Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

LSI dhe “kodi i heshtjes” për vëllanë e madh

Postuar: 13/03/2018 - 09:02

Në axhendën e LSI që me pozicionimin në opozitë pas 25 qershorit 2017-të, vendosur në votimin mbarëkombëtar nuk ka mbetur ngjarje e çdo peshe edhe për rastet kur kanë qenë të dorës së dytë apo të dhjetë, pa i bërë objekt të analizave dhe komenteve nga liderët e saj. Është ngritur alarmi dhe ndezur semafori i kuq. Është lëshuar sinjali “sos”. Nuk janë kursyer ultimatumet e etiketimet, sharjet e denigrimet. Shënjestra e radhës është bërë përshesh nga fjalët e rënda që vrasin në çdo rast më shumë se plumbi. Etja e kësaj force politike për të qenë faktor e për t`i kthyer në kauzë, gjithçka është marrë me shpejtësi pa pritur asnjë sekondë, pa e studiuar ngjarjen, pa e kaluar në filtra, ku bëhet seleksionimi real i të vërtetës dhe rëndësisë. Kjo parti i pëlcitur pa vrarë mendjen, mbi publikun për t`i trullosur e çoroditur shqiptarët, po kryesorja për të dëmtuar imazhin e individit ose forcës politike përball. Lajmi është vendosur menjëherë në qendër të debateve. Është hedhur si karrem. Lajmësi i ka publikuar e reklamuar përmes tërë mjeteve të informacionit, nuk ka pushuar deri sa kanë gjykuar se nuk ka ç`ti shtrydhi më e çfarë të përfitojnë prej tij. Vetëm atëherë kanë pushuar tellallët, duke pritur prenë e radhës. Ose nëse i referohemi fjalorit të ditës “peshkun” e ngecur në rrjetat e partisë. Synimi për të përfituar politikisht e nxjerr maksimumin e mundshëm prej gjithçkaje. Kjo është në stilin e kësaj force politike. Është në strategjinë e ADN-në e saj. Kjo ka ndodhur, jo vetëm kur vërtetë ngjarja dhe individi e kanë pasur hak që të vihen në shënjestër të opozitës, por edhe kur nuk ka pasur asgjë për të bërë komente dhe për të ngritur stuhinë e radhës. Qëllimi ka qenë vetëm për shou. Për t`i dhënë ngjyrime dhe efekte sa më të bujshme në opinionin e gjerë, për ta bërë lëmsh e çorap tërë shoqërinë, për ta goditur në zemër “armikun politik” atij që ka zaptuar pushtetin dhe është bërë pengesë që të arrijnë në fronin qeveritar, opozita. Për këtë synim janë përdorur mjeshtërisht gjithë mekanizmat nga simbolikat, pankartat, thirrjet për revolucion, protestuesit shëtitës, protestat e zhurmshme, fluturimin e çizmeve mbi deputetë, flakja e këpucëve, etiketimet, ulërimat, sekuestrimin e kartave të votimit të deputetëve, faqe gjithë sallës kuvendore e popullit që ndjek komedinë e të enjtes për t`ua bërë të pamundur votimin, nën ndriçimin e prozhektorëve në “transparencë” të plotë të publikut. Kurrë nuk i ka kursyer fyerjet e sharjet, paçka se ngjarja mund të ketë qenë një rutinë e zakonshme që janë gati të përditshme. Nuk mund të renditim e listojmë këtu tërë lajmet, deklaratat e njoftimet permanente që ka bërë, Kryetarja Kryemadhi, i kudondodhuri dhe i gjithëdituri, Petrit Vasili, i shumëinformuari Manjani apo Brahimllari, pa harruar, Kejdën e Kërpaçin si më të rejat, entuziastet e grupit parlamentar të kësaj force politike. Dhe mirë kanë bërë që kanë qenë kaq të vëmendshëm dhe “antenat” e tyre politike kanë thithur çdo sinjal, jo vetëm brenda vendit, por deri në skajin më të largët të globit, mjafton të kenë pak histori shqiptare.

