BREAKING NEWS

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi: Sot është një ditë shumë e vështirë për mua

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi:
x

Opinion / Editorial

Lumturia e “Skënderbeut” për komandantin vetmitar!

Lumturia e “Skënderbeut” për komandantin vetmitar!

Nga Elisa Spiropali kemi dhe “lapidarizimin” e gjallë të kryetarit të PS-së dhe kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Sigurisht ai është “Komandant i Legjionit të Nderit” i nderuar nga presidenti Holande dhe këtu zonja është në të drejtën e saj, por sigurisht i duhet dhe një figurë kombëtare e stërmadhe si Kastrioti, për të kompletuar lapidarin e gjallë. Natyrisht ajo ka të drejtë për të ngritur lapidaret e saja si të gjithë ne bëjmë me lapidaret tonë. Mirëpo unë e kam fjalën për pikërisht atë figurë të stërmadhe kombëtare, e cila është Skënderbeu në histori, e krahasuar me “Skënderbeun” e zonjës Spiropali. Kryevepra e gjenialiteti i Gjergj Kastriotit ose Skënderbeut në fakt është “Besëlidhja” e kryer në 2 mars të vitit 1444, e cila tentoi dhe arriti të bashkojë shumicën e princave shqiptarë në përballje me Perandorinë Osmane. Kryevepra e Kastriotit ose Skënderbeut që thotë Spiropali, ishte bashkimi i familjeve nobile të trashëgimisë shqiptare si Balshajt, Skurajt, Muzaka, Topia, Aranitët, Dukagjinët, Zahariajt, Gjurashët, Dushmanët, Cernojevic, Vrana Kontin, Pjetër Shpata etj. Me një bashkim të tillë, sido që shpeshherë i vështirë një shtet i vogël, por i bashkuar nga një mendje e kthjellët, e përgatitur dhe e trupëzuar në një burrë të fortë dhe të lartë, u fituan 24 beteja të rëndësishme me perandorinë më të madhe të kohës. Të bashkuar, u përballën sfidat e kohës dhe u bë një shtet, i cili me mendimin e qartë, por aspak arrogant të pikërisht Kastriotit, nuk shkoi aty puna sa të shpallej mbret i shqiptarëve dhe pse flamuri i tij dhe mburoja tashmë janë flamuri ynë kombëtar. Po po kjo kryevepër bashkimi vazhdoi deri në vitin 1468 kur vdiq ai dhe filloi dhe rrënimi i Lidhjes. Gjergj Kastrioti sigurisht ishte luftëtar i klasit të parë, ishte diplomat i madh, komandant legjendar, por dhe një bashkues i shqiptarëve për të bërë shtetin e aq shumë dëshiruar. 25 vitet e tij, këtë gjë kanë në bazën e fitoreve të tija. E jo të thjesht tregimeve qoftë dhe të Fan Nolit mbi thuprat e bashkuara apo historive të Barletit, por të historisë së qartë, të shkruar dhe provuar të ushtrisë dhe moralit përbashkues shqiptar në kohën e kryetrimit dhe drejtuesit legjendar të Besëlidhjes dhe bashkimit shqiptar. Janë betejat që tregojnë dhe janë po ashtu betejat që na mësojnë dhe janë po ashtu vështirësitë me “ikje, tradhëti dhe zemërime” mes princash dhe shqiptarësh. Por ideja përçuese e fitoreve është ajo e Kastriotit se vetëm të bashkuar mund të fitojmë dhe mund të përballemi.

Tani vijmë te “lapidari” i gjallë i Skënderbeut të Elisës, por në veprimet e komandantit të legjionit. Rama si “komandant” është nga francezët. Ai sigurisht nuk besoj se ka qenë një zborist kushedi çfarë, as ushtar ose ushtar post universitar. Duke qenë dhe një “francez” si dashuri jetësore post komunizmit dhe si shumë shqiptarë të frymëzuar nga Parisi, janë kthyer në Shqipëri me idealizmin e ndreqjes së këtij vendi folklorik dhe retrokulturor. Po pra po kryesori është Enveri. Në fund të fundit, kështu tregon dhe Nano dhe kështu është dhe historia e ardhjes në zyrat e pushtetit me anën jo të PD-së të cilën e synoi në fillim dhe që nuk ia la Berisha, por të PS-së për të cilën kur synonte PD-në kishte idenë se komunistët aty duheshin... e keni parasysh ju vetë, çfarë thoshte. Pra Rama është një “komandant francez” dhe sigurisht jo një shqiptar kaq folklorike kjo duket te plazhet nudo. Më vonë ai imiton folklorizmin oriental shqiptar në veshje, por ky është një diskurs tjetër. Tani “Skënderbeu” i Spiropalit erdhi dita që duhet të bëjë bilancet me “komandantin” po të Spiropalit të cilët janë në një trup të vetëm pothuaj 2 metra të Ramës.

