BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Opinion / Editorial

Livadhi “purple” Rama & Basha i besimtarëve të shkarjes së penelit të piktorit!

Livadhi “purple” Rama & Basha i besimtarëve të

Pranverat në përgjithësi kanë nga një ngjyrë të veten. Kjo e sivjetshmja ka ardhur me një “purple” ose vjollcë në pemë dhe lule të bukura. Mirëpo kjo ngjyrë e veçantë me nuanca të ndryshme, vjen në pikturë si bashkim mes ngjyrës të kuqes dhe asaj blu. Kryeministri artist si piktor Rama, largimin e ngjyrës së kuqe të Partisë Socialiste në trashëgimi nga ajo ish-komuniste e ka bërë duke e bashkuar pak me ngjyrën blu. Por kjo nuk është bërë pa qëllim. Idea është që atë blu të cilën e mori si pronë PD, ta bashkonte me të kuqen e partisë së rrethit të tij që Rama akuzonte dhe kritikonte ashpër në fund të diktaturës dhe fillime të viteve 1990. E kuptonte se “bluja” e demokratëve ishte një eufemizëm që Berisha po e përdorte mrekullisht. Shkurt ishte e pamerituar dhe aspak e drejtë si ngjyrë politike, kur praktikat ishin bolshevike. Po po, kuq të flakta. Kështu si artist i penelit politik, praktikisht dekadën e fundit krijoi “purple” partinë e tij Rilindje, mbi partinë më të madhe shqiptare ose PS-në. Mori të dy entitetet politike brenda njërit, ose bashkoi ngjyrat për të sunduar të gjithën. E mbas tetë viteve në pushtet, tashmë ka krijuar “Livadhin Purple” të një kolorifikimi – ngjyrosjeje vjollcë, por që sigurisht tashmë në këtë livadh artistik nuk është as vetëm dhe as e ka vetëm për vete. Për ta realizuar këtë livadh të madh ekonomik, politik, filozofik e kanë ndihmuar Sali Berisha me ulërimat dhe sharje kërcënimet e tij mbi narkoshtetin dhe mafien Rama dhe Lulzim Basha me humbjet e njëpasnjëshme të tij dhe pastaj rifillimet për të mbrojtur votën, demokracinë dhe PD-në. Po në dy segmente ku “besimtarët” të kujtojnë se kryeministrit piktor i ka shkarë peneli për t’i dalë pastaj livadhi vjollcë ku i pari është Berisha dhe sharjet tashmë asgjëbërëse të tij. Ky segment përbën pluralizmin, por që në fakt ka rrënjët në asgjëbërjen e Ramës, kundër doktorit për korrupsionin familjar dhe krimet politike të ish-kryedemokratit që nga 1996-ta deri kur u largua nga pushteti në vitin 2013. Premtimet e Ramës për drejtësinë kundër Sali Berishës dhe fakteve të rënda kundër tij, janë estradë politike që bëjnë pluralizmin e vetëm në Shqipëri. Nuk ka më bashkim blu & kuq, se sa ky moment mes Ramës dhe Berishës. Ish-kryeministrit dhe të gjithë familjes apo dhe miqve të tij nuk iu ka ndodhur asgjë, as politikisht as ekonomikisht as financiarisht nga Rama. Përkundrazi, janë pasuruar dhe fuqizuar akoma më shumë se sa kur kishin pushtetin. Mirëpo “besimtarët” apo naivët apo përfituesit, kujtojnë se për këtë livadh “purple” i ka shkarë peneli Ramës. Jo se ai e ka pjesë të racionalitetit mbajtës pushteti. “Naivët” kujtojnë se është tablo ashtu kot, kur Rama ka vite që po e përgatit. Artisti i “livadhit purple” përgatiti pallatin e shembur në Vlorë që të gëzoheshin në Tiranë. Nuk goditi as kunat dhe as background financiar ekonomik bashist, por përkundrazi i rehatoi. Detyroi dhe urdhëroi si zgjidhje “idealin e Berishës” zbatuar nga Basha dhe e penduara e shekullit Monika, të largimit të opozitës nga reforma në drejtësi, Parlamenti dhe zgjedhjet vendore në mënyrë perfide dhe të turpshme. E kështu Rama mori kohën dhe livadhin e plotë, të cilin tani e ka “purple” dhe ku livadhis më së miri jo vetëm kadeti Bigler ose Basha, por dhe vetë babai i madh i demokracisë së Shqipërisë moderne ose doktor Berisha. Rama nuk ju ka bërë asgjë elitokracisë së ngushtë demokratike në SHQUP. E ata vetëm e kanë sharë e “telendisur” në sy të besimtarëve militantë dhe përfitues të vegjël, por kanë pranuar të gëzohen në livadhin e madh “purple” që Rama ka pikturuar dhe ndërtuar. Rama me të tillë opozitarë ka detyruar mbushjen me konkubina idiote PD-në duke larguar demokratë sikundër ka bërë me Rilindjen, duke larguar socialistë. Po dhe biles jo me metodat e bolshevizmit Berishian tashmë të kollarisura “alla europiane” të Bashës. Sot livadhi “purple” ka mbledhur PS dhe PD dhe njerëzit duhet të mos kritikojnë këtë vend pushtimi dhe pasurimi të të dy palëve. Këtë vend ku vetëm demokraci nuk ka. Ku njëra palë rri në pushtet dhe përfiton kaq shumë, sa pasuron pa u lodhur fare dhe opozitën. Ku njëra palë është kaq punëtore dhe shpikëse e madhe vepron kaq shumë (PS Rilindje) sa pala tjetër dembele dhe pa kreativitet (PD) mund të vazhdojë të jetë ashtu pa frikën, se mbetet pa bukë dhe fitim.

