BREAKING NEWS

Përballja me Covid-19, ministrja Manastirliu jep lajmin entuziast nga Vlora

Përballja me Covid-19, ministrja Manastirliu jep lajmin entuziast nga Vlora
x

Opinion / Editorial

Letrat e Metës si petullat e tetës

Letrat e Metës si petullat e tetës

Besojmë se do vijë një ditë dhe do shkruhen kronika e do botohen manualë, katalogë, pse jo edhe ndonjë enciklopedi, ku do pasqyrohet stili i presidentit Ilir Meta për t`u përdorur si praktikë mes institucioneve se si mund të përpilohet një letër për një problem të caktuar, kombëtar e ndërkombëtar. Nuk ka rëndësi nëse janë problematika të vogla a të mëdha. Me përmasa lokale, kombëtare a ndërkombëtare. Letrat e presidentit të vendit tonë, Shkëlqesisë së Tij, Zotit Ilir Meta do mbeten shembulli më i mirë i komunikimit, denoncimit, përgjithësimit, stilit, elokuencës, harmonizimit të fakteve, mënyrës së shtrimit të problemeve, ekspozimit të ngjarjeve dhe historive me karakter politik, personal, opozitar, mazhoritar, parlamentar apo presidencial, me të cilat është ndeshur Shqipëria gjatë viteve të presidencës së tij. Adresat e letrave janë nga më të larmishmet. Drejt Presidentit Trump në 22 dhjetor 2017, fare pak ditë pas festimeve të pavarësisë, i shqetësuar për votimin e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, ku vendi ynë, duke iu përmbajtur qëndrimit të njohur tradicional në unison me BE nuk bashkoi votën në favor të qëndrimit amerikan. Vetë SHBA nuk bëri asnjë vërejtje, nuk mbajti ndonjë qëndrim refuzues dhe as një koment, duke respektuar qëndrimin e një shteti sovran, i cili këtë pozicion ka mbajtur gjatë tërë historisë në lidhje me këtë çështje. Ministria e Punëve të Jashtme,deklaroi se kjo votë ishte e tillë, e konsultuar me BE dhe e harmonizuar me të. Asnjë koment negativ nuk u bë nga ana e DASH apo ndonjë institucion tjetër amerikan. Ishte presidenti ynë që i nisi me urgjencë një letër presidentit Trump, të cilit i shpjegohet, se vota shqiptare nuk ishte e konsultuar me presidentin dhe ishte qëndrim i pamiratuar në një kohë kur nuk shprehte as qëndrimin e popullit shqiptar. Me këtë letër, presidenti ynë, foli përmes rreshtave, se ai ishte kundër qëndrimit të ekzekutivit dhe se ishte pro kërkesës së SHBA-së, ndryshe nga mazhoranca e cila nuk e kishte pyetur. Arsyet e një qëndrimi të tillë janë të kuptueshme, ashtu sikundër edhe përpjekja për të treguar një lidership të pavarur dhe të pandikuar nga faktorë të tjerë të shtetit shqiptar. Presidenti, evidentoi në këtë letër qëndrimin kundër qeverisë. I anashkaluar, pasi vetë ai ishte për Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit. I gatshëm të transferonte ambasadën e Shqipërisë në kryeqendrën e re. Nuk e dimë sa shërbeu kjo letër në marrëdhëniet mes dy shteteve tona për forcimin e lidhjeve me shtetin të cilin e kemi partner strategjik më të rëndësishëm të Shqipërisë, gjatë tërë historisë së bashkëpunimit mes dy shteteve tona! Po letrat e presidentit Meta për çdo çështje, hall, kanë vijuar në shumë drejtime. Mjafton të ketë një shqetësim, një ngërç, krizë të thellë si e emërton ai me mazhorancën dhe menjëherë të ulet, përpilojë një letër drejtuar kancelarive ndërkombëtare, institucioneve europiane, KE-së, BE-së, komisionerëve me peshë në këto organizma vendimmarrëse, kudo që gjykon se ndikon në vendimmarrje. Nuk përjashtohen këtu letrat e sqarimet e shumta me Komisionin e Venecias, ku nuk ka të