BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe strategjia ushtarake

Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe strategjia ushtarake

Themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u themelua dhe veproi prej 10 qershorit të vitit 1879 deri më 30 prill të vitit 1881, në periudhën e krizës që kishte përfshirë Lindjen. Kriza Lindore e viteve 1877-1878 e shoqëruar me përfundimin e luftës ruso-turke dhe disfatën e Turqisë, përkeqësoi autoritetin dhe aftësitë e kësaj perandorie për të ruajtur sferën e influencës mbi shtetet që kishin qenë pjesë e saj. Situata e krijuar me Turqinë dhe veçanërisht vendimet e Kongresit të Berlinit, të vitit 1878, i cili parashikonte copëtimin e trojeve shqiptare në interes të vendeve fqinjë, shtoi rreziqet për Shqipërinë. Në këto situata, Fuqitë e Mëdha dhe fqinjët shovinistë të Shqipërisë nuk njohën kombin shqiptar dhe nxituan ta copëtonin atë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit mëshiroi në të njëjtën kohë edhe vetë lëvizjen kombëtare që zhvilloi populli shqiptar për të realizuar programin e Rilindjes Kombëtare.

E lindur në situata, kërcënime e agresione, Lidhja qysh në fillimet e saj mori përmbajtjen e një organizate politike me karakter të theksuar luftarak. Synimi i saj kryesor ishte të mos lejonte copëtimin dhe aneksimin e tokave shqiptare nga shtetet fqinje dhe të arrinte shpalljen e autonomisë nga Porta e Lartë. Meqenëse kërkesat e Lidhjes nuk u morën parasysh, lufta me armë për mbrojtjen e territoreve shqiptare u bë objektivi kryesor politik dhe ushtarak i veprimtarisë së saj.

Koncepti strategjik ushtarak

Në përputhje me strategjinë politike, si qëllim kryesor të luftës, Lidhja përcaktoi mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe thyerjen e çdo agresioni të mundshëm nga jashtë. Nisur nga ky qëllim, lidhja përcaktoi edhe konceptin strategjik, thelbin e të cilit e përbënte kryesisht karakteri mbrojtës i luftës, por pa hequr dorë nga lufta për çlirimin dhe rimarrjen e territoreve të pushtuara nga Mali i Zi dhe Serbia gjatë viteve 1877-1878. Në këtë kuadër ajo formuloi edhe strategjinë e saj ushtarake, objektivat kryesorë të së cilës ishin: organizimi dhe kompletimi i ushtrisë vullnetare; pajisja dhe armatimi i saj; hartimi i planeve për mbrojtjen e territoreve si dhe të kundërmësymjes për çlirimin dhe rimarrjen e territoreve të pushtuara; organizimi i prapavijës dhe zgjidhja e problemeve të drejtimit etj.

Në kërkesat e saj për mobilizimin e burimeve njerëzore, Lidhja synonte për një angazhim mbarëkombëtar, baza kryesore e të cilit do të ishte vullnetarizmi i tyre. Kriteri bazë i mobilizimit mbështetej në traditën shumë shekullore “një luftëtar për shtëpi”, por në raste të situatave kritike dhe në krahinat kufitare shpesh gjente zbatim parimi “tre luftëtarë për shtëpi”. Forcat e Armatosura do të quheshin “Roja Kombëtare” dhe bazuar në regjistrimin e popullsisë të bërë nga Lidhja do të arrinte në 260.000 veta. Në varësi të situatës, koncepti për mobilizimin e popullsisë do të realizohej i pjesshëm dhe i përgjithshëm. Mobilizimi i pjesshëm do të bëhej për kompletimin e reparteve dhe njësive që do të përdoreshin për mbrojtjen e zonave kufitare në rast mësymje të armikut. Mobilizimi përfshinte moshat 15-70 vjeç. Të mobilizuarit, grumbulloheshin në “Kampe Ushtarake”, në të cilat pas organizimit në reparte dhe njësi, i nënshtroheshin stërvitjes ushtarake. Qendra të tilla u krijuan në rajonet kufitare si në Ulqin, Shkodër, Plavë, Guci, Pejë, Novipazar, Gjakovë, Shkup etj.

Risia shqiptare, korpuse dhe divizione ushtarake

Struktura e “Rojës Kombëtare” do të përbëhej nga pesë korpuse, prej tyre katër në Shqipërinë e Veriut dhe një në Shqipërinë e Jugut. Çdo korpus do të përbëhej nga disa brigada dhe në tërësi do të ishin forca këmbësorie. Në disa drejtime forcat e Lidhjes u përforcuan me artileri, mjete lundruese, ndërlidhje, shërbim të zbulimit, reparte shëtitëse dhe reparte të mbrojtjes së kalave. Në planet e Lidhjes kërkohej që në çdo batalion këmbësorie të formohej kompania kalorëse, e cila do të përdorej për transport njerëzish dhe të materialeve luftarake.

