Opinion / Editorial

Mangësitë dhe shkeljet me Fondin Rezervë dhe Fondin e Kontigjencës

Mangësitë dhe shkeljet me Fondin Rezervë dhe Fondin e

Për disa vite përdorimi i Fondit Rezervë i Buxhetit të Shtetit dhe Fondit të Kontigjencës kanë rezultuar me mangësi e shkelje të Ligjit Organik të Buxhetit dhe të udhëzimeve për zbatimin e tij. Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit (FRBSH) dhe Fondi i Kontigjencave (FK) janë pjesë integrale e Buxhetit Vjetor të Shtetit dhe e Pasqyrës Vjetore Fiskale të tij. Këto fonde miratohen, ndryshohen e raportohen në Kuvendin e Shqipërisë deri në masën 3% të shumës së fondeve të miratuara vjetore, fonde që planifikohen çdo vit nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, përdoren me kërkesa të institucioneve qendrore dhe miratohen me Vendime të Këshillit të Ministrave, në zbatim të ligjit organik të buxhetit. Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit është fondi, që krijohet për të financuar shpenzime jo të përhershme të paparashikuara në fazën e përgatitjes së buxhetit të shtetit, përdoret vetëm për rastet e financimit të shpenzimeve, të cilat nuk njihen dhe janë të pamundura të parashikohen gjatë procesit të përgatitjes së buxhetit.

Fondi i Kontingjencës është fondi i pashpërndarë, që krijohet për të mbuluar risqet e mundshme në normat e interesit dhe efektet e mosrealizimit të të ardhurave. Në zbatim të ligjit organik të buxhetit dhe ligjit vjetor, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka miratuar udhëzime, ku janë përcaktuar kërkesat për përdorimin e Fondit Rezervë të Buxhetit të Shtetit dhe Fondit të Kontigjencave, mënyra e miratimit dhe përdorimit të tyre. Për vitin 2018, struktura e përdorimit të Fondit Rezervë të Buxhetit të Shtetit, i takon aktiviteteve në realizimin e vetingut në drejtësi, shpronësimeve, arbitrazheve ndërkombëtare e të tjera dhe nuk është përdorur për emergjencat natyrore. Rreth 80% e fondit rezervë është përdorur për shpenzime operative e paga dhe vetëm 20% e tij është përdorur për investime. Edhe në 7 vjet resht të marrë në analizë ky fond është përdorur shumë pak për emergjencat natyrore dhe për investime të ndryshme. Nga auditimi për vitin 2018, mangësitë dhe shkeljet e konstatuara në kundërshtim me ligjin organik të buxhetit dhe udhëzimin standart të tij, në vendimet për përdorimin e fondit rezervë të buxhetit të shtetit, kanë rezultuar:

- Në 7 VKM, në vlerë 353 milionë lekë, ose 24% e vlerës së përdorur të këtij fondi, nuk janë të shoqëruara me relacionet shpjeguese për shpenzimet që kërkohen nga institucionet përfituese për përdorimin e tij, duke mos specifikuar natyrën e shpenzimeve, kriteret dhe mënyra e llogaritjes, si dhe arsyetimin mbi pamundësinë e financimit nga buxheti i vitit 2018.

- Në 8 VKM, në vlerë 449 milionë lekë, ose 30% e vlerës së këtij fondi, dosjet e vendimeve të Këshillit të Ministrave, nuk kanë preventiv shpenzimesh nga institucionet përfituese.

- Në 8 VKM, në vlerë 389 milionë lekë, ose 26% vlerës së këtij fondi, nuk janë miratimet e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për përdorimin e tij.

- Në 5 VKM, në vlerë 535 milionë lekë, ose 36% të vlerësimit së këtij fondi, fondi rezervë është përdorur si “shtesë buxheti”, fonde të cilat duhet të parashikoheshin në përputhje me procedurat dhe kriteret ligjore të planifikimit të buxhetit dhe të miratoheshin me ligjin vjetor të tij.

