BREAKING NEWS

Përballet për herë të parë me zërat kritikë ndaj tij, zbulohen 2 lëvizjet e rëndësishme të Lulzim Bashës ditën e sotme

Përballet për herë të parë me zërat kritikë
x

Opinion / Editorial

Luljeta Bozo, “lule” në jetë, jetë edhe për politikën!

Luljeta Bozo, “lule” në jetë, jetë edhe për

Luljeta Bozo edhe sikur t’i themi “lule” edhe t’i themi “tufë me lule” përsëri është pak... Ajo është dhe mbetet e tillë qysh në vitin 1948 kur babai i saj Vasil Konomi shkoi ambasador në Republikën e Bullgarisë. Luljeta, bëri afërsisht dy vite të shkollës fillore dhe do të tërhiqte vëmendjen e mësueses Bodeva, të cilës i bëri shumë përshtypje kjo vajzë e shkathët, e zgjuar, e vëmendshme që mësimin e “përpinte” sapo mësuesja fillonte të shpjegonte… U lidh midis tyre një miqësi e ngushtë mbasi edhe mësuesja bashkëshortin e saj e kishte ambasador në Shqipëri. Në fundin e vitit të dytë, Luljeta do të largohej dhe do të ndaheshin me mësuesen, e cila e përqafon duke i shprehur keqardhjen që, “do të mbetet një vend bosh edhe në klasë edhe në tabelën e nderit”! Ishte e vogël atëherë Luljeta dhe atë ç’ka nuk ia tha në atë kohë për vetë moshën e saj, ia tha mbas pesëdhjetë e pesë vitesh, në vitin 2005, kur me interesimin e saj e takoi në Tiranë, tashmë Pedagoge në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit. Fjalët e para të ish-mësueses ishin: “Tashmë që ju shoh kaq mirë dhe kaq të nderuar, nuk kam gabuar aspak për atë që mendoja në ato vite: “Kjo vogëlushe, po të vazhdojë kështu e të trajtohet si e meriton, do të ketë një perspektivë të shkëlqyer dhe nuk kam gabuar po të kemi parasysh që “dielli i mirë duket qysh në mëngjes”! Mbas kthimit në Shqipëri, me po atë ritëm ashtu si e filloi rezultatet në vitet e para të ciklit të ulët ashtu do t’i përfundonte edhe në shkollën “Kosova” dhe gjimnazin “Çajupi”. Në vitin 1960 do të vazhdonte studimet në Moskë për arkitekturë dhe mbas një viti, me prishjen e marrëdhënieve me ish-BS, do të kthehet në Shqipëri për të vazhduar Universitetin Shtetëror në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Eci Luljeta në gjurmët e të parëve të saj me ndjenja të theksuara atdhetare që kanë sakrifikuar shumë për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë. Babai i saj Vasili, mik dhe shok i ngushtë i Petro Markos, u njoh në Greqi me Panajotën, Mamanë e Luljetës. U njohën, rrëzë detit, morën prej tij thellësinë dhe pafundësinë e dashurisë dhe ishte po deti, ai që Vasilit, i shpëtoi edhe jetën. Të dy me Panajotën, të fejuar në atë kohë, ishin kampionë në not. Në vitin 1935, babai saj, do të dënohet nga regjimi me gjashtëmbëdhjetë vite burg si pjesmarrës në Kryengritjen e Fierit. Për t’i shpëtuar burgut, Vasili në “marrëveshje” me detin, do të linte “peng” rrobat dhe do të notonte afro 5 km deri në anijen më të afërt, ekuipazhi i të cilës e strehoi në cisternën e ujit për t’i shpëtuar kontrollit. Do të martoheshin në vitin 1937. Të dy prindërit e Luljetës, kishin mbaruar Fakultetin e Juridikut në Athinë. Në vitin 1940 u vendosën në Tiranë, ku Vasili, do të rreshtohej si partizan në Br2S. Të dy prindërit, detyrat shumë të rëndësishme funksionale, do t’i kryenin me nder e dinjitet. Edhe Luljeta, nuk mund të “devijonte” nga rruga e të parëve të saj, e prindërve e më shumë akoma e gjyshërve të saj…Qysh në vitin 1965 me përfundimin e universitetit, emërohet pedagoge në universitet. Për dyzet e pesë vite rresht me biçikletën e saj, nuk do të ndjente lodhje kjo mësuese, kjo nënë e djalit dhe e vajzës që i kanë dhuruar tërë “botën”, kjo bashkëshorte e Todi Bozos, regjisorit aq të njohur të ish-Kinostudios që i larguar me ditë e javë të tëra, nuk do të harronte asnjëherë që në kthim t’i sillte bashkëshortes edhe