë që po ju shkruaj këtë letër jam një miku juaj, i cili për marrëzi të tij u dënua nga gjykatat tona me disa vite heqje lirie. Jam i ndërgjegjshëm se kam shkelur ligjet e shtetit, por ama dhe e pata marrë në sy rrezikun. E dija fort mirë, se të mbjellësh fushat e kodrat me kanabis përbën vepër penale dhe e dënueshme nga ligjet. Po ja më thoni ju ç’të bëja unë? Mbarova universitetin për ekonomi -biznes. Por kot sa e mbarova sepse vërejta që ekonomia jonë, sa më shumë njerëz të mësuar të nxjerrë, aq më shumë shkon poshtë e më poshtë. Ja a ju kujtohen juve, ata Bufat, Pashkot, Rulajt, Bodet, etj.? Një gomar me shkollë kishin dhe ku na çuan?! Na çuan në atë pikë sa e shkatërruan tërësisht ekonominë bile për turp të botës dhe të vet BE, situata precipitoi aq keq e shkoi deri në atë pikë sa shkatërruan dhe burgjet, që ju mezi i patët ngritur. Unë këtë letër më shumë e kam ankesë për ju sepse më kini prerë në besë. E di që do kalbem këtu për atë të mallkuar hashash, që një pjesë e juaja e thith me gojë e me hundë. Deri këtu punë e madhe sepse mbas nuk më takon të futem në jetën tuaj personale. Por si or burrat e dheut nuk e mbani mend se në pushtet ju sollëm ne dhe biznesmenët e tjerë që ju paguanin sponsorizimet e partisë për kandidatët e ardhshëm që do bënin ligjin?! Edhe unë me me “Biken” e biseduam mirë këtë punë. “Bikja” është pseudonimi i shokut tim burgaxhi si puna ime, Sabriut, ai është me PD-në dhe unë me PS-në. Ramë në një mendje se do ndihmonim partitë tona. Po ta merrte PD-ja, ata do na krijonin lehtësira, jo “Bikes”se ai ishte i tyre, por mua. Unë nuk jua u kisha shumë besën atyre të PD-së, jo se tanët janë më të mirë, por ama, kur shikoja se në politikë ishte përsëri Saliu, me thënë të drejtën kisha frikë. Jo se ai është kundër drogës, se fundja kush e lulëzoi Lazaratin? Ishte vetë Sala. Pra frikën e kisha, sepse po qe se ai futet në afera, duhet t’i bësh mirë llogaritë, ngaqë mendjen e ka të të vrasë e të të zhdukë pa nam e pa nishan. Nuk e di, por në burg kam dashur të takoja Izetin, atë që dikur ishte turpëroje e tij. Doja ta takoja të më tregonte se si veproi Saliu dhe sa gisht ka në vrasjen e Hajdarit. Jo se unë do merresha me hetime, se këtë punë tani sëpaku e bën SPAK-u, por duke dëgjuar atë, do merrja masat e mia për tu mbrojtur. Nuk ka shaka me Salën, ai e mban koburen e markës “lulu” në brez dhe me fishek në gojë. Këtë e di mirë jo vetëm nga ‘97-ta, por dhe nga 21 Janari, ku një plumb më fishkëlleu pranë veshit. Madje këtë dinë mirë dhe udhëheqësit e mi të PS-së. Ata ja kanë frikën shumë Saliut (Disa shkojnë e luten në teqe fshehtas tij e i drejtohen zotit duk thënë: Aman o Allah pse nuk e more një ditë e më parë të kishim shpëtuar dhe ne nga kjo mostër?!). Po a kanë prova kundër tij?! Kanë aq shumë... madje aq shumë, sa që një pjesë e tyre ngrejnë supet e me habi thonë: Nuk është e mundur t’i bëjë Saliu këto gjëra, prandaj dhe çdo çështje kundër tij e kanë mbyllur. Kanë hallin e pushtetit, pse jo, kur është hall koke këtyre të mive (të PS-së) nuk ja u mban aspak. Kohët e fundit ata të OFL-së kapën dhe ca nga shokët tanë. Ata fakirët, as kanë vrarë e as kanë prerë. Janë marrë me punë të pisat e kanë bërë dhe krime, por i morën