BREAKING NEWS

Telefonata që i habiti të gjithë në studio! Zbulohet kush është modelja shqiptare që i ka marrë mendjen Silvio Berlusconit!

Telefonata që i habiti të gjithë në studio! Zbulohet kush
x

Opinion / Editorial

Ligji nr. 7501 “Për tokën” dhe Dritëro Agolli

Ligji nr. 7501 “Për tokën” dhe Dritëro Agolli

Përkujtimi i katër vjetorit të vdekjes së poetit të madh Dritëro Agolli para ca ditësh dhe aksioni i nisur nga zyrat e AKSH për azhurnimin dhe certifikimin e tokave të ish-kooperativave bujqësore, u bënë nxitje për të shkruar këtë shkrim. Tek u shkrua shumë për gjigantin e letërsisë, apo vargmalin Dritëro, siç e quajti Namik Dokle, mu kujtua qëndrimi që mbajti deputeti Agolli në Parlamentin e parë pluralist ndaj njërit nga ligjet më të rëndësishme në fillimet e demokracisë, siç ishte Ligji nr.7501 “Për tokën” i datës 19.7.1991. Ky është një ndër ligjet i cili, jo vetëm që nuk u zbatua asnjëherë siç duhet gjatë këtyre 30 vjetëve, por ka sjellë dëme të pariparueshme e ngatërresa që vazhdojnë edhe sot. Dritëro Agolli atëherë që i vetmi deputet që votoi në Parlament kundër ligjit “Për tokën”, përballë asaj aleance dinake e të padeshifrueshme të dy forcave të mëdha politike, PS dhe PD. Duke i parandierë pasojat që do të sillte ky ligj, Dritëroi vizionar votoi kundër, duke u shprehur se toka duhet t’i kthehej të zotit, fshatarit. Më vonë, kur Agolli erdhi në Elbasan si i deleguar i qendrës, na tha: “Ju kryetarët e komunave duhet të kini kujdes me tokën, me pasurinë më të madhe që ka fshati, se ligji i sapomiratuar, besoj se ka filluar t’u bëjë çorap. Ligji 7501 do t’u hapë shumë plagë, që nuk do të mbyllen kollaj”. Dhe vërtet, ky ligj, i miratuar nga aleanca socialpëdëiste, u ndje i egër mbi supet e çdo fshatari dhe pushtetari vendor, ashtu siç mbuloi atë ditë mençurinë e Dritëroit në Parlament furia e diskutimeve boshe të deputetëve të dy krahëve të politikës. Se sa të drejtë kishte patur Dritëroi e vërtetoi praktika e afro 30 viteve, ku shumë pronarë të ligjshëm u futën në sherr, u rrahën, u ndanë nga njëri-tjetri dhe mjaft të tjerë derdhën gjak për tokën. Këto ditë kreu i AKSH, z. Artan Lame, deklaroi se do të mbyllet së shpejti certifikimi i tokës bujqësore në fshat, ashtu siç po shkojnë drejt përfundimit me sukses edhe legalizimet e banesave në tërë vendin. Mjaft familjarë në fshat e zotërojnë tokën me aktin e marrjes së saj në përdorim, AMTP, por shumica nuk e shfrytëzojnë atë, se nuk i lë ish-pronari dhe se nuk është certifikuar ligjërisht në Hipotekë. Pasojat ndër vite qenë tepër të rënda. Së pari sipas ligjit, vërtet toka e ndarë sipas frymëve i ishte dhënë një fshatari jo pronar i vjetër, por realisht atë e shfrytëzonte ish-pronari. Kur thirrej para organeve të pushtetit, ish-pronari hiqej sikur nuk kishte pretendime për tokën që ia kishin marrë, por në prapaskenë ai e kërcënonte pronarin e ri, deri edhe me marrjen e jetës. Kjo solli shqetësimin tjetër, ku fshatari i ngarkuar me ligj me tokën e tjetrit, i paguante asaj të gjitha detyrimet, kurse realisht e shfrytëzonte ish-pronari i vjetër. Kjo krijoi shqetësimin e madh edhe në shpërndarjen reale të ndihmës ekonomike. Ligji e kishte përcaktuar qartë, se kush kishte tokë mbi normativën e planifikuar, nuk përfitonte ndihmë ekonomike. Kështu familjet që ishin të ngarkuara me tokë fiktivisht, nuk merrnin as ndihmën ekonomike dhe nuk përfitonin as shpërblime të tjera që parashikonin ligjet e kohës. Kurse ndodhte shpesh që ish-pronari shfrytëzonte edhe tokën, përfitonte edhe asistencën. Problemi i dytë, mjaft konfliktual që e acaroi më tej gjendjen në fshat, qe një vendim i qeverisë