një tufë me lule... E ndjen shumë Luljeta ndarjen e tij nga jeta, prandaj edhe e mban pranë portretin e tij, i “dhuron” lule të freskëta, gjejnë kohën e “bisedojnë” të dy me kujtime në kronikat e shumta, me libra. E fjalos edhe Luljeta e “merr” mendime nga ai për librin që i ka kushtuar njeriut të saj më të dashur që për pesëdhjetë e katër vite, ishin një trup i vetëm. Më kishte thënë miku im Stavri Gjoka që “Është shumë e vështirë që Luljeta të të flasi ndonjë llaf për veten e vet”! Pranoi që të pimë një kafe dhe i them kamerierit, “dy kafe të mira”! “Pa tjetër, thotë, përderisa jeni me këtë zonjë të nderuar”! “E njihni”?- i them. “Po kush nuk e njeh Luljetën, zonjë grua, që jo vetëm ne që e njohim, por edhe ai që është “hasm” të them, e respekton. Po hajde të bindësh Luljetën: “Secili, ka mendimet e veta. Ka që flasin mirë ka edhe që flasin keq, të gjitha duhet t’i pranojmë. Unë jam si të gjithë, qindra e mijëra të tjerë mësues, inxhinierë, ushtarakë, mjekë. Unë, nuk kam asgjë të veçantë nga të tjerët”! Por ja që e vërteta nuk fshihet. Në kthim do të ecim disa minuta në këmbë. Një kalimtar, do ta ndalojë: “Më falni, mos jeni juve ajo zonja kandidate për deputete”? “Po, unë jam”! “Ju kërkoj falje, që nuk u a mbaj mend emrin, por di t’ju them vetëm këtë që fitorja juaj do të jetë fitore për demokracinë. Na janë mërzitur të njëjtët fytyra. Urime dhe suksese. Kështu si unë, mendojnë edhe shumë të tjerë... I kemi ndjekur vazhdimisht në shumë emisione, këshillat tuaja, mendimet tuaja. Në mos gaboj, m’u kujtua, emri, jeni Luljeta”! Takimet e saj do të vazhdojnë dhe mirë bën që shkon vetëm me biçikletë... Ja një shembull që sjell Luljeta. Ajo nuk shkon nëpër takime e të organizojë britma dhe çjerrëse. As nuk i imponon. E dinë ata kujt t’ia japin votën. Luljeta, të imponon respekt… Mbas dyzetë e pesë vitesh punë, mbas dyzetë e pesë vitesh që “betonoi” dhe brumosi dyzet e pesë breza që dijet e tyre i vendosën në themel të çdo banesë, të çdo hidrocentrali apo vepre industriale, më në fund, më 2 tetor të vitit 2010 merr edhe “shpërblimin” e mundit dhe djersës, për arritjet që i dha shkencës… Një copë letër nga rektori ku shkruhej: “Më dt. 04 tetor 2010, për arsye të mbushjes së moshës së pensionit, shkëpusni marrëdhëniet financiare”! Nuk e lodhën Luljetën qindra e mijëra kilometrat me biçikletën e saj edhe në orët e vona të natës kur shkonte tek çdo student për konsultime, nuk e kishin lodhur as qindra artikujt shkencorë që kishte shfletuar e gërmuar, aq sa e lodhën këto dy “kalabizhda” në këtë copë letër, sikur t’i drejtohej ndonjë sanitareje që kishte vetëm një javë punë! Ky ishte “shpërblimi” për këtë kandidate shkencore PHD, Doktore në Filozofi, nga viti 1981, Titulli “Docent”, në vitin 1984 dhe mbrojtja e dy gradave shkencore në vitin 1989, Titulli “Profesor” në vitin 1994, e deri tek titulli më i lartë profesor “Emeritus” (E merituar) në vitin 2018 dhe Anëtare e Akademisë së Shkencave dhe pjesëmarrëse në dhjetëra Kongrese Ndërkombëtare që ka përfaqësuar me dinjitet Shqipërinë. Ky është “shpërblimi” për dijet e dijetarët e midis tyre edhe për Luljetën, e cila nga ndërkombëtarët, prezantohej si “shkencëtare e madhe e një vendi të vogël”, siç shprehej prezantuesi në një Konferencë ndërkombëtare në Portugali. Më shumë se çdo gjë, ky urdhër, që i hiqte asaj “oksigjenin” jetëdhënës, mësimin e lëndës që e kishte shkruar me dorën e saj, ta ndajë nga studentët dhe studentet që ajo tërë jetën i ka quajtur si fëmijët e saj. Ishte e pamundur. Do të vazhdonte më pas edhe 11 vite të tjera në universitetin “Polis” ku vazhdon të japi mësim edhe sot. Pra ka pesëdhjetë e gjashtë vite punë e punon akoma përderisa mendja e saj, nuk i pyet fare vitet e moshës... Bardhyl