BREAKING NEWS

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe 2 mijë të vdekur brenda ditës

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe
x

Opinion / Editorial

Lulzim Basha çdo ditë shpik një qeveri, sot teknike, nesër kujdestari

Lulzim Basha çdo ditë shpik një qeveri, sot teknike, nesër

Në këta gjashtë vite në krye të PD-së ose siç i pëlqen ta etiketojnë, “lider i opozitës”, Lulzim Basha nuk ka bërë gjë tjetër, veç propozimeve sensacionale, megallomane për emërtim e krijim qeverish. Njëherë teknike, të nesërmen të unitetit kombëtar, ministra pa parti, burra të të urtësh, të diturish, të ndershëm, engjëllorë, pse jo puthadorë. Këto ditë, Basha kërkon me ngulm qeveri kujdestare, pa parti, pushtet të servirur në sini si në Maqedoni. Në të gjitha qeveritë e kërkuara me ngulmim, ka një element të pandryshueshëm, të panegociueshëm, të vijueshëm dhe të patjetërsueshëm: Qeveri pa Ramën. Kryeministri i qeverisë së re në se nuk do jetë një nga ne, ai, kryesuesi i banditëve nuk duhet të jetë në krye. Argumenti me të cilin operon: Kërcënon demokracinë, i vë flakën Shqipërisë, vjedh zgjedhjet me megalomani dhe hajdutëri. Bën presion mbi administratën, përdor policinë për të rrëmbyer fitoren e të djathtëve. Pasi ndërmori revolucionin një-vjeçar me parullën “Rama ik”, si dhunoi fizikisht forcat e rendit, në një aksion donkishotesk e amatoresk bëri titanin dhe kapedanin, nxiu me një bojë të zezë fasadat e godinave më të rëndësishme në Shqipëri, ku ushtrojnë veprimtarinë organet më të larta të shtetit, i vuri zjarrin Parlamentit, duke menduar edhe skenarin për ta djegur, si Rajashangun nga hitlerianët në vitet e Luftës së Dytë Botërore, siç na tha vetë presidenti. Lau duart me institucionet dhe shpërtheu dhunën në të gjitha sheshet e Shqipërisë, bëri pak pauzë për të rimarrë fuqi dhe për t`ia nisur përsëri e përsëri. Ishte dhuna e jashtëzakonshme me të gjitha format, flakët që u ngjitën në qiellin e Tiranës, molotovët mbi Kryeministri, rrethimin me tela me gjemba i godinës, tempulli i demokracisë, sulmoi komisariatet në një intefad shkatërruese, u duk se korrigjoi skenar. Nuk është fjala për heshtje. As për fresk qeverisë. Pajtim dhe jo zhvillim intensiv i opozitarizmit sepse kjo do të ishte ndalje e vetë demokracisë dhe komprometim i të ardhmes, venitje e shpresave të shqiptarëve të cilët do mbeteshin pa alternativë. E kritikueshme mbetet mënyra si i qaset opozita pushtetit dhe rrugët që ndjek për të arritur qëllimin madhor të gjithë opozitave në botë, marrjen e pushtetit me votë. Pikërisht, këtu përditë opozita jonë shkel në shtigje që nuk e shpien pranë kolltukëve qeveritarë dhe rifitim të pozicioneve të humbura vite më parë. E gjithë kjo betejë nuk mund të nënkuptohet pa ultimatumet, zhurmën, përgjimet, shpikjet, akuzat, video montazhe, mallkimet pa fund, kërcënimet, etiketimet sepse janë në ADN-në e opozitës tonë, që i përdor me kapacitet maksimal në betejën kundër mazhorancës. Kur flasim për aksionin e opozitës nuk është problemi që të mos zhvillohen beteja, po strategjitë që ndiqen të mos jenë kompromentuese, të cenueshme sepse qytetarët i vënë pikën mbi “I” çdo aksioni të opozitës dhe liderëve të partive që presin pushtetin. Pikërisht kërkesat e përditshme, shpikjet për një qeveri ekstra teknike, janë të kritikueshme. Këto ia lënë bosh frigoriferët, kutitë e votimit Bashës. E lënë me gisht në gojë frontin e rreshtuar në orkestrën e çakorduar të opozitës tonë. Çfarë emra qeverish nuk kemi mësuar! Kohë më parë, të panjohur me shpikjet në fushën e emërtim-ndërtim-shkatërrim qeverish, të paushtruar me demokracinë, na vinte çudi për një numër të jashtëzakonshëm variantesh, si mund të ndërtohet një qeveri pa votat e popullit. Të gjithë e kemi pranuar kush qeveris e vendos, sovrani. Në shtetet me demokraci shumë vjeçare, eksperimentet me qeveri ekstraparlamentare janë të pakonceptueshme. Janë të paditur, ata