Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Fillon procesi gjyqësor ndaj Izet Haxhisë, nisin telashet për Sali Berishën, Prokuroria kërkon thirrjen e dëshmitarëve përfshirë ish-kryeministrin, Ylli Rakipin...

Fillon procesi gjyqësor ndaj Izet Haxhisë, nisin telashet për
x

Opinion / Editorial

Lot e dhimbje, por edhe shpresë e gëzime

Lot e dhimbje, por edhe shpresë e gëzime
Përballemi në këtë kohë me një ngjarje tragjike që pushtoi rëndë shpirtrat e njerëzve në mbarë Shqipërinë, e sidomos në Shqipërinë e Mesme, Durrës, Tiranë, Krujë, Laç e më gjerë. Dhimbje për ata që humbën jetët, dhimbje për ata që jetojnë mbasi kanë humbur të afërmit, dhimbje për atë ekonomi personale e shoqërore që u shkatërrua. Ajo që ndodhi është një nga shumë katastrofa që njerëzimi i ka përjetuar e që fatkeqësisht, nuk mund të jetë e fundit, ngjarje të tilla do ketë përsëri, sepse ato janë fenomene natyrore të pallogaritura e të papërballueshme, por që njerëzimi, duhet të ketë kurajon për t’i minimizuar humbjet nga këto katastrofa. Katastrofat natyrore, si tërmetet, zjarret, përmbytjet etj., e kanë shoqëruar gjithmonë njerëzimin brenda kohës dhe hapësirës globale dhe sidomos në këto kohët e fundit. Ato, papritur, bëhen shkaktare të dhunshme për shkatërrimin e mjedisit, marrin jetën e shumë njerëzve dhe kafshëve, bëjnë dëme të pallogaritshme materiale, shkatërrojnë fshatra, qytete dhe prishin kështu ëndrrat e njerëzve për një të ardhme të sigurt. Sigurisht, situata të tilla, meritojnë jo vetëm të lexohen, por edhe të studiohen, sidomos në nivelin intelektual, pasi vetëm kështu mund të ndërtohen masat që duhen të merren për parandalimin e tyre. Në Shqipëri, përmbytjet kanë qenë të shumta,duke nisur nga lumenjtë, përrenjtë, drejt tokave, fushave, fshatrave apo familjeve. Dhe teksa janë shoqëruar edhe me dëme, masat e pas-përmbytjeve dhe menaxhimi i tyre kanë qenë të pakta e jo profesionale. Tragjedi kanë sjellë edhe zjarret, djegia e shtëpive, fabrikave, deri edhe në djegien e pyjeve. Kanë vepruar repartet, skuadrat, mjetet, makinat, grupet vullnetare të zjarrfikëseve, por marrja e masave të nevojshme që të mos ndodhë e keqja, për të mos u dëmtuar, për t’u mbrojtur nga çdo rrezik, nuk kanë qenë në nivelet e duhura. Për kuriozitet të lexuesve, dua të përmend disa fenomene e ngjarje që, pavarësisht se nuk janë të njohura në masën e njerëzve, ato janë të shkruara në kalendarët historikë botëror. Të tilla po përmend: Një herë në jetë, ka ngrirë krejt deti i Zi. Kjo ka ndodhur në vitin 401, kur nga i ftohti i madh, ky det ngriu cep më cep. Po kështu edhe në vitin 763 është përsëritur një rast tjetër, kur Gryka e Dardaneleve u ngri nga akulli me një trashësi të madhe. Kurse në vitin 882, të gjithë lumenjtë e Evropës ngrinë për një periudhë një mujore rresht. Më tej, në vitin 1194 u ngri krejt lumi Po, në Italinë Veriore. Në vitin 1234, në Lombardi, u ngrinë të gjitha sasitë e verërave që gjendeshin në bodrume dhe fuçitë u çanë me sëpata. Madje, në vitin 1236 ngriu komplet lumi Danub, në të gjitha shtetet ku ai kalon.
Duhet thënë se në shekullin e XV-të kanë bërë shumë dimra të egër. Kështu, në 1408-tën, kancelarit të Parlamentit të Parisit i ngriu melami dhe u vendos që të mos nënshkruhet. Edhe dimrat e vitit 1432-1433 qenë shumë të egër, saqë pulave dhe gjelave u ngriu lafsha. Madje, në vitin 1435 në shumë vende u gjetën edhe zogj të ngrirë. Sidomos, në vitin 1608, kur mbretit të madh, Henrikut të IV-të i ngrinë mustaqet, kur ishte duke ndenjur pranë mbretëreshës edhe buka i ngriu në tavolinë. 
