BREAKING NEWS

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i përgjigjet Sali Berishës

'Iku nga Durrësi se mori vesh se do shkonte Basha', Rama i
x

Opinion / Editorial

Ligji i "kohezionit" ose një vrimë në ujë

Ligji i "kohezionit" ose një vrimë në ujë

Një ligj i prodhuar në heshtje, dmth pa debatet foshnjarake të deputetëve tanë "unë dua" e "ti nuk do", dhe me miratim të plotë, disa orë para pushimeve të gushtit, nga Parlamenti ynë (sikur do t'ia vidhnin vetvetes me nxitim), mban titullin "Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”! Emërtimi i ligjit në pamjen e parë të josh të ekzaltohesh dhe të nisësh duartrokitjet për qeverinë dhe pastaj për Parlamentin që dikush ndoshta gabimisht e quan “ilegjitim” dhe “sakat”. “Bravo u qoftë atyre që e stisën, e kuturisën dhe e bitisën këtë ligj”, do të thoshte ndokush. Do të dëshironim që të mos ishte hihedhje sysh!

Siç shohim nëpër media, ky ligj, është ngritur mbi tri shtylla kryesore synimesh:

1. Ndalimi i shpopullimit;

2. Ulja e papunësisë tek të rinjtë ;

3. Zvogëlimi i pabarazive. I lexuar kështu, sakaq secili mendon se kjo qeveri do të bëka një kthesë marramendëse për të sjellë, së pari, në "islla" tërë ata që u mbeti goja e mendja "Do të ikim"! Bukur fort, po si do të arrihen këto?

Pak nga e kaluara e afërt

Le ti'u referohemi disa shifrave: në vitin 1990, socializmi "ia dorëzoi" kapitalizmit Shqipërinë të lodhur e të drobitur nga mendësitë dhe pasojat e rrethimit kapitalisto-revizionist, me disa rezultate ekonomike të dobësuara, mjaft tregues psikologjikë të rënduar, por realisht me shifra demografike të mëdha, pra me brumin njerëzor të plotë për të realizuar "rrotullimin 360 gradë drejt ekonomisë së tregut", nga pronë shoqërore, në pronë private. Në atë vit vendi ynë, kishte popullsi tre milionë e kusur njerëz, banorë të ngulitur ligjërisht e tradicionalisht në 2848 fshatra, të ndara territorialisht me rigorozitet shkencor dhe praktik në 26 rrethe, si dhe 67 qytete me 306 lagje. Vendi ishte me industri të rëndë e të lehtë, ku 80 përqind e teknologjisë ishte bashkëkohore, me bujqësi ku punohej për rendimente të larta, me kulturë në nivele të papara në të shkuarën, me mbrojtje të fuqishme dhe me prestigj në botë. Shtojmë se popullata kishte moshë mesatare 27 vjeç. Mirëpo teoria e rrafshimit të gjithçkaje drejt kuotës "zero" e "heronjve dhjet-oristë", atyre të pardesyve bojëmiu që mbanin Azemi, Gramozi, Saliu, etj. bëri atë që çdo gjë u përmbys për të mos u ngritur më. Tani, në 2020, pas 30 vjetësh pune intensive për të mbushur xhepat e borgjezisë së re e të pangopur, për të lëpirë këpucët e miliarderëve amerikanë e europianë, për të zhdukur tërëçka komuniste, për të edukuar psikologjinë e pronës private në tërë rrembat e jetës, duke mos u ndalur as tek vrasjet e përditshme për gardhe, troje, prona, vija uji e qoshe arash, qeveritë dhe parlamentet (sepse në përgjithësi ata që rrogohen në qeveri, bërtasin në Parlament e anasjelltas), në realitet kanë marrë masa “drakoniane” duke nisur nga ligji famëkeq 7501. Për të dalë nga gjendja "zero" e pastaj për të nisur udhën drejt "njëshit", qeveria e Parlamenti, nuk e ka as në dorë e as të saktë si popullatën, ashtu edhe numrin e fshatrave, e keq e më keq gjendjen ekonomike. Mirëpo "rrota lëviz, edhe pse lëviz ngadalë dhe pse me shumë zhurmë"! Sot kanë mbetur më pak se 2100 fshatra, (edhe ata me popullsi të cunguar), është përgjysmuar popullsia e qyteteve përveç Tiranës, që ka shkuar në një milionë frymë dhe pjesa më e madhe e rinisë ka ikur në emigracion, nga Kili i Amerikës Latine deri në Alaskë e Vankuver të Kanadasë... Migrimi brenda vendit, një tjetër plagë e rëndë, është rrjedhojë e parullës antikombëtare, antiligjore e ish-kryetarit S.Berisha kur tha: "Secili gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë!" dhe nuk vonoi shumë kur fushat e ish-fermave bujqësore socialiste fushore u mbushën me copa druri të ngulura mbi një shkop ku shkruhej "Tok e xanun". Atëherë si do ta ngulë shtyllën e mosshpopullimit tashmë, ky i ashtuquajtur ligj, që na krijon edhe një hallkë më tepër, rajonin, në zgjedhën e zverkut të taksapaguesve të gjorë shqiptarë?!

