BREAKING NEWS

Do kandidojë në Durrës përballë Bashës? Vjen reagimi i papritur i kryeministrit Rama: Mos hapni llafe kot. Ja cilin qytet kam zgjedhur

Do kandidojë në Durrës përballë Bashës? Vjen
x

Opinion / Editorial

Lufta e Vlorës dhe “dezertimi” i ushtarëve italianë

Lufta e Vlorës dhe “dezertimi” i ushtarëve italianë

(Vijon nga numri i kaluar)

Kur atdhetari Mehmet Selim Mallkeqi i dorëzoi ultimatumin gjeneralit italian Piaçntini, për t’u larguar nga Vlora pa përdorur armët, ai (gjeneral Settimio Piacentini) me arrogancën e një pushtuesi (si gjithë pushtuesit kudo në botë) ja ktheu se.... “përgjigjen do ta merrni nga gryka e topave”. Dhe dihet mirë, se në situata inkandeshente midis dy kundërshtarëve, kur mbarojnë fjalë. bisedat rinisin përsëri, por me grykën e topave dhe të pushkëve. Po kush do të fitonte në një betejë, e cila nga pikëpamja e rreshtimit numerik raporti i forcave ishte 1 me 5 në favor të armikut, që do të thoshte se përballë 22.000 mijë forcave të një ushtrie të rregullt qëndronin 4000 mijë kryengritës kryesisht nga krahina e Labërisë. Kush do ia jepte tonin luftës, mos vallë gjeneralët e armikut, të cilët kishin studiuar nëpër akademitë ushtarake të specializuar në artin e luftimit, apo ata të paktë intelektualë atdhetarë shqiptarë me shumicën e shokëve të tyre bashkëluftëtarë që ishin pothuajse analfabetë?! Kryengritësit shqiptarë të Labërisë vërtet ishin bujq dhe blegtorë, por udhëheqjen politike të tyre e kishin njerëz të mësuar dhe atdhetarë të vërtetë dhe atdhedashuria e tyre merrte përmasat e një flake të madhe kur kishin mbështetjen e një populli të tërë, të cilëve u digjej shpirti për liri dhe pavarësi për tërësinë territoriale të Shqipërisë. Lufta filloi pikërisht një ditë mbas skadimit të ultimatumit, në dt. 4 qershor, por është me vend të theksohet se rrethimi i Vlorës ishte bërë që më përpara nga çetat e luftëtarëve të ardhur nga të gjitha krahinat, e jo vetëm të Labërisë, por dhe nga Përmeti, Gjirokastra, Elbasani, madje në drejtim të Vlorës, ishin nisur dhe shqiptarë nga krahina e Kosovës dhe prej Bostonit të SHBA. Kjo tregon qartë se vërtet tonin e luftës epope e dha Vlora, por Vlora në këtë rast ishte e gjithë Shqipëria, që përputheshin me idenë politike dhe organizative të Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare. Kjo epope dhe luftë e përgjakshme vazhdoi për gati 2 muaj dhe trupat italianë përballë shpirtit luftarak të shqiptarëve dhe katastrofës që pësuan, u detyruan që në dt. 2 gusht 1920 të nënshkruanin protokollin me Shqipërinë, për tërheqjen e trupave të tyre nga Shqipëria, duke e njohur përfundimisht pavarësinë e saj, me përjashtim të ishullit të Sazanit të cilin e mbajtën për të kontrolluar Otranton.

Por nëse në Shqipëri në atë periudhë Selam Musai me shokë (që disa studiues e pseudo historianë na e quajnë kaçak e të paditur, madje disa të tjerë për të ironizuar se ai kur ju hodh topit nga gryka na paskësh qenë i dehur... dhe këtë e bëjnë me qëllimin keqdashës për të njollosur këtë faqe të ndritur historie) vallë ç’po ndodhte në bregun tjetër në Apenine? Si po e përjetonte populli italian këtë tragjedi të bijve të vet në Vlorë dhe a pajtohej me të?!

Sigurisht që “kaçakët e paditur” (sikurse i konsideron pseudo-historiani i pasviteve ‘90-të) luftëtarët e Epopesë së Vlorës”, për ironi të “studimeve të tij” pra pikërisht këta kryengritës na paskëshin tronditur keq Europën dhe vetë Italinë dhe për më keq akoma “shqiptarët e paditur”, me apo pa dashjen e tyre, na paskëshin bërë një luftë të madhe antiimperialiste, luftë kjo që vlen si leksion internacional për kombet e shtypura, për t’i treguar botës se liria rrënjët e veta në kohë paqeje i vadit me djersë dhe në kohë lufte me gjak. Lufta nuk është vetëm një tragjedi për vendin e pushtuar, por dhe një tragjedi kombëtare dhe për vendin pushtues, sepse humbet bijtë e vet për interesa të imperializmit.

