Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Liderët shqiptarë vetëpërjashtohen nga leksioni zgjedhor i Kosovës

Postuar: 10/10/2019 - 07:11

E tërë politika shqiptare, që nga presidentit deri tek kryetarët e partive politike, institucionet që drejtojnë zgjedhjet në Shqipëri, KQZ, ekspertë zgjedhorë, ministra, ish-ministra, analistë, opinionistë, reaguan brenda pak orësh për të evidentuar arritjet e një procesi të mirëorganizuar për nxjerrjen e rezultateve, si në vendet e përparuar, vetëm për pak orë dhe më e rëndësishmja mungesa e akuzave për vjedhje dhe trafikim votash. Fituesi u shpall fitues. Humbësi -humbës. Albin Kurti deklaroi se do jetë kryeministri i Kosovës dhe humbësi, Veseli do bëjë opozitë konstruktive. E vërteta është se fushata e partive politike në Kosovë u zhvillua në një klimë normale, ku nuk pati fyerje dhe qëndrime ekstreme. Nuk u shanë me libër shtëpie garuesit, as u anatemuan pretenduesit e vendit të parë, aq më pak nuk akuzuan për manipulime apo veprime që cenojnë rëndë votën e popullit. Sapo u mbyllën kutitë e votimit, nisi numërimi, një proces normal, drejt e në vendvotime, ku dihet se rezultati është punë minutash për vet numrin e kufizuar të votuesve. Praktikë kjo që ka qenë edhe tek ne, po u braktis për shkak të akuzave të rënda dhe mosbesimit mes palëve. Kujtojmë këtu, britmat dhe ultimatumet e partive politike, veçanërisht humbësve që nuk e kanë pranuar rezultatin asnjëherë. Kurrë nuk kanë rënë dakord me përfundimin e votimeve. Të nesërmen e ditës së zgjedhjeve, kanë nisur maratonën e kundërshtimit të rezultatit, duke krijuar idenë fallco, se në Shqipëri kanë fituar të gjithë edhe ata që nuk kanë marrë asnjë vend në Parlament. Mosbesimi dhe dyshimi i thellë ndryshoi edhe kontrollin e numërimit të votave, të cilat nga shumë qendra grumbullohen në vendnumërime, ku komisionerët qëndrojnë me ditë të tëra, duke numëruar para monitorëve të gjitha votat. Po edhe kjo nuk i ka shmangur sherrnajat mes faktorëve politikë. Secila parti ka dhënë variantin e vet, duke mos i njohur rezultatet. Ajo që ka mbisunduar në vendin tonë është mospranimi i zgjedhjeve. Deri para daljes së rezultateve, ku partitë pretendente bazohen në sondazhet e kryera nga të porositurit e tyre, iu është mbushur mendja se janë fituese dhe lavdërojnë procesin. Kjo deri në numërimin e votave. Më pas nis beteja kush vodhi, ku vodhën, cilët manipuluan, kush bëri shantazh, cili u përgjua, i thanë, u premtuan, u blenë, cili hodhi më shumë se një votë, kush foli në telefon me cilin u takua kandidati. Dhe radha e ankesave bëhet një varg shumë i gjatë, gati mbytës për opinionin e gjerë shoqëror, të cilët presin fituesin dhe qeverinë e radhës për të parë rezultatet nga ata që iu besuan votën dhe lidhën kontratën për katër vitet e ardhshme. Në këtë aspekt, zgjedhjet e gjashtë tetorit në Kosovë vërtet ishin një leksion i plotë për tërë faktorët që merren me zgjedhjet në vendin tonë e në mënyrë të veçantë për forcat politike dhe liderët e tyre. Vërtetë, sistemet, referencat, metodologjia, mënyrë e administrimit të votave, regjistrimi, nxjerrja e përfundimeve, është e një rëndësie të madhe, po nuk është gjithçka. Ajo që përbën diferencën, është qëndrimi që mbajnë fituesit e humbësit me rezultatet përfundimtare të administruesve të votës së popullit, nga qendrat e votimit deri tek qendrat e numërimit e Komisionin Qendror Zgjedhor. Janë të shumta arsyet përse të gjitha zgjedhjet në vendin tonë refuzohen dhe nuk pranohen. Mosbesimi është themelori. Dyshimi për manipulim qëndron si shpatë mbi kryet e gjithë liderëve, pasi ushqejnë iluzionet se janë patjetër fitues edhe pse këtë e vendos populli me votë. Dihen peripecitë e çdo zgjedhjeje tek ne që nga viti 1990 deri në ditët e sotme. Ato paraprihen nga kontradiksione të thella dhe kundërshti të jashtëzakonshme. Dhe kjo se dyshohet te arbitri, jo vetëm kur ai është i një force tjetër politike, po edhe kur i takon partisë që refuzon dhe nuk njeh përfundimet zgjedhore. Besueshmëria është e ulët edhe tek të vetët, të deleguarit dhe përzgjedhurit e partive politike në komisionet e administrimit të votës. Paragjykimi ekstrem për kundërshtarin politik, mosmarrëveshjet e thella dhe moszbatimi i partive dhe kërkesave ligjore, i kanë bërë zgjedhjet fushë beteja, ku patjetër duhet të ketë therorë e të mundur keqas, në një kohë kur në vendet demokratike zgjedhjet e rokada e pushteteve është ditë feste. Tek ne, le të mos jenë festë e mirëfilltë, po së paku mirëkuptimi dhe pranim i shifrave të certifikuara. Dhe në fund fatkeqësisht nuk kemi as fitues të shprehur as humbës dinjitoz. Pikërisht për të gjitha këto mangësi që vihen