Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

"Makron-izmi ballkanik" ose kujtesa e dobët e sherrit të sigurt!

Postuar: 19/10/2019 - 07:11

Ajo "Rruga e Katërt" e Makronit si President i Francës, asnjëherë nuk doli në madhësi europiane dhe sigurisht atë lëvizjet e "të rinjve Makron-istë" ngjajnë më shumë sigurisht me një "reality shoë", por kjo nuk është ndonjë kushedi çfarë! Problemi është se Ballkani është diçka shumë më tepër se sa një mandat Presidenti në Francë, apo dhe diku tjetër shtet të madh që merr vendime! Sot janë shumë njerëz të dëgjuar, shumë kryeministra dhe ministra të Jashtëm, ish-diplomatë dhe ish-komisionerë europianë, komisionerë dhe njerëz të lartë të Brukselit, deputetë dhe përfaqësues të lartë të Europës që po kritikojë ashpër presidentin Makron! Italia dhe Greqia ose dy fqinjët tanë të afërt sëbashku me 1.5 milion shqiptarë brenda tyre (shumë herë më tepër se sa në Francë) janë të frikësuar dhe shqetësuar nga një padrejtësi që po i bëhet sidomos faktorit shqiptar në Ballkan, vetë Ballkanit, duke mos mbajtur fjalën e dhënë dhe duke vepruar me dy palë letra në Europë! Po letrat e Brukselit dhe letrat e Parisit të Makronit e pastaj, letrat jo me kaq forcë të Holandës! Nuk është njësoj si modeli Makron-ist që thotë nuk jemi "euroskeptikë, por as euro naivë"! Këto janë batuta për në Europë, por kurrën e kurrës në Ballkan! Vendi i madh (Ballkani) i pasurive folklorike, historisë së ashpër së luftërave botërore dhe ballkanike, vendi që ka futur dy herë në luftë Europën - kapërcen mbi filozofi gjysmake dhe që kanë humbur pa filluar mirë! Janë shumë kryeministra të Europës që deklarojnë se "refuzimi i negociatave" për Shqipërinë do të na kushtojë shumë! E nuk është vetëm kryeministri italian, por është Austria dhe Hungaria, Polonia dhe Sllovenia, Kroacia dhe Belgjika që kanë bërë çfarë kanë pasur të mundur. Të mos ndodhë kjo gjë, të mos ndahet procesi dhe sigurisht të mos ndodhë një "fillim ndarje", e cila është e vështirë në vazhdim të ketë zgjidhje racionale! As Britania e Madhe si më "out" nuk ka dashur kurrë të ndodhë kjo! A thua nuk e dinë të gjitha këto vende gjendjen tonë brenda?! Pozitën piktoreske dhe opozitën tonë qyfyrlije?! Sigurisht e dinë, por nuk mund të jenë të pa ditur për "historinë e sherreve me ballkanikë të zhurmshëm"! Më kujtohet intervista fantastike e presidentit Trump me gazetarin e "Fox News", i cili po e provokonte për pranimin në NATO të dy vendeve të vogla në Ballkan si Shqipëria dhe Mali i Zi! Por Trump i mirëditur dhe pse i kapur disi në befasi, gjithsesi ja del me këto përgjigje:

Gazetari Tucker Carlson: Të qenit pjesë e NATO-s detyron të gjithë anëtarët të mbrojnë çdo pjesëtar tjetër nga sulmet. Për shembull, nëse sulmohet Mali i Zi që u anëtarësua vitin e kaluar, pse im bir duhet të shkojë në mbrojtje të këtij vendi?

Presidenti Trump: Unë e kuptoj çfarë po thua. Unë bëra të njëjtën pyetje, e di? Mali i Zi është një vend i vogël, me njerëz shumë të fortë.

Gazetari Tucker Carlson: Nuk jam kundër Malit të Zi, po Shqipëria?

Presidenti Trump: Jo meqë ra fjala… janë njerëz shumë të fortë, janë njerëz shumë agresivë. Mund të nxehen dhe... Urime jemi në Luftën e Tretë Botërore. E kuptoj këtë, por kështu është vendosur. Mor harro, unë erdha këtu pak më shumë se një vit më parë, por mora përsipër bisedën tre katër ditë më parë dhe thashë: “Duhet të paguani, Duhet të paguani”.

