BREAKING NEWS

Masat shtrënguese për parandalimin e përhapjes së COVID-19, Komiteti Teknik i Ekspertëve komunikon vendimin e fundit

Masat shtrënguese për parandalimin e përhapjes së COVID-19,
x

Opinion / Editorial

Llogaria e “kryeministrit” tonë, bifteku një milion

Llogaria e “kryeministrit” tonë, bifteku një milion

Në fshatin tim para çlirimit, beu më i njohur i zonës, vendosi të ndërtojë një vilë banimi. Pasi u bë projekti nga arkitektë të huaj, mjeshtrit e ndërtimit u zgjodhën nga Opari, të njohur për aftësitë e tyre ndërtuese dhe cilësinë e fortësinë që garantonin përball tërmeteve, rrëshqitjeve dhe çdo risku tjetër. Po më së shumti ata shquheshin për shpejtësinë e përfundimit të banesave me çelësa në dorë. Pasi mbërritën, mjeshtrit u pritën nga beu në shtëpinë e vjetër. Diskutimet ishin të pakta, dhe marrëveshja u arrit shpejt. Të dyja palët hodhën mbi tavolinë kërkesat e tyre. I zoti i shtëpisë kërkoi shpejtësi, cilësi, estetikë dhe garanci që asgjë nuk do t’i ndodhte banesës së tij në vitet që do vinin dhe do ishte godina më e bukur, jo vetëm në fshat, po edhe në tërë krahinën dhe më larg deri matanë detit. Materialet e ndërtimit nga nuk u sollën. Të gjitha ekstra. Më të mirat e kohës. Ustallarët punuan ditë natë. Në shi. Në pikë të vapës. Ditë-natë. Fjetën në kushte të vështira. U lodhën e dërmuan, po në fund ia mbërritën të ndërtonin një godinë mahnitëse. Të bukur si të pikturuar nga piktorët më të mirë të kohës. Erdhi radha e llogarive. Kryemjeshtri u ul me fletoren e trashë në dorë dhe nisi t’i bëjë llogaritë për volumet e punës dhe ditët e tre viteve me njëzetë e më shumë muratorë, marangozë e dhjetëra punëtorë krahu. Në përfundim i tha se e gjithë puna kushtonte kaq franga ari. Beu u përtyp dhe nisi edhe ai llogaritë e tij. Që në fillim i tha kryemjeshtërit sa i kanë kushtuar, buka, mishi, fasulet, patatet, lakrat, makaronat, orizi, vaji, kripa deri te piperi. Dhe pas kësaj llogaria që u detyrohej sipas tij përgjysmohej. Oparioti fisnik nuk e dha veten. Po nuk mundi të heshtte. -Na bërë llogari bukën dhe na e bëre shumë shtrenjtë, o bej, i tha. Megjithatë morën aq franga sa u dha beu dhe u larguan në Opar. Kjo historia e llogarisë së bukës përmendet sa herë dikush në fshatin tonë tregohet i lig e hileqar dhe të bën llogari qindarkën. Kështu thuhet sa herë të bëhet llogari kafshata e bukës. Ngjarja që i referohemi ka ndodhur afër tetëdhjetë vite me parë. Ishte ndryshe mentaliteti. I tillë ishte edhe formimi dhe ndoshta llogaria për harxhimet e bukës dhe gojës edhe mund të justifikohej dhe ata që i bënin janë tanimë të harruar. Dhe nuk do t’i kujtonim nëse kryetari i PD-së Lulzim Basha nuk do u zinte në grykë biftekun që ministrat shqiptarë shijuan në restorantin e njohur të Dubait në Emiratet e Bashkuara. Natyrisht për propagandë dhe politikë. I vendosur në një kontekst tjetër, përgojimi nuk është një llogari e thjeshtë as ndonjë merak opozitar se u dëmtuan financat e shtetit shqiptar. Për ne shqiptarët është e njohur tradita edhe në fshatin më të largët, atje ku varfëria ishte e pranishme deri te mungesa e bukës, po kur vinte miku, tavolina thyhej nga pesha e pjatave dhe gatimeve. Më i varfëri e digjte shtëpinë për mikun dhe gëzonte kur hante e pinte sepse kështu ishte zakoni dhe tradita që është përcjellë ndër shekuj. Kështu edhe në Dubai, mikpritësit nuk do ta linin delegacionin shqiptar të hante në fast food apo nëpër qoshe e mejhane. Sigurisht do bënte nderet e të zotit të shtëpisë dhe do t`i çonte atje ku do të ndiheshin më mirë dhe më të vlerësuar në një restorant të klasit të parë. Dihet se tërë shpenzimet ishin të mikpritësit, jo për vetë fuqinë ekonomike që zotëron, po së pari për të bërë traditën e vendit të tij. Unë nuk kam pasur rastin të provoj ndonjë restorant të klasit të Dubait. Më e shumta kemi shkuar deri këtu pranë në Tiranë dhe natyrisht nuk i dimë çmimet e restorantit në Dubai, Holandë, Vjenë, Stamboll aq më pak nuk kemi interes fare se sa kushton një darkë apo një drekë në ato restorante. Kuptohet se kushtojnë shumë. Por kur paguajnë mikpritësit nuk na takon të bëjmë llogarinë e kafshatave të konsumuara aq më pak të qajmë për kuletën e bosit që i priti në emër të shtetit të kamur. Edhe Basha nuk është se e ha meraku sa u harxhua edhe sikur të ishin partë e shtetit tonë. Për të ka fare pak vlerë nëse u harxhuan lekët tona apo të bosit të Emirateve