Kjo mbindjeshmëri dhe gatishmëri për të dhënë lajmin e parë në kohë reale për të komentuar gjerësisht e në thellësi, për t`i dhënë përmasa politike, për ta bërë sa më të asimilueshëm e interesant lajmin të tipit si: “Në fshatin Pult, kryetari i PS, nuk ka rëndësi emri e mbiemri, por cilësimi si “njeriu i PS-së”, me një organizatë me 4-5 anëtarë që drejton, qëlloi me armë ndaj shtëpisë së bashkëfshatarit të vet, duke e plagosur”. Për të vijuar me një shkollë periferike në lindje të vendit në rrethinat e Korçës apo se diku, dikush vodhi një pulë a celular. Dhe kronikanët vazhdojnë me lajmet e informacionet e radhës. Nuk ka rëndësi lajmi. E rëndësishme është të jenë të pranishëm në sytë e publikut. Në vëmendjen e qytetarëve. Ajo që u intereson është: Të gjitha rastet t`i komentojnë në kohë rekord. Janë vërtetë për t`i “vlerësuar” e “përshëndetur” për informacionet e dhëna, spikerat e LSI-së. Një forcë politike që përpiqet të duket se jeton me pulsin e kohës dhe njofton në kohë reale. Për këtë meriton përgëzime. Jo vetëm si një forcë politike e informuar, por edhe e interesuar të njohi shqiptarët për gjithçka e për çdo gjë. “Menuja” informative e LSI-së është për t`u patur zili nga gjithë forcat tona politike. “Lidhja” e saj me bazën në gjithë vendin është përpjekja për të na mbushur mendjen që ajo jeton me shqetësimet e popullit, ndjenë pulsin dhe ritmin e tij dhe është në krah dhe mbështetje në çdo qelizë të jetës. Asgjë nuk i shpëton pa e mësuar dhe pa e shndërruar në informacion. Shumë herë lajmet e saj i komenton si të ishin hite. Përmes një parade pafund njoftimesh. Si lajm. Kryelajm. Super lajm.

