BREAKING NEWS

Spartak Braho 'kap mat' Metën: Kjo që po bën presidenti s’ka ndodhur në asnjë vend të botës!

Spartak Braho 'kap mat' Metën: Kjo që po bën presidenti
x

Opinion / Editorial

Listat e partisë, janë momenti më jo demokraci në parti!

Listat e partisë, janë momenti më jo demokraci në parti!

Kur partitokracia shqiptare është në ditën e fundit si afat kohor, bën dhe listat e famshme të saj. Vetë fakti i qartë dhe tashmë dyshues dhe jo demokratik i daljes së listës vetëm 2 orë përpara se të mbyllet dhe “afati kohor” i dorëzimit, tregon se sa antidemokraci të brendshme, sa partitokraci kryetarësh sundimtarë dhe sa marrëzi aferash, janë të shkretat lista partie. Le të jenë bërë si në mënyrë statutore dhe në mënyrë medemek votuese në formë, listat e partisë janë dhe partitokracia më lëtyrë, më e shëmtuar dhe më jo demokraci të brendshme në partitë shqiptare. Prej pikërisht këtij sistemi partitokratik, prej këtij sistemi irracional interesash të fëlliqura, do të dalë dhe mazhoranca dhe minorancat e nesërme dhe po kështu do të formohet qeveria, kështu do të jenë dikasteret, kështu do të jetë dhe fytyra e shtetit, që kjo partitokraci shqiptare ka tre dekada që lëtyros pikërisht shtetin. PS, PD dhe LSI apo dhe ndonjë aleat trim i vogël që do të dalë vetëm pa PS-në, kanë vetëm problemin se “amerikanët” janë bërë disi nervozë me disa emra të trimave të partive dhe në mbështetje të krimit apo dhe aferave të mëdha miliardere, sepse sërish do të penetronin apo do të penetrojnë tipa të rrezikshëm. Por haptas fare. Sepse partitokracia në Shqipëri, për të mbajtur sistemin e saj si në pozitë dhe opozitë nuk ndalet përpara asnjë lloj veprimi me listat dhe kandidatët që i bëjnë punë në lista. Njerëzit poshtë sot “ose të nesërmen” e daljes së listës së KQZ-së do të shikojnë një marrëveshje të turpshme mbi emrat të kanë kaluar rrjetin e sigurisë së kryetarit politikisht dhe të drejtësisë psikologjikisht, se sa ligjërisht. E kam fjalën për modelin e emrave që shoqëria e këtij “kallëpi” zgjedhjesh toleron apo lejon në sajë të demencës së saj, jo kaq kundërshtuese ndaj krimit dhe kriminelëve në politikë. Hapat para, janë bërë sepse tashmë as PS e Ramës dhe as PD e Bashës dhe ndoshta dhe LSI e Metës, nuk do të mundin të fusin ashtu “sfaciato” individë që bëjnë me dashje krenarinë pse janë të pasur, pse kanë vjedhur e pastaj kanë ndihmuar partinë me vota. Mirëpo listat janë dhe momenti më jo demokraci në parti, sepse nuk është vetëm momenti se nuk kanë dalë me demokraci dhe konkurrim të drejtë e të barabartë dhe nuk janë zgjedhur pas një barazie, konkurrence të ndershme në parti. Jo ky është problemi i dytë për nga rëndësia. Problemi i parë është “elitokracia e denatyralizuar” e partitokracisë shqiptare kryesisht PD, PS dhe LSI që nuk lejojnë emra dhe mbiemra që zëvendësojnë mentalitete dhe individë tashmë të vjetërsuar. Partitokracia në PS dhe PD apo LSI dhe kur e katapultojnë një të ri, e gjejnë me mendime akoma më të plakura për dashurinë për partitokracinë se sa vetë pleqtë. Biles Rama për të “rinovuar” partinë, po fut mosha që tashmë mund të vetëpërdoren akoma më keq se sa të rinj pa skrupuj, që ka plot partia dhe Rilindja. As i kam parë dhe as që kam nevojë t’i shikoj listat, të cilat