Më tej, në vitin 1658, Mbreti i Suedisë, Karli IX me ushtrinë e tij kapërceu lumin Beli që kishte ngrirë me kuaj e në këmbë. Në 1683-in, akulli mbi lumin Tamiz arriti në trashësinë 60 cm. Në 1684-tën, Parisi u zhduk nën mjegullën e akullit. Kurse në vitin 1709 të ftohtit qe aq i madh, saqë shumë gurë të mëdhenj plasnin nga akulli. Disa vite më pas, në 1740-tën, në Peterburg u krijua një shtresë akulli 52 këmbë i gjerë e 20 këmbë i lartë. 
Gjithashtu, në 1775-tën mbeti i ngrirë lumi Tamiz dhe për një muaj, aty u ndalua lundrimi. Një vit më pas, shumë kambana duke rënë u copëtuan dhe shumë sahate u ndaluan. Dhe në vitin 1789, në tërë Francën kishte ngrirë buka, saqë nuk hahej pa u ngrohur në zjarr. Shekulli i XIX-të ka provuar dimra të ftohtë. Dhe në vitet 1814, 1830, 1845, 1848 në Evropën Perëndimore ka patur shumë dëme në blegtori. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, rrethimi i San Petërburgut u ça në sajë të ngrirjes së Liqenit Lladoga, aq sa mbi të kalonin makinat me ndihma ushtarake, pa diskutuar për ngritjen e lumit Neva, i cili ngrinte edhe në vitet 1961 kur ishim atje për studime.
Po katastrofat në dy diga italiane? Në rajonin italian Longaremo, në vitin 1963 ndodhi një katastrofë nga rënia e një pjesë mali, i cili u shemb dhe ra në liqen, duke shkaktuar një dallgë uji jashtëzakonisht të madhe, e cila e çau digën e liqenit dhe përmbyti luginën mbarë duke sjellë dëme të mëdha dhe mbi të gjitha, u mori jetën 2118 personave. Konkretisht, katastrofa e Terezos u shkaktua nga çarja e digës e ndërtuar me dhe të ngjeshur, që ishte ngritur mbi lumin Stava për të krijuar një rezervuar uji.
Fatkeqësi të rënda kanë ndodhur nga vullkanet, ajo që dihet prej nesh janë varrosja nën hirin vullkanik të qytetit Pompeo në Itali apo dëmeve që kanë sjellë dy vullkanet aktive të Etna-s dhe Vezuvit. Në shtete të tjera vullkanet kanë bilanc shumë më të madh marrjesh jetë njerëzish. Disa tsuname të ndodhur nga tërmete të fuqishëm kanë zhdukur nga ekzistenca disa fshatra në Indonezi, Kili etj. Vështirë se i numëroj të gjitha fatkeqësitë botërore të ndodhura në
shekuj, vetëm disa të kohëve të fundit që janë dhënë edhe në mediat tona, janë trishtuese.
 
Dhe pas këtyre fatkeqësive botërore, le të analizojmë dhe të përcjellim tek lexuesi, fatkeqësitë natyrore shqiptare. Cilat kanë qenë ato?
Tërmetet e ndodhura në disa zona të vendit tonë në periudha kohore të ndryshme, të cilët mbahen mend e janë të shkruara edhe në shtypin e këtyre ditëve apo të deklaruara nga sizmologët tanë. Dhjetra mijë banesa janë shkatërruar e janë rindërtuar përsëri. Tërmeti i vitit 1979 në Shkodër, Dibër, ose më mirë në Veriun e Shqipërisë deri në Krujë ishte shumë i rëndë, mbi 8 ballë dhe mbi 17 mijë ndërtime të prishura, por me vullnet e optimizëm u bë rindërtimi i tyre.