re dhe fakti që as ulemi në një tryezë të përbashkët kur të vihen pikat mbi “i” në reformën zgjedhore që do jetë garanti për zgjedhjet e ardhshme të parakohshme apo të kohshme, partitë politike nuk pranojnë të shkruajnë një reformë zgjedhore të plotë, duke reflektuar tërë vërejtjet e OSBE-së apo pretendimet e palëve politike. Të gjithë pamë, si pjesëmarrësit në tavolinën për reformën zgjedhore u shpërndanë, u bënë kashtë e koqe, duke lënë karriget bosh në emër të përpjekjeve dhe iluzioneve se duhet ecur vetëm sipas oreksit të atyre, që pasi braktisën Parlamentin dhe mandatet. Ata kërkojnë të bëjnë komandë, duke përjashtuar opozitën parlamentare, duke kërkuar ndryshim komisioni dhe dorëzim të tij tek ndërkombëtarët. Me fjalë të tjera, sabotim të plotë të reformës zgjedhore. Pikërisht, ata që nuk e duan këtë reformë, ata që pretendojnë se janë kulmi i ndershmërisë, se kanë qenë kampion të demokracisë dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme, kur kanë qenë shembulli më i keq në glob, se si nuk duhen zhvilluar zgjedhjet dhe si nuk duhet trajtuar opozita. Këta liderë flasin për leksionin kosovar, duke ngritur në qiell secili pjesën politike që pretendon se është në një vijë me politikën e partisë që kryeson. Edhe në formulat e urimit ndihet diferenca që bëhet për fituesit dhe nuk harrohet të thuhet, siç bëri Lulzim Basha, ku evidentoi se opozita erdhi në pushtet dhe ky është shembulli që duhet të prekin shqiptarët. Shkurt, Basha paralajmëron pushtetin e vet. Ngriti në qiell zotin Albin Kurti, si fitues i këtyre zgjedhjeve dhe LDK-në. Dhe mirë bëri. Vetëm kaq. Për qëndrimin e humbësit asgjë. Humbësi i zgjedhjeve në Kosovë, ndryshe nga këtu, u dha zgjedhjeve fytyrën e demokracisë. Me deklaratën se pranonte humbjen dhe se do ishte opozita e së nesërmes, zoti Kadri Veseli tregoi se është luajal dhe njeh rotacionin politik. Ky leksion nuk i shërben opozitës tonë. Ajo është punë e kosovarëve. Tanët nuk e njohin humbjen. Duan vetëm fitoren. Veseli nëse do ecte sipas stilit të opozitës, do niste të numëronte mangësitë, verifikimin e votimit. Mashtrimit me listat, votat me postë apo të atyre që janë me aftësi të kufizuar. Ai nuk bëri asnjë koment. Thjeshtë deklaroi se ishte humbës. Po kur ka pranuar ndonjë politikan shqiptar se është humbës dhe të urojë kundërshtarin për fitoren? Një shembull të vetëm nuk e gjen dot, përjashtuar kandidatin e PD-së për Bashkinë e Tiranës, doktor Kosovën. Po këtë pjesë të leksionit e anashkalon Lulzimi, Monika, Idrizi, Manjani, e tërë politikanët tanë. Secili i mëshoi fitores së opozitarëve. Po sa politikanë nga tanët e kanë bërë këtë në këto tri dekada? Pothuaj asnjëri. Dhe pastaj vrapojnë të mburrin politikanët kosovarë që u treguan të dinjitetshëm dhe mbajtën qëndrime kushtetuese dhe konform moralit të politikanëve korrekt. Ajo që evidentohet nga lavdet e liderëve të partive politike të Shqipërisë, është përpjekja për ta parë leksionin kosovar të zgjedhjeve dhe rregullsinë e tyre, si dhe fushatën e qetë që përshkoi tërë aktivitetin politik dhe tubimet në Kosovë, si leksion që duhet lexuar vetëm nga kundërshtarët. Ky mësim sipas liderëve tanë është për palën tjetër. Ata duhet ta dëgjojnë leksionin. Ata kanë nevojë. Lavdërues bërësit janë imunë. Të pagabueshëm. Të drejtë. Të ndershëm. Politikanë vizionarë. Në këtë mënyrë vetëpërjashtohen nga kjo përvojë, pasi për ta leksioni kosovar nuk është asgjë para përvojës së tyre, të cilën e vlerësojnë si model ideal. Kjo ishte brendia dhe përmbajtja e deklaratave të liderëve të partive tona në opozitë dhe atyre që bëjnë të pavarurin dhe flasin në emër të tyre. Leksioni që dha Kosova është për qeveritarët. Vetëm ata duhet ta lexojnë e zbatojnë leksionin kosovar!

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/10/2019 - 07:52

Prej vitesh mbajmë frymën pezull dhe vështrimin nga BE. Shqiptarët edhe pse populli më pro europian, janë të nëmur dhe përjashtuar nga sofra europiane.

Postuar: 13/10/2019 - 07:50

Njerëzit e kanë të qartë moralin e politikës.

Postuar: 13/10/2019 - 07:48

Duhet të pranojmë se në vendin tonë ka ende mjaft njerëz që jetojnë në varfëri, të cilët nuk arri

Postuar: 13/10/2019 - 07:46

Thonë se të vërtetën nga gënjeshtra e ndan vetëm drejtësia. Kështu duhet të jetë ligjërisht.

Postuar: 12/10/2019 - 07:51

Të enjten u shpallën fitues të çmimit Nobel për Letërsinë, autorja polake Olga Tokarçuk dhe shkri

Postuar: 12/10/2019 - 07:48

Nuk është problemi se ka bërë zhurmë kjo marrëzi e "Nobel Prize" me "dekorimin&quo

Postuar: 12/10/2019 - 07:47

Edhe pse nuk në është një risi që ndodh për herë të parë, dorëheqjet seriale nga Kadastra e Vlorë