Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Lobimi si hipokrizi dhe trishtimi nga integrimi

Postuar: 13/02/2018 - 08:27

Shqipëria prej vitesh pret para dyerve të Europës për t`iu hapur porta e integrimit. Pasi ka ngjitur një shkallë tre vite më parë, synon të hyjë në paradhomën e BE-së. Raporti më i fundit i Qeverisë së Europës shpalosi strategjinë e integrimit dhe përparësinë që ka Ballkani Perëndimor për t`u bërë pjesë e Europës. Ky raport i bën një radiografi të plotë gjithë shteteve përreth vendit tonë. Veçon ata që gjenden më pranë dhe të tjerët në periferi. Kriteret e vlerësimit janë të vendosura nga mikpritësit, nga ata që kanë në dorë çelsat e kontinetit dhe politikat e zgjerimit. Pas njohjes me këtë strategji, ne si shqiptarë shikojmë interesimin europian për një perspektivë reale dhe mundësi konkrete për t`u “ankoruar” në këtë organizëm. Po si në çdo rast, edhe këtu qëndrimet e politikës, analistëve dhe opinionistëve tanë i kanë bërë lexime të ndryshme raportit të strategjisë së zgjerimit. Dikush e shikon gotën bosh. Të tjerë gjysëm plot e më idealistët, dashnorët pa kushte të integrimit, fare plot, bile edhe duke u derdhur. Çështje perceptimi.

E vërteta është se Shqipëria, më shumë se njëherë ka marrë vlerësime pozitive në zbatimin e prioriteteve si një vend që ka bërë dhe po bënë progres. Ambasadorja Vlahutin, që është përcjellësja e politikave mes vendit tonë dhe BE-së, theksoi se kemi bërë progres sa për një dekadë në këto dy vitet e fundit. Zmadhim apo realitet?! Deputetët e PD e sulmuan për këtë deklaratë. Po kështu raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Flekckenstein e konsideroi raportin si realist dhe inkurajues, duke bërë thirrje që vendi ynë të vlerësohet objektivisht dhe të fitojë të drejtën për hapjen e negociatave. Mediat prestigjioze botërore analizojnë hapat që ka bërë vendi ynë dhe e cilësojnë surprizë edhe mundësinë e pranimit në BE para shteteve të tjera ballkanike. Dhe arsyet e këtij vlerësimi dihen. Shqiptarët janë populli më proeuropian. Janë Europë dhe duan të bëhen pjesë e saj prej tre dekadash. Dhe në këtë rrugëtim, gjatë tërë periudhës post komuniste, janë bërë përpjekje të jashtëzakonshme, ashtu sikundër edhe kemi pasur tronditje të shpeshta, ka problematika me pronat, defekte në strategjitë e zhvillimit, efikasitetin e administratës publike. Po pengesa kryesore ka qenë dhe vazhdon të jetë drejtësia. Pikërisht për një drejtësi të pavarur luftohet sot me mbështetjen e gjerë ndërkombëtare. Përmes reformës më të thellë e të gjithanshme në drejtësi, synohet të vendosen balanca mes pushteteve. Të behet një drejtësi e pavarur dhe e drejtë. Të gjithë shtetasit të jenë të barabartë para ligjit. Do të jetë kjo reformë, që do ndryshojë tërë politikat penale dhe do të vërë para drejtësisë tërë ata që kanë cënuar ligjin dhe kanë kryer veprimtari të dënueshme, pavarësisht postit dhe pozicioneve që kanë mbajtur dhe kanë aktualisht. Barazia para drejtësisë është kërkesë permanente e Brukselit. Kusht i panegociueshëm për integrimin.