Të tjera fatkeqësi me marrje jetë njerëzish janë: orteku në Batër, Martanesh. Në muajin shkurt 1965, një ekspeditë gjeologjike ishte vendosur në shpatin lindor të malit të Dhoksit, në një shesh të rrethuar me pyllin e ahut, i mbrojtur nga erërat dhe i ftohti. Njëri nga pjesëtarët e ekspeditës, pasi qëndroi disa ditë në familje, u nis për të shkuar në vendin e punës pranë ekspeditës. Më 21 shkurt, arriti në qytetin e Bulqizës dhe pasi bëri një pushim të shkurtër, u nis për rrugë. Tri ditë kaluan, por Neshati nuk u duk. Pas dy ditë kërkimi, u gjet një dorezë buzë shkëmbit të Batrës. Ditën e tretë, rreth 30 punëtorë filluan gërmimet në dëborë që i kalonte 2 metra. Në ditën e tretë të kërkimit, në orën 10:15 të datës 25 shkurt 1965 nga faqja e malit u shkëput një ortek i madh dëbore dhe i përlan të gjithë punëtorët që kërkonin shokun e tyre. Shtatë veta që ishin lidhur dorë për dore orteku i përplasi anash, kurse 10 të tjerët i mori përpara e i hodhi në humnerë duke i mbuluar me dëborë disa metro trashësi vdekjeprurëse. U dha alarmi, në ndihmë shkoi ushtria, helikopterët dhe populli, por qe e pamundur nxjerrja e 10 vetave. Të 11 burrat mbetën së bashku me emrin e përbashkët “11 Heronjtë e Batrës”. Vetëm pas dy muajsh, në maj u gjetën 11 trupat pa jetë, të paprishur. 
Po tragjedia e 6 shkurtit 1981 në Feken të Tiranës? Çfarë kujtoni prej saj?
Kjo është dita, kur një fatkeqësi e natyrës mori jetën e re të njëmbëdhjetë studentëve dhe oficerëve. Një ortek dëbore shkëputet nga maja e malit dhe përlan të gjitha çfarë gjen përpara duke mbuluar e marrë jetën e 11 vetave dhe afro 100 studentë të plagosur, studentë të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve në zonën e Fekenit, ku ndodheshin në stërvitje gjatë një fushimi dimëror. 
Fatkeqësi kanë ndodhur edhe nga përmbytjet e shkaktuara nga prurja e madhe e lumenjve. Të tjera kanë ndodhur nga zjarret, por më të mëdhatë që mbahen mend janë ato të ndodhura nga tërmetet. Janë dhënë gjatë këtyre ditëve shembuj se kur kanë qenë tërmetet më të rëndë që kanë sjellë fatkeqësira shumë të mëdha, njëri prej të cilëve është edhe ky i datës 26 nëntor 2019.
Por ajo që më bëri të shkruaj këto radhë, është tendenca e mediave për të folur çdo ditë për këtë fatkeqësi, në ndonjë rast edhe për të kritikuar drejtuesit qeveritar e vendorë. Normale. Por nëse do bëhej një analizë për shkaqet, nuk është e mjaftueshme të thuhet se fajin për këtë katastrofë e ka qeveria, por do ishte mirë që të thellohej më tej, si për shembull: Pse u ndërtuan këto banesa private e kolektive në vende ku kanë qenë kënetat? Cilin pyetën ata banorë për të ndërtuar shtëpitë pa projekte e teknik ndërtimi që do i përshtatej vendit ku ata zunë pa leje? Çfarë përgjegjësie kanë qeveritë që nga viti 1992 e deri më sot, se ata nuk u vendosën aty këto 6-7 vite, por janë prej gati tre dekadash? Kush e solli lëvizjen e pakontrolluar dhe pse i lanë të ndërtonin në vendet kënetore të thara nga sistemi vjetër?
Kjo duhet bërë mendoj unë, gjatë bisedave në studiot e Tv-ve, ndërsa në shtypin e përditshëm, mendoj që nuk duhet ngacmuar më plaga e shkaktuar, sidomos për ata që kanë humbur të afërmit, boll. Do ishte më mirë t’i kthehen të ardhmes, jetës që duhet të ndërtohet prej të gjithëve. Keqardhje për ata që humbën jetën, por edhe shpresë për të gjallët. Të moshuarit e parë, se edhe unë që po shkruaj i moshuar jam, por ata më të vjetrit, rekomandonin: Fatkeqësia e dikujt nuk duhet të bëhet pengesë për të gëzuar të tjerët. Më kujtohet që thonin: Nëse të ka vdekur një i familjes dhe dikush aty afër kishte dasmë, duhet të vesh atje të hapësh këngën, pavarësisht se sa ditë ka që të ka vdekur babai, vëllai e tjetri i familjes.
