BREAKING NEWS

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre të plagosur mes tyre dhe dy efektivë Policie, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj bëjnë lëvizjen urgjente. Blindohet zona, zbarkojnë RENEA dhe FNSH

E rëndë/ Të shtënat me armë që lanë tre
x

Opinion / Editorial

Mandatarë të përkohshëm, që vijnë, “rrëmbejnë” e shkojnë!

Mandatarë të përkohshëm, që vijnë,

Nuk bëhet fjalë për lidera, as për politikanë që edhe këta, që e justifikojnë punën e tyre, janë të paktë. Kjo është karakteristika e mandatarëve në këta tridhjetë vitet e fundit qysh nga rënia e komunizmit. Të gjithë qytetarët bashkohen në një zë, në atë që përgjegjëse për gjendjen ku ndodhemi, për mjerimin, për mungesën e perspektivës, për mungesën e besimit e gjithçka tjetër, është kjo klasë, që unë nuk do ta quaj “Klasë Politike”, por klasa e mandatarëve të përkohshëm që vijnë e ikin. “Në politikë, thotë Potter, nuk la liderë të përjetshëm, ka mandatarë që janë të përkohshëm”! Në këtë kuptim, e sidomos këtu tek ne, sikur të kishim liderë ata do të ishin të imponueshëm edhe për opozitën, por kjo nuk ndodh. A e dini pse ndodh? Sepse, po të kishim lider, ai do të mendonte për të mirën e të gjithëve, do të ishte i imponueshëm edhe për pozitën, edhe për opozitën. Në të kundërt, mandatarët tanë, mendojnë që kush të rrëmbejë më shumë, sepse “koha nuk pret”! Pra për të rrëmbyer, mendojnë sikur do të ikin nesër, kurse për të qëndruar në pushtet, mendojnë sikur do të jenë të përjetshëm sepse po iu qepën karriges, është e vështirë që atë ta lëshojnë. Më mirë se kushdo, këtë e ka thënë Namik Hoti. Po të punojnë liderët, si lidera të vërtetë edhe opozita nuk ka ku të kapet, por sepse mandatarët punojnë për veten e vet, prandaj edhe u japin shkas opozitarëve, që në mungesë të alternativave qeverisëse, vetëm sulmojnë “oligarkët dhe hajdutët e veshur me pushtet” që të ikin ata e të vijnë këta “të ndershmit” sikur qytetarët, nuk i njohin se çfarë “malli” janë! Është bërë “modë” tashmë në këta tridhjetë vite. Ai që vjen në pushtet, që formon qeverinë, nuk i sheh të gjithë njësoj, sepse “harrojnë” apo shpërdorojnë besimin që i kanë dhënë notuesit që të gjithë t’i shohin njësoj, pa dallime partiake, e cila kjo në një farë mënyre, do t’u mbyllë gojën edhe opozitarëve “grindavecë” dhe duan apo nuk duan opozitarët, duhet ta dëgjojnë e ta respektojnë qeverinë, sepse ajo, është vetë populli, është shumica në qeverisje. Por ç’ndodh? Pse opozitarët, gjatë katër viteve merren vetëm me mungesat e dobësitë e qeverisë apo më keq akoma me kryetarin e qeverisë. A ka faj opozita? Ka shumë faje, sepse nuk paraqet asnjë alternativë më të mirë qeverisëse, por merret vetëm me dobësitë e qeverisë dhe qëllimi i tyre është vetëm të vijnë në pushtet. Këta, kujtojnë sikur nuk i njohin qytetarët dhe “gunën” e tyre që e kanë kthyer tashmë në të kundërt nga fryn erra. Kur këta opozitarë dje ishin në pushtet, nuk lanë dallavere pa bërë, por ja që sot janë në opozitë “u qajnë hallin qytetarëve” që nuk kanë bukë të hanë, që jetojnë me pensione qesharake, me një asistencë më qesharake akoma me të cilën nuk mund të blesh as çerekun e ilaçeve të muajit dhe merret me mend se si do të përballosh jetesën e shtrenjtë. Këto thotë opozita dhe jo vetëm kjo që është sot, por edhe ata që kanë qënë dje e do të vijnë nesër. Por opozitarët, nuk janë edhe shumë fajtorë, sepse “pafajësinë” ia jep vetë