BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Opinion / Editorial

Ligësi pa kufi edhe në kohë koronavirusi!

Ligësi pa kufi edhe në kohë koronavirusi!

Edhe në këtë kohë epidemie botërore ndahen opinionet. Ata që mbajnë lartë virtytet dhe të tjerët që mbajnë si flamur ligësinë e shpifjet. Të mësuarit me kritika dhe nxirje vijojnë bojatisjen me katran të realitetit dhe mbytin me pesimizëm edhe atje ku kërkohet të jepet pak shpresë dhe  kurajo. Gjatë këtyre ditëve, jo vetëm në Shqipëri, po kudo e gjithë lufta është duke u zhvilluar ndaj të keqes më të madhe të këtij shekulli. Kovid -19.Kjo është lufta reale. Gjithë të tjerat janë punë që presin. Është nga ato beteja që nuk ke armikun e dukshëm përball, që nuk bënë aspak punë inteligjenca dhe organizmat e mbrojtjes së shtetit dhe qytetarëve nga keqbërësit, atyre që marrin përsipër të mbrojnë interesat e një pale të caktuar ndërluftuese. Nuk ka bomba dhe flakëhedhëse në këto ditë.

Në qiej nuk fluturojnë avionë bombardues të ngarkuar me bomba dhe predha që rrënojnë gjithçka dhe njerëzit në emër të jetës të vrapojnë për tu strehuar në baza të sigurta për të mbrojtur kokën. Nuk ka ushtarë që të drejtojnë tytën e armës dhe mbajnë gishtin në këmbëz. Po ka një ushtri mikroskopike, gati fluide, të padukshme që edhe natyrën që sot është në pranverë edhe pemët çelin lule, parqet  dhe liqenet që shkëlqejnë nga ndriçimi i diellit  nuk të lejojnë t`u gëzohesh pasi në çdo centimetër  pret tinëzisht armiku i rrezikshëm, virusin vdekjeprurës i cili po merr jetë në gjithë globin. Kudo flitet për heriozmin e shteteve dhe ata të vijës së parë që janë mjekët të cilët janë të vetmit ushtarë veshur me të bardha, të armatosur me shiringa e medikamente, respiratorë, skanera, ultratinguj, që mbajnë në  jetë me frymëmarrjen e  drejtuar të gjithë ata që mikrobi u ka bllokuar mushkëritë dhe nuk I lejon të marrin frymë, duke iu nënshtruar fatalitetit. Kudo nëpër mediat më të rëndësishme të globit, lajmi I parë është numri i të infektuarave, të vdekurve dhe atyre të shpëtuar nga kjo flamë që ka mbuluar njerëzimin që duhet thënë se bota u gjend pa mbrojtjen e nevojshme dhe ku shtet që kanë ngritur teknologjitë në Himalaje nuk mundën dot të ndërprisnin rrugëtimin e virusit të vdekjes. Gjithsesi edhe në këto momente të vështira, njerëzimi është mobilizuar në betejën më të egër atë të shpëtimit të jetëve me çdo çmim. Nga do, veç lajmeve që ngjallin pesimizëm, vijnë edhe lajme të cilat na përcjellin besim dhe kurajo. Ky është mesazhi që japin më të mirët, ata që flasin në emër të jetës dhe vënë në dispozicion të shërimit të të prekurve, gjithçka kanë, si profesionistë me dijet dhe përvojën, specialistë e misionarë të jetës. Dikush me pasurinë  e tij vë në dispozicion miliona dollarë për t`i dhënë zgjidhje zbulimit të vaksinës, të tjerë dërgojnë ndihma e medikamente dhe pajisje nga fundi i botës, siç bëri edhe Kina këto ditë që nga mijëra kilometra largësi, nisi drejtë Shqipërisë pajisje për ekzaminimin me urgjencë të të prekurave nga virusi fatal. Siç veproi edhe Turqia që nisi dhjetëra pajisje në ndihmë të  sistemit shëndetësorë të Shqipërisë. Siç bëri  vendi ynë me riatdhesimin e qindra qytetarëve të mbetur në aeroportet e botës apo me dërgimin e qytetarëve europianë drejtë vendeve të tyre.