Po si u lexua raporti i strategjisë së zgjerimit dhe cilat janë qëndrimet e politikanëve tanë? Qeveria dihet. E lexon raportin me pozitivitet. Jo me idealizëm. As me entuziazëm. Përgjithësisht me realizëm. Dhe është detyra e saj të evidentojë pozitiven dhe mangësitë. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, deklaroi se ai dhe partia e tij e do Shqipërinë në Europë dhe për këtë kanë lobuar gjatë gjithë kohës. Se ata kanë qenë përherë partizanë të integrimit. Dhe për këtë kanë bërë përpjekje gjatë takimeve me cilindo që ka në dorë çeljen ose jo të negociatave për vendin tonë për në BE të ndikojnë për një vendim sa më të drejtë. Se shqiptarët e meritojnë. Jo qeveria. Kuptohet. Po a është e sinqertë kjo deklaratë dhe a është i vërtetë Basha në prononcimin që bën? A ka këtu hipokrizi dhe dyfytyrësi? Referuar qëndrimeve brenda vendit dhe takimeve që ka bërë në kancelaritë e Europës në mbledhjet e Partive Popullore dhe personalitete të ndryshme nuk rezulton të ketë qenë aspak lobues dhe pro integrimit. Përkundrazi, ai ka tundur para syve të vendimmarrësve të të djathtës dhe jo vetëm, problematikat që percepton dhe që kalon vendi ynë. Ka shumëzuar dhe rritur në progresion gjeometrik shkallën e kriminalitetit. E ka ekspozuar Shqipërinë si vendi ku sundon mafia. Ku politikën e bëjnë oligarkët. Ku kanabisi është shtrirë në 28 mijë km katrorë. Ku qeveria ka zaptuar drejtësinë. Ku kryeministri është edhe kryeprokuror edhe kryegjyqtar. Ku pushteti është i lidhur pazgjidhshmërisht me krimin. Ku banditët bëjnë kërdinë. Ku fondet u jepen miqve të pushtetit dhe paratë e popullit ndahen mes atyre që fitojnë tenderat, ministrave dhe zyrtarëve të qeverisë. Se mazhoranca ka ngushtuar të drejtat e njeriut dhe lufton kundër opozitës. Se këtu nuk bëhen zgjedhje të lira e të ndershme. Fitorja e 25 qershorit 2017 është blerë nga krimi. Se mbrohen kriminelët. Dhe deklaratat me negativitet të theksuar nga lideri i PD kanë shkuar në ekstrem. Shqipëria është nxirë në atë farë feje sa nuk ka mbetur një vend i bardhë, qoftë dhe për shenjë, ku ta vendosësh gishtin. Dhe e gjitha kjo strategji për ta penguar me çdo mënyrë integrimin e Shqipërisë në BE.

Pas raportit për strategjinë e zgjerimit, polemikat janë bërë edhe më të shumta. Flasin “kompetentët”. Ata që e kanë lexuar raportin. Dhe më shumë bërtasin ata që nuk e kanë parë fare. Bile ata bëjnë si më të informuarit. E kuptojmë pozicionin e opozitës. Ashtu siç kuptojmë edhe gjykimin e ish ministres së integrimit, zonjës, Klajda Gjosha e cila sapo la karrigen e ministres që e kishte detyrë funksionale integrimin dhe luftoi katër vite për t`ia mbërritur, pas daljes së këtij raporti, hoqi nga fjalori i vet tërë pozitivitetin që e kishte shoqëruar këtë proces sa vite qëndroi në këtë karrige. Ndryshim ky i pajustifikuar dhe kontravers pasi është e njejta deputete, është i njejti person që shfaqet në dy pamje dhe dy modele. Para zgjedhjeve si ministrja më e flaktë e integrimit, shpallej si garancia numër një se vendi ynë e meritonte të futej në familjen europiane dhe fliste me superlativa për punë që ajo, ekipi i saj dhe qeveria kishin bërë. Evidentonte mendimin pozitiv në kancelaritë europiane, po sot si opozitare, ka ndërruar gjuhë, ka bërë kthesë 180 gradë, duke i veshur Shqipërisë, një tjetër kostum. Natyrisht, atë të mosplotësimit të kushteve dhe nga mundësitë maksimale të çeljes së negociatave është konvertuar në mundësi minimale, gati e pamundur. Dhe ky qëndrim se Gjosha tani është opozitë dhe i bën iso tjetër kënge, asaj të trishtimit e dëshpërimit. Integrimi nuk mund të ndodhë pa të dhe kryetaren e LSI-së, që u bien trumbetave se shqiptarëve u takon të jenë në Europë, po qeveria meriton të jetë në gropë. “Kur jam unë gjithçka është “ok”. Ika unë, pas meje le të përmbyset dynjaja”, është qëndrim aspak dashamirës ndaj një procesi, që nuk është as për gradat e mazhorancën as për aksionet e opozitës. Ish ministrja e Integrimit duhet të ishte e para që do gëzohej për përparimin dhe integrimin, pasi ajo në politikë të vetmen medalje të fituar, ka integrimin. Kështu që hapja e negociatave do të jetë për të vlerësim, ashtu sikundër do meritojë zero vlerësim nëse ndodh e kundërta.

Në përpjekjet për hapjen e negociatave dhe në lobimin për t`ia arritur, ka shumë hipokrizi dhe aspak ndershmëri këtu tek ne. Liderët tanë në opozitë bëjnë gjithë përpjekjet për ta mbajtur konfliktin të ndezur dhe përhapin përditë nga një flakë të re. Njëherë me protesta që nuk kanë asnjë përmbajtje dhe janë partiake, të nesërmen me deklarata që nxijnë gjithçka që bëhet këtu, me paralajmërimet për djegien e mandateve të deputetëve, tek thirrja për mosbindje civile për ta kthyer kokë poshtë reformën në drejtësi, për të përmbysur Kushtetutën për ta larguar nga skena Kryeprokuroren e përkohshme, për ta pezulluar vetingun. Të nesërmen, duke shpallur organet e drejtësisë të paligjshme, të gabuar miratimin e KLP dhe KLGJ, që për hir të së vërtetës u bënë përpjekje kolosale për ta patur opozitën palë, por që vetë ajo e sabotoi këtë proces, duke ia lënë vendimin, jo parlamentit po goglave. Pra rastësisë, që realisht është më e besueshme, se politika do e kishte bërë edhe më çorap përzgjedhjen, siç ka bërë gjithmonë.