Pak nga e kaluara socialiste

Këto tri shtylla, (që na i përmend sot ky lloj ligji i këtij soj Parlamenti, që më shumë mund të përcaktohet si çorbëtrazues se sa ligjprodhues), i ka pas menduar thellë, latuar bukur dhe ngulur energjikisht në Shqipëri për gjatë historisë së dhjetë shekujve, drejtpërsëdrejti për të mirën e popullit shqiptar, vetëm Enver Hoxha dhe sistemi ekonomiko-shoqëror socialist për jetëgjatësinë e tij 1944-1980.

Po flasim pakëz fillimisht për shtyllën e parë: ndalimi i shpopullimit. Argumentet janë të shumta, por le të cekim disa nga më të paharruarat. A nuk ju kujtohet që askush nuk mund të largohej nga fshati pa plan, ligj, miratim të organeve përkatëse partiake e shtetërore? Po parulla "Tu qepemi kodrave e maleve e t'i bëjmë ato pjellore si dhe fushat" a nuk ju kujtohet? Dhe rezultatet e asaj iniciative ishin mahnitëse! Të gjithë ata që lindnin regjistroheshin aty dhe aty e kishin vendbanimin deri sa të bëheshin në moshë pune. Dhe nisnin punë fill pas shkollës. Po iniciativat edhe pse paksa të çuditshme, për të shkuar e ndihmuar fshatin, për të njohur jetën dhe vuajtjet e fshatarit, për të shkruar për jetën e fshatit, (kujtoni Jakov Xoxën me romanin e tij "Lulet e Kripës"etj.)? Po investimet kolosale që shkonin në interes të fshatit për të përmirësuar shëndetin, edukimin shëndetësor, higjienizimin, apo për të mekanizuar proceset bujqësore dhe ato të prodhimit të produkteve blegtorale dhe artizanale?

Edhe pakëz: Ndokush që ëndërronte Amerikën dhe arratisej, kapej, futej në burg dhe aty edukohej me punë dhe vetëm punë. Ndonjëri që vidhte, gënjente, mashtronte, bënte propagandë për “liri veprimi e mendimi”, që abuzonte në detyrë apo "fliste kodra pas bregut", ndëshkohej, gjobitej dhe edukohej forcërisht me punë.

A nuk e mbani mend që fuqinë punëtore, fabrikat dhe uzinat e shumta e moderne për kohën, të ndërtuara me plan dhe sistem në të gjithë territorin e republikës, sipas parimit atje ku është lënda e parë, e morën nga fshati, madje nga shumica dërrmuese e fshatrave të thella ku fillimisht nuk kishte mundësi prodhimi të bollshme, por vetëm me plan të mirëdetajuar për të mos krijuar shkallëzime në mirëqenie të familjeve të atjeshme? Pra kështu për 40 vjet nuk pati shpopullim sepse kishte punë, strehim, shkollim, shëndetësim aty në fshat. Kishte zbatim ligji dhe disiplinë administrative e shkencore në ecurinë zhvilluese në ngjitje të shoqërisë.