qeveria, ia jep pushteti qendror dhe ai vendor, ia jep kryeministri i pari,ija jep Kryetari i Bashkisë e deri poshtë. Po si ja jep këtë “pafajësi”? Ia jep me atë që gjatë katër viteve apo për periudhën sa do të qëndrojë nuk i sheh të tëra hallet e të gjithëve njësoj, por sheh vetëm ata të partisë. Këta që vijnë në pushtet nuk e “tundin këmborën” ashtu si i ka thënë votuesi sepse duan apo nuk duan opozitarët, në demokraci, sundon shumica dhe zëri i shumicës shprehet nëpërmjet qeverisjes, e cila kjo është e paanshme. Z. Rama, po marr këtë që është sot në krye të qeverisë edhe gjatë kësaj fushate, ai bëhet më partiak se partiakët e rëndomtë duke bërë gjithçka për të marrë mandatin e tretë. Kjo është e drejta e tij, por jo duke vënë tërë potencialin që i jep mandati dhe funksioni në interes të forcës së tij politike. Ç’punë ka kryeministri se cilët kandidatë për deputetë do të caktojë opozita? Kjo është puna e tyre, sepse sa për këtë edhe njëri edhe tjetri, të njëjtë janë, kur vendosin njerëz me probleme si pjesmarrës apo mbështetës në krime apo trafiqe. Dalim në konkluzion: Pushteti, nuk është si partitë që sot janë me dhjetëra e nesër mund të bëhen me qindra, e aq më tepër ne, që e kemi zakon që për çdo familje e far e fis të kemi një parti më vete, por pushteti, qendror apo vendor, është një dhe është për të gjithë qytetarët… Tek ne, çdokush është një parti e mundësisht të jetë edhe një “shtet” më vete. A është qeveria dhe kryeministri i të gjithë shqiptarëve? A ka detyrë që qeveria dhe kryeministri të sigurojë infrastrukturën e nevojshme për zgjedhje, që më vjen zor të them “të lira e të ndershme” sepse këtu në këtë vend asnjëherë nuk janë bërë e nuk do të bëhen zgjedhje të lira e ca më pak të ndershme. Lidhur me këtë, vullneti i popullit, asnjëherë nuk shprehet ashtu si ai mendon, por herë imponohen e herë mashtrohen. Mandatarët, bëhen si “shosharkat” ditë e natë bëjnë llogaritë “sa vota do të më sigurojë “x” apo “y” mik dhe ditë e natë vihen në kërkim të miqve dhe shokëve, të ndonjë hallexhiu që vuan për bukën e gojës, të ndonjë të papuni që “e bind” me ardhjen e tij në pushtet... Po pse votuesit, janë kaq të zhgënjyer nga qeverisja e më keq akoma nga partitë aq sa kur i kujtojnë u krijohet alergji? Nuk është faji i votuesve, por i mandatarëve, të cilët vetëm një muaj në çdo katër vjet “punojnë” me mish e me shpirt që të zënë karrigen e deputetit dhe deri këtu, merr fund “misioni” i tyre. Përse Shqipëria ka mbetur atje ku e la diktatura komuniste apo edhe më keq akoma? Sepse mandatarët e kësaj klase mandatarësh, kanë ardhur, kanë parë dhe kanë ikur duke e lënë Shqipërinë edhe më keq nga sa e kanë gjetur. Politika, nuk është profesion, kjo është e vërtetë. Por, po kaq e vërtetë është që të gjithë, janë gati të lënë çdo profesion që kanë, dhe t’i vërsulen politikës, sepse vetëm ajo të jep pushtet, të siguron të ardhura, të kesh në dorë gjithçka jo vetëm për vete, por edhe për tërë farefisin. Sikur të jetë një i paanshëm apo si të themi një i deleguar i Zotit e të pyesë z. Basha që pretendon të bëhet kryeministër. “Cili jeni juve, ku shkoni, nga vini dhe çfarë provash keni dhënë për të marrë këtë post”? Z. Basha me siguri do të uli kokën, sepse ai, jo vetëm që kontribute nuk ka, por i gjithë aktiviteti i tij është negativ. Edhe kur ka qënë përkthyes që nuk e nxori e nuk e nxori kasetën e Krushës edhe kur ka qënë dy herë ministër edhe