BREAKING NEWS

Mjekësia shqiptare në zi! Ndërron jetë në moshë të re doktoresha e njohur (Emri)

Mjekësia shqiptare në zi! Ndërron jetë në moshë
x

Opinion / Editorial

Çlirimtarët e humbur dhe bastardët “fitues”

Çlirimtarët e humbur dhe bastardët “fitues”

Paralel me epideminë që kapi në befasi njerëzimin, në Shqipëri në atdheun tonë të përbashkët tashmë plot e përplot me borgjezë e proletarë, ka tre dekada nga ku ka shpërthyer një epidemi edhe më e rëndë, ajo e “antikomunizmit” e luftës kundër “nostalgjikëve” të pandreqshëm, që demokracia e sotme madje u ka bërë një privilegj të madh që i ka lënë të lirë, se ajo ndaj na qenka “demokraci” për faktin e “lirisë së vërtetë” se pikërisht ajo nuk mund të bënte si në “diktaturë” që i eliminonte kundërshtarët. Vitet 90-të të shekullit të kaluar, që përkojnë me sabotimin dhe tradhtinë që iu bë socializmit dhe vendosjes me “hosanara” të “demokracisë së tipit të ri alla shqiptarçe”, sollën tronditje të mëdha shoqërore. Për gjysmë shekulli, klasa feudo-borgjeze, e cila i kishte humbur privilegjet gradualisht e nënshtruar donte apo nuk donte ajo, ju nënshtrua integrimit dhe rrugës fillimisht të demokracisë popullore e për të kaluar më vonë gradualisht në socializëm. Pavarësisht se klasa e përmbysur nuk e pranonte rrugën socialiste dhe mënyrën e punës prodhimit dhe shpërndarjes së saj, brenda këtij rendi, asaj iu hoq e drejta e ekzistencës si klasë, jo duke eliminuar atë fizikisht, por duke i hequr asaj mënyrën e prodhimit dhe të gjitha mjetet e punës dhe të pronës së madhe, e cila i përdorte ato, për shfrytëzimin ekonomik të njeriut nga njeriu. Kjo, pikërisht kjo e bëri klasën sunduese të dikurshme ta humbiste forcën e vet politike dhe ekonomike dhe për rrjedhojë, ajo nuk do ta kishte më forcën e armatosur që të përmbyste pushtetin popullor. Po kush do ta bënte këtë gjë? Kush mund ta bënte kur të gjitha ndërhyrjet e jashtme që nga tendenca e anglezëve, për të bërë të njëjtën gjë si në Greqi, që nga tradhtia titiste e Beogradit, e cila do të bëhej dhe “placdarm” i përgatitjes dhe hedhjes së diversantëve, që nga dështimi i operacioneve të CIA-s, dështimi i grupeve puçiste brenda për brenda PPSH-së etj. mos vallë do ta bënin bandat e çarvalitura të ballistëve të plakur me qeleshen gjithë lyrë tradhtie, apo Legalistët e Bazit të Canes e Rrem Bajraktait, të cilët i patën dhënë provat në Malësi ku si cuba patën vrarë Bardhok Bibën, apo mësuesin Ndrec Ndue Gjoka si dhe cucat kreshnike, të cilat u bënë pishtar drite në Veriun e Shqipërisë?! Sigurisht që ata dhe 1000 vite të tjerë të qëndronin maleve duke kënduar këngët “trimave të Lumo Skëndos”, madje dhe sikur Institutin ta ngrinin nëpër shpella dhe prej andej të bënin stërvitje me marshe himne e këngë, kurrë nuk kishin për t’i bërë gjë pushtetit të popullit. Ata, tashmë ashtu si mishrat e therur e të varur në çengelin e thertores, nga ku u kullonte gjaku dhe qelbi i helmët e kishin marrë nga mbas në mollaqe vulën e tradhtisë me bojë të tillë historike, që më kollaj mund t’ju shkulej prej vendit bytha... se sa vula. Po atëherë si mundet, si ndodhi që pikërisht ata çlirimtarë, të cilët morën plagë e plumba që çanë nëpër shqota e suferinë duke luftuar dhembë për dhëmbë me armikun, ta linin pushtetin popullor? Ti japësh përgjigje kësaj pyetje duhet bërë më parë një analizë e gjerë e komplekse e situatës së asaj kohe e lidhur kjo me shkaqe politike ideologjike e ekonomike, të brendshme e të jashtme, me faktorë kombëtarë e ndërkombëtarë dhe se si ndikuan ato jo vetëm në jetën shoqërore të vendit, por dhe në botëkuptimin e njeriut, se si një pjesë superstrukturës u fut gradualisht në rrugën e vetëdegjenerimit dhe se po ky degradim, arriti deri në atë pikë, sa nga rrugë e gabuar, ajo kaloi në rrugë tradhtie. E mallkuara thënie se “e drejta borgjeze pa borgjezinë” në socializëm, na qenka nje rrezik i madh e potencial për fitoret e arritura. Shkurt sabotimi i socializmi, aspak nuk është vepër e klasës së