Mirëpo ky morbozitet demokratik, nuk bëhet pa pasur ushtrinë e besimtarëve dhe militantëve përfitues në selinë medemek blu. Ata duhet të besojnë, ju është imponuar të besojnë, se ky livadh është pasojë e “rrëshqitjes së dorës” së piktorit Rama. Po pra po, kujtojnë se i ka “ikur peneli” se i është dridhur apo rrëshqitur dora në përzierje ngjyrash. Tashmë ata bëjnë armik, quajnë komunist dhe i thonë – i Ramës, të gjithë atyre që e dinë qartë sidomos mbas këtyre zgjedhjeve të matrapazllëkut mbi pronësinë e livadhit “purple” Rama & Basha. Nuk e besojnë se kujtojnë se ka të shkruar në tapi një gjë të tillë. Nuk duan të besojnë as sinqeritetin e artistit Rama, kur thotë se “ne socialistët jemi më të mirët, por mbas nesh vini ju demokratët”. Nuk duan të besojnë akoma se Rama kujdeset për PD-në. Që ajo t’i ngjajë Rilindjes. Po deri në preferencën e ngjyrës. Ti ngjajë, duke larguar disi bolshevizmat e kohës së Berishës dhe futur “rilindizmat” e kohës Rama. Duke larguar brutalitetin folklorik të thirrjeve dhe marrëzive sulmuese blu dhe perfid-ien, amoralitetin e jashtëzakonshëm dhe kreativitetin në përfitim “purple” të Rilindjes së Ramës. Kurse “besimtarët” do t’iu duhen për të ndalur krijimin e opozitës ndryshe, të “lidershipeve ndryshe” të ideve mbi demokracinë në praktikë krejtësisht ndryshe. Ju duhen nga krahu blu sepse krahu vjollcë ka patronazhistët. Në livadhin “purple” Rama & Basha, të dyja shkrihen në një. Realizohet e qartë ëndrra e piktorit për të pasur në vitet 90-të PD nën drejtimin e tij. Tashmë mund ta arrijë në mandatin e katërt të tij që vjen sipas batutave të Ramës: më herët se sa vonë, pikërisht mandatin dhe si kryetar i PD-së. Hahahaha... jo bëj shaka, sepse nuk është kaq egoist dhe ambicioz sa më shkon ashtu në fantazi mendja ime. Jo, por zakonisht artisti Rama fantazinë e ka pjesë thelbësore të realitetit të nesërm. E padyshim disa prej tyre i ka realizuar. Të largojë pothuaj fare LSI, të largojë parti të vogla kot fare, të dëmtojë PD-në në numra, por sigurojë Bashën në besim partiak, me parti të zemëruarish si Murrizi, Topalli, Hajdari dhe Patozi që asgjë nuk merrnin për vete, por i hiqnin PD-së tre deputetë. Artisti i livadhit “purple”, arriti të bëjë kod dhe ligje numërimi votash dhe dalje në fletë idiote votimi që të krijohej partia e pestë në Shqipëri ose ajo e fletëve gabim, ku pikërisht gabimi, duhet t’i peshojë një partie që bien dakord Rama me Bashën. Ka dhe shumë e shumë të tjera që nga 17 maji 2017, por “besimtarët” vazhdojnë të kujtojnë, se i ka shkarë peneli piktorit.