reshtur për të informuar dhe për t`i mbajtur në korrent për çfarë ngjan në Shqipëri. Shqetësimet që i ka krijuar nisma e mazhorancës dhe Parlamenti për mënyrën e votimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e cila mbetet thembra e Akilit dhe ankth i së ardhmes së tij për vendimmarrjet që mund të dalin jashtë kontrollit të presidentit. Pikërisht, kjo është arsyeja që vendi ku merren vendimet më të rëndësishme dhe shprehet kushtetutshmëria, maja e piramidës së sistemit të drejtësisë, filtri, ku kalojnë praktikat, dekretet, zhdekretimet, anulimet presidenciale e qeveritare. Këto e kanë detyruar zotin Meta t’i shkruajë papushim KE-së, OSBE-së, komisionerëve pa fund të institucioneve vendimmarrëse në shkallë europiane, të cilëve u sqaron në detaje se si këtu në Shqipëri, qeveria dhe Parlamenti, kërkojnë të uzurpojnë kompetencat e presidentit, duke shmangur ligjet dhe duke bërë grusht shteti kundër Kushtetutës. Së fundi, risi është kombinimi i letrave me protestat. Me sa duket letrat janë brenda zarfeve. Protestat faqe botës. Dhe ky kombinacion i sinkronizuar, shkruaj, vulos po edhe protesto është strategjia më e mirë për të shfaqur në sy të botës, gjykimet e vendimet e Presidentit Meta. Zoti Meta, ka sjellë në praktikën presidenciale shumë risi. Po kjo e letrave është vërtet praktika më e re, më e plotë dhe me angazhimin permanente të tij dhe kabinetit që gdhihen e erren, duke shkruar letra për të sqaruar institucionet europiane, se si këtu ndër ne, shkelen të drejtat kushtetuese. Asgjësohen themelet e Kushtetutës, rrëmbehen kompetencat, rrudhen vendimmarrjet. Vihen në pikëpyetje liritë dhe të drejtat e njeriut. Një mal me akuza nga më të rëndat. Në letra shkruhet se si reformat po privatizohen dhe bëhen sipas interesit të shtetit privat të Edi Ramës. Shkruan se i rrudhen kompetencat e të drejtat. Aq shumë letra shkruan Presidenti sa na duket sikur e tërë puna, si i pari i këtij vendi, ia konsumojnë gjithë energjitë dhe i hanë tërë kohën fizike të punës, shkrimi dhe përkthimi i letrave. Presidenti po kthehet në letërshkruesin numër një të republikës. Më kujton një burrë të lagjes time që tërë jetën u mor vetëm me letërshkrime. Emrin ia kishim harruar. E thërrisnim letërshkruesi. Letra drejt Brukselit. Në Venecia, posta punon vetëm për letrat e dërguara nga Presidenca. Vërshim si gjethet e pemëve në vjeshtë. Të tjerat në Paris, Londër, kudo vetëm letra. Gati një e dy letra në ditë. Përmes tyre rreket të sqarohet, po realisht të ngatërrohet opinioni, perceptimi i vendimmarrësve dhe këshilluesve, ata që kanë në dorë portat e integrimit, nxihet realiteti, nuk evidentohet as një ngjyrë veç zgjyrë. Interpretohet subjektivisht çdo vendimmarrje nga Parlamenti dhe qeveria. Duket sikur bëhen përpjekje të pengohet integrimi dhe të ndalen reforma në drejtësi apo ajo zgjedhore. Meraku i Presidentit tonë i shprehur përmes rreshtave nuk duket të jetë ai i yni, integrimi, as mbështetja e vendit për anëtarësim në familjen europiane, po si të ngatërrohet në vendimmarrje e BE për t`i fikur Shqipërisë dritën jeshile. Dashur pa dashur, kjo shkon në kahje të kundërt me lutjet e përditshme të popullit që mbështet integrimin gati njëqind për qind. Shumë letra. Oh, sa shumë! Një lumë. Një det. Gati duket se letrat e Metës gatuhen si petullat e tetës. Kësaj punës së letrave dhe ngjasimi me petullat, i shkon për shtat sentenca: Eja të shkojmë nga