Në situatën e krijuar Gjeneral Piaçentini i rrethuar nga kryengritësit shqiptarë, të cilët sa vinin dhe i shtrëngonin darën, të ndodhur para një fenomeni të pashmangshëm me urgjencë i kërkonin Ministrisë së Luftës, së Mbretërisë Italiane dhe kryeministrit Nitti mbështetjen me trupa dhe me armë. Por jehona e Luftës së Vlorës i kishte kaluar kufijtë nacionalë dhe jo vetëm populli italian, por dhe vetë brenda për brenda ushtrisë italiane, ishte rritur tej mase zemërimi. Dhe kjo kishte arsyet e veta, sepse Italia e lodhur nga luftërat, e sfilitur nga humbjet e një pas njëshme gjatë Luftës së Parë Botërore, po i shtohej dhe gjakderdhja e bijve të saj në Vlorë edhe pse ishte deklaruar se lufta kishte mbaruar, ajo po zhvillohej. Zhvillohej për interesa të kapitalit të madh italian, kështu që dhe ata ushtarë oficerë të thjeshtë (dhe jo kasta e elitës së oficerëve madhorë) kishin shkuar në Vlorë për qëllime koloniale dhe aspak në interes të të dy popujve tanë edhe pse Italia betohej e përgjërohej për dashurinë e madhe që kishte për Shqipërinë (nënkupto grykësinë dhe oreksin për ta gllabëruar vendin tonë). Në këto rrethana, për vështirësitë në të cilat ndodheshin të rrethuara trupat italiane në Vlorë, kërkohej me urgjencë që t’u shkohej në ndihmë për të shtypur rebelizmin e që kishte mbërthyer krejt jugun e Shqipërisë e sidomos Vlorën. Kjo situatë e kishte rritur ndjeshëm shqetësimin jo vetëm brenda për brenda popullsisë, por dhe në vetë repartet e militarizuara italiane. Nuk duhet harruar fakti se elementët socialistë me bindje që anonin nga komunistët, të ndikuar nga lëvizja revolucionare në Europë e sidomos dhe nga Revolucioni i Tetorit, që mori vrull mbas lufte, por dhe nga vetë Partia Socialiste e Italisë në disa qytete të Italisë si në Ankona, Trieste, Brindisi shpërthyen revoltat brenda për brenda radhëve të ushtarëve barselierë dhe karabinierëve, të cilët kundërshtonin dërgimin e trupave në Vlorë dhe që në historiografinë italiane njihet si “La rivolta degli Arditi” ( Rebelimi i trimave guximtarë) që përkon dhe me “dy vjeçarin e kuq”, u quajt e tillë për nga situata që u përshkrua më lart fill mbas lufte. (Trieste, Ankona dhe Brindisi përkatësisht më 11- 26 dhe 29 qershor 1920) me idenë qëndrore “Via da Vlona”! Në shqip: Largohuni nga Vlora!

