BREAKING NEWS

“Kam të dhëna se...”, Spartak Ngjela bën deklaratën ‘bombë’ për atë që fshihet pas pandemisë së COVID-19: Ky krim nuk del me armë në dorë, është i nivelit të lartë!

“Kam të dhëna se...”, Spartak Ngjela bën
x

Opinion / Editorial

Çlirimtarët e Kosovës nuk mund të vihen në një balancë me gjenocidin serb

Çlirimtarët e Kosovës nuk mund të vihen në një

Jo vetëm Kosova, por të gjithë trevat dhe emigracioni ku banojnë shqiptarët, janë dëshmi e një historie të hidhur, e një proteste masive në ndërgjegjen e tyre, për genocidin serb në shekuj mbi kombin shqiptar. Historia e trevave shqiptare kullon gjak, aq sa i ka detyruar edhe të huajt të ngrenë zërin, për atë çka ka ndodhur me shqiptarët në shekujt e mëparshëm. Dëshmi për gjithçka që ka ndodhur në Ballkanin problematik, është "Golgotha Shqiptare"apo holokausti para atij të hebrenjve, kur në vitet 1912-13, serbët shfarosën nga trojet e tyre etnike 500 mijë shqiptarë. Për këtë tragjedi të përmasave apokaliptike, flet libri i shkrimtarit hebre Leo Freundih "Akuza që ulërijnë", i cili proteston kundër shfarosjes kolektive të shqiptarëve në Ballkan. Ky libër ka qenë edhe një protestë ndaj Europës plakë, që nuk ka reaguar kurrë ndaj krimeve të Serbisë mbi shqiptarët. Holokausti i parë ishte ai 30 vjet para se të shpërthente Lufta e Dytë Botërore, i planifikuar dhe zbatuar nga Serbia nga mesi i Tetorit 1912 deri në Mars të vitit 1913. Egërsia serbe që ra mbi popullsinë e pambrojtur shqiptare nuk ka të përshkruar, siç flet libri me titull "Akuza që ulërijnë". Me mijëra burra të paarmatosur të therur si bagëtia, gra të përdhunuara, pleq të mbytur, me qindra shtëpi të djegura e të rrafshuara për tokë. E sikur të mos mjaftonte kjo tablo makabre, historia përsëritet disa dekada më vonë, kur idetë dhe doktrinat famëkeqe serbe për genocid mbi shqiptarët, nuk u ndalën deri në konfliktin e viteve 1998-99, ku numërohen 11 mijë e 800 viktima, ndër ta edhe të zhdukur pa lënë gjurmë, 300 fëmijë nën 5 vjeç dhe 1400 deri 18 vjeç, ndërsa 20 mijë gra janë përdhunuar nga paramilitarë, policë e ushtarë serbë. Krimet persistente të serbëve mbi shqiptarët e Kosovës, bëjnë apel për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, për të gjithë ata që kanë ideal lirinë e fituar dhe pavarësinë, duke zgjedhur midis të mirës dhe të keqes të mirën. Çlirimtarët e Kosovës që akuzohen se kanë kryer krime gjatë konfliktit dhe pas tij, kanë zgjedhur të mirën sepse ata nuk u ngritën për të bërë krime, por për të fituar lirinë dhe pavarësinë e mohuar nga regjimet sadiste serbe në shekuj. Askush nga të katër ish-drejtuesit e shtetit të Kosovës, si Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Hashim Thaçi e Kadri Veseli nuk janë kundër misionit të Gjykatës Speciale, që ata vetë e miratuan. Ata kërkojnë zbardhjen e të vërtetës, me dokumente autentike dhe jo me hamendësime, romantizma e gojëdhëna të senatorit Dick Marty, për shtëpitë e verdha e të kuqe, sipas logjikës së pabesueshme të relatorëve serbë dhe bashkëpunëtorëve të tyre në Kosovë e Shqipëri. Akuzat e prokurorëve ndaj tyre për një seri krimesh lufte e krime kundër njerëzimit, të pavërtetuara, nuk mund të motivohen si një ndërmarrje kriminale, sepse lufta ka ligjet e saj, që nëse nuk e vret armikun përballë, atëherë do vritesh prej tij. Por në luftën e drejtë për liri e pavarësi, ndërmarrje kriminale ishin serbët dhe jo UÇK. Të katër personat e akuzuar i përkasin ndërmarrjes së përbashkët, për çlirimin e Kosovës dhe shtetformimit të saj. Themeluesit e UÇK që sot ndodhen në bankën e të akuzuarve për krime lufte në Hagë, hodhën themelet e ushtrisë të një shteti të lirë e sovran. Ata nuk e ndërmorën këtë aventurë për hobi e për të kryer krime, por të detyruar nga mizoritë e serbëve mbi popullin e Kosovës. Një shtet pa ushtri, është si një ushtar pa armë. Aq më keq kur shteti i lirë i Kosovës nuk njihet nga drejtuesit serbë, të cilët vazhdojnë të lobojnë për mos njohjen dhe tërheqjen e njohjes. Ajo është gjithnjë e kërcënuar dhe rrezikuar, jo vetëm nga nacionalizmi atavist serb, por edhe nga organizata ekstremiste të kësaj natyre, që vegjetojnë sot në disa shtete europiane që janë edhe anëtarë të unionit. Por BE që po vuan sot pasojat katastrofike të pandemisë, është e shqetësuar edhe nga politikat e vjetra të