Nga auditimi i përdorimit të Fondit Rezervë të Buxhetit të Shtetit edhe përgjatë viteve 2012-2017, kanë rezultuar mangësi dhe shkelje në dokumentacionin e miratimit për përdorimin e tij. Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit në Ministrinë e Financave i justifikon mungesat dhe pasaktësitë në dokumentacionin e dosjeve të VKM për përdorimin e Fondit Rezervë të Buxhetit të Shtetit, me disa vendime që merren pa u miratuar më parë nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë. Për këto 7 vjet të marrë në analizë, kanë rezultuar vlera të konsiderueshme të këtij fondi që përdoren si “shtesë buxheti”, apo pa “projektin dhe relacionin” për domosdoshmërinë e emergjencës së përdorimit të tij dhe pa “miratimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë”, duke shkelur kështu si ligjin organik të buxhetit dhe udhëzimin standard të zbatimit të tij. Në formë grafike përdorimi i fondit rezervë të buxhetit të shtetit me vite, krahasuar me fonde të përdorura me mangësi e shkelje në dokumentacion janë si në grafikun e mëposhtëm:

Mangësitë dhe shkeljet me Fondin Rezervë dhe Fondin e

Për vitin 2018, mangësitë në vendimet për përdorimin e fondit rezervë janë më të larta se një vit më parë, pra kapin vlerën 927 milionë lekëve, ose sa 63% e vlerës totale të përdorimit të tij për këtë vit. Po kështu me vlerë të lartë në mangësi e shkelje në përdorimin e tij janë vitet 2015 me 77% të vlerës totale të përdorimit të tij dhe viti 2012 me 54% të vlerës totale të fondit rezervë të përdorur. Në sqarimet edhe të këtij viti, por edhe të shumë viteve më parë të Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, këto mangësi e shkelje justifikohen me vendime të marra pa u paraqitur për mendim tek Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Ky argumentim i përsëritur pothuajse çdo vit nga kjo ministri nuk mund të justifikohet, sepse është ky institucion që harton udhëzimet e zbatimit të buxhetit, që alokon këto fonde dhe me klauzolat që do të vendoste në këto udhëzime, do të ishte bërë barrierë në alokimin e këtyre fondeve me mangësi e shkelje. Gjithashtu Kontrolli i Lartë i Shtetit, çdo vit ka lënë rekomandime për strukturat drejtuese të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, që në bashkëpunim me strukturat menaxhuese të Këshillit të Ministrave, të përcaktojnë në ligjin vjetor të buxhetit dhe në udhëzimin vjetor të zbatimit të tij, klauzola për alokimin e Fondit Rezervë të Buxhetit të Shtetit, duke vendosur dhe përcaktuar në këto udhëzime edhe sanksione për ata që i shkelin këto përcaktime ligjore.

Nga auditimi i përdorimit të Fondit të Kontigjencës, i cili është fondi i pashpërndarë e që krijohet për të mbuluar risqet e mundshme të normave të interesit dhe efektet e mosrealizimit të të ardhurave, ka rezultuar se në 2 vitet e fundit, 2017 dhe 2018, megjithëse është programuar nga 4 miliardë lekë në vit, nuk është përdorur për të mbuluar risqet e krijuara nga normat e interesit të kredive, apo titujve të qeverisë, ndërsa për vitet 2012-2016, ky fond është përdorur me kriteret e përdorimit të Fondit Rezervë të Buxhetit të Shtetit, në kundërshtim me ligjin organik të buxhetit. Sipas ligjit organik të buxhetit duhet të ishte Kuvendi ai që duhet të përcaktonte se në çfarë mase Fondi i Kontigjencës do të përdorej për mbulim të deficitit, për financime të reja dhe sa për shtim financimesh mbi programet ekzistuese. Mungesa e përcaktimit të destinacionit të përdorimit sipas kategorive të sipërpërmendura, ka sjellë për pasojë që për vitet 2012-2016 ky fond të përdorej me të vetmin kriter, me Vendim të Këshillit të Ministrave për: detyrime të lindura nga vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) dhe vendimeve të arbitrazhit ndërkombëtar, apo për aktivitete të tjera jashtë përcaktimeve të ligjit organik, duke cenuar në këtë mënyrë tragetet ligjore të Kuvendit.

*Audituese e KLSH