kur unë po shkruaja artikullin (këtë që po lexoni) donin dhe katër pesë orë të depozitoheshin në KQZ. Por unë dhe shumë si unë, nuk kanë nevojë të shikojmë listat dhe emrat e tyre. Nuk është e nevojshme, sepse dihet qartë se kush i vendos dhe kush i përpilon apo rreshton. Dihet mirë dhe në PD dhe fragmentarizmin e saj apo dhe interesat e errta tashmë mes Rilindjes dhe PS-së, me Ramën mes tyre. Dorëheqjeve të detyruara në njërën anë dhe listat e dyshuara dhe të pasistemuara në anën e kundërt - dihen. Por përfundimi është i njëjtë. As PS dhe as PD dhe as LSI, nuk lëshojnë lidershipin mbrojtës së partitokracisë, e cila është sëmundja më e madhe politike në Shqipëri, por besoj me faj të madh të shoqërisë. Kjo partitokraci është e përbashkët mes PS, PD dhe LSI. Ajo nuk bën zgjedhje por mendon të ruajë afera dhe interesa pushteti. Ata kanë menduar vetëm për shifrat në 25 prill. Po pra, nëse kalon 71 vota apo jo dhe çfarë duhet bërë pastaj për të mbijetuar sa majtas dhe djathtas, të një spektri politik që ai që është djathtas bën si ultra majtist dhe ai majtas si ekstrem i një të djathte, të pashpirt dhe të korruptuar. Mirëpo ne “partitokracinë kemi të keqen e dytë më të madhe” sepse unë sigurisht kam mendimin se e keqa e madhe ndodhet brenda nesh në shoqëri dhe për këtë po jap frazën e Indro Montanelit që thotë: “Regjimi i korruptuar është akoma atje. Por revolta nuk ishte aq kundër korrupsionit dhe partitokracisë, të cilat ishin padyshim një e keqe e madhe, por që nuk ishin e keqja më vdekjeprurëse. Në atë moment ishte pikërisht shoqëria që po shpërbëhej, kushtet e shkollës, predikimi i asgjëje, me pak fjalë, protesta globale, dehja nga “viteve shtatëdhjetave”, e cila ishte dehja e terrorizmit dhe ajo pranimi i një borgjezie të caktuar, kripëzuar, elegancë radikale, i cili flirtonte me këto gjëra, që kishte dëshira nga e majta si mani të “maocedunizmit”, të cilët pastaj të gjithë flisnin për gjëra që nuk i dinin. Korrupsioni partiak, nga ana tjetër, është pothuajse kudo imanent. Pushteti i partisë është i destinuar të zgjasë të paktën derisa të reformohet ligji zgjedhor. Por kjo është beteja që ne po përpiqemi të bëjmë sot”. Kështu që Montanelli fliste për vitet ‘70 në Itali që ngjajnë më shumë se sa duhet me vitet 2000-2021 që po kalojmë ne sot. Ne pikërisht këtë kemi sot. Konfuzionin shoqëror dhe presin kushedi çfarë nga listat e Ramës, Bashës dhe të tjerëve pas tyre. Partitokracitë tona mashtruese, janë model praktik gënjeshtre që bie fjala bën si parti e majtë “8 mars-iste” (PS-ja) dhe përqafon gratë duke pasur kryetarin e partisë burrë, kryetarin e mazhorancës parlamentare... burrë.... kryetarin e Kuvendit burrë dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës burrë. Kurse nga ana tjetër kemi partitokraci që duhet të jetë qendër e djathtë dhe “8 mars-izmin” e feston si të jetë socialdemokraci më majtas, se sa e majta vetë. Pra nuk kemi as spektër dhe as krah filozofik, por thjesht partitokraci që ruan për çdo zgjedhje (ashtu si dhe në 25 prill) kompetencat dhe tributet e saj, ruan aferat dhe paratë e saj dhe padyshim dhe njerëzit e saj në kolonat e shtetit të kapur prej saj. Prandaj nuk kanë kurrfarë rëndësie listat e saj. Po listat e partitokracisë së korruptuar.