BREAKING NEWS

Spartak Braho 'kap mat' Metën: Kjo që po bën presidenti s’ka ndodhur në asnjë vend të botës!

Spartak Braho 'kap mat' Metën: Kjo që po bën presidenti
x

Opinion / Editorial

Malli i mirë, shet veten, partitë “skarco” i “shesin” politikanët

Malli i mirë, shet veten, partitë “skarco” i

... Nuk është faji i popullit që megjithëse politikanët kanë nëntë muaj që u bëjnë reklamë “mallrave skarco” “parti” askush nuk ka ndërmend të “blejë” ndonjërën prej tyre apo më mirë ta votojë.. E megjithatë, sa më shumë afron ora e “panairit” në 25 prill, të paktë do të jenë ata që do të shkojnë bile edhe këta më shumë si sehirxhinj sesa për të “blerë” me qejf ndonjë “mall” të tillë! Populli, me kohë ka vendosur se cilën parti do të votojë dhe si e tillë është e kotë që kryetarët e tyre u bëjnë reklamë këtyre “mallrave skarco” sikur të jenë të paprovuara apo të “paveshura” ndonjëherë. Malli që është mall i mirë e shet veten thotë populli, kurse mallrave “demode” bëji sa të duash reklamë, ato nuk t’i blen kush. Atëherë, përse bëhen tërë këto shpenzime e sidomos në këtë kohë fukarallëku e pandemie që edhe paratë shkojnë lumë edhe grindjet e përleshjet vazhdojnë (megjithëse tashmë politikanëve iu është regjur lëkura), harxhime karburanti bëhen, gjoba po ashtu. E ç’të them unë?! Të mos i shohin vallë politikanët disa kanale televizive që japin disa reklama që jo vetëm ta shpifin kur i sheh e i dëgjon, por të bëjnë që t’ia mbathësh natën me çarçaf në kokë duke mos marrë parasysh as orën policore! Kështu janë bërë edhe krerët e partive për të “shitur” “mallin” e atyre partive që janë bërë tamam për “skrap” që përveç shpenzimeve që thamë, po ua mpijnë edhe trurin qytetarëve, po çorroditin popullin me atë ç’ka kërkojnë politikanët, që qytetarët, të blejnë me zor sapunin për djathë! Në këto kushte, megjithëse politikanët e dinë mirë se çfarë “mallrash” kanë vazhdojnë t’u bëjnë jehonë që ato të “shiten”! Edhe atë që nuk ua blen kush e dinë mirë dhe ç’bëjnë. Janë kthyer në fallxhorë dhe shikojnë filxhanët. E çuditshme është se gjithmonë “filxhanët” tregojnë atë që ata mendojnë. “Filxhanët” e tipit sondazh, tregojnë gjithnjë atë që “të zotët” e kanë menduar me kohë, që do të dalin mbi 50% të votave. Kështu e shohin në ëndërr, kështu e vërtetojnë “filxhanët”dhe kështu e propagandojnë “fallxhorët” politikanë. Kundërshtarët politikë sipas tyre, do të marrin 0%. dhe do të shkojnë për “skrap” apo në “lanfille”! Vetëm një fjalë të mirë ka thënë Basha gjatë jetës së tij atë që “LSI-ja, do të shkojë për skrap”! Tani e mohon këtë sepse i duhet LSI-ja për t’u bërë kryeministër. Kur kujton të kaluarën kur kryeministri aktual i la një “glasë” në dorë të mbështjellë me letër karameleje, e tërbon fare dhe kërkon të vendosi “burrërinë” në vend nëpërmjet karriges së kryeministrit, duke iu lutur çdo njeriu që i del përpara si puna e një lypësi. Edhe Ilir presidenti, e di mirë që partia i ka shkuar për skrap prandaj edhe shkon tinëz nëpër lokalet e natës për të mbledhur “shollonurët” e partisë së tij si “Borëbardha me shtatë xhuxhat”. Kohët e fundit thotë: “N.q.s Partia LSI, konstatohet që vjedh votën, të fshihet nga faqja e dheut”! Ç’na bëre për të qeshur. Nuk ka kujt t’i ngjajë LSI-ja për vjedhje votash. E dyta, përderisa ajo parti, nuk ekziston më, si do të vjedhin votat? Ca të tjerë që s’kanë fare “haberin” se çfarë “mallrash” kërkojnë të shesin si ca Ndoka, Idrizë, Topallë, Hajdare, Murrizë apo ndonjë parti me etiketë “demokracia e re europiane” e shumë të tjerë, e dinë që në thesin e tyre nuk ka mbetur asnjë “rrobë njeriu”, por kanë mbetur vetëm etiketat në thes, kërkojnë t’i përziejnë atë me “mallin” e Bashës duke menduar që me kontributin zero të tyre, të mund të marrin ndonjë deputet për “sevap” nga Basha, apo Rama. Qysh kur “arbitri” kryetar i shtetit i fryu “bilbilit” për të filluar “startin” para nëntë muajve, “egërsirat” kanë filluar grindjet me të gjitha llojet e “armëve” që u jep “demokracia” me një përjashtim të vetëm jo në mënyrë të kulturuar si demokratë të vërtetë, por si “demokratikas” shpellarë me fjalët dhe veprimet më të rëndomta që janë edhe më të rënda nga plumbat e armëve. Ideja e këtij kryetari shteti, nuk ishte që të bëhen zgjedhje të lira e me standarde europiane, por qëllimi i tij ishte që të përleshen dy forcat më të mëdha politike të dobësohen sa më shumë e mundësisht të “gjakosen” dhe në fund të fitonte i treti që ishte vetë, por parashikimi nuk i shkoi. Kjo bëri që vetë presidenti, të dali nga “koshomarja” e presidentit dhe të dali të bëjë propagandë për partinë e tij të leckosur...