teta, të na bëjë ca petulla, e përkthyer: “Eja të vemi nga Presidenca të lexojmë ca letra! Ose kur nuk pritemi buza gaz në shtëpinë e tezes, themi me mend: Ngrijë ato vetulla se nuk t`i duam ato petulla. Po jo në pak raste, duke përdorur si metaforë petullat-letra, thuhet mos e bezdisni se atij i ka ikur petulla. Kuptohet jo njëshit të vendit. Më e freskëta letër është ajo drejtuar Komisionit Europian. Kur shkruan duhet të presësh edhe përgjigjet. Se Presidenti nuk është si personazhi i Gabriel Markezit te novela: “Kolonelit nuk ka kush t`i shkruajë”. Ai merr edhe vetë shumë letra. Edhe unë i kam shkruar nja tre copë deri tani. Po kështu komshinjtë e mi, miqtë, bashkëqytetarët. Komisioni i është përgjigjur letrës së Presidentit Ilir Meta në lidhje me ngërçin që ka me mazhorancën për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Komisioni pranon se ekziston një mosmarrëveshje për një prej gjyqtarëve të fundit të emëruar, për shkak të një interpretimi të ndryshëm të procedurës së emërimit nga Presidenti i Republikës, ndërsa shton se Komisioni i Venecias do të lëshojë një opinion mbi këtë çështje gjatë këtij muaji. Gjithashtu, Komisioni Europian nuk thotë që ekziston një interpretim tjetër nga presidenti, por se ka një interpretim të ndryshëm të procedurës për emërimin e një prej gjyqtarëve nga Presidenti i Republikës. Në fund, Komisioni shprehet se ata nuk po komentojnë mosmarrëveshjet mes autoriteteve në Shqipëri duke theksuar se presin mendimin e Komisionit të Venecias. Më parë, kreu i shtetit i dërgoi një letër komisionerit Varhelyi, duke i shprehur shqetësimin për situatën e krijuar me maxhorancën për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ja shqetësimi i Presidentit: “I nderuar Komisioner Varhelyi, Zyra juaj lëshoi dje një përditësim në gjetjet kryesore të paketës së zgjerimit 2019 për Shqipërinë. Mirëpres angazhimin dhe përpjekjet tuaja për të mbështetur procesin e integrimit të vendit tim në BE, në pritje të hapjes së negociatave. Unë jam duke shpresuar që shtetet anëtare do të aprovojnë rekomandimin tuaj për të hapur negociata gjatë këtij muaji, gjithashtu në funksion të një metodologjie më të rreptë që siguron një proces më të prekshëm dhe të qëndrueshëm për shkak të reformave. Ka vërtet një mosmarrëveshje në lidhje me procedurën e emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetues, por kjo për shkak të një interpretimi të ndryshëm të shumicës socialiste, e cila kërkon të kapë edhe Gjykatën Kushtetuese të vendit dhe të përshkallëzojë më tej krizën “sui generis” në Shqipëri”. Presidenti i Republikës ka respektuar dhe zbatuar plotësisht dispozitat e sakta kushtetuese dhe ligjore që përcaktojnë: Neni 179 i Kushtetutës: Anëtari i parë që do të emërohet në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Parlamenti dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Ky do të jetë sekuenca për të gjitha emërimet e ardhshme pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ligji Nr.8 8577/2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. Kjo është pikërisht asaj që i ka qëndruar Presidenti. Kjo është pikërisht ajo që rekomandoi Komisioni i Venecias për reformën në drejtësi të miratuar në mënyrë unanime nga Parlamenti shqiptar në vitin 2016. Por oreksi politik i mazhorancës socialiste kërkon të prishë një ekuilibër të tillë, në mënyrë që të marrë kontrollin politik të gjykatës. Për më tepër, unë