BREAKING NEWS

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen për Ndryshim”: Ka vetëm dy mundësi në jetë!

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen
x

Opinion / Editorial

Limitet dhe vështirësitë e një aspiranti për kryeministër!

Limitet dhe vështirësitë e një aspiranti për

Nuk di a këshillohet Lulzim Basha për daljet e tij mediatike, a ka këshilltarë realë, të vërtetë, por te Fevziu u fut kot fare. U fut në "pyll pa sëpatë" dhe për më tepër, në terrenin që sigurisht Rama zotëron më mirë. Po pra te batuta dhe folklorizmi letrar e barcaletë që ai ka talent. Në mos i ka të lexuara e shpik aty për aty vetë. Mënyra e vetme për të mundur Ramën nuk është thjesht argumenti i fortë, por batuta dhe "thupra" e menjëhershme tallëse dhe therëse që Basha as e ka talent, as e ka të lexuar, as kultivuar. Mirëpo sot njerëzit po thirren politikisht për të larguar Ramën dhe pranuar Bashën si kryeministrin e ardhshëm të Shqipërisë. E pse bëhet kryeministër Basha nuk ka asgjë kaq shumë jo normale, kur janë bërë pa hapur librezë pune Majko me Metën e që sigurisht Basha duhet të ketë librezë pune (diku) përpara se të pretendojë për kryeministër. Ai është si aspirant (jo kandidat akoma) për kryeministër dhe padyshim që ai ka garë me Ramën, e po ti jetë mbushur mendja se "zemërimi" popullor do largojë Kryetarin e Surrelianëve Rilindas - si Basha dhe ato para dhe mbas tij, e kanë gabim. Edi Rama është kryetari i Spiropalit apo dhe Manastirliut (që po të kishte biznes privat do t’i linte të kërcenin valle përpara derës së biznesit, kurse në qeveri dhe Kuvend, ata ja bëjnë punën super bukuri me mrekullinë e tyre të mahnitjes në amshim për shefin e tyre), por ai është kryetari i Partisë Socialiste dhe ato që i thonë Bashës se kjo parti është zëmëruar keqas me Ramën, ose janë idiotë ose e dinë se Basha nuk do të vijë kurrë në pushtet dhe e marrin me të mirë. Për t’i dekurajuar socialistët në Shqipëri Basha duhet të mundë, "asgjësojë" (rroftë e qoftë me shëndet kryesurreliani) Ramën politikisht dhe më vjen keq ta them, por dhe me batuta dhe trimëri e pavarësi kreativiteti, si lider që ka mësuar mirë historinë e kryeministrave përpara tij. Basha ka limite të shumtë dhe vështirësi të një aspiranti për kryeministër, të cilat nuk kanë të bëjnë me është apo nuk është ai për kryeministër, por kanë të bëjnë me përballjet që duhet të jenë në qoftë se ai e ka realisht, se do të bëhet kryeministër. Te ne, (shqiptarët në përgjithësi) pak i shohin programet, pak shohin dhe idetë për qeverisje, te ne është një shoqëri folklorike që shikon se kush është i zoti dhe që e merr kalanë. Pastaj, me atë janë. Kjo shoqëri është me atë që ka kalanë, ose me atë që tregon se do të marrë kalanë. Atë votojnë dhe me atë do të fundosen ose do të pluskojnë, sepse kështu e kanë zakon. Lulzim Basha ka dy kryeministra që duhet t’iu referohet për limitet dhe vështirësitë e tij. Të parin ka Sali Berishën. Berisha është një person i bërë vetë, (përfshi brenda dhe PPSH-në) me ambicie të jashtëzakonshme dhe vullnet të jashtëzakonshëm politikisht. Më vjen keq, por Lulzim Basha në asnjë moment nuk u ka treguar njerëzve normalë në Shqipëri se është i tillë ose afërisht i tillë. Doktori përveç një memorie fantastike, të pakrahasueshme me askënd në politikë ka dhe privilegjin e madh të jetë një verior tepër i lexuar. Po pra, me sisteme referimi letrare, filozofike dhe politike të plota. Unë personalisht veprimtarinë e tij politike e kam të qartë se çfarë i ka bërë demokracisë në Shqipëri ky person, por këto veti të tija janë superiore. E Lulzim Basha nuk i ka, i ka modeste për të mos thënë absolutisht në distancë me Berishën. Basha nuk i referohet askujt, nuk ka