Krerët e politikës shqiptare edhe emrin e politikanit si njeri që bën premtime, që mashtron dhe është i pabesueshëm, e kanë bastarduar. Do të ishte më mirë të quhen “xhambazë” sepse kanë nëntë muaj që merren me “xhambazllëqe” dhe “matrapazllëqe”, vetëm politikanë nuk janë. Bëjnë matrapazllëqe me gjykatësit e të gjitha shkallëve e sidomos me atë të Kushtetueses. “Unë dua këtë gjykatës”, “Ky që caktoni juve si Parlament nuk plotëson kriteret”. Kërkojnë të përjetësohen në pushtet, duke zënë “miq” gjykatësit, prokurorët, bile edhe mjekët, sepse edhe këta, janë të ndarë në parti. “Ky është imi dhe ky është i juaji”! Shembullin, e jep i pari i “qoshesë” që quhet “garant i Kushtetutës”, por në fakt, bëhet “xhambazi i Kushtetutës”. Qysh tani, i kërkon atij që e “gënjente edhe kur e pyeste për orën”, të marrë Ministrinë e Brendshme. “Hane fshat hane Bagdad” thotë populli. Të mos e dijë vallë njeri se përse e kërkon këtë? Këtë e kërkon sepse e di “hakën” e vetes. Partia e tij, me të vërtetë ka shkuar për “skrap” dhe për këtë duhet ta besojë për të vërtetën që thotë ai që dikur e gënjente edhe për orën! Në këto kushte sipas tij, nëpërmjet Ministrisë së Brendshme, të mbledhë popullin përsëri si më 2 mars, këtë radhë për të bërë referendum. “Edi Rama, thotë “Komandanti” ka mbledhur tërë “llumin” e LSI-së dhe ka bërë “ajkën” e PS-së”! Dhe më tej shton: “Mos më detyroni që të thërras një 2 mars tjetër” apo “Kush të dojë të vijë e të ndeshemi në qendër të Vlorës”! Këta “llum” si Naço, Rehovica etj. mbasi kanë “llumosur” LSI-në e presidentin tani shkuan të bëjnë “ajkën” e Ramës”! “Tufa tufa po ikin hajdutët e LSI-së dhe shkojnë me Ramën thotë një LSI-st tjetër që “nuk hyn” në tufën e hajdutëve i tipit Rama, që Naços nuk i shkon as tek thoi i këmbës. Çudi si i ka mbajtur në gjirin e saj LSI-ja këta “llumra”! Apo ishin “ajkë” atëherë dhe tani që ikën, u kthyen në “llumra”? Krerët e politikës, nuk lënë gjë pa nxjerrë nga goja për kundërshtarin e tyre dhe kur vjen puna, brenda një kohe të shkurtër, hiqen sikur të mos ishin ata që kanë vjellë vrer me “kuintalë” për kundërshtarët politikë. Kemi mësuar që egërsirat e pyllit, bëjnë të njëjtën gjë. Ato grinden për të mos hyrë në zonat e influencës të njëra-tjetrës, për të mos lejuar asnjë tjetër që të bëhet pjesëtar në kërmën që kanë gjetur apo që ka zënë e në fund për të treguar se kush është më i fuqishëm nga tjetri. Politikanët shqiptarë, mbasi kanë copëtuar “kërmën” Shqipëri në njëqind e tridhjetë e shtatë “copa”për tridhjetë vite, tani luftojnë se kush të rrëmbejë “copën” më të madhe.

