Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Letra e 30 shkrimtarëve evropianë dhe “çështja kombëtare e shqiptarëve”

Postuar: 09/02/2019 - 07:38

Në ditët e fundit të janarit, në organe të ndryshme të shtypit të përditshëm shqiptar, u botua, si me bujë, një letër e 30 shkrimtarëve evropianë, e cila, çuditërisht, jo vetëm nuk kishte ndonjë titull, por nuk tregonte as se kujt i drejtohej (?!), edhe pse u quajt “manifest” nga ndonjë analist i yni. Si e tillë, pa u thelluar në leximin e vëmendshëm të saj, kjo letër u trumbetua dhe u komentua në gazeta të ndryshme si me “vlera të mëdha” për Bashkimin Evropian e më gjerë. Dhe duket se vetëm akademiku R. Qosja, pasi e lexoi me vëmendje atë, mbeti “i zhgënjyer”.

Sidoqoftë, pa u ndalur tek “zhgënjimet” e akademikut tone të nderuar, zhgënjime që ai i ka argumentuar, e ndjej si detyrim qytetar të shfaq edhe unë ndonjë mendim për këtë letër të shkruar nga filozofi e shkrimtari Bernar-Henri Levy dhe të firmosur nga 29 shkrimtarë të tjerë.

Se duke e lexuar si me laps në dorë, si i thonë, lexuesi konstaton ca gjëra që nuk duhej t`u kishin shpëtuar këtyre shkrimtarëve me zë të kontinentit tonë. Se një farë hermetizmi, që vihet re nga fillimi e deri në fund të letrës, nuk është e nuk duhet të jetë në natyrën e shkrimeve të kësaj natyre, të cilat, si rregull, i drejtohen një publiku të gjerë, që nuk ka kohë të hamendësojë se ç`kanë dashur të thonë këta shkrimtarë me këtë apo atë paragraf të letrës së tyre.

 “Evropa është në rrezik”, fillon letra dhe, po aty, vazhdon: “Nga të gjitha anët ka kritika, fyerje dhe braktisje”. Por kjo frazë, siç kuptohet lehtë, çalon në shumë drejtime. Së pari, nuk është në rrezik Evropa, po ideja mbi Bashkimin Evropian, si organizatë që bashkon popujt dhe shtetet e kontinentit tonë. Së dyti, gjendja nuk është kaq tragjike sa e paraqesin shkruesit e kësaj letre, sepse, siç dihet, deri në këto momente, vetëm Anglia është larguar nga Bashkimi Evropian, edhe pse, de jure, ky largim ende nuk ka përfunduar! Pra, nuk rezulton, realisht, që “Nga të gjitha anët ka kritika, fyerje dhe braktisje”, siç lëshojnë alarmin 30 shkrimtarët e nderuar.

 Se duhen pyetur këta shkrimtarë: Cilat qenkan ato forca politike të kontinentit tonë, apo ato shtete që thërrasin “Mjaft me “ndërtimin e Evropës” e që “Në vend të saj, le të rilidhemi me “shpirtin tonë kombëtar”, e të rizbulojmë “identitetin e humbur””? Dhe, pas kësaj, këta shkrimtarë duhen pyetur përsëri: Vërtetë besoni ju se “shpirti kombëtar” dhe “identiteti i humbur” (kombëtar-shënimi im) (?!) nuk ekzistoka “veçse në imagjinatën e demagogëve” (?!) Se nuk mund të quhen “demagogë” ata që mbrojnë identitetin kombëtar të popujve të tyre! Se në Evropën e Bashkuar popujt e kontinentit tonë do të shkojnë me fytyrën e tyre, me gjuhën e kulturën e tyre, pra, me identitetin e tyre kombëtar! Përndryshe, popujt e kontinentit tonë do t`i thonin “sikter” Bashkimit Evropian”! 

Në këtë kontekst, është disi e çuditshme që në letrën e këtyre 30 shkrimtarëve mbrojtësit e “identitetit kombëtar” e të “shpirtit kombëtar” të popujve evropianë e më gjerë etiketohen “profetë të rremë” (?!), përfaqësues të “forcave populiste” që paskan hartuar një program i cili “po përmbyt kontinentin” (?!). Se një “program” i tillë ende nuk është shpalosur as nga ndonjë forcë politike në rrafsh evropian dhe as nga ndonjë shtet i kontinentit tonë! Për rrjedhojë, tingëllon disi absurd mendimi i këtyre 30 shkrimtarëve, sipas të cilit “Evropa si ide (?!), vullnet (?!) dhe përfaqësim (?!) po shembet para syve tanë”. (?!) Se, në këtë kontekst, shtrohet pyetja: Çfarë “po shembet përpara syve tanë?!