Strukturat e mëdha ushtarake, korpusi dhe divizioni nuk konceptoheshin si njësi të përhershme. Ato qëndronin të grumbulluara për aq kohë sa vazhdonte kërcënimi për luftë. Karakteristikë është se strukturat dhe organikat luftarake ishin përcaktuar me detaje. Çdo njësi, repart e nënrepart kishte të përcaktuar strukturën vartëse, sasinë e luftëtarëve, strukturat mbështetëse, nivelin e gradave të drejtuesve etj. Sipas organikave të përgatitura çdo kompani do të kishte 100 luftëtarë; batalioni do të kishte katër kompani këmbësorie dhe një kompani kalorësie me efektiv të përgjithshëm 500 veta; një regjiment do të kishte katër batalione me efektiv të përgjithshëm 2000 veta; ndërsa brigada do të kishte 4000 veta. Në raste situatash të ngutshme strukturat mund të reduktoheshin, kështu batalioni mund të kishte 3000 veta, regjimenti rreth 1200 veta dhe brigada rreth 250 veta. Sipas përllogaritjeve të Lidhjes “Roja Kombëtare” do të kishte 380 batalione në Shqipërinë e Veriut dhe 100 batalione në Shqipërinë e Jugut. Në pikëpamje të përdorimit të forcave sipas nevojave për përballimin e kundërshtarit, lidhja ngriti një sistem të admirueshëm gatishmërie, i cili përfshinte forcat e ruajtjes, zbulimit, sigurimit, të përballimit të agresionit etj.

Forcat e gatishmërisë dhe mobilizimi i përgjithshëm

Në varësi të veprimeve të kundërshtarit, të kohës së nevojshme për futje në luftim, largësisë së rajoneve të mobilizimit, forcat e gatishmërisë ndaheshin: të radhës së parë, të dytë dhe të tretë. Forca të radhës së parë ishin repartet kufitare, të ruajtjes dhe të zbulimit, të cilat zakonisht formoheshin nga vullnetarët e popullsisë kufitare. Detyra kryesore e këtyre reparteve ishte vrojtimi, zbulimi dhe pengimi i kundërshtarit. Forca të radhës së dytë ishin forcat që formonin njësitë kryesore për mbrojtje. Ato formoheshin nga vullnetarë, nga popullsi në thellësi të territorit të vendit dhe organizonin mbrojtjen për të përballuar mësymjen e armikut. Forca të radhës së tretë ishin forcat e rezervës strategjike dhe dilnin nga viset e thella të vendit. Detyra kryesore e tyre ishte përforcimi i mbrojtjes dhe dhënia e kundërgoditjeve dhe kundërmësymjes. Në planin e lidhjes, forcat e Shqipërisë së Mesme ku bënin pjesë popullsia e Matit, Krujës, Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit përbënin rezervat strategjike të Lidhjes dhe do të përdoreshin për në përforcimin e mbrojtjes në drejtim të Shkodrës si dhe do të merrnin pjesë në kundërmësymjen për të rimarrë territoret e pushtuara nga Mali i Zi.

Koncepti për prapavijën

Në konceptin e saj për mbështetjen, lidhja krijoi aparatin e prapavijës, i cili do të merrej me sigurimin e armatimit, municionit, ushqimit, veshmbathjes, strehimit të efektivave etj. Në krye të këtij aparati qëndronte një komision, i cili kishte strukturat vartëse në çdo krahinë. Këto komisione kishin në varësi reparte speciale shëndetësore, transporti dhe ruajtje.

Drejtimi dhe organizimi më i lartë ushtarak i Lidhjes ishte Seksioni i Financës dhe i Mbrojtjes. Ky seksion mori formën e një Këshilli dhe Shtabi Ushtarak Madhor duke vepruar kështu deri në fund të aktivitetit të Lidhjes më 1881, kohë kur Lidhja u shtyp nga ushtria turke. Seksioni i mbrojtjes kishte për detyrë të hartimit të planeve dhe urdhrave për mobilizimin dhe plotësimin e formacioneve luftarake; të organizimit e të kontrollit të gatishmërisë; të drejtimit e bashkëveprimit strategjik etj. Ky sektor drejtohej nga Sulejman Vokshi dhe aktiviteti i tij drejtues u ndje në njësitë e Shqipërisë Veriore, Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit, Dibrës dhe Shkupit. Organe drejtuese politiko-ushtarake të një shkalle më të vogël ishin “Komitetet e Mbrojtjes” të degëve kryesore të Lidhjes. Këto komitete kryesisht morën karakterin e shtabeve ushtarake dhe u morën me problemet e organizimit të mbrojtjes. Në situata të veçanta këto komitete edhe shtabe ushtarake speciale të cilat merreshin me drejtimin e operacioneve të veçanta u quajtën edhe “Komitete shpëtimi”, “Qendra të operacioneve”, ose “Këshillat e oficerëve të divizioneve” etj.

Zgjedhja dhe përcaktimi i kuadrit komandues u vlerësua si një nga çështjet më serioze në organizimin e strukturave ushtarake. Udhëzimet e dhëna nga Lidhja ishin që përzgjedhja të bëhet nga njerëzit që kishin aftësi, përvojë dhe autoritet. Zgjedhja e tyre të bëhet vetëm me pëlqimin e popullsisë. Një kontingjent i mirë komanduesish ishin dhe ish-ushtarakë shqiptarë që kishin shërbyer më parë në ushtrinë turke.