sentenca origjinale dhe nuk të përmbys situatën në favor të tij me rekordet e mëdha si lexime filozofike dhe letrare. Më vjen keq, por njerëzit krahas se dinë marrëzitë e Berishës, ja dinë dhe të tilla mrekulli të sundimit të tij mbi PD-në, e kthyer prej tij në pronë. Basha është tjetër sigurisht, një tjetër model dhe shumë mirë, por në PD, janë nostalgjikë të syve që shkreptijnë të Berishës, të ulërimës "luanore" në mitingje dhe të turrit folklorik që u shërben po folklorikëve të shumtë në turmë. Doktor Berisha ka diapazonin e sjelljes si intelektuali i lexuar dhe lideri ulëritës turmëndjellës dhe që e merr "rrëshqanë" me britmat dhe turrin e tij tipikisht si ju pëlqen atyre poshtë. Hija dhe universi i tij (doktorit) janë për Bashën një vështirësi plus, kur do të matet me Ramën. Nuk janë një aftësi plus, por një vështirësi plus. Për t’u larguar Berisha nga PD, duhen mbi 30-të vjet, kur ka Enveri 35-së vite që ka vdekur dhe akoma njerëzit e dinë për të "gjallë". Jo më kur doktorin e kemi të gjallë e të fortë. Basha ka marrë gabimisht përsipër veprimet e doktorit si akuza ndaj tij. Po pra Rrugën e Kombit që ishte ministër, por që të gjithë e dinë se është doktori që ka vendosur dhe ka faj. 21 janarin që e bëri doktori dhe Rama dhe akuza i bëhet dhe Bashës, sepse ishte ministër i Brendshëm. Firmën e detit në fotografinë që e bëri Basha si moment me motrën e Micotaqis, por që në fund të fundit, këtë gjë e kishte përgatitur dhe kryer Berisha me Karamanlis. Pra në një anë, ka limite përballë Berishës dhe në anën tjetër vështirësitë e mëdha të veprimeve e pasojave të tij. Aspiranti kryeministër Lulzim Basha besoj se e di vështirësinë që ka me KM-në e Surrelit si komandant i legjionit që thotë Spiropali. Më vjen shumë keq, por Rama është shumë më i elaburuar grafikisht dhe letrarisht. Ai ka mundur Nanon me zotësi. Njerëzit nuk janë budallenj dhe pse e dinë që Rama - jo e ka tepruar, por mandati i tretë i tij i bën ata të Rilindjes nga arrogantë në grabitje, me sytë me gjak kundra gjithë shoqërisë shqiptare. Mjerë ne. Mirëpo Basha duhet t’i mbushë mendjen vetes, nëse e ka seriozisht me ambicien për Kryeministër dhe përballjen me Ramën. Për t’u larguar jo vetëm kulisave idiote me të, por dhe shpresës se njerëzit e mërzitur me Ramën do të vijnë te ai. Jo nuk do të vijnë te ai pa ju mbushur mendjen se është më i zoti se Rama. Jo thjesht më pak i fajshëm, e kam fjalën. Por më i zoti. E kjo është vështirësi e madhe për aspirantin Kryeministër të Shqipërisë - zotin Lulzim Basha. Me PD-në të ndarë në disa shpirtra dhe krahinarizma dhe e vetëquajtur e djathtë, që sillet si e majtë gjysmë bolshevike, Rama do të vazhdojë të luajë teatër jo vetëm në studiot e përgatitura për të si ajo e Fevziut, në të cilën Rama sigurisht do të shkëlqente, por kudo në sheshet që ai i përgatit për të fituar. Aspiranti për Kryeministër i Shqipërisë ka një detyrë të madhe përpara, e cila nuk mund të justifikohet në fund të garës me - na vodhën, na grabitën, na e hodhën ose na e futën. Basha duhet t’i mbushë në fillim qartësisht vetes mendjen, nëse është realisht aspiranti që do të kthehet në kandidat për kryeministër dhe të mos dëgjojë idiotët servilë që i thonë kryeministri (as i ardhshëm) i Shqipërisë. Sot ai është aspiranti dhe po sillet akoma më pak se sa kaq. Të shohim nesër, nëse do të kthehet në kandidat real për kryeministrin e shqiptarëve, i cili do të mund të largojë dhe Ramën nga karrigia të cilën me flutura, me forma, me ngjyra, me konkubina hajdute politike e mban, sepse i ka mbushur mendjen një pjesë të shoqërisë shqiptare se është i zoti në batuta, në formë, në gjatësi, krevat, në barsoleta dhe në studiot televizive plus FB, ERTV dhe tweet-er.