BREAKING NEWS

Ndërron jetë kompozitori i njohur Avni Mula

Ndërron jetë kompozitori i njohur Avni Mula
x

Opinion / Editorial

Mall për këngët e partizanëve tanë

Mall për këngët e partizanëve tanë

Mbase dhe nostalgji, por ja që është një fakt i pamohueshëm se muajin Tetor e kemi patur muajin e artit dhe të letërsisë, muajin e këngëve dhe festivaleve tona folklorike. Kjo jo vetëm në rrethe, por kudo në mbarë Shqipërinë, artistë, këngëtarë të muzikës së lehtë, asaj operistike, folkloristë, valltarë nga të gjitha trevat e vendit tonë madje dhe nga trojet shqiptare apo dhe jashtë saj të banuara nga shqiptarë (kryesisht arbëreshë) i jepnin një nur sa të hijshëm aq dhe të bukur Shqipërisë tonë, të cilat finalizoheshin dhe me këngët e vallet folklorike në festivalet e Gjirokastrës. Natyrisht që në të gjithë këtë diapazon dhe gamë të gjerë mund të ndaleshim në çdo zhanër dhe specialistë të mirëfilltë të artit e të kulturës tonë mund të flasin me shumë kompetenca në fusha të veçanta të artit. Them këtë sepse shumë artistë valltarë, këngëtarë shkrimtarë, poetë, muzikologë të periudhës së socializmit ende janë gjallë dhe unë mendoj se puna e tyre, jo vetëm se duhet vlerësuar, por dhe duhet të propagandohet sikurse dhe vetë ata, për këto çështje duhet të shkruajnë më shumë. Gjithsesi edhe pse është shkruar e vërej se është për të ardhur shumë keq që në muzikologjinë tonë jo vetëm se mungon vendi që u takon “këngëve partizane”, por ato gradualisht po shkojnë drejt zvetënimit dhe humbjes nga kujtesa e popullit. Duhet të kuptohet nga të gjithë e veçanërisht nga brezi i ri se këngët partizane janë pjesë e këngëve të trimërisë të një etape të caktuar historike të popullit tonë. Shkatërrimi i Shqipërisë mbas viteve ‘90-të nuk mund të kuptohej pa u atakuar dhe epopeja e lavdishme e Luftës Nacionalçlirimtare, e cila është e do të ngelet vazhdimësi e shpirtit patriotik të shqiptarit të derdhura në këngë gjatë gjithë rrugëtimit të tij historik nëpër shekuj. Këngët tona të dala nga lahuta dhe çiftelia e malësorit, nga polifonia labe, nga mandolinat e korçarëve e sazet përmetare, nga trapezat e dasmave shqiptare u kanë bërë jehonë momenteve të mëdha historike. Këto këngë, duke filluar nga këngët për legjendarin Skënderbe mbase dhe më herët tij për “Trimat e Jutbinës”, këngët e karakterit atdhetar si për “Lidhjen e Prizrenit”, për Abdyl Frashërin, këngët për Mic Sokolin, për Bajram Currin, Çerçiz Topullin, Ismail Qemalin, këngë për Selam Musanë Zigur Lelon e dhjetra e qindra të tjera, janë të pazëvendësueshme për nga niveli dhe karakteri i theksuar atdhetar. Parë nga ky kënd vështrim “Këngët e Luftës Nacionalçlirimtare” zënë një vend të veçantë, për faktin se këto këngë jo vetëm se i përkasin një periudhe të caktuar, por dhe vetë kjo periudhë ishte e kufizuar dhe i përket harkut kohor vetëm të Luftës partizane Antifashiste Nacionalçlirimtare. Këngë të tilla si “Bashkohu o shokë me ne në çetë”, “N’ato maja rripa- rripa”, “Partizani në luftë po shkonte”, “Hakmarrja”, “Një zë po del nga grykë e Mezhgoranit”, ”Malet me blerim mbuluar”, “ Ushtria e jonë heroike”, “Bandiera rossa”(këngë që e këndonte batalioni partizan“Antonio Gramshi” i inkuadruar në formacionet luftarake të Brigadës së parë sulmuese) e dhjetëra të tjera, janë e ngelen në fondin e artë të muzikës korale jo vetëm për nga niveli artistik, por dhe kuptimi i madhërishëm e ideor. Në këto këngë pa përjashtuar dhe ato të dëshmorëve të veçantë (që shumica e tyre u ngritën mbas lufte dhe u kënduan në popull), spikat masiviteti dhe thirrja për bashkim luftarak për t’i bërë ballë armikut nazi-fashist dhe për çlirimin e Shqipërisë. Në asnjë nga këto këngë nuk del në plan të parë Partia Komuniste, por Atdheu ynë i shtrenjtë, Shqipëria. Mbas viteve ‘90-të ethet hakmarrëse “kundër komunizmi” shkuan deri në atë pikë sa që aktorë të mirëfilltë të humorit u kthyen në kllounë të monarkisë “Berishiane” dhe shakaxhiut të batutave Rama, duke ironizuar luftëtarët, komandantët e komisarët e formacioneve tona heroike apo dhe heronj të tillë si Selam Musai, duke ngritur kështu në një farë mënyre, vlerat e ballistëve dhe nëpërkëmbur me humorin helmues, ato të partizanëve apo partizaneve tona heroike. Kjo kishte qëllime të caktuara, por dhe mbrapa vijë të lexueshme për të rehabilituar të gjithë ato organizma tradhtarësh e bashibozukësh, të cilët jo që s’kishin asnjë këngë, por dhe nuk e shkrepën asnjë herë kundër armikut, veçse kundër partizanëve.