Sherret në politikën tonë nxiten jo nga parimësia, pavarësisht se shiten si interes kombëtar. Edhe pse janë kundër gjithçkaje që bëhet në këtë vend, edhe pse kundërshtojnë në emër të parimit si shumë parimor dhe hiqen sikur u dhemb shpirti për integrimin, në realitetin e përditshëm veprojnë në kahje të kundërt. Në analizat e politikanëve dhe analistëve tanë, thuhet se si mund të pranohemi në Europë, kur partitë tona grinden!? Kur ka kaq shumë sherre. Kur nuk gjejnë dot fjalën. Ku nuk ka kompromise. Kur nuk ka një platformë të përbashkët, pro integrimit. Kur këtu ka kaq shumë korrupsion. Ka kriminelë e krime. Ka drogë. Dhe argumentat kundër vërshojnë ngado në auditoret e politikës tonë. Po mirë në vendet e tjera që janë pranuar dhe paraqiten si më të avancuara, a nuk ka sherre politike? Më thoni një vend të vetëm të botës, ku pozita dhe opozita, puthen çdo mëngjes dhe janë në të njejtin kor dhe këndojnë të njejtën këngë? Le të thotë dikush që vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë gjithçka në vijë dhe atje nuk ka as krim e as kriminelë. Ku lulëzon çdo gjë dhe jetojnë vetëm engjëj. Na thoni qoftë edhe një vend të Europës, ku pozita dhe opozita i bëjnë fresk njera-tjetrës dhe thonë “po” për çdo problem? Është e vërtetë që shtetet kanë diferenca mes tyre. Në zhvillim. Në mirëqenie në zbatim të ligjit. Në administratë. Në marrëdhëniet mes fqinjëve. Në ekonomi. Barazia, vetëm në komunizëm u provua dhe nuk iu arrit. Ndaj politikanët tanë opozitarë të provuar dhe me rezultatet e qeverisjeve të tyre mbi shpinë, le ta bëjnë pak më ndryshe llogarinë. Ata nuk janë engjëjt e gjithë të tjerët djajtë. Opozitarët tanë le të hedhin vështrimin edhe nga vendet e tjera dhe le të gjejnë një opozitë që nxin vendin e vet dhe është kundër integrimit. Liderët e opozitës të mos kenë frikë nga integrimi. Ta lënë pas shpine trishtimin dhe dëshpërimin nga suksesi. Se me politikën që bëjnë, duket sikur pas çdo lajmi të mirë për Shqipërinë nga organizmat e ndryshme vendimmarrëse, liderët tanë tronditen e mërziten dhe bëjnë sikur lobojnë për Shqipërinë në Europë, po nga aksionet dhe veprimet që kryejnë e shpien drejt e në gropë./Nga Bardhyl BEJKO

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 18

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 27/05/2018 - 07:47

Edhe këtë rradhë, sheshi “u mbush” dhe në fund polli një... “plesht”! Nuk e ka nxjerrë kot i madhi “Sovran” shprehjen: “Kur më gënjeni një herë, është faji i atij që gënjen. Kur më gënjeni herën e dytë është faji i atij që e beson”! Kjo është e qartë.

Postuar: 27/05/2018 - 07:44

Isha i qartë se kështu do të përfundonte dhe "protesta e madhe dhe e mbushur" e opozitës së katandisur kaq keq, po kaq keq, sa vërtetë imperativi më i madh i demokraci

Postuar: 27/05/2018 - 07:41

Ajo që pritej ndodhi. Llogaritë nuk u konfirmuan.

Postuar: 27/05/2018 - 07:39

Ka shumë njerëz në Shqipëri, që kanë dëgjuar të flitet për Kontrollin e Shtetit vetëm pas vitit 1991.

Postuar: 26/05/2018 - 07:23

Strategji e re opozitare. Vijnë, shajnë, bërtasin. Ikin...Taktikë e mirëllogaritur. E drejtpeshuar deri në detaje.

Postuar: 26/05/2018 - 07:21

Tanimë është retorikë e panevojshme të thuash se protesta në demokraci është limfë e duhur e saj!

Postuar: 26/05/2018 - 07:18

“Babalet” tashmë e kanë gjetur metodën e punës së tyre.