ekstremizmit, që kërcënojnë lirinë dhe pavarësinë e popujve. Ky nacionalizëm ekstrem në Serbi e rrotull saj, që bëjnë thirrje (za dom spremni) po merr oksigjen edhe nga një gjykatë speciale, që në vend që të merret me krimet e panumërta serbe, vë në balancë veprimtarinë e çlirimtarëve të Kosovës. Ajo po vë në balancë luftën e drejtë të popullit të Kosovës, nëpërmjet UÇK, ku themelet e së cilës janë hedhur, me lëvizjen politike legale; "Kosova Republikë" në vitin 1981. Kjo lëvizje kristalizoi idenë për luftën e armatosur, që u karakterizua nga përpjekjet për organizimin politik, si dhe për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare, në nivelin e përgjegjësisë historike. Ajo vuri bazat e strategjisë ushtarake, bëri armatosjen, krijoi çdo strukturë funksionale të nevojshme, duke marrë trajtat e një ushtrie moderne. Pas këtij organizimi ajo u vu përballë forcave policore e ushtarake serbe, që kishin ndërmarrë genocid në këtë rajon të banuar historikisht nga shqiptarë autoktonë. Ajo ndërmori hapa të rëndësishme politike, për të bindur opinionin ndërkombëtar, për drejtësinë e luftës së tyre, që kishte për qëllim çlirimin e Kosovës. Ajo i bindi ndërkombëtarët si dhe faktorin shqiptar, se e vetmja alternativë, për të hequr njëherë e mirë zgjedhën shekullore serbe, ishte lufta e armatosur për një Kosovë të lirë e sovrane. Me organizimin, ndërkombëtarizimin dhe mbështetja që ju dha nga shumica e shteteve në botë, nga NATO e Shqipëria, ajo hodhi poshtë zërat nga të dy anët e kufirit, se UÇK është një organizatë terroriste, lëvizje marksiste-leniniste e fondamentaliste islamike. Ajo nuk pati në krye terroristë por bijtë e saj më të mirë, që nuk kursyen as jetën për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tyre. Shembulli frymëzues e inkurajues për ta ishte legjendari Adem Jashari, heroi kombëtar që sakrifikoi të gjithë familjen për lirinë e Kosovës. UÇK nga çdo prizëm që të gjykohet, ajo është një vlerë dhe baza e ushtrisë së Kosovës, që mbart në vetvete një mision historik. Por këtë mision historik të saj kanë dashur ta përdhosin dhe denigrojnë për fat të keq, dy figurat e politikës shqiptare, Sali Berisha e Lulzim Basha. Berisha e quajti UÇK organizatë terroriste, duke qenë në një linjë me Millosheviçin. Ndërsa për përfshirjen e Bashës në veprime skandaloze, me akuza për trafik organesh dhe dokumente fallso kundër UÇK, në kohën kur punoi për gjykatën ndërkombëtare për krimet e luftës në Jugosllavi, ka folur ish-shefi për të zhdukurit Jose Pablo Paraybar. Ai është shprehur se: "UNMIK nuk kishte juridiksionin për Shqipërinë, nuk kishim mundësi për të bërë një kërkesë zyrtare. Kam ardhur në Shqipëri me përkthyesin Lulzim Basha, i cili ka punuar si mbledhës të dhënash për këtë gjë. Ai kur u bë ministër i Punëve Publike, pas ardhjes në Shqipëri i mohoi çfarë ka bërë. Çfarë ka bërë ai? Ai ishte me mua dhe ka regjistruar dëshmitë bashkë me mua, sepse ai kishte dosjen dhe së bashku me të jemi futur në Shqipëri ilegalisht, duke u paraqitur si inxhinier, por më vonë ai i mohoi të gjitha dëshmitë. Megjithatë vlerat e UÇK nuk mund t'i marrë nëpërkëmbë asnjë person dhe mbi të gjitha asnjë gjykatë. Zhvillimet demokratike në rajon, e bëjnë akoma më atraktive rolin e saj, si dhe të themeluesve që po gjykohen në Hagë. Ata nuk mund të gjykohen si ndërmarrje kriminale, sepse janë garanci për paqe e siguri në rajon e më gjerë. Ata janë pjesë e individualitetit autentik të UÇK, si kontribuuese për paqen dhe faktorizimin shqiptar në Ballkanin Perëndimor. Gjykata Speciale që po gjykon ish-themeluesit dhe drejtuesit e shtetit të Kosovës, duhet të shërbejë si një shembull i avancuar i Kosovës përballë Serbisë, e cila duhet t'u kthehet gjykimit të krimeve, që ka lënë pas si varre të hapura. Kosova po jep një shembull të lavdërueshëm përballë Serbisë, në respektimin e ligjit në përballje me të kaluarën. Këtë rrugë për ndëshkimin e kriminelëve nuk e ka bërë kurrë Serbia, por i ka trajtuar ata me paturpësi si heronj, e jo si pjestarë të gjenocidit mbi popullsinë e pafajshme të Kosovës. Ajo duhet të bëjë gjestin më human, duke i kërkuar falje publike popullit të Kosovës, për krimet kundër njerëzimit, si dhe të bindë opinionin ndërkombëtar, duke hequr dorë nga gjenocidi verbal për mos njohjen e shtetit të Kosovës.