nënshtruar dhe që e detyruam të integrohej në socializëm, por vepër e pjellës së përkëdhelur më të degjeneruar, por dhe të privilegjuar të asaj shtrese brenda për brenda PPSH-së, e cila tashmë gradualisht ishte borgjezuar, por që ende rezistonte me fjalime e citate ultra të majta (ultra marksiste). Kjo bëhej me qëllim të dy fishtë. Së pari për të tatuar pulsin se si ishte situata në popull, pra a ishin pjekur kushtet që ta kthenin tërësisht timonin djathtas. Apo - së dyti- duhej pritur dhe ca, që nëse ende jo, atëherë le të vazhdonin dha ca kohë për ta trullosur dhe nanurisur popullin me rrugën e vazhdimësisë në vijën e Enverit dhe rrugën ndritur të socializmit, të cilën ata e kishin sabotuar tërësisht nga pikëpamja ekonomike. Kryetradhtari i të gjithë kohërave, R. Alia, si dhelpër që ishte, kërkonte që ndryshimet politike që kishte projektuar sëbashku me padronët e tij jashtë kufijve tanë, t’u jepte karakterin e një diskutimi “popullor me elitën”. Dhe ashtu bëri. Të çudit fakti se “revoltat studentore” përkraheshin jo vetëm nga trupi diplomatik, por dhe “elita” veçse duke qenë se ende nuk ishin të sigurt, ata përkrahnin pluralizmin e mendimeve dhe ideve, por të ruhej rruga socialiste. Në fakt pluralizmi i mendimeve ekzistonte, sepse demokracia e gjerë e masave, por dhe brenda vetë partia e kishte të konfirmuar këtë gjë, por Rama me anë të pluralizmit të mendimeve, hapte dritën jeshile për krijimin e partive të tjera duke e ruajtur PPSH-në si forcë udhëheqëse pa e lëshuar pushtetin. Të mos e dinte këtë gjë Ramizi se pluralizmi politik në socializëm është asgjësim i diktaturës së proletariatit dhe socializmit? A nuk ishte vet Ramizi, i cili kishte dënuar bashkë me shokë, vijën e “ lulëzimi të 1000 luleve” të Maos? Pra mos vallë Sali Berisha dhe e djathta artificiale e dalë dhe kjo nga gjiri i PPSH-së, do të mundnin dot, nëse nuk ishin përgatitur tërësisht kushtet objektive dhe subjektive? Jo as kjo kurrë nuk do të ndodhte! Fakti, që dhe vetë metamorfoza e PPSH-së ishte tillë, që një pjesë e mirë e ish-Komitetit Qendror të PPSH-së dhe e delegatëve të Kongresit të 10-të të saj që në histori njihte si “Kongresi i tradhtisë së Madhe” miratuan shndërrimin e partisë së tyre, në një parti borgjeze, konstituoi dhe pozicionoi njëkohësisht, por dhe përfundimisht vendosjen në Shqipëri të diktaturës borgjeze, por kjo e një lloji të veçantë. E gjithë superstruktura e shtetit të ri që po projektohej dhe ndërtohej, do ta kishte origjinën e “borgjez formimit” jo nga ish-klasa e përmbysur, por nga shtetarët dhe partiakët që vinin nga socializmi. Çfarë tradhtie! Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, filloi një luftë egër nga një ish-Sekretar partie, i cili dikur shëronte pacientët për të mos i vdekur, teksa në kohët që po trokisnin vriste në Shkodër dhe i kthente viktimat e tij në heronj të pavdekshëm. Ashtu me sytë e kuq me ngërdheshjen që më shumë i ngjante një jashtë tokësori, ai udhëhiqte turmat e banditizmit politik me thirrjen “Komunistët në litar- pensionistët në hanxhar”! Edhe vetë ballistët e legalistët shqyenin sytë nga habia e madhe dhe me të drejtë. Me të drejtë se po ta thoshin vetë ata dhe mund të përligjeshin sepse fundja ishte klasa që ishte bërë “zap” për gjysmë shekulli dhe kishte vuajtur më shumë se sa këta që çirreshin në kupë të qiellit, madje nuk ishte çudi që disa prej tyre, më përpara të kishin çuar kushedi sa e sa nëpër burgje e internime, nën maskën e “zhvillimit me konsekuencë të luftës së klasave në socializëm”. Dhe ndodhi ajo që nuk pritej, nga kundërshtare e klasës së përmbysur kjo shtresë u kthye si me magji në aleate e tyre. Sigurisht për t’u “miqësuar me armiqtë dikurshëm” në rrugën drejt kapitalizmit, por dhe për të bindur Amerikën dhe Europën se në rrugën e tyre të tradhtisë, ata ishin të vendosur, bënë dhe ndërmorën dhe disa masa jo vetëm rehabilituese ndaj tyre, por dhe disa nga pinjollët ose më saktë derivate të parë, apo të dytë ballisto zogistë