BREAKING NEWS

Yuri Kim i dha mesazhin e fortë, Lulzim Basha bën lëvizjen urgjente

Yuri Kim i dha mesazhin e fortë, Lulzim Basha bën lëvizjen
x

Opinion / Editorial

Librat, thesari më i çmuar i njeriut

Librat, thesari më i çmuar i njeriut

Librat e mi janë si ujë. Librat e gjenive të mëdhenj janë si vera. Për fat,të gjithë pine ujë,shkruante para një shekulli gjeni i letrave. Edhe pse hyj ndër predikuesit e leximit, thellë vetes kisha filluar të dyshoja se libri njëherë mirë po ndahej nga lexuesi, në mënyrë të veçantë libri i shkruar. Një ndjesi kjo, besoj e shumëkujt, veçmas e krijuesve.

Doemos që nuk do të dëshironim që leximi të rikthehej masivisht (aq sa mund të thuhet kjo fjalë për të lexuarit) për shkak të një agresori që po kërcënon njerëzimin në ekzistencën e vet, siç është Covid 19, por gjithsesi u shkundën raftet e librave nëpër shtëpitë shqiptare dhe jo vetëm. Nuk po mjaftonte televizioni, rrjetet sociale, telefoni, Facebook-u, Instagrami, Skyp-i për ta rrokur botën së thelli e së largëti, për të ikur e ardhur prej saj, por lypej dhe ai, i hershmi, i pandërruari, i përjetshmi - libri. Koha kishte treguar se vetëm ai nuk kishte marrë dot “virus” në qindra e mijëra vjet të ekzistencës së tij. Njerëzit më pranë librit, shkrimtarë, botues, mësues letërsie, punonjës bibliotekash etj. filluan të kishin telefonata të shpeshta, se cilët libra mund të lexonin dhe se ku mund t’i blinin. Nuk ishte e rastit, që në masat e para lehtësuese, ishte dhe hapja e librarive, që shpresojmë në të ardhmen të shoqërohet jo si deri tash me gjeste të vogla libërdashje, por me politika qeveritare favorizuese ndaj librit, për të cilat gjithnjë është folur e asnjëherë nuk janë ndërmarrë.

Por, shqiptarët duhet të ndërgjegjësohen edhe ndaj këtij fenomeni, e të kthehemi te libri,ku gjejmë një thesar të çmuar. Le të marrim si shembull albanologun ndër më të shquarit,për më tepër shkrimtar e poet ndër më të talentuarit. Ai qe shtyllë e emigracionit,që mbajti të gjallë studimin e gjuhës shqipe dhe traditën shqiptare në Itali, Gjermani e kudo që shkoi. Kadarenë,ta zëmë, që është quajtur, jo nga shqiptarët, njëri nga shkrimtarët më të mirë europianë të shekullit.