Shtylla e dytë që kërkon të ngulë kjo qeveri dhe ky Parlament është : ulja e papunësisë tek të rinjtë. Dhe këtë kërkon ta realizojë me ndarjen e Shqipërisë në katër rajone?! Nuk mjaftojnë 61 bashki, 12 qarqe po na u dashkan edhe 4 rajone?! Dmth u dashka togfjalëshi magjik "rajon zhvillimi" e nuk mjafton termi "bashki", që të sigurohet ulja e papunësisë dhe njëherazi lexo: shtimi i burokracisë! O Perëndi, nëqoftëse je gjëkundi! Na ndihmo që ta kuptojmë këtë paradoks!

A nuk ju kujtohet se, në sistemin që instaloi pushteti popullor në Shqipëri, në tërësinë e masave që edukoi Partia e Punës e Shqipërisë, djemtë pasi kryenin shërbimin ushtarak ktheheshin të gjithë në fshat e në qytet atje ku kishin lindur dhe atje iu gjendej urgjent punë e strehim? Po djemtë e vajzat që kryenin shkollat e mesme e të larta dhe ishin të detyruara, përgjithësisht, të ktheheshin për të nisur punë vetëm atje nga ku kishin ardhur, a nuk ju bie ndërmend? Po të dënuarit që kryenin dënimin, u gjendej punë dhe strehim, a u vjen në kujtesë? Dhe më tej: ligji që kush nuk punon quhet parazit i shoqërisë dhe dënohet deri me privim lirie, a iu bie në mendje?

Më i pabesueshmi dhe më mashtruesi i kësaj qeverie e këtij Parlamenti lidhur me këtë ligj është synimi: zvogëlimi i pabarazive. Kjo më duket se nuk do koment, mbasi nuk ke se ku të bazohesh që të komentosh. Kjo është një fjali në efir që nuk tregon asgjë, nuk synon ndonjë gjë reale për të arritur dhe quhet shqip: mashtrim, sepse vetë sistemi kapitalist ka në themel këtë pabarazi, kontradiktë që nuk ngushtohet, por ashpërsohet deri në përplasje e luftë. Zbutja është vetëm me fjalë e lëmosha joshëse. Kush është në gjendje që të na thotë se cila copëz e pabarazisë midis borgjezisë së re shqiptare dhe fermerit apo punëtorit shqiptar, do të zvogëlohet? Paga, strehimi, shkollimi, fitimi? Cili?

“Reformat” territoriale kapitaliste dhe pasojat e tyre

Shqipëria historikisht ka qenë e madhe në sipërfaqe dhe në popullsi shqipfolëse, dhe të mëdhenjtë e Europës e katandisën në të shtet të vogël, komb të ndarë nëpër gjashtë shtete nga të cilët dy janë tërësisht një komb. Pabesueshmëri, por realitet historik! Kapitalistët e rinj shqiptarë, ulur nëpër karrige qeveritare apo parlamentare, thellohen akoma më shumë, sipas udhëzimeve të ustallarëve, hip e zbrit nga kolltuku dhe bëj ndarje e rindarje territoriale. Kjo e fundit e vitit 2014 që u duk sikur qe më e mira, asgjë thelbësore të re nuk solli, sepse rrogëtarët thuajse mbetën po aq si sasi; disa funksione dolën nga dera dhe hynë nga penxherja!

