BREAKING NEWS

Maturantët çohen në protestë para Qendrës për Shërbimin Arsimor, reagon 'flakë për flakë' ministrja Evis Kushi, tregon vendimin që pritet

Maturantët çohen në protestë para Qendrës për
x
BREAKING NEWS

Priten zhvillime të rëndësishme! Socialistët mbledhin sot Kongresin e jashtëzakonshëm në stadiumin “Air Albania”, rizgjidhen strukturat. Zbardhet e gjithë axhenda

Priten zhvillime të rëndësishme! Socialistët mbledhin sot
x
BREAKING NEWS

“Për të gjithë ata që i japin PS diçka sado të vogël”, Rama del me mesazhin e fuqishëm për të gjithë socialistët

“Për të gjithë ata që i japin PS diçka sado
x
BREAKING NEWS

PS mbledh sot Kongresin, paralajmërohet furtunë në parti dhe në administratë, emrat me më shumë vota drejt katapultimit në qeveri

PS mbledh sot Kongresin, paralajmërohet furtunë në parti dhe
x
BREAKING NEWS

Shantazhet e Berishës ndaj SHBA për të marrë PD, blof për të rritur pazarin, deputetët demokratë kundër rikthimit të tij

Shantazhet e Berishës ndaj SHBA për të marrë PD, blof
x

Opinion / Editorial

Lulin edhe e vjedhin edhe… vjedh vetë

Lulin edhe e vjedhin edhe… vjedh vetë

Ka që mëngjesin e 27 prillit (çuditërisht më 25 prill deri në mesnatë hapte shampanjën nën ndjenjën e fitores dhe shprehej se ajo gjendej në kutitë e votimit dhe më 26 prill nuk u ndje fare, u zhduk si me magji) që Lulzim Basha, sot e kësaj dite kryetari i emëruar i opozitës shqiptare që lajtmotiv të çdo deklarimi ka togfjalëshin “zgjedhjet e 25 prillit ishin një masakër zgjedhore”. Hajdutët po tashmë dihet, janë kundërshtarët socialistë. U harruan premtimet e fushatës për 80 deri në 90 deputetë, i doli gjumi nga ëndrra për të qenë në mëngjesin e 26 prillit në zyrën kryeministrore dhe iu kthye avazit të vjetër, akuzave se i ishin vjedhur masivisht votat. Po ashtu, duke bërë trimkokoshin ai deklaron se “lufta sapo ka filluar dhe se fitores do t’i shkohet deri në fund me përmbysjen e diktatorit Edi Rama”. Këto dhe deklaratat e tjera tregojnë se atij ende nuk i ka dalë gjumi dhe se i vazhdohet ëndrra. Si një çupëlinë e padalë fshati që shqyen sytë me ato që shikon kur zbret për herë të parë në qytet, Luli ynë hiqet si i padjallëzuar me atë që ka ndodhur. Manipulimi i votave Lulit i duket sikur ndodh për herë të parë në botë. Në të vërtetë ai është një lojtariI vjetër në tregun politik dhe e di se dita e votimeve, por edhe gjithë fushata elektorale, nuk është termometër ndershmërie, por luftë e vërtetë midis subjekteve politike. Kacafytje figurative, dhëmbë për dhëmbë deri për një votë më tepër. Nëse do të ishte i lirë në të menduar dhe në të vepruar, ai duhet ta kuptonte tashmë se fitorja nuk arrihet ditën e votimit, as muajin apo muajt e fundit, por ajo fillon qysh 6 apo më shumë muaj më parë. Por duke qenë se gjithë kohën e qëndrimit në krye të opozitës ai nuk e ka patur në dorë “çelësin e mendjes dhe veprimit” edhe kësaj here ishte i vonuar. Jo vetëm kaq, por edhe pesimist qysh në nisje të fushatës, teksa me aleatët deklaronte se “me votë nuk e largojmë dot Edi Ramën”. Ishte i bindur se do ta vidhnin dhe prapë futet në lojë. Dhe tani fillon e qan vjedhjen. Si nuk del more zot, kur thonë miqtë tanë shkodranë “një zog kurvet” dhe ta pyesë: mirë hajduti se atë detyrë ka, po ti çfarë bëre për të ruajtur votën tënde dhe të anëtarëve të partisë tënde, kur ishe i bindur se do të të vidhnin?

