BREAKING NEWS

“Krenar për fitoren e thellë”/ Mjeku i njohur Petrit Vargu që u shkarkua nga detyra jep lajmin fantastik: Së shpejti...

“Krenar për fitoren e thellë”/ Mjeku i njohur Petrit Vargu
x
BREAKING NEWS

Kujt i kalon trualli i Teatrit Kombëtar? Qeveria merr vendimin e menjëhershëm, ja çfarë përcakton VKM-ja

Kujt i kalon trualli i Teatrit Kombëtar? Qeveria merr vendimin e
x
BREAKING NEWS

Përgjaken rrugët e vendit që në mëngjes/ Aksidenti tragjik iu merr jetën dy të rinjve. Policia zbardh detajet e rënda

Përgjaken rrugët e vendit që në mëngjes/ Aksidenti
x
BREAKING NEWS

SHBA ultimatum për likuidimin e Berishës nga politika, Kim 1 muaj afat Bashës për të spastruar partinë nga mbetja e fundit e komunizmit në Parlamentin e ri

SHBA ultimatum për likuidimin e Berishës nga politika, Kim 1 muaj afat
x
BREAKING NEWS

Kreshnik Spahiu: Sali Berisha anti-amerikani më i madh në vend, në 30 vite ka pasur vetëm përplasje me Uashingtonin

Kreshnik Spahiu: Sali Berisha anti-amerikani më i madh në vend,
x

Opinion / Editorial

“Malorja” e PD drejt pushtetit

“Malorja” e PD drejt pushtetit

Pavarësisht “non gratës” së SHBA, mendohet që zgjedhjet për drejtues në PD të konfirmojnë statuskuonë dhe ky nuk përbën lajm. Lajm do të ishte nëse ndërkohë dikush apo akoma më mirë disa, duke marrë shkas edhe nga “non grata” amerikane, do të mund të artikulonin ca të vërteta që më pas PD duhet t’i pranojë gjerësisht nëse e ka seriozisht ambicien për pushtet. Zëra, ndryshe nga më parë, po dëgjohen që tani aty dhe mbetet për t’u parë nëse do të shndërrohen në kor sepse një reflektim e reformim rrënjësor është vërtet jetik për PD. Ndonëse parti e dytë në vend dhe ikonë e lindjes së pluralizmit politik, PD ka kohë që është në “tako” dhe herët a vonë, një fytyrë e re, frymë e re dhe një raport korrekt me të vërtetën janë e vetmja mundësi për të për të bërë më tej. Të gjithë do të dëshironim që distancimi nga e keqja e tranzicionit të ishte edhe zhbërje e dëmit kolosal të tij, por më mirë vonë se kurrë, për demokracinë dhe PD në radhë të parë. Pa këtë distancim, e humbura e madhe do të ishte PD-ja që do të kalcifikohej në opozitë deri në fosilizim politik pa kthim. Ndaj dhe e ardhur në kohë, “non grata” amerikane po ia jep një dorë dhe po ia bën më të lehtë këtë mision PD. Boll sy e veshë.