Këto shembuj humanizmi  nuk do ishin të plota në se nuk do përmendnim këtu  dërgimin  e tridhjetë mjekëve dhe infermierëve në Italinë mike. Ua kishim dhe jua kemi borxh italianëve pasi ata kanë qënë pranë nesh që orët e parë të vitit 1990. Kanë qënë të pranishëm në të gjitha dhimbjet tona, me  ndihma, me kontribute, me pranimin dhe integrimin e  mijëra shqiptarëve ne vendin fqinjë. Me hapjen e dyerve të spitaleve dhe universiteteve për studentët shqiptarë. Me kontribute direkte për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Europës. Nuk mund të numërohen aktet dashamirëse të Italisë ndaj vendit tonë. Dhe ne për italianët kemi një afeksion shpirtëror që buron nga sjellja e tyre shekullore. E gjithë bota e përshëndeti këtë gjest shqiptar. Shtypi botëror, majat e gazetarisë dhe mediave e vlerësuan me nota supervlerësuese. Ata që shkuan atje janë pjesë e jona, kanë në deje gjakun tonë. Shkojnë atje si misionarë në emër të jetës dhe për të mbrojtur jetë në betejën më të ashpër me virusin vdekjeprurës. Ata nuk janë titanë, as ufo, apo alienë as mbi njerëz. Nuk janë pjesë e qeverisë as qeveritarë. Nuk është qeveria. Nuk janë Edi Rama, Janë njerëz me gjak dhe në çdo rast të rrezikuar. Pikërisht për këtë janë mirëpritur dhe vlerësuar nga mbarë bota, së pari nga italianët, të cilët duket sikur kanë kaluar çdo limit të dashamirësie dhe vlerësimi. Po popujt, kanë gjuhën e tyre të komunikimit. Kodet e sjelljes. Dhe këto zënë fill që me lindjen e njerëzimit.

Kanë kodet e tyre të cilat kanë lindur bashkë me njeriun. Po edhe kur Shqipëria bëri një gjest të lavdërueshëm që kërkon të mbahet shënim në memorien e qytetarëve, edhe kur hidhet një hap ndryshe edhe kur merr vlerësime me superlelativa, do dalin ca birbo që fatkeqësisht janë brenda strukturave opozitare dhe individ që bëjnë propagandën e partive politike me të drejtën që u jep demokracia, të vënë në dyshim, të bëjnë tellallin e ligësive për të zbehur edhe atë që shkëlqen  si dielli. Është vërtetë e dhimbshme, të lexosh në disa portale broçkulla, si ato të akuzave se njëri nga infermierët, Qazimi siç quhet nuk është infermier edhe pse ai ka dy dekada që punon në këtë sektor dhe është i linçensuar, duke  etiktetuar pompist. Është vetëm një qëllim si të hidhet baltë dhe të bëhet zhurmë për të ulur në minimum vlerën e një akti qytetar dhe kthim borxhi që shteti shqiptar ka ndaj Italisë fqinje. Po zhurmuesit janë edhe liderë në opozitë të cilët duan të gjurmojnë rrënjët e atyre që lanë atdheun dhe shtëpitë dhe u nisën për në vijnë e parë të frontit, ku luhet beteja e ashpër mes jetës dhe vdekjes. Ata janë atje, si engjëj të jetës dhe luftojnë në emër të saj, duke dhënë kontributin e tyre modest mes kolegëve italianë. Nuk shkuan me idenë se do të shpallen heronj. Dhe në atë betejë nuk janë të imunizuar. Atje nuk ka vend për tu shpallur heronj.

Më e mundshmja është dëshmorë të mbrojtjes së jetës. Po ata nuk morën parasysh asgjë, vetëm  të zbatojnë në praktikë betimin e Hipokratit dhe të ruajnë jetën e qytetarëve pasi jeta e të gjithëve është e barabartë para misionarëve të shëndetësisë. Po atyre që nuk u mbyllet goja nuk është faji i mjekëve të Shqipërisë. Ata, Vasilët, Palokët, Manjanët, Bushatët nuk mund të heshtin edhe përball vdekjes. Për ta më shumë vlerë kanë ligësitë, vjellja e vrerit dhe ndezja e urrejtjes dhe mbajtja gjallë e sherrit për pushtet. Ata janë të vetmit opozitarë në botë që bëjnë opozitë me vdekjen. Nuk mund të bënte mënjanë ligësia e doktor Berishës në këto ditë të dhimbjes. Ai nuk mund ta fiki për asnjë çast qytetarin dixhital dhe nuk mund të mos prodhojë virusin e përçarjes dhe urrejtjes, gjoja se mbron pushuesit në Tajlandë dhe sulmon në këto momente kritike ata që janë në krye të jetës në betejë me vdekjen që gjendet kudo dhe na qëndron si shpatë mbi krye. Ligësia e dhjetëra analistëve dhe opinionistëve, të cilëve u ka munguar buka e hidhur e betejës anti qeveri, gjatë këtyre ditëve, ashtu si kovid-19, kanë ndryshuar strategji siç verpon virusi me derivatet e tij e mutacionet që shpërthejnë ditë pas dite  në betejën e  tyre permanente. Opozitarët tanë ose do minimizojnë masat e marra nga qeveria ose do ndezin fitilin e urrejtës ose do përgojojnë gjithçka bëhet në këtë vend në emër të jetës kundër vdekjes. Ligësia e të ligjeve nuk gjejnë prehje edhe në kohën më të zezë në betejën me koronavirusin. Nuk e tha kotë Berisha që viti 2021 do ta gjejnë Shqipërinë pa kovid dhe pa Ramën. Ai dhe gjithë shpura e tij nuk kanë hallin te virusi, po te virusi i pushtetit që e mbajnë thellë në shpirt për ta ndezur flakë gjithë Shqipërinë pa përfillur edhe vet koronavirusin!