kam botuar të gjitha dokumentet zyrtare që dëshmojnë çdo shkelje kushtetuese dhe ligjore të kryer nga kryetari i Këshillit të Emërimeve të Drejtësisë, ministri i Drejtësisë, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë dhe Qendra e Botimeve Zyrtare, dhe kam bërë kërkesë të padive penale kundër të gjithëve të përfshirë në këtë skemë në Prokurorinë Speciale, SPAK. Gjatë gjithë kësaj kohe unë kam qenë plotësisht transparent dhe kam njoftuar zyrën e Delegacionit të BE-së dhe të gjitha shtetet anëtare të BE-së në çdo hap të këtij procesi. Kam qenë plotësisht bashkëpunues me Komisionin e Venecias, i cili është investuar për të shqyrtuar tërësinë e procedurës së emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, dhe jo vetëm në një gjykatës, siç përmendet në raportin tuaj. Dhe argumentat në letër vijojnë me një analizë të bollshme për të informuar dhe sqaruar deri në detaje KE. Meraku presidencial është thjesht qëndrimi grabitqar i mazhorancës socialiste. Oreksi i stërmadh i tyre për të përvetësuar pushtetet e pavarura. Ne që jetojmë në Shqipëri e njohim këtë histori dhe votimi. Dimë me saktësi edhe mënyrën si u veprua. Askush nuk ia ndali dorën presidentit të ushtrojë të drejtën kushtetuese. E keqja vjen më vonë me mos propozimin në kohë dhe nisjen e emërimeve nga fundi i listës. Apo njërin kandidat e pranon në votim, tjetrin e refuzon. Në këtë mënyrë, thuhen gjysmë të vërteta dhe ca gënjeshtra. Duket açik se qëllimi i letrave nuk synon të rrëfejë tërë të vërtetën në përzgjedhjen rigoroze, po seleksionuese për të arritur tek emri preferencial. Që shkruan letra në institucione Presidenti, është një ogur shumë i mirë. Tek e fundi tani është institucioni që bën politikën e brendshme e të jashtme. Dhe tu drejtohesh ndërkombëtarëve nuk është ndonjë sakrilegj apo nxjerrja e rrobave të palara në sy të botës. Do ishte mirë që letrat të ishin kërkesa me ngulm për integrimin, rindërtimin, shërbimin shëndetësor e atë mësimor. Po jo. Kur Konferenca e Donatorëve i dha vendit tonë 1.15 miliardë euro për rindërtimin, dhurata dhe kredi, i pari i vendit tim, i doli koha të shkruante ndonjë letër përgëzimi, po deklaroi se kredi dhe donacione marrin edhe vendet diktatoriale. Pra një mbështetje kaq e madhe u zerua nga mllefi dhe keqdashja. Nëse themi që letrat e Metës janë bërë si petullat e tetës, e kemi fjalën për mënyrën se si anashkalohen institucionet shqiptare. Pa i përfillur fare, duke mos u ulur në debate e në dialog, në tavolina të gjera, ku mund të vilet gjykimi dhe përvoja e specialistëve më të mirë të vendit tonë, të marrin pjesë deputetë, qeveritarë të dëgjohen për të gjetur zgjidhje dhe për t`u dhënë drejtim shqetësimeve që ngre presidenti në komunikim ndërkombëtar, të ezaurohen zgjidhjet brenda shtëpisë. Deri sot nuk kemi parë një takim mes institucioneve legjislative-ekzekutive-Presidencë-shoqëri civile-përfaqësues të institucioneve të Europës, ku të flitet me letra të hapura dhe jo të mbyllura. Nëse do zgjidhej rruga e konsultimeve të brendshme dhe Presidenti nuk do shkruante vetëm letra. As do mbështetej vetëm në protesta. Nëse do llogariteshin institucionet shqiptare, besojmë se edhe Presidenti nuk do lodhej kaq shumë, të harxhonte kaq kohë, letër e bojë, pulla postare, zarfe, po do i gjente zgjidhjet këtu në tokën shqiptare. Ndryshe Meta do vazhdojë të shkruajë letra dhe ato do na kujtojnë tezet kur na bënin petulla!