 Pa i dhënë ndonjë përgjigje kësaj pyetjeje, që duhej menduar se do të bëhej nga opinion publik evropian, të 30 shkrimtarët pohojnë se “Kjo është klima e helmatisur (?!) në të cilën do të zhvillohen zgjedhjet për Parlamentin Evropian në maj”, duke dhënë përsëri alarmin se “nëse nuk shfaqet diçka për të zmbrapsur baticën këmbëngulëse (?!) në rritje, nëse nuk del ndonjë shpirt i ri rezistence (?!), këto zgjedhje premtojnë të jenë më katastrofiket që kemi parë ndonjëherë… (?!) Ato do t’u japin fitoren shkatërruesve”. (?!)

 Po të ndodhë që në këto zgjedhje të muajit maj të fitojnë “shkatërruesit” (?!), theksojnë më tej këta shkrimtarë në letrën e tyre, “Do të ketë shpërthime ksenofobie dhe antisemitizmi. Katastrofa do të ketë rënë mbi ne”. (?!) Dhe, pas këtij gjykimi, duhen pyetur përsëri shkrimtarët e nderuar: Përse bëni prognoza të tilla ogurzeza, Zotërinj shkrimtarë?! Mos parandjeni se po duken në horizont forca neofashiste?! Se fashizmi që forca e zezë e shekullit XX.

 Po ja që këta shkrimtarë nuk e kanë fjalën për neofashizmin, shenjat e të cilit duken në cepe të ndryshme të globit tonë, por për një “patriotizëm evropian”. (?!) Kjo duket kur ata deklarojnë se “Ne e fusim veten mes patriotëve evropianë” (?!), i cili (patriotizmi-shënimi im), çuditërisht, qenka “tepër i heshtur e i tërhequr” (?!) në ditët tona. Dhe këtu lindin përsëri shumë pyetje, të cilave teksti i letrës së 30 shkrimtarëve nuk u jep përgjigje. Së pari, shtrohet pyetja: Pse “patriotët evropianë” janë “tepër të heshtur dhe të tërhequr”? Së dyti, mos vallë autorët e kësaj letre mendojnë se paska ardhur koha e “qytetarit kontinental” (?!) a e “qytetarit botëror” (?!), siç kemi dëgjuar të flasin ithtarët e kozmopokitizmit?! Se kjo, të paktën për kombin shqiptar, do të ishte tepër e rëndë!

 Se të çuditin këta shkrimtarë kur shkruajnë se “Tre çerekshekulli pas mposhtjes së fashizmit dhe 30 vjet pas rënies së Murit të Berlinit, vjen një betejë e re për qytetërimin” (?!), betejë që, sipas tyre, synoka për t`i “ngritur popujt e Evropës mbi veten e tyre (?!) dhe të kaluarën plot luftëra”. (?!)

Se, përsëri, duhen pyetur këto shkrimtarë: Mos vallë mendoni se tani e tutje shqiptarët, grekët, serbët, italianët, francezët, spanjollët, gjermanët, anglezët, polakët, hungarezët, bullgarët, rumunët e të tjerë, do të heqin dorë nga kombësia e tyre, nga krenaria e tyre kombëtare, nga e kaluara e tyre?! Kjo më duket si një ëndërr e keqe në kohën tonë! Se nuk kanë thënë kot: “Një komb pa histori, është një komb pa të ardhme”!

 Po ja që këta 30 shkrimtarë sikur kundërshtojnë vetveten, për të mos thënë se duken disi konfuzë, kur shkruajnë se “Besimi ynë qëndron në idenë e madhe që trashëguam, për të cilën besojmë se ka qenë forca unike mjaftueshëm e fuqishme...

për të parandaluar shenjat e reja të totalitarizmit”. (?!) Se, pasi e lexon këtë frazë, lexuesi ka të drejtë të pyesë përsëri: Pasi paska qenë kështu e vërteta historike, pse këto ide “mjaftueshëm të fuqishme”, nuk u bënë realitet përpara agimit të shekullit XXI?

 Veçse shkrimtarët e nderuar sikur e teprojnë kur mbrojtësit e “identitetit kombëtar” a të “shpirtit kombëtar”, i etiketojnë jo vetëm si “shkatërrues” të “patriotizmit evropian”, por edhe si forca “që tërheqin zvarrë pas vetes mizerjen e vjetër të epokave të errëta”. (?!) Se njerëzit e ditëve tona kanë të drejtë t`i pyesin përsëri këta shkrimtarë: “Ç`është ajo “mizerja e vjetër” (?!), që paskan jetuar popujt e kontinentit evropian përpara se të lindnin idetë kozmopolite mbi “qytetarin evropian” apo “qytetarin botëror”? Dhe, pas kësaj, vjen pyetja më e rëndësishme: Cilat paskan qenë “epokat e errëta” në historinë e kontinentit tonë?