sepse nuk i kanë deklaruar pasuritë e tyre. Amani ore, po pa më thoni mua një që i tregon punët e tij të pista?! I kini parë juristët si veprojnë?! Ulen në kafene për shtatë palë qejfe dhe bëjnë pazare. Më e keqja është dhe kur na kapin në kohën e paraburgimit ata të komisariateve kërkojnë pjesën e tyre. Po qe se pjesa nuk është e majme e hëngre të sëmës, kalbesh në paraburgim! Aty na vijnë vala tjetër e avokatëve, të cilët na thonë se kanë biseduar me ata të prokurorisë dhe gjykatat se problemi vërtet është i rëndë, por ama çdo rrethim e ka një pikë të dobët dhe ata këto gjera i shfrytëzojnë me mjeshtëri. Më kanë ngelur dhe ca muaj burg për të bërë. Ishalla dal më shpejt, sepse thonë që do bëhet amnisti e përgjithshme. Madje amnisti fiskale kërkoi dhe Meta i LSI, por është në pritje. Unë e di që ai do ja hedhë dhe pse e kapën me para në dorë sikurse kapën për gryke "maçin e Thomait". Unë e di që shkolla ime vajti dëm, sepse dhe jashtë shtetit nuk dal dot sepse kisha për t'ja mbathur. Nuk dal dot se jam me precedent penal, por unë habitem me një gjë: Këta “miqtë” tanë, që ne i kemi sponsorizuar, pse na presin në besë? Disa janë bërë milionerë me ryshfetet tona. Ehhh ne të shkretët, kusuret përherë ne na shoqërojnë e jo ata! Ne dimë se sa kemi paguar për ta. Paguajmë për veten tonë të dalim nga burgu, paguajmë dhe për ata që nuk futen kurrë në burgje, por që janë më kriminelë se sa ne. Do thoni ju se si është e mundur. Është ore si nuk është! Jo se i them unë, por ata e kanë si puna e rruspive që kur inatosen me njëri-tjetrin ja u nxjerrin të palarat njëri- tjetrit pa jua u bërë syri tërr. Të vërtetën thonë për kundërshtarin, por puna është se i mohojnë bëmat e tyre që edhe ne jua u dimë. Nuk jam xheloz që pse vjedhin ata më shumë se unë. Hallall ta kenë se i paguan populli të gjitha, por ama si është e mundur që fillojnë “masakrimin” me veturat e kushtueshme apo antiplumb dhe harrojnë apartamentet luksoze, harrojnë pasuritë marramendëse të tyre?! A kemi qeveri të fortë apo ka vetëm dëngla? A ka Parlament dinjitoz apo është bërë si klubi i “Selanikut”?! Kam merak të madh për qeverinë tonë dhe Parlamentin. Më dhimbsen ndaj dhe u jam drejtuar me reverancë të madhe “të nderuar kolegë”! Tash më duhet ta mbyll këtë letër sepse sapo më njoftoi “Bikja” se PS-ja ime do ma gëzojë të sëmës në zgjedhjet e ardhshme. Por unë nuk e besoj sepse ata vjedhin me lezet nuk janë hajvanë si ata të Salës, që dalin e të rrjepin dhe lëkurën. Punë e madhe le ta hajë, se mos fitova gjë unë nga PS-ja ime. Ata fituan nga unë! Por nuk është këtu problemi. Mua më vjen inat shumë se si nuk u bëmë unë e “Bikja” ministra. Pse ç’kanë ata më tepër nga ne? Po qe se një ditë bëhemi, ju betohem se një pjesë të ish-qeverive dhe ish-parlamentarëve do t’i futim ne në burg! Maskarenjtë mosmirënjohës! Ne i bëmë me kostum e kravata, ata na shesin pordhë. Ta shikojnë një herë bythën e gomarit! Por dhe unë kot e kam, nuk e godet rrufeja të ligun. Populli e thotë ndryshe këtë fjalë, por unë kam mbaruar universitetin dhe nuk e them. Vërtet jam burgaxhi, por i ndershëm me dinjitet dhe me edukatë.

PS: Nëse mundeni këtë letër jua u dërgoni dhe atyre të BE, se ku i dihet mbase na i hapin negociatat!