Tri të vërteta përballë PD

E vërteta e parë që PD duhet të pranojë e reflektojë është fakti se ajo humbi zgjedhjet dhe se ajo realisht nuk ka patur e nuk e ka mbështetjen e shumicës në elektorat. 92 ishte ndërrim sistemi, 96 mbushje kutish, 2005 hapi portën PS e kaluan ylberin agrarët, 2009 u mbyllën kutitë dhe iu gjet LSI! Retorika e “masakrës” zgjedhore për vota që nuk ua dha kush, thjesht e kompromenton më tej imazhin e saj. Ka një arsye përse PD është parti në minorancë e kjo ka të bëjë me zgjedhjen e saj në vitet ‘90. Antikomunizmi pa fre revanshist i PD futi gjithçka në një thes dhe kjo nuk u prit e përjetua mirë dhe nuk harrohet nga shumica e shoqërisë e lidhur ngushtë me LANÇ dhe punën për rindërtimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Në vitet 90, PD humbi shansin historik të vinte në vend padrejtësitë historike pa krijuar të tjera ndërkohë. Si parti e trumbetuar e lirisë, PD humbi shansin të përfaqësonte të gjithë dhe të vërtetën pa dallim, të vlerësonte disidencën antikomuniste, por dhe të distancohej nga çdo “antikomunizëm” ordiner, rënie nga “fiku”, antishqiptar apo kolaboracionist, të denonconte dramën e luftës klasore, por edhe të vlerësonte pa komplekse sakrificën mbarëpopullore e protagonizmin gjatë LANÇ dhe shtet-ndërtimit më pas. Po ta bënte, do kishte edhe shumicën pas. Ndonëse me etiketë “demokratike”, PD nuk u bë zëdhënëse e mbarë shoqërisë, por ia ngushtoi hapësirat vetvetes me obsesionin antikomunist duke degraduar në revanshizëm me pozicionimin e saj në ekstremin e djathtë politik sikur të kishte përballë jo një PS që po reformohej dhe po reflektonte me shpejtësi drejt një të majte europiane, por vetë PPSH e dikurshme! E vërteta e dytë që PD duhet të pranojë e reflektojë është se ajo dogji shanse pas shansesh për t’u bërë një forcë e besueshme në qeveri. Qeverisjet e saj lanë pas gjithnjë “litarë” e drama pafund dhe në opozitë radikalizimin ajo e kishte natyrë të dytë duke shpërdoruar disa mundësi për ta patur shumicën pas. Ndaj dhe nuk është çudi që Rama fiton 3 herë rresht. E vërteta e tretë dhe e vulosur së fundi edhe nga “non grata” e SHBA, është se PD është e marrë peng dhe kjo kërkon reflektim urgjent. Ndryshe, nëse PD etiketohet si parti që i bën karshillëk partnerit më të madh historik të popullit shqiptar, ajo bie në “abis” politik pa kthim sepse shqiptarët, të majtë e të djathtë, çmojnë lart njësoj miqësinë me SHBA dhe nuk do ngurrojnë të shpallin “non grata” me votë këdo që i bën karshillëk asaj.

 PD-së i trokiti fati në derë

“Non grata” amerikane nuk është ngërç por fat për PD. Një shans për të thënë e bërë të paimagjinueshmen deri tani. Dhe distancimi nga trashëgimia problematike nuk e lë PD pa histori. Historia e tejkalon individin dhe e nesërmja është fletë e bardhë për t’u mbushur sërish. Ndërkohë, distancimi real në vetvete do të ishte histori. Çlirimi prej kultit të personit, braktisja e trashëgimisë që nuk përbën aset, por litar nëpër këmbë për të ardhmen e PD dhe demokratizimi pa kthim në parti është histori me të cilën mund të krenohet çdo demokrat më pas dhe kjo padyshim do të vlerësohet edhe nga elektorati dhe partnerët tanë. Një distancim i tillë do të ishte një rikthim në vitet ‘90 për PD, shans i dytë për ta filluar me këmbën e mbarë dhe krijuar një raport të ri me të vërtetën e shumicën në vend. Një PD e re do të shihej ndryshe nga shumica nëse synon “gol” në fushën e PS duke vlerësuar objektivisht të kaluarën, LANÇ dhe ndërtimin e vendit më pas. Fundja, antikomunizmi, respekti ndaj disidencës dhe vlerësimi në tërësi objektiv dhe jo bardhë e zi i së shkuarës nuk kanë pse të jenë “ekskluzive” të asnjë partie me ndikim e avantazhe elektorale më pas. Vetë PS ka kohë që i ka hyrë në “hise” PD-së. Nga profili i kryetarit, ceremonitë e debatueshme përkujtimore, vëmendja ndaj shtresave të persekutuara etj. Është koha PD të bëjë të sajën duke filluar me së pari me njohjen e 29 nëntorit si datë e çlirimit të Shqipërisë etj. PS e PD si dy parti demokratike nuk bën të dallohen nga qasja ndaj lirisë së individit e pronës, solidaritetit social, respektit ndaj ligjit e shtetit ligjor, respektimit të disidencës, vlerësimit objektiv të së shkuarës apo luajalitetit me partnerin historik SHBA. Vendi nuk i duhet polarizimi politik e shesh-beteja kryesore zgjedhore mes partive duhet të jetë qëndra e politikës ku dallimi mes tyre duhet të jetë qasja social-ekonomike që partitë përzgjedhin për të garantuar sipërmarrje të suksesshme dhe mirëqenie për të gjithë, qofshin të majtë apo të djathtë. Dhe nëse gara zgjedhore mbërrin deri këtu, boll që PD të shënojë “gol” në fushën e saj për të bërë edhe shumicën për vete më pas. Por, demokratizimi i PD-së dhe ngjitja e “malores” drejt pushtetit fillon me çlirimin nga pengmarrja e gjatë brenda vetes. “Non grata” e SHBA po ia bën më të lehtë atë. Me të, PD-së dhe mbarë shoqërisë, i ka trokitur fati në derë.