 Këto pyetje shtrohen, sepse, pavarësisht zhvillimit me zigzake të procesit historik, kontinenti evropian i ka ngjitur progresivisht shkallët e qytetërimit të tij. Se epoka e Rilindjes Evropiane në shekullin XV, revolucioni borgjez në Francë në shekullin XVIII dhe zbulimet e mëdha në shkencë e teknikë në shekullin XIX e më pas, që shënonin një progres të madh në qytetërimin evropian, nuk mund të etiketohen si “mizerja e vjetër” ose “epoka të errëta” në historinë e kontinentit tonë!

 Është kjo arsyeja që autorët e kësaj letre duhen pyetur përsëri: A mos e quani edhe aleancën antifashiste Anglo-Sovjeto-Amerikane, në vitet e Luftës II Botërore, kundër boshtit fashist Romë-Berlin-Tokio si “mizerja e vjetër” ose si “epokë e errët” në historinë e kontinentit tonë?! Dhe, nëse nuk i quani të tilla, na thoni se ku i gjeni në historinë e kontinentit evropian “mizerjen e vjetër” dhe “epokën e errët”! Se, Ju sikur i çudisni njohësit e historisë kur atakoni edhe figurën e madhe të Garibaldit, për të cilin poeti ynë pat shkruar:

“Garibaldi, trim me fletë,

Skënderbeut tënë i ngjet”!

Nisur edhe nga ky fakt, këta 30 shkrimtarë duhen pyetur përsëri: Mos është ende herët që t`i quajmë “varrmihës të idesë evropiane” nacionalistët (atdhetarët-shënimi im) shqiptarë në ditët tona, që kërkojnë, si edhe Rilindasit tanë të mëdhenj një shekull më parë, bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar?! Se logjika historike do ta kërkonte që shqiptarët në trojet e tyre të copëtuara nga fuqitë imperialiste, ose Fuqitë e Mëdha, siç duan t`i quajnë, të shkojnë të bashkuar edhe shtetërisht në Bashkimin Evropian, siç kanë shkuar edhe popujt e tjerë të kontinentit tonë të lashtë!

 Janë këto disa nga arsyet që edhe unë, si akademiku i nderuar Rexhep Qosja, ndjehem i zhgënjyer nga letra e shkrimtarëve Vassilis Alexakis, Svetlana Alexievitch, Anne Applebaum, Jens Christian Grondahl, David Grossman, Agnes Heller, Elfriede Jelinek, Ismail Kadare, György Konrád, Milan Kundera, Bernard-Henri Lévy, António Lobo Antunes, Claudio Magris, Adam Michnik, Ian McEëan, Herta Müller, Ludmila Oulitskaïa, Orhan Pamuk, Rob Riemen, Salman Rushdie, Fernando Savater, Roberto Saviano, Eugenio Scalfari, Simon Schama, Peter Schneider, Abdulah Sidran, Leïla Slimani Colm Tóibín, Mario Vargas Llosa, Adam Zagajeëski

 Ndjehem i zhgënjyer, sepse, siç theksonte këto ditë një analist i yni, “ajo u bishtnon problemeve reale të krizës së sotme (të çështjes kombëtare shqiptare-shënimi im),... kur më shumë se kurrë, si zgjidhje e artë po serviret rivizatimi i kufijve etnikë... bashkimi kombëtar”. Se na duket e parakohshme dhe e pabazuar thirrja e këtyre shkrimtarëve se “Ne duhet të ndahemi plotësisht nga kjo bindje e vjetër”. (?!) Se nuk thonë pa vend atdhetarët shqiptarë: “E duam atdhenë, si shqipja folenë”!

Nga Preng Cub LLESHI*

*Autor i 17 librave poetikë, publicistikë, historikë e gjuhësorë

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/04/2019 - 07:45

 Paranojat greke në lidhje me qëndrimin ndaj komunitetit shqiptar të Çamërisë që u përzunë me genocide nga trojet e tyre stërgjyshore, duket se nuk po prekin as institucionet shtetërore shqiptare, që me heshtjen

Postuar: 21/04/2019 - 07:44

 Mendonim se slogani komunist “Udhëheqësi e mprehu shpatën edhe njëherë për situatën&r

Postuar: 21/04/2019 - 07:43

 E akuzojnë tani Rudinën, e anatemojnë dhe sulmojnë, sepse guximi i saj për të mos ju bashku

Postuar: 20/04/2019 - 14:29

Kemi thënë më parë plot pezmati, se udha dhe aspirata shqiptare për t’u bërë një ditë një

Postuar: 20/04/2019 - 13:26

Para disa ditësh, parlamenti holandez votoi në shumicë një rezolutë ku i kërkohet BE të pezullojë

Postuar: 20/04/2019 - 07:37

Kryeministri i Shqipërisë, ka një veti të jashtëzakonshme për të bërë armiq si të inatosur të tij

Postuar: 20/04/2019 - 07:34

Berisha vazhdon t’u bëjë thirrje, militantëve, fansave (publikut) të jenë gati për revanshi