Drejtimet kryesore strategjike

Për realizimin e objektivave ushtarake, Lidhja formuloi edhe “Planet Strategjike”, qëllimet e të cilave shprehen qartë në urdhëresën ushtarake të saj të 18 qershorit 1878 ku parashikonte: “....ndarje pune për mbrojtjen e trojeve të Shqipërisë prej veriut deri në jug, ndihmën ushtarake të shoqishoqme”. Në planet strategjike jepen udhëzime për organizimin e mbrojtjes me drejtime të përcaktuara strategjike. Drejtimet kryesore strategjike u vlerësuan ai kundër Malit të Zi dhe Serbisë e më pas vinte ai kundër Greqisë. Në këtë kuadër ishte parashikuar edhe ndarja e përgjegjësive dhe detyrave operacionale të strukturave ushtarake që kishte Lidhja. Kështu Korpusi i Kosovës, i cili parashikohej të arrinte 70.000 veta duhej të mbronte një front prej 250 km. Detyra kryesore e tij ishte përballimi i mësymjes Serbe, si dhe kalimi në kundërmësymje për marrjen e territoreve të pushtuara nga serbët para vitit 1878. Korpusi i Shkodrës, i cili parashikohej të arrinte 60.000 veta duhej të mbronte një front prej 200 km. Detyra kryesore e tij ishte përballimi i mësymjes malazeze, si dhe kalimi në kundërmësymje për marrjen e territoreve të pushtuara të tyre. Korpusi i Shkupit i cili parashikohej të arrinte 40.000 veta duhej të mbronte një front prej 40 km. Detyra kryesore e tij ishte mbrojtja në drejtim të Bullgarisë. Ky korpus ishte parashikuar të përforconte Korpusin e Kosovës për mbrojtje si dhe gjatë pjesëmarrjes në kundërmësymje. Korpusi i Shqipërisë së Jugut, i cili parashikohej të arrinte 70.000 veta, detyrë kryesore të tij kishte përballimin e agresionit grek. E veçanta ishte se mbrojtja në këtë drejtim parashikohej me sektorë të veçantë. Korpusi i Novipazarit, i cili parashikohej të arrinte 20.000 veta, do të shërbente si forcë plotësuese e Korpusit të Kosovës dhe atij të Shkodrës dhe nuk kishte front të veçantë mbrojtje.

Vlerësimi real i terrenit, veçanërisht i viseve kufitare shqiptare ku pjesën dërmuese të tij e përbënte terreni i thyer malor, bëri që organizimi i mbrojtjes të bëhet me drejtime, duke mbuluar rrugëkalimet dhe luginat kryesore. Kjo bëri që fronti i vendosjes për mbrojtje të zvogëlohej dhe njëkohësisht krijonte mundësi të kursimit të forcave të cilat mund të përdoreshin në drejtime të tjera. Në kuadër të parashikimit të kalimit në kundërmësymje veçanërisht në drejtim të Malit të Zi dhe Serbisë, Lidhja parashikoi jo vetëm sasinë e forcave pjesëmarrëse, por edhe masat që do të shoqëronin këto operacione si mbështetja dhe sigurimi i prapavijës materialo-teknike, kryerja e manovrës së forcave, organizimi i bashkëveprimit midis njësive të mëdha etj.

Sfidë për të gjithë armiqtë

Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte në të njëjtën kohë një lëvizje kombëtare e mbarë shqiptarëve, të cilët kudo që u ndodhën, në qytet apo në fshat, në malësi apo në fushë, në atdhe apo në mërgim, luftuan për të realizuar programin e saj, pavarësisht nëse bënin pjesë në hallkat e saj organizative. Veprimtarinë e saj tre vjeçare, Lidhja Shqiptare e Prizrenit e zhvilloi në rrethana politike të brendshme dhe të jashtme më të ndërlikuara se ato të lëvizjeve antiosmane të shekujve të kaluar. Këtë radhë shqiptarët patën kundër tyre jo vetëm Perandorinë e Gjysmëhënës, jo vetëm qarqet feudale dhe klerikale sulltaniste, por edhe reaksionin ndërkombëtar, të gjitha Fuqitë e Mëdha që diktonin fatin e popujve të vegjël sëbashku me monarkitë fqinje ballkanike. Madhështia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit qëndron në faktin se duke vepruar në kushtet e zgjidhjes shekullore të huaj ajo u lëshoi sfidë të gjithë armiqve të Shqipërisë. Madhështia e saj qëndron në udhëheqjen e lëvizjes kombëtare për autonominë e Shqipërisë në mënyrë të shkallëzuar, por gjithnjë në rritje, derisa arriti në momentin e saj kulmor, të formonte qeverinë e përkohshme shqiptare dhe të hynte në luftë të armatosur me Portën e Lartë për të formuar shtetin kombëtar shqiptar.