Bejo sot një inxhinier i talentuar, shkruan: “Nuk më ka qëlluar në jetë që një pedagog ta ndjente dhënien e mësimit si Luljeta Bozo. Nuk kishte problem nëse e kuptove apo jo atë që ajo ekspozonte ne laborator, por e rëndësishme ishte që studenti të ndjente se mbi atë centimetër katror truall që provohej në epruveta, do të shkarkohej një ngarkesë brenda së cilës “shkrihej” jeta e qindra apo mijera shpirtrave njerëzore”. Luljeta Bozo, nuk është marrë asnjëherë me politikë, mbasi në të kundërt do të ishte bërë e dëgjuar, për atë çka rendin shumë. Ishte zgjedhja e Partisë Socialiste që Luljetën e vendosi të parën në listën e kandidatëve për deputetë në Qarkun e Tiranës. As më shumë e as më pak, Luljeta, sot, nuk ka nevojë për politikë, përkundrazi, politika ka nevojë për fjalën e saj, për urtësinë e saj, për mençurinë e saj. Nuk ka vuajtur deri më sot politika nga njerëzit e shkencës as nga shkencëtarët e profesionistët, por nga të rinjtë gjumashë, që gogësijnë e nuk dinë cilën zonë përfaqësojnë sapo realizojnë ëndrrën e tyre atë të marrjes së mandatit. Mjafton që të duken mbi të tjerët. Luljeta Bozon e thirri në “skenë” tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, mbasi e pa të arsyeshme për të dhënë mësimet e saj për ata që ndërtonin mbi “rërë”, në vende të pastudiuara nga ana sizmologjike e më keq akoma në toka që më parë ishin këneta. Hyri Luljeta në çdo shtëpi, në Durrës, në Thumanë, Mamurras, por mbi të gjitha hyri në zemrat e të gjithë atyre që u dëmtuan nga kjo katastrofë natyrore. Më mirë se kushdo këtë e thotë një nënë në Mamurras: “Unë, nuk hyj në shtëpinë e dëmtuar, po nuk erdhi vetë profesore Luljeta e të më thotë me gojën e saj se ç’duhet të bëj”! Kush nuk e dëgjoi fjalën e saj, mençurinë e saj që edhe tërmetet në të kaluarën, nuk e lëkundën fjalën e saj shkencore, nuk i shpërfillën dijet e saj, nuk i “nënvleftësuan” aftësitë e saj Në të kundërt, tërmeti, “grisi” shumë diplomat fallco e gradat shkencore të blera në “kioskat” e sistemit “të ri”! Luljeta Bozo është nder edhe për Parlamentin, që vetëm prezenca e saj e jo më fjala e mençur, do të bëjë të skuqen ata që çirren në Parlament: “O rrugaçë, o budallenj, o fundërrina”! Do të skuqen ata që qëllojnë me çizme në drejtim të foltores, do të skuqen ata që rrëmbejnë mikrofonin e bëjnë gati grushtet. Edhe për ata që thonë: “Luljeta është e indoktrinuar nga Diktatura” ka zgjedhur heshtjen sepse flet vetë puna, edhe kanë të “drejtë” sepse kanë dallime, ndërtimi me shkatërrimin… E pranoj që po i “cungoj” shumë vlerat dhe meritat e shumta që ka Luljeta Bozo. Më vjen në këtë rast në ndihmë dramaturgu, regjisori, poeti dhe shkrimtari Bashkim Kozeli, i cili shkruan: “Prijësit janë me dhunti të lindura, nuk komandojnë, por prijnë me shembullin e mençurinë e tyre. E tillë është Luljeta Bozo (Konomi). E kam njohur qysh në rininë e hershme. Vajzë inteligjente si ajo, e shkëlqyer në mësime dhe sportiste me energji të pashtershme, sa edhe ne djemve na "turpëronte" kur ngjiteshim bashkë malit të Dajtit. Kishte dëshira e ëndrra të guximshme. (Kur shkova për pilot, me shkruajti letër e më thoshte: "Lum ti që do fluturosh! Ah, sa dëshirë kam dhe unë të bëhem aviatore!"). Nuk njoh një të dytë si Luljetën, kaq të etur për dije dhe kaq bujare për të dhënë dituri. Talent i lindur, njeri i vërtetë, e thjeshtë dhe komunikuese me njerëzit e të gjitha niveleve. Gjykoj se ajo nuk ka nevojë për Partinë Socialiste, por PS apo çdo parti tjetër politike ka nevojë për një personalitet të tillë si Luljeta Bozo. Urime e suksese shoqe e dashur”! Niveli i saj kulturor, edukata e shëndoshë, fjala e mençur, ashtu si në çdo punë shkencore në Shqipëri, në çdo vepër, do të mbeten edhe në Parlament për breza të tërë.