kur ka qënë kryetar i bashkisë. Mundet që të mos jenë të vërteta, por mundet edhe të jenë sepse askush nuk na ka mbushur mendjen që qëndrojnë apo nuk qëndrojnë. Mbetet të besojmë atë që na thotë Flutura Açka që Basha e vendos në listë: “z. Basha, nuk ka një histori dashurie si edhe kryeministri im holandez”. Ja pra cilën kërkon Basha të bëjë deputete. Μοs o Zot! Basha, na del që me pushtetin, kërkon të bëjë eksperimente që derisa të mësojë Basha artin e të qeverisurit, e ka marrë “ferra uratën”! Më keq akoma është që nuk i njeh vetes asnjë të metë dhe të gjithëve edhe kalamajve edhe të moshuarve edhe studentëve edhe mjekëve iu premton që do t’u japi para “me grushte” pa patur idenë se nga vijnë këto para. Kështu edhe presidenti erdhi në atë detyrë duke qenë njeriu më i përfolur në të gjitha detyrat që ka kryer. Por, a është faji i tij? Absolutisht jo, sepse faji kryesor është i mazhorancës me Edi Ramën në krye, të cilët, këta e dinin se si ai do të kryente këtë detyrë, por për të mos e patur “ferrë nëpër këmbë” ia bënë atë nder, për t’i bërë “qeder” Shqipërisë dhe qytetarëve, ose dhanë pesë lekë e hynë në valle dhe japin pesë mijë e nuk dalin dot”. Më kot mërmëritën sikur do ta largojnë, sepse Ilir Metën ata nuk e shkarkojnë kurrë pavarësisht “filmave”! Si “mjeshtër” që është Ilir Meta, fshihet prapa Kushtetutës së “kuqe” për të fshehur “të zezat” e tij dhe tani e ka hequr edhe Kushtetutën për të bërë propagandë në interes të partisë së tij të shpartalluar plotësisht. Brenda “kuvlisë” së tij Presidencë, ai vetëm jep dekorata, e meritojnë ose jo, mjafton që të “riparojë” LSI-në dhe të “shkatërrojë” të tjerët. Këta janë mandatarët që vijnë e ikin pa as një “shkrap” në politikë. Ka deputetë, që po t’i shohësh kur diskutojnë apo kur shkruajnë me ato “shkrapat” si me këmbët e pulës të ikën truri. Me gjuhën e presidentit, flasin edhe tërë ata që ai ka vendosur në listë për kandidatë. Elona Guri, kjo LSI-ste kërkon të fitojë një mandat duke sharrë “Halabakun” Rama që “mban legena pas vetes”! Flet me këtë gjuhë një femër, një nënë, një motër, një grua që kërkon të bëhet përfaqësuese e popullit. Kjo, është më shumë se “kuje”! Pas saj, më pas, vijnë me radhë ca aktorë që “aktrojnë”: “O pjella bastarde, flejeni mendjen, do të fitojë Lulzim Basha e të shihni çfarë do ju bëjmë ne, bijtë e Skënderbeut”! Mbas më shumë se pesë shekujsh na dolën kush janë “bijtë e Skënderbeut” e kush “bijtë e Hamzait”! Ka edhe një të keqe të tjetër të madhe ajo që jetojmë në një kohë “postfaktuale” apo përtej faktit, prandaj edhe kemi një klasë mandatarësh qesharakë, një banalitet pa asnjë grimë kulturë, një spekullim mbi fukarallëkun e tejskajshëm, spekullim me viktimat e baltosjet e pafund për të ardhur në pushtet e Shqipëria të mbetet atje ku e la turku, për të cilën do të bëjmë fjalë në ditët në vazhdim. Në përfundim, duam të theksojmë se as më shumë e as më pak, e keqja më e madhe është ajo që “kontributi” i vetëm që të vijnë në pushtet këta mandatarë, janë “ulërimat” që vijnë nga turmat. Atje ka mbetur ora e opozitës tek dy gishtat përpjetë dhe “Rama Ik” qysh përpara afro tridhjetë viteve kur ulërinin “Nano Ik” kur vetë janë të ndërgjegjshëm që askush nuk ka ikur me britma “Nano, Berisha, Rama Ik”! Kemi shkuar si pa u ndjerë akoma deri në kohën kur Shekspiri i Madh shkruante: “Në këtë kohë të ngjallme e shpirttrashë, u dashka, virtyti, t’i kërkojë ndjesë vesit”!