Po me tërë këtë vëmendje të spikatur, mbetesh i habitur si ka mundësi një hallkë informative mbetet përherë e munguar. E ndërprerë. Pa ndjeshmëri. Janë ngjarjet e bëmat e militantëve nga radhët e saj ose ndodhitë në gjirin e partisë bashkëopozitare dhe forcave të tjera politike në frontin e bashkuar opozitarë të cilat jo vetëm nuk njoftohen, po as njihen fare. Në tërë këto raste kujtesa shuhet. Truri bëhet dystë dhe memoria pushon së qëni. Sinjalet humbasin në eter. LSI dhe liderët e saj as shikojnë as dëgjojnë. Janë vetëm ca shurdhmemecë. Sikur t`iu kenë vulosur veshët, si në legjendën e Odiseut për të mos dëgjuar zërat e sirenave dhe ushtarët e tij t`i shpëtonin tundimit të zbrisnin në breg për t`u bërë pre e tyre. Pas kaloi në heshtje të plotë arrestimet e bëra nga prokuroria për drejtues të rëndësishëm të ndërmarrjeve në shkallë kombëtare, siç ishin ata të Drejtorisë të Përgjithshme të Rrugëve apo ish Prefektin e Fierit, i cili kishte mashtruar me mijëra euro, individ nga vendi dhe shtetas të huaj, këto ditë zëdhënësit dhe liderët e LSI-së nuk kanë thënë asnjë fjalë të vetme dhe nuk kanë bërë asnjë deklaratë, nuk janë marrë fare me njoftimet në shkallë kombëtare e ndërkombëtare për lobimin e PD dhe Lulzim Bashës me ndërmjetësimin rus, duke paguar mijëra euro për të bërë të njohur PD dhe liderin e saj në SHBA dhe në kancelaritë e rëndësishme në botë. Lobime që u denoncuan nga investigativia amerikane “Mother Jones”, por që u shoqëruan dhe u mbështetën edhe nga gazeta prestigjioze të shtetit përtej oqeanit. Për lobimin rus në interes të partisë kryesore të opozitës, janë dhënë shumë detaje. Është treguar burimi i financimit. Janë dhënë shifra për gjithë pagesat. Burimet ku janë gjetur eurot. Kush ka ndërmjetësuar. Cili i ka derdhur cash. Në llogari të kujt kanë shkuar. Numra llogarish. Çeqet origjinale. Rrugëtimin që kanë bërë paratë për lobim. Dhe fakte të shumta financiare si të ishin, marrëdhënie xhentëlmenësh. Ngjarja për lobimin është ndriçuar nga të gjitha anët dhe është e njohur dhe kuptuar nga tërë faktorët në Shqipëri dhe kudo. Vetëm LSI dhe drejtuesit e saj nuk kanë dëgjuar asgjë dhe nuk kanë denjuar të bëjnë asnjë sqarim minimal sa për të larë gojën. Le të shfaqeshin pro ose kundër. Po jo të qëndronin gojëkyçur. Hermetik. Po nëse për këtë zhurmë ka ditë dhe nuk ka mbetur portal, agjensi, facebook, njeri dixhital, redaksi, opinionistë, gazetë e botues në Shqipëri e jashtë saj që nuk e kanë vendosur lajmi në ballin të gazetës, si një kryelajm, e panjohur dhe e paditur ka mbetur deri tani vetëm LSI dhe drejtuesit e saj që janë ortakët më të afërt të PD-së. Nga LSI nuk ka dalë asnjë zë. Zero njoftime. Nuk është bërë asnjë koment. Heshtje. Heshtje. Heshtje. Asnjë deklaratë. Liderët apo zëdhënësit e kudogjendur të LSI-së deri tani nuk kanë dalë me asnjë opinion e sqarim të tyre,jo për ta pohuar as për të mbështetur lajmin e burimet e emetimit të tij se kjo do ishte një çudi e pabesuar dhe pamundësi, por as një lëvizje gishti. Jo për t`iu kërkuar sivllezërve opozitarë pëdëistë të mbajnë qëndrim, ashtu siç kanë vepruar edhe themeluesit e drejtuesit, miqtë të Lulzim Bashës të deri djeshëm të cilët ndanin hallet dhe gëzimet me njeri tjetrin, pa paragjykime, si Astrit Patozi, Arben Imami, Jozefina Topalli e dhjetra të tjerë që e duan PD, ku e ku më shumë se armiqtë-miq lësëistë, por edhe të dhjetra mbështetësve të kësaj partie, të cilët nuk kanë heshtur, përkundrazi janë aktivë dhe i kanë kërkuar partisë së tyre sqarime dhe informacion shterues përse dhe si ka ndodhur një veprim i tillë i dënueshem, jo vetëm moralisht, por edhe ligjërisht. Në një kohë kur i gjithë vendi dhe opinioni progresist është mbushur me lajme të tilla, kur për lobimin rus të PD-së flitet e debatohet edhe në diskutime të qytetarëve të zakonshëm, të cilët jo se mbajnë të gjithë të njejtin qëndrim pasi normale, disa mohojnë e të tjerët pohojnë dhe nuk i besojnë lajme të tilla, po së paku nuk heshtin.