të Bashkuara. Atij i intereson paralelizmi me ngjarjen e mbytjes së të rinjve shqiptarë në vitet e shkuara kur kryeministri i kohës gjendej në Selanik. Dhe u akuzua se bridhte në kohën kur ndodhi tragjedia. Si atëherë thotë Basha po të nuk e vrasin fare mendjen se Shqipëria gjendet nën ujë dhe e përmbytur në një kohë kur kryeministri Edi Rama i gjendur në vizitë zyrtare në Athinë ndërpreu vizitën dhe u kthye urgjent për të qenë në krye të detyrës dhe mobilizuar të gjithë institucionet për të shpëtuar jetët dhe pronën e atyre që u përmbytën nga reshjet e shumta. Delegacioni shqiptar ishte në Dubai, jo për të bërë qejf as për vizitë nëpër metropolin e famshëm. Ishte për punë në interes të Shqipërisë dhe në radhë të parë për një nga ndërtimet më të rëndësishme atë të portit të Durrësit për të shndërruar në të ngjashëm me portet më të bukura të Europës si ai në vendin e tyre dhe kudo ku veprojnë firma të tilla, liderë botërorë. Ministrat e qeverisë aktuale që ishin në Dubai do vijë një ditë që nuk do jenë më në ato karrige. Do kalojnë kohë dhe do harrohen edhe emrat e tyre. Po porti i Durrësit sipas projektit të Dubait do mbetet si një dëshmi e qytetërimit dhe zhvillimit të Shqipërisë. Askush nuk e di nëse ka pasur një drejtues qyteti i Duracios, shekuj më parë kur në këtë portë zbarkonin ushtritë e Cezarit e Pompeut kur prej tij largoheshin familja e famshme Duracio apo korifenj të tjerë me emër në Shqipëri. Po porti ka qënë atje dhe i tillë do mbetet. E pra edhe vizita e delegacionit shqiptar nuk ishte për relaks ishte për një vepër të madhe, e cila do ndërtohet me një investim prej më shumë se dy miliardë euro. Dhe për t`ia arritur kësaj kuptohet se kërkohet këmbëngulje. Negociata dhe vajtje ardhje. Vepra me vlera kaq astronomike nuk mund të bëhen me telefon dhe është e nevojshme të shkohet, të kontaktohet, të debatohet, diskutohet, përzgjidhet varianti më i mirë, më ekonomiku që u intereson shqiptarëve dhe i jep impulse zhvillimit dhe modernizmit të vendit tonë veçanërisht porteve ku në të ardhmen do vijnë mijëra turistë, kroçerë, jahte, anije të tonazheve të mëdha të cilët do zbresin në vend të këndshëm me infrastrukturë moderne dhe cilësi mbresëlënëse. Nëse hedhim vështrimin në disa vite më parë ish-kryeministri i kohës Sali Berisha udhëtoi në Aizerbaxhan për shumë herë. Shkoi përsëri e përsëri. U takua me të gjithë me presidentin e atij vendi me kompaninë gjigante të gazit deri sa u arrit dhe u nënshkrua kontrata për ndërtimin e gazsjellësit më të madh që përshkon Ballkanin dhe ku në Shqipëri është shtrirë tubacioni në një gjatësi që përshkon Vlorën deri në kufirin me Greqinë në Korçë. Asnjëri nuk i përmendi Berishës bukën dhe hotelin, biletat e avionit dhe shpenzimet. Tek e fundi ai shkoi atje, jo për turizëm, po për ekonominë e këtij vendi. Dhe dihet impakti pozitiv i gazsjellësit për ekonominë tonë, i cili ushqeu financat me miliona euro, duke rritur të ardhurat dhe punësimin, po mbi të gjitha krijoi mundësinë për t`i dhënë vendit lëndë djegëse dhe gazifikuar tërë ekonominë tonë kombëtare. Po opozita kurrë nuk i bëri llogarinë e biftekut as të restoranteve. Nëse do ta bënte ishte injorancë për të. Ndryshe nga ky qëndrim kreu i opozitës Lulzim Basha dhe tërë kallauzët e tij, analistët dhe opinionistë të porositur, ata që i thonë këmbës dorë dhe shprehin vetëm urrejtje dhe zili e mbytën opinionin shoqëror dhe shqiptarët me përrallat e biftekut një milionë ose një mijë euro. Nuk dihet nga cila lëndë ishte gatuar ky bifteku një mijë euro, po shifra është aq e fryrë dhe nga një llogaritar që nuk e njeh fare tabelën e shumëzimit dhe ngatërrohet edhe në shumëzimet deri tek dhjeta se këtu vetëm sinqeritet dhe realizëm nuk ka. Hiperbola e biftekut një milionë të gjithëve u bie si një bubullimë e rëndë mbi supe dhe i trullos në mendje. Po secili që jeton këtu tek ne është stërvitur prej kohësh dhe nuk e ha këtë biftekun një mijë euro. Më e shumta qesh dhe përqesh atë dhe ata që të zënë bukën në fyt dhe kërkojnë të bëjnë politikë dhe kauzë të bëhen faktor me biftekë e me mish, bukë e fasule ëmbëlsira e freskuese, duke na thënë ja kush u drejton, ata që hanë biftekun një milion. Dhe kjo është fare qesharake kur e thotë kryetari ynë duke pasur në sfond katër vila që vërtet bëjnë dhjetë milionë euro, po ato asnjëri nuk mund t`ia përgojojë se janë pronë e kryeministrit tonë të ardhshëm!