Duhet propaganduar më shumë optimizmi e jo tragjedia, vullnetarizmi, solidariteti. Ajo ndodhi e nuk zhbëhet, por të tjerët duhet të jenë optimistë për ndërtuar të ardhme. Më habit qëndrimi i medias, por edhe i disa fshatarëve që kërkojnë nga qeveria tu japë shtëpi, apo tu ndërtojë shtëpitë, por nuk jemi në monizëm kur ekonomia ishte e centralizuar, jo, jemi në një ekonomi të decentralizuar dhe qeveria mund e duhet të japë ndihmë, sepse është sociale, por jo domosdoshmërisht tu ndërtojë shtëpitë. Nuk e them këtë për të ndaluar qeverinë që të mos bëjë të pamundurën për të ndihmuar, por edhe kjo nëse ajo mundet. Po për të sistemuar të ngelurit pa strehë në qytete, them se duhet bërë sa më shpejt që të jetë e mundur. 
Në zonën ku kam lerë e jam rritur, Mallakastër, kanë ndodhur patjetër tërmete dhe janë shkatërruar shtëpi deri në themel, por qeveritë në ndonjë rast kanë sjellë pak çadra, ndërsa fshatari e ndërton një kasolle me thupra e baltë për të jetuar deri sa të ndërtojë shtëpinë e re.
Dhënia e një sasie lekësh në dorë, është një ndihë shumë e madhe për një fshatar, kur ai gurin, tullën, apo tjegullën mund t’i ketë në vend, i duhet çimento e rërë që të bëjë llaçin e të ndërtojë. Duhet më shumë solidaritet brenda fshatarëve që të ndihmojnë njëri-tjetrin, kjo duhet propaganduar e nxitur sa më shumë e vazhdimisht. Personalisht kam jetuar disa muaj në shtëpitë e të tjerëve kur na u dogjën shtëpitë gjatë Luftës së Dytë Botërore nga fashizmi, deri sa ndërtuam dy dhoma e u futëm të banonim.
Mendoj se disa masa të marra nga qeveria duhen propaganduar e vlerësuar për mirë e sidomos ndihmat e dhëna në një kohë relativisht të shkurtër. Këtu sigurisht ka e do ketë veprime të padrejta nga administruesit e ndihmave, ato duhen kritikuar, por jo të jenë qëllimi kryesor, jo, më shumë optimizmit që duhet të karakterizojë njerëzit. Po flitet për dënimin e atyre që ndërtuan pallate e shtëpi dhe, po të thellohet analiza deri në ata që u vendosën pa leje apo administratat që i lanë të vendosen pa leje, do të duhet të futen burgjeve me dënime të ndryshme qindra vetë. Pse kjo është detyra e medias sot? Sigurisht pesë, gjashtë a dhjetë veta edhe mund të dënohen e kjo është detyrë e drejtësisë, por njerëzit duhet të merren me rindërtimin e jo me gjyqet.
Mendoj se kur bëhen analizat për ngjarjen, ato duhen bërë duke parë të shkuarën, pak për të tashmen dhe më shumë për të ardhmen. Zgjidhjet e përkohshme për sistemimin e njerëzve sa për të mos i lënë jashtë, duhen vlerësuar, por edhe njerëzit duhet të bëjnë përpjekje për të gjetur zgjidhje të tjera e të mos ngelen në dorë të fatit e të presin nga shteti. Mediat e shkruara e vizive, intervistat dhe të intervistuarit duhet t’i mëshojnë më shumë faktit që të gjallët duhet të bëhen më optimistë për të ardhmen e duhet të fillojnë të punojnë e jo të presin. Të paktën kështu na mëson eksperienca e tërmeteve të kaluar, apo edhe të fatkeqësive të tjera natyrore. Duhet parë e vlerësuar çdo ndihmë vullnetare që jepet, madje kësaj t’i referohen edhe mediat vizive, ndërsa shtypi për të tilla duhet të ketë artikuj redaksionalë, kështu ngrihet edhe mobilizimi i njerëzve, morali i të vrarëve nga fatkeqësia ideon për shpresë, sepse edhe unë e ju që shkruani tek shpresa për më mirë e kemi mendimin e dëshirën.
 
Nga Halil BREGASI