Komandanti i legjionit kërkoi tepsinë ose pushtetin vetëm. Po dhe e mori, pak se ia dhanë dhe pak se e detyruan dhe pak se kishte fat, por e mori. E nuk e mori dosido. E mori kudo. Mori pushtetin qendror, mori Kuvendin, sepse “princat” e tjerë ikën, mori dhe pushtetin vendor, sepse edhe aty princat ikën dhe mori shumë elementë pushteti përfshi dhe drejtësinë, e cila po shkonte në esfelt nga reforma e perëndimorëve, të cilët “Lidhjen Shqiptare” e shikojnë si pan europiane dhe me kualitetin e të thënës nëpër zyra aty lart se “këta mbeten folklorikë dhe të pabindur për demokracinë dhe ligjin”. Komandanti i Spiropales mori gjithçka vetë, pa i dhënë llogari kujt dhe me ushtri, polici, ligje e protokolle krejtësisht të vetat. Biles një ditë të bukur dha urdhër të nxirrte blindat dhe kundra popullit të tij që t’i mbronte nga – koronavirusi që kishte pushtuar vendin.

Sot mbas mandatit të dytë vetëm “Skënderbeu i zonjës Spiropali” shikon me lumturi të madhe “komandantin vetmitar” Edi Rama. Ai e shikon se ky komandant i vetëm e ka bërë Shqipërinë krejtësisht formale. E shikon se ka “zgjidhur” i vetëm, problemin e pronës dhe tokave kudo në qytete dhe periferi. E shikon se ka “futur” në punë të gjithë shqiptarët që duan të punojnë dhe mban me pekule ata që nuk punojnë dot. “Skënderbeu” lumturohet se sa të gëzuar janë shqiptarët me “Komandantin e Spiropalit” dhe sa të lumturuar janë se ai është vetëm, biles akoma më vetëm se sa Putin, Lukashenko, apo drejtues të tjerë të ish-Republikave Sovjetike përreth Rusisë. E shikojnë të gjithë dhe lumturohet sidomos Skënderbeu i Lidhjes se sa të bashkuar janë shqiptarët jo vetëm në Shqipëri, por dhe politikisht mes Shqipërisë dhe Kosovës për nga gjenialiteti i madh i Komandantit të Legjionit Francez të Nderit në Shqipëri. “Kënaqet” Skënderbeu nga arritjet ekonomike dhe rrogat e mëdha që marrin shqiptarët, për pensionet e pleqërisë që mundësojnë ilaçet dhe shërbimet, por dhe shkuarjen deri në fund të muajit pa borxhe. Gëzohet për shërbimet në spitale, për profesionalizmin në administratë dhe për ndershmërinë në tendera, por dhe për largimin e sundimtarëve oligarkë (krijimi i plutokracisë) dhe të suksesit të PPP, të cilat i bëjnë nder “suksesit ekonomik” të Shqipërisë sot dhe sidomos në të ardhmen. Lumturohet për policinë jo politike dhe jo të sunduar nga allishverishi anti ligj dhe nga bashibozukë partie. Lumturohet për arsimin, i cili është kthyer në një virtualitet letrash të shkruara, të cilat kanë si qëllim të mos bëhet mësim, por të shkruhet se po bëhet mësim. Për vendet e punës mbushur me konkubina partie dhe imoralitet drejtues pa limite. Për shkatërrimin e sociales dhe trysnisë fatkeqe mbi iniciativën e lirë. Për “dhimbjen e kokës” së të gjithëve dhe batutave të Komandantit të legjionit që bën me fukarenjtë. Për humbjen e shpresës se ky vend mund të bashkohet për të plotësuar ligjin në demokraci. Si përfundim. Rama jo vetëm nuk është Skënderbeu, por nuk është dhe një nga legjionarët aventurierë të pushtimeve franceze në Afrikën e Veriut, sepse nuk ka as shpirtin e aventurës së tillë. Ai mbetet një i llastuar i aristokracisë folk-komuniste të qendrës së Tiranës. I mbushur me veset e asaj kohe dhe kryesorin urrejtjen për njerëzit. Mbeti një piktor mediokër i ngjyrosjes së shtetit në fantazmagorinë haluçinante të tij dhe kurrë një arkitekt bashkues i forcave pozitive të shqiptarëve. Mbeti një llafazan politik dhe batutaxhi i rëndomtë dhe jo një lider serioz dhe i sinqertë që projekton të ardhmen. Mbeti interesaxhi cinik dhe dallaveraxhi me miq të pasur në kurriz të shqiptarëve dhe ligjit. Ky është dhe “Skënderbeu e komandanti” i zonjës Spiropali.