Njeriu, nuk lind as i ditur, as idiot, as tolerant as “egërsirë”. Rrugën e merr në jetë. E çfarë mund të bëhet tjetër njeriu kur rritet në një ambient i rrethuar nga “egërsirat”, antihumanët, llafazanët e karrieristët që duan vetëm pushtet? Por, a mund të rriten vetëm gjysmët të tillë dhe gjysma tjetër të jetë ndryshe. Të tillë, të të njëjtit kallëp, janë të gjithë, të majtë të djathtë. “Hiqe veten si pak të mençur dhe pak të zgjuar. Mendjemadhësia, na ka çmendur gjer më sot”, shkruan Mithat Frashëri. Mendjemadhësia, fodullëku dhe mburravecllëku janë disa tipare që shqiptari i ka në gjak. Kur këto shoqërohen edhe me funksionin shtetëror, bëjnë atë që të kalojnë çdo cak. Ja ç’thoshte një ish-president dhe ish-kryeministër. “Shqipëria, është sot një Zvicër në mes të detit”, “Shqipëria, është Norvegjia e Ballkanit” apo “Është kopshti i lulëzuar i Europës”, “Ekonomia shqiptare, është ekonomia e dytë në Europë, pas Gjermanisë”. Më pas një “sejmene” e tij vazhdonte: “Kur pava rrugan Fier Vlorë m’u duk vedi sikur udhtoja nëpër rrugat e Xhermanisë. Këtë, e ka ba Sali Brrisha”. Me të tilla “mysybete” politikanët e Shqipërisë, janë munduar të mbajnë pushtetin e tyre. Tallje më të madhe, nuk mund të gjesh, kur i ballafaqon po me thëniet e tyre jo më shumë se një vit më vonë. “Ekonomia shqiptare ndodhet sot në buzë të greminës. Ajo sot, është një geto në mes të Europës”! Po pse Shqipëria, nga “Zvicra në mes të detit, u kthye në një qese plastmasi në mes të hedhurinave” etj. profka të tilla? Me këtë mënyrë, egërsirat e politikës edhe mburrin vetveten edhe hedhin baltë mbi kundërshtarin edhe tallen me qytetarët. Vetëm tek Shqipëria nuk e kanë mendjen, e “hedhin e presin” sikur të ishte “lodër”! Korrupsioni bën kërdinë, hajdutët po ashtu, Shqipëria shpopullohet… E kanë marrë me seriozitetin më të madh këta farë xhambazësh të politikës vetëm atë që të shesin “mallrat skarco” për të marrë pushtet! Kjo është “kryesorja” paçka që Shqipëria, ka mbetur atje ku e la Perandoria Osmane…