Ja se ç’thotë e shkruan analistja Ana Hoffman lidhur me studimin e saj për këngët partizane në Ballkan: “Këngët revolucionare partizane jo vetëm kujtojnë rëndësinë historike të Luftës Nacionalçlirimtare në Luftën e Dytë Botërore, por janë të rëndësishme për betejat politike aktuale dhe mund të jetë një faktor i rëndësishëm në krijimin e “politikave të reja për të ardhmen””.

Natyrisht që zonja në fjalë heq një paralele duke aluduar te vlerat e mëdha ideore që ato mbartin dhe përcjellin në gjeneratat e çdo kombi që u ndesh me nazi-fashistët. Por nuk e besoj që zonjës në fjalë t’i ketë rënë në dorë libri i Enver Lepenicës (që mbas çlirimit si duket i vinte zor nga mbiemri “Lepenica” duke e kthyer atë në Memishaj), libër ky që është sponsorizuar nga qeveria e ashtuquajtur e majtë e Ramës (e majtë leshi!) dhe nga instituti i KKK (së Tufës e të Çelos) sigurisht me paratë tona, e që bën fjalë për këngët e Luftës Çlirimtare të “ballit”, apo më saktë këngë himne e marshe të ballistëve gjatë lufte! Të ketë këngë me të vërtetë Balli Kombëtar përveçse një “Epopeje” që ka shkruar Shefqet Musaraj?A ka sot madje e theksoj edhe sot që ta besojë se Balli bëri luftë çlirimtare? Pyes kryetarin e “Ballit” cilin qytet të Shqipërisë çliroi dhe e përjetoi në këngë “Balli Kombëtar”? Për himn ç’është e vërteta të mos ja u hamë hakun e kanë, po marshe çfarë marshi na paskan? Ata këndonin bashkë me Ali Këlcyrën “Marshin e Romës” apo “Giovanza”dhe me Azis Biçakun marshin e nazistëve (“Nazi Himn”).

Por fundja e lemë mënjanë Ballin, po si është e mundur që sot aktualisht nuk mund të dëgjojmë në radio apo dhe në televizionin shtetëror sikurse as në radiot dhe televizionet private një këngë partizane ku t’i bëhet jehonë Luftës së madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare, kësaj epopeje të ndritur dhe faqe të lavdishme të historisë së popullit tonë. Jo shumë larg, por tiranasit sikurse dhe vlonjatët shpesh, hapat e tyre mbi trotuare i shoqëronin ritmet e këngëve e studentëve ushtarakë si ata të Shkollës Ushtarake “Skënderbej”, Shkollës së Bashkuar në Tiranë, asaj të Marinës dhe Aviacionit në Vlorë, sikurse këngët e ushtarëve dhe të marinarëve tanë nëpër repartet dhe garnizonet e tyre. Nuk është nostalgji, por është kushtrim, është thirrje një apel që këngët partizane të mos harrohen, sepse kanë të bëjnë me kultivimin e ndjenjës së atdhedashurisë, në rininë e sotme dhe brezat që do të vijnë, e jo të merren me poemën “Vrima” të një njeriu pa moral, që imoralitetin e vet kërkon t’ua shpërndajë dhe rinisë shqiptare. Madje për këtë të fundit, duhet të protestojnë dhe vetë ballistët, sepse nuk shkon që një “shkërdho-poemë” të nderohet me emrin “Lumo Skëndo”. Nuk shkon, sepse kështu rezulton që dhe i pari i ballistëve, na qenkësh qejfli fustanesh ndaj dhe nuk lëvizi nga Tirana gjatë gjithë pushtimit fashist. Ta ketë bërë këtë akt Rama për të diskredituar ballistët? Apo kjo është një strategji e gjithanshme për të degjeneruar shqiptarët dhe Shqipërinë!?