Vetëm në selinë e LSI-së nuk ka mbërritur ende lajmi për lobimin e paguar shtrenjtë nga simotra e frontit të bashkuar opozitar, PD. Dhe sikur të mos mjaftonin tërë këto informacione, së fundi edhe prokuroria bëri detyrën, duke thirrur për sqarime Ristanin dhe nisi letër porosi në SHBA. Po kështu FBI e ka marrë në dorë hetimin e rastit. Dhe pas tërë këtyre, heshtje e çuditshme nga LSI. E pajustifikueshme nga cilado anë ta shikosh e analizosh. Në këtë forcë politike, me kaq shumë drejtues dhe politikanë aktivë që nuk lënë dy gurë bashkë pa i trazuar që rrijnë me kufje në veshë e sytë në kompjuter e në ekranet televizioneve, që janë në gjendje të kapin deri grimca informative nga kozmosi, këtë informacion nuk e kanë “dëgjuar” ende. Qëndrim më hipokrit e djallëzor nuk mund të gjesh në politikën shqiptare. LSI, me këtë pozicion tregon jo vetëm hipokrizi dhe pasinqeritet ndaj miqve të rinj, po ka edhe dopjo standart ndaj ngjarjeve që ndodhin në vendin tonë. Është një parti që ngre në revolucion militantët kur i intereson për hiçmosgjë dhe i përdor energjitë e tyre për luftë vetëm për egoizëm pushtetor dhe nuk bëzajnë kur lajmet vijnë nga brenda shtëpisë, në rastin konkret nga ish “Shtëpia e Ushtrisë”. Petrit Vasili që ka ekskluzivitetin e kryelajmëtarit të kësaj partie, njeriut që flet 24 orë në ditë, heshtjen e justifikon se është shumë i zënë. Se ai është në gjurmim të kokainës. Gjetjen e trafikantëve dhe zbulimin e garantëve. Se kjo “gjëmë” ku ai e shikon nën dritën e së keqes dhe jo si sukses, duhet zgjidhur. Dhe deri atëherë sa të gjejë autorët e 613 kg kokainë, sa të zbulojë trafikantët, ky politikan do bëjë hetuesin, do investohet në këtë drejtim. Se nuk ka asnjë minutë kohë për lajme “periferike” e të dorës së fundit lobimesh e eurosh të dhëna për ortakun e tij opozitar. LSI me lobimin e pagesat e PD-së, është solidarizuar dhe fshihet si struci. Po nuk është vetëm kjo. Aleanca e frontit të bashkuar opozitar për ta ruajtur e mos ngacmuar “Vëllanë e madh” në një moment të vështirë, po zbaton “Kodin e heshtjes”. Kodi i mafies. Filozofia e LSI: Miku mbrohet nuk dorëzohet! Nuk i jepet “armikut”! Ndaj heshtje! Ky kod opozitar ka vetëm një qëllim. Mbrojtjen e PD-së dhe Lulzim Bashës me çdo çmim!

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 37

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/09/2018 - 07:43

Gjurmët e jetës, punës dhe sakrificës së Qazim Demit janë të gdhendura fort në qytetin e Sarandës, ndonëse ai ka lindur në Filat të Çamerisë, një ndër qendrat kryesore patriotike e kulturore të trevave të Jugut.

Postuar: 23/09/2018 - 07:40

 “Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa”, tashmë është një ëndërr që për shqiptarët ësht

Postuar: 23/09/2018 - 07:38

Andri, një miku im, gazetar më dha dorën duke më thënë se ndjehesh i keqardhur për mënyrën si kry

Postuar: 23/09/2018 - 07:37

Andri, një miku im, gazetar më dha dorën duke më thënë se ndjehesh i keqardhur për mënyrën si kry

Postuar: 22/09/2018 - 07:24

Pozita dhe lidershipi i saj, akuzon opozitën për pengesë në reformën e drejtësisë dhe sidomos dy

Postuar: 22/09/2018 - 07:22

Para çdo palë zgjedhjeje, në Shqipëri, klasa politike as nuk ia ka idenë te premtimet ndaj zgjedh

Postuar: 22/09/2018 - 07:19

Shoqëria shqiptare ka shprehur vullnetin e saj të bëhet vend demokratik ashtu si vendet e tj