Shumë ushtarët barselierë dhe karabinierë nuk pranuan urdhrin e ministrit të Luftës që të imbarkoheshin në anije për t’u nisur në Shqipëri në ndihmë të trupave pushtuese imperialiste, madje ata me aktin e tyre treguan se jo vetëm që u bënë solidarë për Pavarësinë de fakto të Shqipërisë fqinje, por kërkuan njëkohësisht dhe tërheqjen e gjithë trupave ushtarake nga Vlora. Kjo situatë e detyroi kryeministrin Nitti të jepte dorëheqjen, sepse nga përleshjet e gjithë makinës shtetërore të mbretërisë si Viktor Emanuelit, me barselirët dhe karabinierët, të cilët ishin planifikuar për t’u nisur në Shqipëri pati jo vetëm viktima, por dhe shumë të plagosur. Ajo që vlen dhe shërben si një akt mirënjohje për popullin italian, është fakti se në këto protesta u bashkua dhe popullata civile, nga ku një nënë në anijen “Molfeta”, e cila ishte e planifikuar të nisej nga Brindisi, u ngjit në shkallët e anijes dhe u bëri thirrje të gjithëve që të mos niseshin për në Shqipëri. Në Ankona situata ishte edhe më e rënduar, sepse përleshjet midis forcave të rendit me popullatën civile dhe barsolierve që nuk pranonin të shkonin në Shqipëri. Madje në protestë bënin dhe thirrje që të tërhiqeshin tërësisht trupat pushtuese nga Vlora, protestë kjo që pati bilanc tejet tragjik e të paparashikueshëm, nga ku në përleshjet e përgjakshme humbën jetën gati 20 ushtarë e qytetarë dhe me dhjetëra të plagosur. K/Ministri Giolitti, i cili kishte zëvendësuar Francesko Nittin nuk po e zgjidhte dot situatën madje ajo kishte dalë tërësisht jashtë kontrollit, sepse me këto revolta e demonstrata ishin solidarizuar dhe shumë qytete që nga Trieste, Milano, Rimini, Ankona Brindisi e deri në jug të Italisë. Në këto kushte të trazuara për vetë mbretërinë italiane, për t’u ruajtur edhe nga ndonjë shtrirje masive që mund të dilte tërësisht jashtë kontrollit, një muaj më vonë, Italia nënshkroi paktin e 2 gushtit 1920 me Shqipërinë duke i njohur asaj sovranitetin e plotë. Ja si i ka kënduar Rafaele Ofidani me pseudonimin “Spartakus” ushtarëve të tij që niseshin për në Shqipëri:

---

Ti ushtari proletar që e le nënën tënde

Dhe si skllav shkon të vrasësh skllevër

Armikun se ke atje mes malesh dhe detin e bukur

Mos e kërko larg, tiranin e egër e ke këtu

----

Të ikim sa nuk ësht’ vonë nga dielli Shqipërisë

Ta lemë malarien, masakrën dhe urinë

Vdekje qeverisë së pangopur që drejt ferrit po na çon

Nisur nga jo çka ndodhi në anën tjetër të Adriatikut, mbërrijmë në përfundime se popujt nuk e duan luftën, se fatkeqësia që i bie një kombi sot, mund t’i bjerë dhe një tjetri nesër përderisa nëpër këmbë janë qarqet reaksionare me qëllimet dhe synimet e vjetra shoviniste e ultra shoviniste pavarësisht se si maskohen ato me fjalë të bukura, për të paralizuar dhe helmuar përkohësisht ndërgjegjen kombëtare.

Epopeja e Vlorës u zhvillua në Vlorë, por ajo do të kishte po atë ngjashmëri kudo në çdo krahinë apo troje që të shkelte pushtuesi, sepse shpirti i shqiptarit për liri, pavarësi dhe identitet kombëtar nuk ka reshtur, por ka ngelur flakadan gjer në yjet, pra është epope e gjithë Shqipërisë me të kuqen e flamurit të Vlorës.

Pa një ide të qartë politike, pa zjarrin e atdhedashurisë, pa masa të sigurta organizative ushtarake pa guxim e trimëri sikurse dhe pa gjak dëshmorësh nuk ka e s’mund të ketë fitore dhe Lufta e Vlorës dhe shumë heronj e dëshmorë, të cilët u varrosën në kodrat e Babicës për të mos u harruar kurrë.

Historia na mëson se udhëheqësit politikë dhe ushtarakë, për tërë jetën duhet të jenë e t’i ngelen besnikë atdheut të tyre dhe jo sikurse veproi Qazim Koculi, që në 1920-ën ishte dhe ngeli promotori i Luftës, por më 1939 erdhi bashkë me fashistët italianë deri sa u fut dhe në Qeverinë kuislinge dhe populli i këndoi: “Aferim Qazim Koculi.... vet i ndoqi, e vet i pruri” (më 1939).

Së fundi dua t’i them pseudo historianit, se leksionet për luftën dhe fitoret vazhdojnë e do të

vazhdojnë deri sa të ketë ushtri dhe qëllime grabitqare, sikurse dhe popujt që ngrihen për liri me shkollë qofshin ata apo pa shkollë, përherë do kenë heronjtë e vet. Ju ma tallët Selam Musanë, shajakët dhe sharkun e tij, që ai dha jetën por ngriti dhe lavdinë. Po a e di ti pseudo historian se njëzet vjet më vonë, një pjesë e të mësuarve me jaka diplomati e me kapardinë, kur ne u pushtuam për së dyti, ata morën arratinë? Ja pse na duhen leksionet historike, sepse përpara Atdheut jemi e ngelemi nxënës tërë jetën!