nuk e njohin përvojën tonë. Duhet të na studiojnë e të mos qëndrojnë në pritje të qeverisë me rotacione normale zgjedhore, le të mësojnë se në qeveri vihet edhe me aksione horror. Le të zbatojnë përvojën tonë të revolucioneve rrugore. Pamundësia për të fituar me votë e ka detyruar opozitën shqiptare, Bashën në radhë të parë, pa lënë mënjanë edhe zhurmuesit e tjerë, Kryemadhin që pret në derë, kryesuesit e partive minore, agraristët, PBDNJ-shat, PDIU-shat, demokristianët e gjithë të tjerët që i kanë shtuar shumëditurisë, një specialitet të ri, pagëzues qeverish. Janë qeveri eksperimentale, lindur prej dashurisë opozitare. Ngrihen, shkrihen me dëshirë sa herë opozita ndihet vështirë dhe kërkon pushtet me pahir. U duk se lideri Basha, u pajtua me ftesën e BE-së dhe OSBE-së për të marrë pjesë aktive në reformën zgjedhore. Po në tavolinë tjetër të opozitës, larg mazhorancës dhe opozitës parlamentare. Është kjo strategji e imponimit, e ngulitur thellë në subkoshiencën opozitare që bën të mbisundojë vullneti i kryetarëve. Qeveri pa fuqi vendimmarrëse. Fill pas dorëzimit të mandateve, braktisjes së zgjedhjeve, video montazheve, vërshuan lumë ultimatumet të iki kjo qeveri, ky kryeministër i zi, se kështu kërkon lideri. Me sa duket, PD dhe LSI nuk kanë gjetur ende qetësi dhe përjetojnë lëkundjet, si ato të tokës pas tërmetit. Kështu edhe ultimatumet, kërcënimet e Bashës duken si flakët e kashtës. Ose strategjia e tij për qeveri teknike apolitike, polici pa drejtori, të gjitha nën kujdestari, ndryshe opozita rrugore do bëjë atë ka bërë deri tani me revolucione. Do bojkotojë. Do pengojë. Do marshojë. Do i thotë botës mbarë se ata janë të vetmit fitues të popullit shqiptar. Dihet se qeveritë pa votë popullore, anonime, pa adresë, pa emra e mbiemra, pa legjitimitet janë si gjethet e verdha të vjeshtës në plep. Të mira për të zhvatur tendera, fituar në çdo firmë, e vulë, si hiq e vur e mos le kusur. Projektuesi, shpikësi, pagëzuesi i qeverive pa adresë e mbështetje, të pazgjedhura në emër të “shpëtimit” të demokracisë dhe pamundësimit të presioneve të qeverisë,duke i trajtuar shqiptarët si dele e deshë, që mund t`i mbyllësh në vathë pas tri dekadave është përpjekja më tinzare në kurriz të sistemit, Kushtetutës dhe vetë shqiptarëve. Kërcënimet e opozitës pas revolucionit të dështuar me produkt zero në aksionet e opozitës dhe humbjen e përkrahjes ndërkombëtare, duket si një tullumbace shumëngjyrëshe në duar fëmijësh, që pëlcet sapo e prek. Lulzim Basha nuk besojmë të ketë harruar fitoren që mori në një vit ecejake me urën e zjarrit në dorë, me ushtrinë e ujqërve, shigjetarëve, harkëtarëve, mollëtarëve, batalioneve të Jalës, prodhuesve të preshve, vjelësit e qershive, njeriut merimangë, kacavjerrësit në muret e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, me fishekzjarre, altoparlantë, prozhektorë, bomba molotov në dorë, e gjithfarë armësh e militantësh dhe e tërë strategjia e shpëtimit i mbeti si dopio gjashta në dorë. Çdo politikanë serioz në betejën për pushtet duhet të shikojë së pari nga vetja e vet. Të bindë me fuqinë e gjykimit dhe shpresën e ndryshimit, të ngrejë votuesit shqiptarë në kalanë e besimit. Ndryshe me emërtime e pagëzime qeverish mund të pasurosh fjalorin e gjuhësisë, po ke humbur qeverimin e Shqipërisë. Shqiptarët me të drejtë pyesin: A do bënte Basha qeveri teknike apo kujdestari nëse do ishte në pushtet, në fuqi dhe ta kishte ai fronin në qeveri?! Besojmë kurrsesi! Kurrsesi! Kjo do të quhej blasfemi. Dhe kërkuesit hipokrizi. Basha dhe fronti opozitar në tërë këto vite opozitë, besojmë se kanë arritur në disa përfundime dhe kanë fituar përvojë e nxjerrë mësime se skicimet për emërtime qeverish, janë thjesht dështime. Nëse do vijojnë me këtë strategji, shpikje emërtimesh për lloj-lloj qeveri, të gjithë e dinë se qeveri, teknike a kujdestare, apo pa emër fare, shqiptarët do ta bëjnë opozitën gjithmonë dalje!