u hodhën ca thërrime në kolltukët e administratës shtetërore apo dhe në legjislativ duke i bërë deputetë të shoqëruar këto tërësisht me përmbysjen dhe shkatërrimin apokaliptik të ekonomisë popullore. Këto, privilegje që iu bënë klasës së përmbysur ishin sipërfaqësore sepse kasta e re nuk e lejonte ta merrnin ata pushtetin, veçse u dhanë të drejtën të shkruajnë këngë, të mbanin kumtesa për rolin “atdhetar” të “Ballit” dhe “Legalitetit”, ngritën një “instit-muten” për krimet e komunizmit dhe diktaturës dhe në krye të tyre vunë ballistë të tipit “Protopapa”. Këta të fundit të kënaqur ashtu sikurse bënin përherë ballistët, kur u lëshonte nga një kockë, italiani apo gjermani, ju futën me themel punës për të shpallur martirë jo vetëm bashkëpunëtorët e vjetër me armikun, të cilët kishin luftuar krah për krah me “gjerman agën” kundër partizanëve, por dhe ballistët e thjeshtë pulaxhinj që më shumë kishin morra në kokë, se sa fishkë në pushkë. Në garën e madhe të rehabilitimit, vendin e parë e zë Berisha, i cili bronzin e busteve të Enverit që ai e duartrokiste përherë dhe të heronjve të tjerë e shkriu, duke bërë përmendore për Zogun dhe Nënën Mbretëreshë, e cila në Shqipëri qëndroi vetëm një vit, sa për mbarsje, për të marrë përsëri rrugët e asaj Evrope nga kishte ardhur. Ndjekur nga Nishani i cili shënonte dhe hidhte firmën e tij pa iu dridhur aspak dora, pikërisht për ata bashibozukë që kishin luftuar kundër partizanëve madje dhe kundër xhaxhait të tij dr. Omer Nishanit që më vonë do të vinin si diversantë kundër pushtetit popullor e që u ndoq po me aq seriozitet nga “Herr Edi” i cili rehabilitoi kryeballistin M.Frashëri, apo si i thonë Lumo Skëndo, qe e mori vala lumit bashkë me gjermanin, duke ia mbathur disa ditë para 29 Nëntorit, çlirimit të Shqipërisë. Meta i vogël ( i vogël është dhe floriri) peshon. Ai peshon me kandarin e luftës, hiqet ndjekës i vazhdimësisë së Luftës Nac- Çl, por i ka thjesht profka, dhe i shet si “pordhë me rigon” sepse dhe ai është po aq i egër ndaj vlerave të saj, sa dhe armiqtë klasikë që b/punuan me armikun. Në shumë fjalime ai ka anatemuar komunistët, por dhe vetë Komandantin e babait të tij Enver Hoxhën (Meta babain e ka patur oficer). Meta i cili hiqet mbrojtës i luftës Nac-Çl përherë e ka patur lidhur “sumatriçen” mbas karriges së pushtetit, ama kurrë nuk e kemi dëgjuar që të ngrejë zërin dhe të kundërshtojë, që pse po rehabilitohen armiqtë kolaboracionistë, kriminelët me damkë e ballisto zogistët. Kurrë nuk e kemi dëgjuar këtë “atdhetar” dhe “mbrojtës të vlerave” se do ngrejë popullin për të mbrojtur Luftën Nac- Çl, heronjtë e dëshmorët. Kurrë (dhe tani që është President) nuk ka propozuar, që ata ballistë e legalistë, diversantë e kriminelë, që morën armën kundër Nac- Çlirimtares dhe më vonë kundër pushtetit popullor, t’u heqi titullin “martir”. Në këto kushte do jetë vetë populli ynë ai që do të dijë t’i nderojë jo vetëm bijtë e tij heronj e dëshmorë, por dhe të vlerësojë drejt epopenë e lavdishme të luftës së madhe antifashiste. Shprehem kështu sepse për kastën drejtuese të borgjezisë së re shqiptare, çlirimtarët e vërtetë janë të gjithë, që nga vetë italiani e gjermani që na bënë “Shqipëri etnike” ashtu dhe ballisto- zogistat të cilët që me kohë ishin kundër pushtetit komunist ndaj dhe i dolën kundër Nacional-Çlirimtares. Për rrjedhojë, çlirimtarët vërtet dolën humbës dhe bashibozukët kolaboracionistë bastardët që duan të vjedhin fitoren. Të jetë kështu me të vërtetë? Për popullin, jo nuk është ashtu! Ai di të vlerësojë veprën e bijve të vet, di të vlerësojë dhe gjakun e heronjve dhe dëshmorëve. Po kasta drejtuese? Dhe ata do dalin me pompozitet, pse jo do përgatitin dhe kurora nën himnin e bandës frymore teksa nga një anë do vendosin lule për dëshmorët, nga ana tjetër do ua bëjnë me sy bandave të diversantëve, që hidheshin për të luftuar komunizmin pse jo dhe bandave të hashashit që tashmë janë bërë pronë e hipotekuar e gjithë partive politike