së kohës për këtë problem. Sipas këtij vendimi të qeverisë, pronari që kishte përfituar tokë me Ligjin 7501, nëse nuk e donte tokën e tjetrit, mund ta lëshonte atë duke pranuar vullnetarisht dorëzimin me shkrim. Kjo hapi sherre të tjera. Një pjesë e fshatarëve i dorëzuan tokat nga frika, por procedurat nuk u kryen plotësisht në zyrat e kadastrave dhe toka figuronte fiktivisht po në ngarkim të pronarit të ngarkuar me tokë me ligjin 7501. Negativ qe edhe fakti se një pjesë e ish-pronarëve të vjetër, dinakërisht nuk pranuan të rimerrnin tokat inproduktive, të cilat përdoruesit e rinj ua lëshuan me deklaratë. “Ta ka dhënë ligji, mbaje me shëndet”, kundërshtonin ata pronarët e rinj dhe kështu këta që e kishin në ngarkim me ligj këtë tokë, por që nuk jepte asnjë prodhim, detyroheshin t’i paguanin asaj tatimin ndërkohë që nuk i merrnin asaj asnjë lloj prodhimi. Shqetësim ishte se fshatarët e ngarkuar me tokën e tjetrit, paguanin tatimin jo vetëm të tokave inproduktive, që pronari i vjetër ia kishte lënë “në derë”, por nga pafuqia e ligjit për t’u zbatuar, një pjesë e madhe e atyre që iu ishte ngarkuar juridikisht toka, i paguanin fiktivisht tatimin edhe pjesës së tokës prodhuese që i kishte ngarkuar ligji, të cilën realisht e shfrytëzonte pronari i vjetër. Së treti, moscertifikimi i pronës së fshatarit, ka sjellë mjaft shqetësime serioze dhe pengesa për ndërtimet e reja në fshat. Asnjë ndërtim nuk lejohet të bëhet, në toka pa certifikatë pronësie, sipas ligjeve që dolën më vonë. Në rrethin e Elbasanit u ndeshëm me një fakt të tillë, që ndoshta mund të jetë shqetësim edhe për rrethe të tjera të vendit. Disa banorë që kanë pësuar dëme nga fatkeqësitë natyrore si, rrëshqitje apo tërmetet, vërtetuar kjo edhe me dokumentacionin përkatës ligjor të zyrave të emergjencave civile, nuk lejon të ndërtojnë, nëse nuk paraqesin certifikatën mbi pronësinë e tokës. Edhe pse Këshilli Bashkiak ka marrë vendimin përkatës për t’i ndihmuar financiarisht familjet e dëmtuara, ky vendim ka mbetur pa ekzekutuar, pasi zyrat e urbanistikës nuk i pajisin ato me leje ndërtimi, pasi nuk disponojnë certifikata pronësie. A nuk është ky një absurditet që penalizon fshatarin e dëmtuar nga fatkeqësitë për një problem që është detyrë e shtetit ta bëjë? Nga njëra anë bashkia merr një vendim për t’i ndihmuar financiarisht të dëmtuarit nga fatkeqësitë natyrore dhe nga ana tjetër, është po një zyrë vartëse e bashkisë, që nxjerr pretendime ligjore dhe e bën të pazbatueshëm këtë vendim. Ligji për tokën edhe aty ku duket se ka krijuar një sheshim sherresh fshatçe, duke rënë në ujdi vetë ish-pronarët me pronarët e rinj, përsëri ka krijuar një imazh të rremë, se kontradiktat dhe sherret ende vazhdojnë. Është paradoksale që për tridhjetë vjet nuk bëhet certifikimi i pronës në fshat, ndërkohë që shteti e ka marrë taksën mbi tokën lek më lek, pavarësisht nga posedimi i dokumentit të pronësisë. Ndaj themi se puna e nisur në zbatim të Ligjit nr. 20/2020, për regjistrimin dhe çertifikimin e tokave të ish-kooperativave bujqësore, është një sukses tjetër i qeverisë socialiste, ashtu si puna e suksesshme e bërë gjer tani me legalizimet. Dhe natyrisht, në realizimin e këtyre dy aksioneve të rëndësishme, që zgjidhin një herë e mirë shqetësimin e banorëve të qytetit dhe fshatit, është edhe kontributi dhe korrektesa e drejtuesit të ASHK, z. Artan Lame. E themi këtë, pasi nuk ka sektor më të vështirë, për t’u drejtuar dhe administruar, me ligj dhe drejtësi, se ai që ka të bëjë me pronën. Ashtu siç e ka vlerësuar poeti italian, Tiziano Meneghello se “Pronësia, para se të jetë luks, është një kosto”.