Tipike e një Presidenti jo kaq shumë brenda kornizave burokratike në përgjigje, por këtë gjë e kishte shumë të qartë historikisht! Trump nuk gabonte në këtë gjë! Absolutisht jo! Kjo jo për ti bërë qejfin vetes, as për të thënë se ne "jemi folklorikët e Europës", por se kështu është realiteti! Kështu ka qenë historia dhe është një turp kur jep fjalën, të mos ta mbash me të tillë - folklorikë! Të marrin inat sado të vegjël qofshin! Sepse janë "sherrxhinj", që për ti kontrolluar, duhesh ti kesh afër! Për më tepër shqiptarët që kanë kaq vite që ëndërrojnë dhe janë pro kulturalisht dhe besnikërisht me BE dhe Europën megjithë Francën brenda! Sikundër kanë qenë presidentët Shirak, Sarkozi, Holande në përcjelljen gjithmonë me dashamirësi dhe realizëm të procesit tonë integrues! Ato nuk kanë diskutuar asnjëherë se "çfarë do ti thonë elektoratit" për Shqipërinë, sepse e trajtonin çështjen si përkujdesje dhe qëllimmirë, megjithë pengesat e mëdha! Të mos flasim pastaj për pro shqiptarin e madh Bernard Kushner, i cili e do Shqipërinë sa më shpejt në BE! Të tillë njerëz njohin historinë dhe realitetin sot - në raport mes tyre! Një përçarje e tillë është dobësi presidenciale e Parisit sot, por jo dje! Askush edhe tani në përqindje nuk e do Europën dhe BE-në më shumë se shqiptarët dhe vetëm ideja jo racionale e një presidenti të dështuar në "rrugën e katërt" mund ta riniste një "sherr" të tillë mes vendeve në BE! Them i dështuar, sepse dihen sondazhet për besimin e francezëve te presidenti aktual! Padyshim që nuk është kundra Shqipërisë dhe kjo kurrë nuk mund të jetë e vërtetë, por veprimi i tillë "as mish as peshk" me batutën "vijnë me Shengen dhe kërkojnë azil" nuk shkon për asgjë! Për më tepër batuta "janë liberalizuar vizat përpara negociatave", që është batutë pastaj krejtësisht e panevojshme dhe jashtë filozofisë me të cilën është formuar BE! Kur përpara tij si president, janë bërë udhëtimet dhe plotësimet e programuara në standardet e integrimit në BE! Duket gati gati, që zgjerimi apo integrimi duhet të fillojë nga Makron dhe nuk ka filluar prej vite e vitesh!

Akoma më shumë kur është e qartë se nuk ka funksionuar burokracia që duhej të kthente shqiptarët që kërkojnë azil - sepse vijnë nga një vend i sigurtë dhe jo të fillonin procedurat e tyre që përdredhin ligjin parësor! Nuk është faji shqiptarëve dhe pse "nuk ju merr vesh koka"! Rrethanë "lehtësuese" për ta është koha e paktë që kanë në shtetin e tyre, koha e paktë në liri dhe koha e shumtë, nën regjime të padrejta dhe njëri pothuaj 50-të vjeçar i gjithi gjakatar! Fat i madh që para këtij lloj "Makronizmi ballkanik" vendet e Ballkanit janë bashkë! Nuk janë të ndarë! Janë bashkë, grekë, bullgarë, rumunë, malazezë, kroatë, sllovenë, maqedonas e shqiptarë dhe kjo është fantastike! Ata kanë mësuar nga historia! Kanë vuajtur dhe provuar shumë, por kanë mësuar! Askush nuk do të besojë në teoritë konspirative gjysmë të vërteta me "Rusi dhe popullsi myslimane", por kryeministri Konte thotë: “Diskutimet për zgjerimin e BE shkuan keq. U thashë homologëve të mi se kjo datë do të mbetet në histori. Ato vende prej kohësh kanë dashur të bëhen pjesë e Europës dhe aspirata e tyre është anëtarësimi në BE. Dita e djeshme do të mbahet mend si një gabim historik. Popujt e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë bërë përpjekje të mëdha. Italia do të jetë gjithmonë në mbështetje të tyre”. Sigurisht, ne kemi problemet e mëdha tonat në qeverisje dhe politikë! Ne kemi shumë e shumë rrugë për të bërë në këtë drejtim! Mbase ne nuk meritojmë të na përkëdhelësh kaq shumë! Por një gjë është e qartë: meritojmë të bashkohemi me ëndrrën dikur të shkelur me zjarr dhe këmbë, më vonë të shkelur nën diktaturë e pastaj të ngritur në qëllim që sot "Makron-izmi ballkanik" ose kujtesa e dobët e sherrit të sigurt po imponon të mos i shkojmë me pasion të dikurshëm pas! E kjo është plotësisht e sigurt që do të ndodhë, duke bërë të qartë një përçarje të madhe jo vetëm këtu poshtë, por dhe atje lart në kancelaritë europiane!

Nga Besi Bekteshi

 

 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/11/2019 - 07:18

Nuk bëhet fjalë për romanin e Stendalit “E kuqja dhe e zeza” me këtë titull, madje as për uniformën e skuadrës kombëtare, nga ku prej gjoksit e lart, janë krejt në të kuqe dhe si për ironi nga mollaqet e p

Postuar: 21/11/2019 - 07:16

Projekt-ligji për Buxhetin e Shtetit 2020 që Ministria jonë e Financave ka dërguar në Kuvend, për

Postuar: 21/11/2019 - 07:15

Duke shkruar këto radhë, m’u kujtua hyrja e prezantimit të një “senatori” të au

Postuar: 21/11/2019 - 07:12

Një nga "shpresat e humbura", por dhe përkeqësimet shoqërore dhe filozofike te ne, ësht

Postuar: 20/11/2019 - 07:17

Do të vinte ajo ditë kur pjesa më e inkriminuar, më agresive dhe më në hall e politikës, t’

Postuar: 20/11/2019 - 07:16

Vetëvrasjet janë shtuar shumë këto kohët e fundit.

Postuar: 20/11/2019 - 07:14

Të gjithë jemi të përgjuar. Shqiptarë e ndërkombëtarë.