Asnjëherë nuk u mor vesh përse i duhet qarku e prefektura administrimit të popullatës dhe prodhimit të vogël bujqësor apo sipërmarrjeve private?! Akoma nuk e dinë shqiptarët përse zgjidhen 140 deputetë dhe 14 ministra në këtë vend me dy milionë e tetëqind mijë banorë? Tani shtohen edhe katër rajone, sigurisht jo më pak se qindra rrogëtarë. Pra po shkojmë tek një burokratizëm i fetishizuar, që realisht thellon e jo ngushton pabarazinë sociale. Flasim vetëm për shifrat e atyre që marrin rrogat në bordero, relativisht të mira, e jo për profesionalizmin dhe aftësitë e tyre në kryerjen e detyrës. Kjo e dyta është "kúje më drekë" se sundon vetëm militantizmi e jo edukata profesionale, shkollimi dhe aftësitë e merituara. Madje nuk ka as kritere për të njohur dhe gjykuar sistemin dhe hierarkinë e vlerave të vërteta intelektuale për vendosjen në punë, por ky është problem tjetër madhor.

Lidhur me ligjin e porsamiratuar le të marrim për ilustrim vetëm një shembull në një fshat me 42 familje: Në fshatin tim të lindjes është një shkollë e bukur, godinë trekatëshe, dikur, në vitet 1980, me 485 nxënës dhe 52 mësues, kurse sot aty "mësojnë" shtatë nxënës dhe paguhen dy mësues. Në 13 fshatrat e tjera të njësisë administrative nuk ka as nxënës, as mësues. Disa fëmijë shkojnë nëpër të afërmit e tyre në qytetin më të afërt për t'u shkolluar dhe të tjerët analfabetë venë me dhi e dhen. Kështu është thuajse në tërë krahinat e thella rurale në atdhe. A ka krim më të madh për të ardhmen e kombit? Në fshat dikur kishte strukturë të plotë spitalore, deri edhe maternitet, tani nuk ka as godinë e as mjek apo infermier për shëndetin e familjeve të fermerëve.

Ka disa momente që duhet të ndalemi në detajet e synimet e këtij ligji, të bukur në pamje, të pamëshirshëm në brendi dhe një "vrimë në ujë" si përfundim! Së pari,pyesim: Ku janë fondet, kush i jep e kush i përdor për zbatimin e këtij ligji? Së dyti, çfarë studimesh paraprake afatshkurtra apo afatgjata janë bërë nga specialistët përkatës për të arritur këto synime? E treta, cilat janë aspektet prodhuese të emërtuara, të miratuara mbi bazë shkencore që lidhen me lëndën e parë, kushtet klimatike, bazën materiale e mekanike, popullsinë, traditën dhe fuqinë punëtore, që do të sjellin të mira materiale konkrete për popullatën e bashkive ekzistuese apo rajoneve bllofuese? Asnjë nga fjalitë e zëvendëskryeministrit, apo të politikanëve llafollogë të partive të tjera, nuk shpjegon dhe nuk iu jep përgjigje këtyre pyetjeve që bëjnë njerëzit e thjeshtë. Ja dëgjoni: Ai që zëvendëson kryetarin e qeverisë, thotë se "rajoni" nuk do të jetë term administrativ, por ama ligji nënvizon se këto janë “rajone zhvillimi” të përcaktuara si "njësi territoriale". Lojë fjalësh, jo Ali Hoxha po Hoxhë Alia!

Së fundi, ky ligj, për turp të dynjasë, nis me fjalë të mëdha si socioekonomik, kohezion dhe identiteti rajonal i Shqipërisë. Nuk është vendi të ndalemi në kuptimet gjuhësore të këtyre “llokmave” sepse merret vesh lehtë se këtu ka megalomani, mungesë profesionalizmi, politikë të ndotur dhe mashtrime. Shqipëria do punë prej një drejtuesi atdhetar e jo "politikbërës" dhe zbatues i verbër i urdhrave të të huajve. Ligje të tilla, si ky i "kohezionit", ashtu si dhe shumë të tjerëve më parë, nuk i sjellin dobi popullsisë rurale apo urbane, por vetëm bosëve të dollarit dhe të euros, pasanikëve të rinj të këtij vendi.