Me këtë rast më kujtohet një rast konkret ndodhur në fshatin tim të lindjes këtu e 50 vjet më parë. Në prag të vitit të ri, një familjeje iu vodhën 10 kaponj deti. Nuk kaluan dy ditë dhe u kap hajduti. (Le ta shajmë dhe mallkojmë sa të duam atë kohë që mos ardhtë ashtu siç ishte kurrë, se kishte plot të meta ama hajdutit ia “priste duart dhe këmbët”. Një zile biçiklete të humbte natën, maksimumi deri në drekën tjetër ishte gjetur). Kam qenë i pranishëm kur gjyqtari popullor e pyeti hajdutin, një bashkëfshatar yni: Pse e kreve vjedhjen? Hajdutin ne e njihnim për njeri të ndershëm dhe ai ndershmërisht ktheu përgjigjen: “Nuk është vetëm faji im shoku (atëherë vetëm shokë kishte, nuk njihej zotëria) gjyqtar. Një ditë më parë se të bëja gjëmën për këtë shokun dhe veten, në të dy ktheheshim nga qyteti. Në bisedë e sipër ky ma pohoi disa herë që qenin që kishin në shtëpi e mbanin sa për numër dhe harxhonin bukën kot. Më tregonte se lehte kot gjithë natën dhe ata nuk ua vinin veshin këtyre lehjeve. Më joshi zoti gjyqtar. Atë natë unë isha i lodhur, por të nesërmen shkova qetë e qetë dhe ia mora 10 kaponj, nga 30 që kishte”. Për të qeshur dhe për të qarë. Me sa duket edhe Lulit tonë po i ndodh e njëjta skenë. Ai jo vetëm vetë, por edhe së bashku me presidentin Meta deklaronin se do të tentohet grabitja e votave, por ata ishin të gatshëm për ruajtjen e saj dhe se kush tentonte ta bënte një gjë të tillë, do t’i pritej dora në sheshin “Skënderbej”. Praktikisht, as vota nuk u ruajt, sipas Bashës dhe asnjë dorë nuk u pre. Për ata që kanë ndjekur në vijimësi ditën e votimit dhe procesin e numërimit të votave, praktikisht është shumë e vështirë për të mos thënë e pamundur që vetëm një “hajdut” të vërë dorë mbi fletët e votimit. Procesi kryhet nën mbikëqyrjen e shumë syve që vigjilojnë nga momenti i marrjes së fletëvotimit e deri sa ajo hidhet në kuti dhe me iniciativë vetjake është e pamundur të abuzosh. Nëse ndodh ky, siç po vërtetohet se ka ndodhur në minimum rastesh, ai ka ndodhur vetëm me një bashkëpunim midis përfaqësuesve të partive politike pjesëmarrëse në komision. Kështu që Luli hajdutin të mos e kërkojë tek kundërshtari politik, por tek “ushtarët e tij” që ose nuk kanë qenë vigjilentë ose e kanë humbur me vetëdije vigjilencën. Kësaj radhe, siç tregojnë “specialistët” e vjedhjeve, ato nuk kanë ndodhur ditën e votimit se dihej që ato do ishin edhe nën monitorimin e të huajve, por gjatë fushatës elektorale. Makineria e fuqishme shtetërore dhe “skuadra” e fuqishme e mazhorancës punuan me intensitet gjatë muajve të shumtë para ditës së votimeve dhe atë ditë morën frytet e kësaj fushate. Gjë që Luli nuk e bëri. Më tregojnë pjesëmarrës direkt në fushatën elektorale nga të dy kampet se ndërsa nga mazhoranca kishte lista të sakta në çdo lagje se kush kishte votuar për ta në zgjedhjet e kaluara, kush kishte qenë i pavendosur dhe kush kishte votuar kundër, ndërkohë që tek opozita nuk kishte asnjë listë të tillë, madje as se kush ishin anëtarët e opozitës. Nëse ky disnivel në punën konkrete quhet vjedhje, atëherë Luli është vjedhur me shumicë. Por për fatkeqësinë e tij, menjëherë pas zgjedhjeve Parlamentare ai po përballet edhe me zgjedhjet në partinë e tij. Opozitarë brenda kësaj partie e detyruan atë ta bëja një proces të tillë, por po vërehet një paralelizëm midis asaj që ndodhi në zgjedhjet e 25 prillit me atë që do të ndodhë më 13 qershor. Nëse Lulzim Basha koracën mbrojtëse në justifikim e humbjes së zgjedhjeve që sapo mbyllëm ka fenomenin e vjedhjes nga kundërshtarët të njëjtën gjë ai po e bën me kolegët e tij brenda partisë. Ai nuk po starton barabartë me rivalët në këto zgjedhje, por po i vjedh ata që në hapje të fushatës. Normalisht ai duhej të jepte dorëheqjen nga posti që mban dhe pastaj të shpallte nisjen e garës. Gjë që nuk e bëri. Jo vetëm kaq, por ai nuk ka lejuar që strukturat e partisë nëpër degët e rretheve të jenë në gatishmëri për çdo kandidat, por vetëm për të. Logjika politike kërkon që meqë janë kandidatë të të njëjtit subjekt, ata duhet ta kenë të një niveli infrastrukturën partiake, gjë që nuk po ndodh dhe kjo është grabitje në ditë me diell nga kryetari aktual i opozitës që duhet theksuar se po të mendonte dhe vepronte normalisht, duhej të jepte dorëheqjen pas katër humbje të zgjedhjeve në rang kombëtar. Me sa duket, Luli nuk e ka seriozisht demokratizimin e partisë ku drejton dhe ku në zgjedhje fiton alternativa më e saktë dhe më e mirë, por ai kërkon një fushatë farsë dhe një zgjedhje siç ndodh prej 30 vjetësh në partitë shqiptare: kryetari ikën kur do ai dhe jo kur e kërkon anëtarësia. Luli nga njëra anë akuzon se Edi Rama vuri në funksion të fitores në zgjedhjet e 25 prillit gjithë makinerinë shtetërore dhe të njëjtën gjë po bën me makinerinë zyrtare të partisë së tij. Unë nuk jam profet të parashikojë se ç’do të ndodhë ditën e votimit në këtë parti, por siç tregojnë “bathët e priftit” deri tani, vjedhja do të jetë më e hapur dhe ne do të kemi përsëri të njëjtin kryetar opozite që “e do edhe Edi Rama”. “Çunin e mirë” e duan të gjithë kundërshtarët politikë që ndihen komodë me një opozitë të paralizuar, por nuk e duan vetë anëtarësia që më shumë duan fitoren e zgjedhjeve që do të vijnë.